Dikur i shpëtuan pikturën nga djegia, çifti Kadare i jep lamtumirën Velos
Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare dhe bashkëshortja e tij, Helena kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të arkitektit dhe piktorit të njohur, Maks Velo.
Në një mesazh të shpërndarë nga Memorie.al, cifti shprehen se emri i Maks Velos do të kërkonte gjithmonë kujtesën.
”Nuk ishte e lehtë lamtumira me ty Maks Velo. Emri yt do të kërkonte gjithmonë kujtesën. Dhe do ta kishte gjithmonë atë, të qartë e të ndritshme ashtu siç ishte imazhi yt kur te kishim mes nesh”, thonë ata.
Velo dhe Kadare kanë një miqësi të hershme. Në parathënien e librit “Jetë paralele”, libri me dosjen sekrete të përndjekjes nga Sigurimi i Shtetit të Maks Velos (UET PRESS), Alda Bardhyli, tregon për historinë e një pikture të Maks Velos që mundi t’i shpëtojë sekuestrimit apo djegies, pasi u ruajt me kujdes nga familja Kadare.
Kadarenjtë e fshehën në dhomën e gjumit dhe ky është një rast unikal në historinë e vendeve komuniste kur një shkrimtar ndihmon një artist duke i fshehur pikturat në shtëpinë e tij.
Krijimtaria e Velos piktor ndahet në dy periudha: atë nga fillimet deri në vitet 1978 (kur i sekuestrohen dhe digjen nga policia me vendim gjykate 249 vepra të ndryshme arti) dhe periudhën pas viteve ’90, që është më e pasura për sa i përket krijimtarisë jo vetëm në pikturë, por edhe letërsi, studime e skulptura.
Periudha e parë fatkeqësisht nuk njihet, për shkak të eliminimit fizik të veprave të cilësuara nga pushteti komunist i kohës si “dekadente”, “me ndikime të artit perëndimor”, vepra të cilat u bënë dhe aktakuza kryesore e dënimit të Velos me 10 vjet heqje lirie.
Nga ky koleksion kanë shpëtuar disa vepra që artisti ia pat dhuruar mikes së tij franceze, Odile Daniel dhe një vepër e ruajtur në familjen Kadare. Bëhet fjalë për veprën “Vallja labe” që çifti Kadare e vendosi në dhomën e gjumit për ta ruajtur për gati 20 vjet.
Vetë Kadare e shihte këtë vepër si të bukur e dramatike, duke parë aty reflektimin e një bukurie që arrinte të sfidonte dhe frikën e një bastisjeje që mund t’ia behte nga momenti në moment.