Albspirit

Media/News/Publishing

Do pyes më parë tim shoq…

Arti pamor bashkëkohor jo vetëm në Tiranë. — Albmendimiarts.com
Sabina Darova
… është një nga përgjigjet rutine që dëgjon nga një grua gjatë një konsulence pranë këshilltoreve familjare, kur i propozohet marrja e pilulës kundërpllenuese, mbas vendimit që ka marrë për të ndërprerë një shtatëzani të papritur e të padëshiruar, ose pas lindjes së fëmijës.
Si sot, ashtu edhe dje, përpara 20 vjetëve, nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë. Varësia e gruas ndaj bashkëshortit nuk njeh vjeshtë. Kjo formulë përdoret si për të kaluar një pengesë të bezdisur, që do i mbyllë përgjithmonë, portën një historie që lidhet me një “aksident”, në kohë të papërshtatshme, ose përgjegjshmëria i delegohet burrit, “të madhit” të shtëpisë. Ai di më shumë se unë…
Ky reaksion-perde që përshkon vetëtimthi mendjen e gruas, shtroi përpara ekipit socio-shëndetësor italian të habitur, një seri pyetjesh dhe dyshimesh, që në vitet e para të historisë së emigrimit femëror në Itali. Përpara tyre u shtruan çështje që kërkonin një verifikim për gjendjen psiko-sociale të gruas si individ, lirinë e saj në raportet brenda një çifti, për situatën ekonomike, si dhe cilat mund të jenë mjetet që munden t‘a ndihmojnë gruan, për t‘i superuar vështirësitë dhe pasojat, që le pas një abort, apo cilat masa duhet të marrë, për t’u mos ripërsëritur i njëjti akt i dhimbshëm.
Për t‘ju dhenë një përgjigje këtyre dyshimeve dhe pyetjeve, kush më mirë se një ndërmjetës kulturor mundej t‘ju vinte në ndihmë për t‘jua shpjeguar nën dritën antropologjike, doket, zakonet, traditat, mendësinë, kulturën?
Kush më mirë se një ndërmjetëse kulturore grua, që njeh dhe ka kompetenca gjuhësore, profesionale, komunikative dhe projektuese?
Sigurisht që zgjidhja ishte optimale.
Rajonet u vunë menjëherë në punë, për të organizuar kurse formimi prej 1200 orësh për ndërmjetëse kulturore, të cilat do t‘i bënin ballë furnizimit me informacione operatorëve socio-shëndetësorë, por mbi të gjitha, do ndihmonin gratë në këtë situatë të vështirë (shoqërim për vizita dhe analiza, shpjegimet ligjore (ligji 194 që i jep të drejtë gruas për të vendosur mbi jetën e shtatëzanisë), te gjendjes shëndetësore dhe shoqërore të gruas, gjendjes ekonomike dhe asaj relacionale. Por, mbi të gjitha, hapja e shtigjeve për një edukim të vetëdijes, të ndërgjegjësimit të gruas, për një rritje dhe emancipim të saj, pse jo, edhe të familjes.
Profili i ndërmjetëses duhej të përmbushte disa kushte dhe kompetenca: arsimimi mesatar- i lartë, njohja e dy gjuhëve në mënyrë perfekte, aftësi komunikative, njohuri mbi kulturën dhe ligjet e dy vendeve, eksperiencë jetese, jo më pak se dy vjet në territorin italian.
Kurset përmbanin si lëndë formuese: Drejtësi, psikologji, sociologji, projektim, interkulturë. Formimi duhej të ishte i tillë, sepse nevojitej që ndërmjetëset kulturore duhej të punonin me pacientet që paraqiteshin pranë qëndrave shëndetësore me qëllim parandalues të problemeve shëndetësore dhe njëkohësisht edukues, sepse ky proçes ecën me hapa të ngadaltë dhe kërkon durim e këmbëngulje.
Duke u ndalur në analizimin e fenomeneve dhe tipologjinë e emigracionit femëror shqiptar, ai i ngjan një torte të prerë në tre prerje horizontale: e para i përket grave që erdhën në Itali ( 94’ – 2004’ ), për bashkim familjar e që i përkasin grave të formuara në sistemin socialist. Ndërprerja e shtatëzanisë në atë periudhë ishte e ndaluar. Kush përpiqej ta realizonte, e kryente ilegalisht nga një mjek apo mami fshehurazi, ose nga mjekimet popullore dhe mamitë me mjete rrethanore. Këto të fundit kanë sjellë vdekjen dhe infeksionet e panumërta të gruas së asaj kohe. Me një fjalë, njihej vetëm metoda kirurgjike.
