Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Një lloj soji allasoj

Presidential Office Building, Tirana - Wikipedia

Quajeni si të doni, por indinjatat publike a denoncimet nga foltoret e krerëve të politikës, nga presidenca etj., nuk kanë asnjë vlerë. Sado të indinjuar të tregoheni, sado të inatosur, prapë nuk përbën zhvillim, nuk ka domethënien që jemi shoqëri e konsoliduar demokratike. Ju bërtisni kot se në një farë mënyre si atyre që tërheqin zvarrë një zonjë, si shefave që kanë sipër as që u bëhet vonë. Atyre që tërheqin zvarrë janë duke u rrahur shpatullat shefat mbas kuintave, kurse ata që u tërhoqën vetëm sa do dalin dhe ankohen kamerave dhe kaq. U vjen mirë dhe nesër e duan për medalje, madje do mbushin kurrikulat dhe me siguri nëse rasti i bën shtetarë vdesin të qeverisin pa u ngopur si këta të sotshmit. Në një farë mënyre marrin huqet e njëri-tjetrit. Ju hiqeni sikur jeni të skandalizuar, por nuk bëni asgjë tjetër, lojën e vasalëve, lojën e politikës. Edhe ju jeni njësoj si ata pasi jeni përfshirë të tërë në një lloj qarkullimi pështymash karshi njëri-tjetrit dhe kaq. Ju jeni po si ata që bëjnë gam-gam, kurse ata janë po ata që ju rrjepin të gjallë. U shpërndajnë nga një torbë me ushqime dhe ju ulërisni duke i ngritur në qiell, ziheni me ditë të tëra se e bëri mirë apo jo me këtë apo atë gjoja reformë. Se e vërteta është ajo që ju, nuk merakoseni për veten tuaj, nuk keni hallin tuaj, por hallin e tyre. Madje e keni me qejf maksimal të ndërsjellë ndaj ai që tërheq e bën me pasionin e kaut dhe ai që tërhiqet jargavitet me pështymat e lopës. Po kështu edhe ne që nevrikosemi kur shohim pamjet aq sa e kemi të pamundur të kuptojmë se nga duhet ta kapim, nga koka apo nga këmbët? Shqyhuni sa të doni se jeni skandalizuar por në të vërtetë nuk jeni. Po të ishit sot do flisnim ndryshe, por nuk jemi. Jemi shoqëri e lëmoshave dhe jo e personalitetit. Jemi skutha të rryshfetit jo e djersës së ballit. Mos u indinjoni kot, është një ngjarje rutinë, nesër do dali diçka tjetër. Pastaj të gjithë flisni në emër të popullit dhe e dini përse?, se popull nuk ka! Ai që është me pushtetin fërgon duart nga shtëpia dhe i kënaqet pamjeve zvarrë, ai që nuk është me qeverinë kërcet dhëmbët dhe thotë të njëjtin monolog, kriminelët, gjakpirësit, oligarkët etj. Kurse ai që nuk është as me të parin e as me të dytin, më keq nga dy të parët, skërmitet e thotë, kokat hëngshin. Ky soj është allasoj, as mish e as peshk, por duart i fërkon. Madje ky soj e ka për mburrje që nuk është as më njërin dhe as me tjetrin se që ta dini, që të tre nuk dinë të bisedojnë, të bashkëpunojnë, të ofrojnë, pra që tre llojet janë po njëlloj.
Tani përse indinjohemi kur nuk i japim zgjidhje? Përse denoncojmë kur nuk i heqim dot? Përse çirremi kur nuk na përfillin? Fare e thjeshtë jemi bërë si ata, një lloj soji allasoj.

Please follow and like us: