Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Tjetërsimi i Atdheut!

Bardhyl Berberi: Hani buzë gjolit (1) - Albspirit

 

Bardhyl Berberi

 

Një nga psiko- analistët më të mëdhenj që është marrë me TJETËRSIMIN është Eric From. Ai i ka bërë autopsinë këtij fenomeni degradues të njeriut të quajtur bashkohor. Ne sot nuk e dimë se si e kemi atdheun tonë të tjetërsuar… Vështirë është të jetohet në një vend ku problemi nuk qëndron tek pasha, por tek peshorja. Ajo mat vlerat e njerëzve, herë si peshore e prishur dhe herë e kurdisur në markën “Made in Albania”.

Ajo asnjëherë nuk iu shërben njerzëve me dinjitet që kanë vlera intelektuale, por servilëve dhe lajkaxhinjëve që diplomë e titull akademik kanë një tesër partie me anën e së cilës ngjisin shkallët e pamerituara të karrierës dhe të korrupsionit dhe e TJETËRSOJNË Atdheun, shoqërinë dhe vetë njeriun.

Ne nuk jemi më anës lumenjve, por shumë larg. Lumenjtë i kemi bërë HEC-e nga tërë anët, edhe disa lumenj po i thajmë, që nga Valbona në Mokër e Gorë, madje edhe fushat e gjëra me lule e me lisa të lartë nuk i shohim më në atdheun tonë. Ato janë TJETËRSUAR, fushat kanë mbetur djerr dhe pyjet janë prerë. Ku janë djemtë e Shqipërisë që i vinin gjoksin punës, në vendin e tyre janë TJETËRSUAR, shkojnë dhe ruajnë tufat e dhive e deleve në Greqi dhe dhia e famshme, Caporja e Mokrës nuk ka ngelur as për mostër; të gjitha malet me lisa janë duke u prerë. Gjithçka e TRANSFORMUAR, nuk këndojnë më bilbilat dhe zogjtë, por vetëm kukuvajkat në orët e vona të mbrëmjes. Nuk blegërojnë qengjat më dhe zëri i bilbilit nuk jehon nëpër livadhe dhe lugjet e verdha, por qyqja ja ka filluar të vajtojë… Korbat krrokatin nëpër degët e trungjeve me rrënjët e kalbura në dhe, hanë mbeturinat e ndonjë bagëtie që kanë shqyer ujqit.

Vaji i Bilbilit me mall mundohet të na kujtojë, se jemi në Atdheun e TJETËRSUAR si mos më keq… Ku janë ato kroje të argjendta, ku janë 2 liqenet e mrekullueshëm të Lukovës në Mokër, në afërsi të Bishnicës, Mjalti i famshëm i Mokrës me nektar lulesh erëmira është transformuar i përzierë me aromën e hashashit.

Janë TJETËRSUAR qindra e mijra shtëpi me dryn  dhe oxhaqe që nuk lëshojnë tym. Shkollat janë mbyllur  sepse nuk ka fëmijë, rrallë sheh ndonjë të moshuar nëpër pragje portash, duke tymosur duhan… TJETËRSIMI ka zgjatur trishtimi si hije të stërzgjatura që mbulojnë atë mjedis të zymtë, me shtëpi të ndërtuara me gurë dhe të mbuluara me rrasa guri qëndrojnë si shkëmbinj të latuar nga erërat e forta në Mokër. Në këto 30 vjet  këta politikanë hajdutë të majtë e të djathtë, këto mostra të shekullit, na e morën në qafë Atdheun, duke na TJETËRSUAR për keq na e mbytur shpresën, ditë pas dite zgjaten hijet dhe trishtimi mbi nurin e Atdheut.

Një kontradiktë e thellë TJETËRSIMI midis një administrate të paaftë dhe mediokre dhe një niveli të lartë të intelektualëve shqiptarë, të cilët përpëliten që të sjellin diçka progresive Atdheut, por nuk i lenë mediokrit që kanë zënë kolltuqet me tesrat e partive dhe partiçkave të vogla që e kanë mbushur administratën me debila. Mendjet e vogla kanë zënë kolltuqet e mëdha… A do të  ketë një ditë një TJETËRSIM që burra të ndershëm që ta drejtojnë Atdheun,. Ne presim që të dalë tymi nga oxhaqet, e dasmat të fillojnë me zërin e Gajdes e Lahutës dhe shkollat të rimbushen me fëmijë. Por kur do të vijë ky TJETËRSIM  që korruptuarit mos shesin hekurin e Mokrës drejt furrnaltave të Kavardacit në Maqedoni. Një fjalë e urtë në Mokër thuhet “Debrova e bën Romën, ndërsa Roma nuk e bën dot Debrovën…”. Këtë thesar të rezervave shtetërore për “rast lufte”, që ruheshin që në kohën e diktaturës në vitet ’50, ky hekuri i cilësisë së lartë ndodhet nëpër kodra të mëdha. Me hekur ngarkohen në kamionë dhe shkojnë drejt furnalatve të Maqedonisë në Kavardac. Me këtë hekur të cilësisë së lartë është TJETËRSUAR në llogari  bankare në xhepat e kontrabandistëve. Banorët e varfër të Mokrës janë kthyer në fshatra të varfëra që gëlltitin urinë, pasi jetojnë mbi pasuri përrallore, ata janë mes skamjes, urisë dhe pasigurisë së jetës. Dhe kur ky TJETËRSIM është kaq i madh,  këto shushunja të pijnë gjakun…

Le t`i lemë këta të TJETËRSUAR në vetminë e tyre, le të fryhen me para, por paratë para nderit dhe dinjitetit nuk kanë asnjë vlerë. Nesër kur të vdesin edhe ATA dhe dy lopata me dhe kanë për të marrë…

“Ju kemi lënë zotin mbi kokë të hakmerret mbi këta shushunja”, thotë një i moshuar.

Hëna e plotë, vetëm ajo nuk është TRANSFORMUAR, ka dalë mbi mal dhe varet mbi pemët e larta duke na dhënë pamje të vagëlluar.

 

 

 

 

Please follow and like us: