Kulmi i marrëzisë/Deputetët ‘e vobektë’, bashkë me opozitën e re konstruktive blejnë maska dhe dezinfektues me lekët e popullit
Deputetët e parlamentit shqiptar, ata që duhet të përfaqësojnë popullin, të zgjidhin hallet e tyre, nuk kanë para! Nuk u del rroga 1500 euro në muaj. Nuk u dalin dietat 1000 euro! As pagesa e telefonit, e qirasë, benefitet për kredi të butë. As shtëpitë e dyta, vilat në mal e bregdet, makinat luksoze e gjithë të mirat që u paguajnë shqiptarët me taksa. Madje, edhe pensionet 1000 euro kur mos të jenë më deputet.
Në gjithë këto favore, “baballarët” e Kombit u kërkojnë shqiptarëve të varfër që tu blejnë edhe maska për t’i mbrojtur nga pandemia. Madje, edhe dezifektantë për duart. Ata kërkojnë imunitet ndaj këtij gripi që po merr jetë njerëzish.
Por një maskë e cila kushton 200-300 lekë, deputetët duan ta blejnë me lekët e popullit. Ky është kulmi i marrëzisë, pasi një tender i tillë mund të bëhej për qytetarët shqiptarë, të pajiseshin me maska ata që nuk kanë mundësi të kalojnë muajin.
Gazeta Shqip ka siguruar dokumentet e një tjetër tenderi që po realizon Kuvendi. Janë akorduar sërish milionë lekë taksa për të blerë maska dhe dezifektantë për deputetët. Sipas dokumenteve, Kuvendi ka hapur tenderin me objekt “blerje pajisje dhe materiale në kuadër të parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19”.
Në dokukente thuhet se afati për dorëzimin e dokumentacionit është 24 orë nga momenti i publikimit në sistemin e prokurimit elektronik të njoftimit të fituesit, në bazë të kriterit si “cmimi me i ulët”. Afati për konfirmimin e procedures do të jetë brenda 2 orëve nga momenti i njoftimit të fituesit.
Kuvendi ka kërkuar të blejë “material denzifektant xhel për duart me amballazhim 50-120 ml (dezifektant baktericid, glicerine, vitamin E, aloe vera, trietsnolamine, alkoletilik)”. Do të blejë 250 copë. Gjithashtu, do të blejë edhe 180 copë maska për në pjesën e hundës, gojës, N95, që bllokon të paktën 95% të grimcave, deri në 0.3 mikron ose FF2 dhe FF3.
Ky tender po realizohet vetëm disa javë pas një tjetri që publikoi ekskuzivisht Gazeta Shqip në fillim të pandemisë, ku Kuvendi akordoi rreth 30 mijë euro për dezinfektim 3D të sallës plenare dhe për pastrimin e tualeteve sepse shkonin shpesh opozitarët e rinj pas votimit unanim të çdo ligji që sjell maxhoranca qeverisëse./gazeta shqip