Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Teatri Kombëtar është në këmbë!
Një vit më pas, sot më 7 maj kujtuam një sukses të parë të rëndësishëm në përpjekjen tonë për t’i kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur teatrit, artit e qytetarisë shqiptare.
Vendosja e shkronjave të arta të Teatrit Kombëtar që ishin vjedhur nga vjedhësit e shkronjave, cubat e mafies në pushtet, ishte kurorëzimi i një aksioni qytetar që zgjati për dy javë që nga dita kur vendimi u mor në shesh nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Regjisori Robert Budina, një ndër figurat kryesore të qëndresës sonë, me shumë dashuri e përkushtim u mor me koordinimin e këtij procesi pune.
Çdo qytetar ishte i ftuar të kontribuonte një shumë maksimale prej 500 lekësh. Kushdo që kthehej në kontribues financiar pajisej me mandat arkëtimi dhe shumëkush e mban këtë mandat arkëtimi si një suvenir nga ajo ditë e paharrueshme.
Shkronjat u përgatitën edhe më të bukura se ato që u vodhën dhe u mor vendimi edhe se si duhet të organizohej rivënia e tyre.
A do të na pengonte policia? A të njoftoheshin mediat? Si do të mbroheshim?
Partia Demokratike dhe z.Sait Dollapi na u gjendën krah. Një vinç u soll atë pasdreke në teatër që do të shfrytëzohej për vendosjen e shkronjave. Por kush do të ngjitej për t’i vendosur ato? E mira ishte që dikush nga ne ta ndërmerrte këtë aksion.
Rudi Erebara, shkrimtar e artist, në atë kohë ende shumë aktiv në qendresë, u ofrua dhe gjithçka mori për mbarë. Si njeri me përvojë edhe për t’u marrë me punë fizike, Rudi u shfaq i pajisur me përparëse dhe vegla, një figurë si të kishte dalë nga një film apo më mirë që po hynte në një të tillë.
Sheshi u mbush plot me njerëz. Shkronjat u nxorrën para tyre. Në platformën para pankartës Mbro Teatrin ato fillimisht u ekspozuan në dy “kate”. Më pas të gjithë u zhvendosën për te hyrja e teatrit. Vinçi u afrua, Rudi hipi në kutizën kovë dhe me të u ngjit lart lart.
Emocione të papërshkrueshme, njerëz të shumtë që shijonin, filmonin, fotografonin e brohorisnin sa mundeshin.
Në mbyllje, me qetësinë e heroit të qytetit për atë ditë, Rudi pa nga njerëzit dhe përshëndeti me dy gishta: fitore!
7 maji i shkronjave u kurorëzua me aq shumë foto, përqafime e dolli sa e meritonte. 7 maji 2020 na shërbeu për të kujtuar se ku ishim e ku jemi një vit më pas.
Teatri Kombëtar është në këmbë, me gjallëri artistike si rrallëherë në ndonjë sezon artistik në vitet e fundit kur ishte dënuar për t’u rrënuar. Në duart e qytetarëve ai ka njohur një jetë të dytë që me shpresë e vullnet të mirë do t’i mundësojë restaurimin dhe ringjitjen aty ku i takon. Si vlerat arkitektonike, historike e kulturore të ndërtesës së Teatrit Kombëtar ashtu edhe lëvizja qytetare që e ka mbrojtur atë deri më sot, bënë të mundur që Europa Nostra dhe bashkë me të edhe institucionet që mbështesin ekzistencën e saj, Instituti i Bankës Europiane të Investimeve dhe programi Creative Europe i Komisionit Europian, e përfshiu në listën e vendndodhjeve më në rrezik e që duhet të shpëtohen me patjetër.
Me akte si ky i shkronjave le të bëhemi më të ndërgjegjshëm për forcën tonë si qytetarë. Vullneti ynë bën të pamundurën të mundur. Teatri Kombëtar është dëshmia më e mirë për këtë.