SONTE HARRUAM TË BËJMË DASHURI
Mimoza Erebara
Hesht!
Mos e prish këtë heshtje,
çastin sublim,
të zbulimit të mistereve,
kur fjalët kthehen në foshnje
dhe ne të dy,
në dy foshnje të sapolindura,
që zgjatim duart dhe cdo gjë e prekim
ngadalë, ngadalë…
Symbyllur endemi në një mjegull qumështi,
humbasim nocionin e Kohës, Hapësirës…
dhe s’duam të përmendemi…!
Ah! Trup i burrit, i bukur, i fortë,
të përkëdhel
dhe në gishta ndjej si më lëvrin
gjaku, muskujt, jeta.
Të dua!
tmerrësisht,
marrëzisht të dua
hesht! Mos fol pra!
Lëre Universin të vazhdojë lojën e përjetshme,
të ditë- natës.
Ah! Trup i burrit, dikur i bukur,
i fortë,
të perkëdhel, ashtu, ngadalë,
mos të t’i lëndoj plagët
dhe ti i gjymtuar, gjakosur,
i shtrirë bri meje, hesht.
Nuk është e thënë,
edhe në çastin më solemn,
edhe në kredhjen më të thellë.
Në dashurinë tonë,
në shpirtin tonë të etur,
do të kërcasë diku një krismë
një yll do të rrëzohet.
Dikush do të ikë me nxit,
për t’i lënë vendin atij që lind.
do të kërcëllijnë dhëmbë të uritur,
do të shuhen jetë, shpirtra, që kurrë
s’mundën të jetohen.
Dhimbje,
shpresa,
sëshira,
do të mblidhen diku,
në një dritare,
në një palë sy që s’flenë
njëlloj si ne sonte
që jemi kaq të shqetësuar!
Ajo rrugë,
ata trupa rinorë të vdekur
Dhe ai fëmijë i vetmuar,
që s’di nga të shkojë.
Gojë të mbytura me gjak
dhe eshtra që duken e zhduken,
mes mishit ende të patretur,
në dheun e ftohtë e të zi.
Ah! Trup i burrit,
dua të të përkëdhel,
por s’mundem
gishtrinjtë nuk duan.
Kërkoj sytë e tu dhe të vështroj,
nuk ka dritë
në sytë tanë ka trishtim.
Buzët largohen si mëkataret e reja,
para dyerve të kishës.
Trupat tanë janë të ftohtë
dhe jashtë
është një natë e mrekullueshme,
me rrëzime yjesh mbi gjethe të tretura,
kaq shumë e ngrohtë.
Dhe ne…
ne harruam të bënim dashuri.