Feta e dytë e tortës i përket grave (2004 e në vazhdim), që vijnë po me bashkim familjar, por që ju përkasin bashkimit me djemtë e gjeneratës që kanë ardhur fëmijë në Itali. Profili i gruas së re është ai që vjen nga fshatrat dhe me një gradë shkollore më të ulët se ajo e të parave. Ndërsa të parat kishin arsimim mesatar-të lartë dhe mediacioni ishte më i lehtë, këto të dytat kanë një formim shkollor më të ulët. 8-9 vjeçar dhe me një moshë relativisht shumë të re (17-22) vjeç.
Së fundi, shtresa e tretë, i përket brezit që lindi dhe u rrit në Itali, por që janë nen një mbikqyrjeje shumë të rreptë të familjes konservatore, që ruan me fanatizëm format e vjetra të sistemit familjar, shenjë identifikimi në vendin e huaj.
Dy kategoritë e para kanë krijuar nënvarësi nga bashkëshortët, fillimeve të para të jetës në emigracion për shkak të kushteve të panjohura me të cilat u ndeshën si dhe të modelit familjar me të cilin u rritën. Ishte burri, ai që vendoste kur gruaja duhej të bëheshe nënë, si dhe numrin e fëmijëve. Frekuentimi i ambjenteve shëndetësore, dha shkas që gruaja të fillojë të ndeshet me fjalët tabù, si trupi, raportet seksuale, sëmundjet seksuale, dëshirat, ndjekja e shtatëzanisë në mënyrë periodike, apo përdorimin e mjeteve kundërpllenuese. Të gjitha këto elementë përbënin një risí në jetën e gruas, fakt që përçonte dritë në emancipimin e saj.
Nuk ishte e lehte ta përçoje këtë dritë, sepse gruaja gjatë 4-5 viteve të para ndjek një jetë të izoluar nga shoqëria italiane. Shumë shpejt bëhet nënë dhe i përkushtohet fëmijës, pa patur ende një pjekuri të qëndrueshme. Adoleshentja-nënë jeton e mbyllur brënda mureve të familjes dhe fisit të bashkëshortit. Lëvizjet e saja janë të kontrolluara sepse bashkëshorti, që shpesh është më i madh në moshë, kryen funksionin e burrit- babë- pronar.
Pra, është ai që vendos për gjithçka. Edhe pse nuk duhet ta përgjithësojmë.
Ky fakt vartësie, shpesh përdoret nga disa gra si justifikim, sepse janë ato vetë të pasigurta në marrjen e vendimeve si formë vetëmbrojtje dhe ja përcjellin përgjegjësinë bashkëshortëve. Kjo vjen për shkak të paditurisë apo dembelizmit që i karakterizon.
Bashkëpunimi ndërmjet operatorëve socio- shëndetësor dhe ndërmjetëseve kulturore, bën që të aktivizohen njè seri aktivitetesh dhe veprimesh që vihen në funksion të edukimit të gruas së re. Hidhen në kamp një seri idesh dhe punohet në skuadër, ku sejcili prej specialistëve kryen me kompetence rolin e tij. Ndryshimet, transformimet dhe rivlerësimet vijnë si pasojë e një pune të pandërprerë nëpërmjet informimit me material të përkthyer në gjuhën shqipe, nëpërmjet vizitave mjekësore, bisedave me asistentet sociale apo psikologe, me infermieret, mamite dhe nganjëherë edhe me avokatet.
Përsa i përket kategorisë së fundit, pra, shtresa e trete e femrave, janë gjenerata e dytë e emigranteve. Këtu ndeshemi me një tjetër fizionomi. Vajzat fillojnë raportet seksuale nga mosha 16-18 vjeçare, dhe rreziqet për një shtatëzani të padëshiruar janë të shumta. Argumenti raport seksual në familje është tabú, dhe as që bëhet fjalë që nëna mund të shoqërojë vajzën pranë këshilltores familjare për të marrë pilulën kundërpllenuese, apo ta ndihmojë të ketë informacione mbi jetën seksuale të çiftit. Për fat të mirë, këshilltorja organizon takime me të rinjtë pranë shkollave, duke ofruar leksione mbi masat parandaluese si dhe mbi relacionet afektive. Po ashtu, i ofrohen vajzave vizita në orare të përshtatshme për to, si dhe i ofrohet pilula falas. Gjithçka kryhet ne rezervim dhe sekret të plotë, duke i garantuar vajzës apo gruas privacy. Pjesa dërrmuese e vajzave vepron për fat të keq në fshehtësi nga familja. Roli i ndërmjetëses kulturore është themeltar në këto raste, sepse siguron shëndetin psiqik dhe social të adoleshentes përkrah psikologeve dhe edukatorëve.
Kohët kanë ndryshuar dhe rruga më e mirë për të zgjidhur problemet, është ajo e diskutimit të tyre në mënyrë të hapur, pa paragjykime dhe mbi të gjitha duke respektuar integritetin personal dhe të partnerit. Aty ku mungojnë njohuritë, t‘ju drejtohemi specialistëve, të cilët do të kenë gjithmonë një zgjidhje që do kënaqi kërkesat dhe pasiguritë.
Please follow and like us: