Nje episod konfliktual më 5 Maj, ditën e “dëshmorëve”
Kurt Kola
Tetor ’93. Në hollin e Pallatit të Kulturës, qëndronte arkivoli i madh që mbante brenda eshtrat e 15 të pushkatuarve nga diktatori E. Hoxha, për “bombën” në Ambasadën Sovjetike, të vendosur nga vetë Sigurimi i Shtetit! Me ndihmën e një fshatari që kujtonte vendin, aty përtej Urës së Beshirit… Nga frika se mos diktoheshin nga fshatarët, skuadra e pushkatimit i kishin lënë kufomat pa mbuluar mirë e kishin ikur! Në erën e gjakut ishin turrur qentë e rrugëve dhe tërhiqnin dheun të hanë kufomat… Fshatari dëgjon ulurimën e qenëve dhe vrapon të shoh shkakun… Kur pa këmbë kufomash zbuluar, përzuri qentë, vajti mori belin në shtëpi dhe i mbuloi ato! Falë këtij fshatari të ndershëm, gjetëm kollaj gropën. Në zhvarrim isha bashkë me deputetin Uran Butka, i cili i vetmi, e theksoj, i vetmi që është përpjekur të dënohet diktatori me krimet e komunizmit dhe të korrigjohen gabimet e sistemit komunist e të krijohet baraz-vlerë kombëtare…
Eshtrat, ende ishin të lidhura me tela! Punëtorët nuk e patën të vështirë pastrimin nga dheu… I grumbulluam në thasë, u bëmë disinfektimin. U përgatit një arkivol i pazakontë ose me madhësi sa katër arkivole të zakonshëm!
Tani ishte çështja e vendit të Rivarrimit… Kryetari i bashkisë së Tiranës, z. S. Kelmendi, burri i urtë, por pa kurajo, sigurisht s’e kish të lehtë, thoshte te varreza publike, unë këmbëngulja te varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe pikërisht aty ku kish qenë varrosur diktatori! Debati ishte i ashpër dhe tejet i vështirë… Z. Kelmendi parimisht ishte dakord, por vendimi edhe pse brenda juridiksionit të institucionit që drejtonte, kërkonte pëlqimin e presidentit Berisha! Pra as të kryeministrit Meksi, që duhet thënë se qe ai që pati hequr eshtrat e diktatorit se edhe sot do ishin aty….
Prej dy ditëve përplasje e kundërshtime, arkivoli me eshtra qëndronte në hollin e Pallatit të Kulturës në pritje të Rivarrosjes… Ditën e tretë u dha “pëlqimi” për te varreza e Dëshmorëve të Kombit, por jo në vendin ku qe diktatori! U bë përcjellja me masivitet publik, por pa shoqëruar asnjë autoritet shtetëror apo deputet, përjashto z. Butka!
I priva këtij kortezhi të gjatë varrimi me anëtarët e kryesisë së shoqatës dhe familiaret e të pushkatuarve dhe vendosëm arkivolin në qendër të varrezës, pikërisht ku kish qenë diktatori Hoxha! Leja qe dhënë jo brenda varrezës, por në një skaj jashtë saj ku qe hapur dhe varri! Refuzova në mënyrë kategorike! U njoftua kryetari i bashkisë, i cili erdhi në çast. U përpoq të më bindë se ishte një respekt i veçantë që na lejohej varrimi pranë varreve të Dëshmorëve të Kombit, dhe ne duhej të falnderonim për këtë nder që na bënte pushteti!
– Z. Kelmendi, kaq thellë është futur armiqësia mes shqiptarëve sa edhe të vdekur duhet të rrimë të ndarë e kundër njeri-tjetrit? – i thashë pikërisht atë që kisha menduar gjatë atyre tri ditëve debatesh e grindjesh rreth këtij absurdi!
Z. Kelmendi, që kish mbetur me krye ulët, mendueshem, pas një copë kohe, hipi në makinë e u largua…
Aty nga mesdita edhi “leja” dhe i varrosëm në vendin e diktatorit që i pati vrarë e lënë t’i hanë qentë!
E kujtova sot këtë ndodhi të hidhur, pas kaq vitesh që ështe “nderuar” sistemi dhe vazhdon padrejtësia ose tradhëtia e Shtetit Shqiptar ndaj shqiptarëve!
Kush duhej ta vendoste barazinë kombëtare të Dëshmorëve të Kombit, që fillojnë nga 1939, për të mos shkuar te ’20, përpos Qeverisë së PD-së, që erdhi si “antikomuniste”?! Nuk janë gjëra personale që më ndajnë dhe më bëjnë ta urrej njësoj si PPSH! Janë çështje kardinale të historisë kombëtare që më ndajnë prej saj! I kishte të gjitha favoret politike: rreth 100 deputetë në parlament për të ndryshuar me ligje padrejtësitë e diktaturës, mbështetjen morale e politike të ish përndjekurve politikë e pronarëve. Të jepte pronën pronarëve, të dënonte diktatorin pas vdekjes dhe krimet e tij. Të caktonte një parcelë pranë varrezës së Dëshmoreve të Kombit, ku të rivarroseshin nacionalistët e vrarë nga pushtuesi dhe nga diktatura duke u përzgjedhur nëpërmes një komisioni vlerësimi… Të ishin dy varreza pranë njera-tjetrës dhe shqiptarët të shkonin të bashkuar të nderonin të dy palët!! Ajo Nëna Shqipëri është Një! Dhe i ka lindur të gjithë shqiptarët! Nuk ka lindur komunista, ballista, zogista e kopila, por ka lindur shqiponja!
Nuk vendosën drejtësi kombëtare… Nuk shëruan plagët e shkaktuara nga regjimi gjakatar, që erdhi në emër të çlirimit dhe pushtoi e masakroi më keq! Nuk krijuan barazinë e vllazërinë mes shqiptarëve, por u vetëpasuruan e krijuan akoma më shumë përçarje e dasi…TURP! TURP! 100 HERË TURP!
5 maj 2019