Fitnete Gruda: Kohë të vështira zbulojnë të vërteta
Në kohën e Covid-19 edhe arsimi u gjend përballë sfidave si për mbrojtjen e jetës së nxënësve, mësuesve, po ashtu edhe në raport me ndryshimet e vështira në mësimdhënie. Në këto kushte kur dixhitalizimi në arsim ka mbetur vetëm një slogan, MASR nxitimthi zgjodhi implementimin e pjesshëm, të detyruar, të teknologjisë së informacionit në mësimdhënie në kushte shtëpie, të ashtuquajtur ”mësimi online”-një kompleksitet lidhjesh: mësuesit (që do të përcjellin dije)– nxënësit (aftësia e tyre për të marrë dije) – prindërit (me përfshirjen së tyre në këtë proces). Por ndodh që kohë të vështira të zbulojnë të vërteta.
Lind pyetja: “Çfarë të vërtetash zbuloi Covid -19 në arsim?!” Në fokus të politikave arsimore, në çdo kohë, duhet të jetë reformimi i cilësisë e cila duhet të këtë në thelb uljen e fiktivitetit dhe kjo arrihet duke pranuar së pari realitetet. Por, ngërçi mbetet pikërisht tek pranimi i realiteteve, madje dhe në këtë kohë të vështirë. Në përpjekje për ta paraqitur sfidën e mësimdhënies në kushte shtëpie si sfidë e kapërcyer me shumë sukses, (ku realisht suksesin e dinë në veçanti nxënësit, mësuesit dhe vetë prindërit, përpos kjo kuptohet nga çdokush që ka apo ka patur sadopak lidhje me arsimin), ministrja e arsimit padashur nxori në pah një të vërtetë të dhimbshme: “Presionin e madh që ushtrohet mbi mësuesit për të mos thënë të vërtetën”. Nëpërmjet habisë së shprehur ndaj mungesës totale të ankesave nga mësuesit për mësimin online, ministrja të jep të drejtën të mendosh se për të filluar mësimin online nuk është kërkuar aspak mendimi i mësuesve të cilët do të zhvillonin mësimin dhe as konsultime me ekspertë të arsimit e jo me prindërit për të paramenduar shkallën e efektivitetit të kësaj mësimdhënie dhe për të gjetur një platformë unike.
Sipas meje, problemi qëndron: ose ministrja e di presionin që ushtrohet mbi mësuesit dhe këtë “heshtje” të mësuesve e shet politikisht si sukses në reformimin e arsimit- thënë ndryshe, “s’ka asgjë për të kritikuar”; ose nuk informohet drejtë nga vartësit e saj, e kështu mbulohen problemet shkallë–shkallë. Unë nuk mendoj që në të gjithë vendin nuk ka mësues që kanë shprehur shqetësimin ndaj problematikave për “mësimin online”, aq më tepër kur në kushtet e analfabetizmit dixhital u kërkohej të krijohej një kompleksitet lidhjesh për mësimdhënien, por si gjithmonë disa drejtues shkollash nuk tregojnë të vërtetën (mendimet reale të mësuesve) për të qenë jetëgjatë në drejtim dhe jetëgjatësia e drejtimit lëkundet nëse shpalos problematikat ose nëse nuk shtyp ata mësues që kritikojnë fshehjen e problematikave. Kësisoj mësuesit të detyruar edhe në këto kushte filluan të zhvillojnë mësim aq më tepër që me këtë mësim ndër të tjera justifikohet marrja e rrogës.
Titullarët në të gjitha nivelet harrojnë se kur flitet për përmirësime apo reformime në arsimin parauniversitar mendimet më konkrete mund të vijnë nga mësuesit sepse ata e dinë ku çalon puna. Por, mendimet e mësuesit shpërfillen, mësuesi që shpreh hapur mendimin e tij duke thënë të vërtetën, mëkëmbet, goditet aq sa edhe kjo pandemi që ka rënë nuk duket asgjë krahasuar përballjes me presionet e intrigat nga drejtuesit në shkollë. Një prej tyre jam edhe unë. Konkretisht unë nuk i zbatova rregullat se kam frikë nga pandemia (Covid-19), por sepse zbatimi i rregullave është një nga parimet e mia. Kjo nuk do të thotë se jam trime përpara “armikut” që rrezikon jetën, por sepse unë kalova “pandeminë” më të rrezikshme se “covid-19”, atë të luftës së drejtuesve të shkollës (abuzuesit dhe dhunuesit më të paparë në karrierën time afro 30-vjeçare) kundra meje, që në fakt nuk është luftë ndaj meje personalisht, por është lufta kundër “fjalës së lirë, lufta ndaj të vërtetës, thënë hapur e pa frikë“ (kjo fjalë thënë edhe në shtypin e shkruar) e cila është më e rrezikshme se kjo pandemi këto kohë. Them kështu pasi Covid-19 nuk përzgjedh personat që do infektohen dhe për të infektuarit ka një farë përkujdesje nga shteti, qoftë kjo dhe e detyruar; ndërsa pandemia e “luftës ndaj fjalës së lirë” është rrezik i madh që jo vetëm të hedh në rrugë, por s’të lënë të qetë më pas- as të mbrohesh, as të jetosh në qetësinë dhe dashurinë familjare. Shigjetat e kësaj “pandemie” të ndjekin kudo; ato arrijnë deri tek dera dhe dritarja e banesës, sepse është luftë e pushtetit për të shtypur fjalën e lirë dhe shërbëtorët e pushtetit janë të shtrirë gjithandej. Kjo pandemi edhe po të la në arsim nuk të lë të qetë të punosh sepse shigjetat e sulmit të qëllojnë në çdo hap që hedh në ambientet e punës dhe jo vetëm. Këtë gjë mësuesit e dinë mirë, e dinë se drejtuesit e shkollës (flas për ata drejtues që e mbajnë drejtimin me dallavere) i sulin kë të munden kësaj kategorie, ndaj pjesa më e madhe e tyre heshtin dhe kur duan të flasin fort duke përjashtuar kategorinë e mësuesve që bëjnë kompromise për përfitime personale. Po sa e sa të tillë ka në këtë vend që s’duan t’ia dinë për covid-19, sepse “pandemia” e pushtetit i ka bëre imun, të pathyeshëm dhe përkujdesi i shtetit për mbrojtjen e jetës së tyre nga Covid-19 i duket si thënia: “të vrasin natën e të qajnë ditën”.
