LE VOLTAIRE/Intervista e Ismail Qemalit më 1911 në Kostandinopojë mbi revoltën e mundshme në Shqipëri
“Le Voltaire” ka botuar, të mërkurën e 8 marsit 1911, në faqen n°3, intervistën e Ismail Qemalit në lidhje me zhvillimet asokohe në Shqipëri dhe Turqi, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
(Nga korrespondenti ynë i veçantë)
Kostandinopojë, 27 shkurt. – Dje takova lsmail Qemal beun, deputetin e Vlorës (Shqipëri) dhe kreun e partisë liberale të moderuar. Ai do të jetë një nga deputetët e parë shqiptarë që do të flasë sot për buxhetin. Pas raporteve të shumta në gazetat evropiane për një revoltë të ardhshme në Shqipëri, mendova se do të ishte interesante të njihnim mendimin e njeriut shumë kompetent Ismail Qemali.
Ismail Qemali: Unë nuk e di, se çfarë thonë gazetat perëndimore për çështjen e një revolte të afërt në Shqipëri. Asgjë nuk mund të sugjerojë për momentin një lëvizje kryengritëse midis popullatës sonë. Nëse kontrabanda e armëve praktikohet në rajonet tona, është ajo që është në të gjitha vendet, dhe jo siç do të donin ta tregonin ! Personalisht, nuk kam asgjë për të thënë në lidhje me Shqipërinë, pasi gjithçka është e qetë atje.
– Por flitet për dy pretendentë për fronin shqiptar…
Ismail Qemali: Kjo është një shaka, sepse nuk ka asnjë pretendent që ka të drejtë froni; ata që propozohen si të tillë janë aventurierë.
-A ka shumë nga ju në Parlament për të përfaqësuar Shqipërinë?
Ismail Qemali: Rreth 27, nga të cilët vetëm 4 të krishterë; pjesa tjetër e deputetëve janë myslimanë.
— Sa ndarje gjeografike ka vendi juaj?
Ismail Qemali: Shqipëria është e ndarë në Shqipërinë veriore dhe atë jugore. Ka myslimanë dhe të krishterë, katolikë dhe ortodoksë por të gjithë janë shumë të bashkuar, ndryshe nga seç ndodh në vendet e tjera. Bashkatdhetarët tanë kanë ruajtur zakonet e tyre të vjetra, sepse depërtimi i ndikimeve të jashtme është i vështirë, duke pasur parasysh konfigurimin e vendit; u është kushtuar shumë rëndësi disa incidenteve në kufi me Malin e Zi, si dhe disa grabitjeve. Fakte të ngjashme përsëriten në të gjitha kufijtë, por ne nuk flasim për to. Madje, këto telashe do të vihen në rregull: Na është thënë se Bedri Pasha, vali i Shkodrës së Shqipërisë dhe gjenerali malazez Iancovitch (Jankoviç) kanë rënë dakord për masat që duhen marrë për të parandaluar incidentet në kufi; delegatët turko-malazezë do të takohen së shpejti për të hedhur themelet përfundimtare të kësaj marrëveshje.
Ndërsa i fola lsmail Qemalit për heshtjen e disa prej kolegëve të tij në lidhje me shtypin e huaj, ai u përgjigj mjaft shpejt (ashpër):
Ismail Qemali: Shikoni, ditën e kaluar, në dalje të Parlamentit (Dhomës), papritmas një gazetar gjerman më pyeti: “Çfarë mendoni për dorëheqjen e Talaat beut? Shkoni ta pyesni, u përgjigja”. A mendoni se kisha vullnet të keq në përgjigjen time? Në asnjë mënyrë. Nuk ka heshtje të qëllimshme (të dëshiruar), pasi ne, përfaqësuesit e kombit, nuk i dimë shkaqet e dorëheqjes së Ministrit të Brendshëm. Na ka mbetur, ashtu si të vdekshmit më të përulur, të bëjmë supozime. Gjithçka ndodh midis këtyre zotërinjve, Turqve të Rinj të Komitetit, të cilët e shohin të arsyeshme që të na mbajnë jashtë zhvillimeve.
Konceptimi qeverisës i Komitetit më bën për të të ardhur keq, por ne nuk mund të bëjmë asgjë në lidhje me të, pasi e shohin të arsyeshme të na lënë jashtë vendimeve të tij.
Ne nuk kemi asnjë vullnet të keq ndaj shtypit të huaj, por situata shumë delikate e politikës sonë na detyron të jemi të kujdesshëm”.
Intervista jonë mbaroi dhe mund të them se pakënaqësia e bashkëbiseduesit tim nuk ishte për mua diçka e çuditshme. Të shumtë janë ata që përshpërisin kundër regjimit aktual, si midis njerëzve ashtu edhe ndër intelektualëve, dhe, megjithë deklaratat optimiste të qeverisë, një informator i paanshëm duhet të dëgjojë (marrë parasysh) fjalët e opozitës.
A. DE ROCHEBRUNE
/Darsiani.com