E vërteta tjetër që zbuloi pandemia e që u komentua jo pak në ndonjë media ishte dixhitalizimi në arsim, aq i predikuar nga autoritetet e arsimit që në vitin 2014, për një arsim modern por që mbeti me vite të tëra në vend. Hapat për dixhitalizimin u hodhën në vitin 2008 me krijimin në çdo shkollë, për herë të parë, të laboratorëve virtual, vazhduar në vitin 2009 me një set laptopësh në funksion të mësimdhënies në dispozicion të departamenteve lëndore dhe më pas vazhduar me projektin “shkolla dixhitale“, implementuar që në vitin 2014 në 60 shkolla të mesme në vend sipas medias. Sipas MASR-së finalizimi i projektit do të mundësonte zhvillimin e dijes nëpërmjet teknologjive të reja të informacionit dhe të komunikimit por, para pandemisë, nuk është diskutuar, ngritur si problem dixhitalizimi në arsim. Matja e suksesit të një projekti është arritja e synimeve të përcaktuara në secilin prej dimensioneve të projektit, fokusi në objektivin përfundimtar. A u bënë këto?! A u finalizua projekti?! A u bë transparenca bazuar në synimet e përcaktuara para dhe pas finalizim të projektit?! Sigurisht që jo! Përpos, nëse kërkon të dhëna të vazhdueshme nuk gjen as për ecurinë e projektit, mbarëvajtjen, madje as për emrat e shkollave pilot, fondet, nuk ka ende burim informacioni zyrtar, ndaj është shumë e vështirë të flasësh konkretisht për këto, por fakti që në këtë kohë pandemie u desh një platformë unike për mësimin online dhe nuk u përdor një e tillë sipas medias, por edhe sipas vetë ministres, të jep të drejtën të thuash që dixhitalizimi ka “ngecur“ pas vitit 2014.
Kësisoj MASR–DPAP-DRAP–ZVA-drejtoritë e shkollave u gjendën përpara një situate të papritur e cila i detyroi të vendosin që mësuesit të përdorimin Whatssap, rrjete sociale, më pas zoom etj, sipas aftësisë dhe mundësisë së mësuesve (jo për faj të tyre) dhe kjo nxori në pah që dixhitalizimi në arsim kishte mbetur një slogan. Madje ka shkolla (shkolla ku unë për fat të keq kam qenë mësuese për shumë vite e deri në maj 2019-të) që edhe kabinetet virtuale të ngritura në vitin 2008 janë shkatërruar-kompjutera, laptopë, janë zhdukur pa lënë gjurmë dhe nuk mund të zhvillohej as një orë projekt ku nxënësit të prezantonin punimet e tyre. Unë i ngrita këto probleme deri në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe në shtyp, por asgjë nuk ndryshoi –ndryshimi ishte: “u shtua lufta ndaj meje”, por parimi im ka qenë dhe mbetet “Më mirë të humbas sesa të mos guxoj”.
Për çfarë dixhitalizim po flasim vallë?!! Mungesa e transparencës është stil pune për disa drejtues shkollash (kuptohet për një kategori) dhe kjo reflektohet edhe në zbatimin e projekteve duke abuzuar me to në të gjitha format pasi nëse shumë prej nesh e shohin projektin si një mundësi për të mësuar e ndihmuar fëmijët, këta drejtues e shohin si një mjet përfitimi dhe mbushje xhepash për vete e për servilët e tyre të cilët në këtë formë do i kishin si një “as nën mëngë” në momentin që do sulmonin të padëshiruarin e shkollës së tyre(referuar shkollës ku kam punuar). Nëse do të kishte transparencë të plotë dhe partneritet të vazhdueshëm nxënës-mësues- prindër do të ishte ngritur qoftë edhe një zë i vetëm nga prindërit.
Heshtja e mësuesve edhe në këtë rast është një tjetër argument bindës për frikën e mësuesve për të folur edhe kur shohin që diçka nuk funksionon aspak. Autoritet e arsimit duhet të kuptojnë se sfida më e madhe nuk janë janë “armiqtë” (siç etiketohen ato të “mendimit ndryshe“) por ata që heshtin dhe përpiqen të fusin në luftë eprorët me “mendimin ndryshe”. Sfidë tjetër mbetet pranimi i realiteteve pasi për aq kohe sa informacioni që ne marrim, dëgjojmë, nuk i përgjigjet realitetit edhe mënyra e reagimit tone,të mësuesve, personave apo grupeve të interesit, do të përkoj me këto,kështu fillojnë prishen ekuilibrat dhe prishja e tyre përbën rrezik, ku rreziku më i madh mbetet për pjesën e pambrojtur – mësuesit.
Nxitimi, në të gjitha nivelet e drejtimit, për të trumbetuar me përmbushjen e detyrës së mësimit online, mund të çoj në zbehjen shpejt nëse nuk përkon me standardet e vëna. Këtë ia lejmë kohës…