PËRVJETORI I 75-TË I FITORES BOTËRORE MBI FASHIZMIN U “SHUA” NGA CORONAVIRUSI
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Europianët e Rusët ishin bashkë në fitoren ndaj nazi-fashizmit dhe sigurisht fitimtarët meritojnë nderim dhe mirënjohje për atë “peshqesh” që u dhuruan popujve në atë tetë/nëntë maj të 1945-sës. Aleanca e madhe antifashiste botërore, ku bënin pjesë edhe shqiptarët në masën dërrmuese kishin sfiduar boshtin Romë-Berlin-Tokio. Beteja e madhe mes fashizmit, nazizmit dhe lirisë së popujve kishte përfunduar dhe fitimtarët kishin të drejtë të festonin dh eta quanin “ditën e Europës”, të lirisë, pse jo edhe javën europiane, ndërkohë që pas fitores qëndronte sakrifica sublime e miliona jetëve të humbura në beteja dhe jo vetëm. Por as dje më datën 8 maj dhe as sot më 9 maj nuk mund të festonte dhe as të demostronte. Përvjetorin e 75-të të fitores botërore mbi fashizmin e zbehu dhe e “shoi” Coronavirusi kësaj here. Burrat e mëdhenj, që ishin në krye të aleancës antifashiste, Stalini, Rusvelti dhe Çurçilli nuk u nderuan dot këtë herë dhe nga kush? Nga burrështetasit e mëdhenj të Europës së Bashkuar sot, nga ata që harruan misionin e bashkimit dhe të luftës së përbashkët në mesmarsin e 2020-tës. Secili për vete të mbyllur në kuvli, edhe pse beteja me “armikun e padukshëm” duket e humbur dhe me humbje katastrofale për mbarë botën tonë. Në këtë përvjetor edhe të vegjëlit, u mblodhën rreth vetes të konsumonin “dhjamin” e tyre, edhe pse 75 vite më parë ishin bashkë dhe festonin bashkë. Dita e fitores mbi nazifashizmin në Europë njihet si “V-E Day”/(Victory Day) që nga Britanikët konsiderohet 8 maji 1945 dhe me të drejtë sepse akti i kapitullimit të Gjermanisë i përket nënshkrimit të datës 8 Maj, por në kryeqendrën ruse në Moskë në momentin e nënshkrimit ora lokale kishte kaluar në ditën e re të 9 majit, për shkak të diferencës në orë. Ka qenë thjetë një mospërputhje orari midis orës në Gjermani që i binte 8 Maj ora 24.00 kur u bë nënëshkrimi dhe datës 9 Maj në Moskë që i binte 2 orë diferencë. Të bashkuar në ideale për të ndarë në festime!. Me këtë rast Blloku i Lindjes festonte më datë 9 Maj, sikurse festonte “Babai” i bllokut sikurse ish-Bashkimi Sovjetik, edhe Shqipëria, Polonia, Çekosllovakia, Bullgari, Rumani, Hungaria dhe Jugosllavia (e vetadministruar), por e cliruar nga rusët. Shtetet e Rusisë, Serbisë, Bjellorusisë, Izraeli, e festojnë ditën e fitores mbi fashizmin në datën 9 Maj.
Dy fjalë për aktin e kapitullimit: –Është fakt historik se akti i kapitullimit ishte specific. Ai kërkonte firmosjen nga të tre Anetaret e Koalicionit Antifashtis: SHBA-Angli-BRSS dhe një dëshmitar përfaqësuesi i Francës së bashku me përfaqësuesit e ushtrisë gjermane. Për kronologji ngjarjeje në orën lokale 2.41 të mëngjezit të 7 majit 1945, u paraqit në Shtabin Qendror të Aleancës në Rheims të Francës, Gjenerali i Komandës së lartë naziste Alfred Jodl i cili nënëshkroi kapitullimin pakushte të Gjermanisë fashiste. Në emër të Komandës Supreme të Forcave të Aleancës firmosi Walter Bedell dhe nga ana e Komandës së Lartë të Ushtrisë së Kuqe Gjenerali Ivan Susloparov, kurse nga francezët firmosi dëshmitari zyrtar Gjeneral Majori Francez Francois Seves. Por akti i kapitullimit ishte moment deciziv dhe problem ishte tek meritat e fitores. Kështu Gjeneral Dwight D.Eisenhower ra dakort me gjeneralin sovjetik Ivan Susloparov që të firmosej një tekst i vecantë nga përfaqësuesit e secilës nga shërbimet ushtarake gjermanë, ku teksti i aktit duhet që të ishte i ratifikuar me atë që ishte përgatitur nga Komanda e Lartë e Aleancës së fitores. Kështu pas aktit të kapitullimit të 7 majit 1945 në Shtabin e Përgjithshëm SHAEF (Supreme Headquarters Allied Expeditionary Force) në Reims, akti modifikohet dhe rifirmoset përsëri me 8 Maj 1945. Kështu që akti i kapitulimi pa kushte i Rajhit të Tretë u nënshkrua në Berlinin e shkatërruar, vetëm disa minuta pas mesnate, më 8 maj 1945, kapitullim që në emër të Komandës supreme gjermane e nënshkruan feldmarshali Vilhelm Kajtel, gjenerali Hans Jirgen Shtumpf dhe admirali Hans Georg fon Frideburg. Ndërsa nga ana e aleatëve marrëveshjen e nënshkruan marshali rus ai edhe komandant i frontit të Berlinit Georgi Zhukov dhe gjenerali britanik, Artur Teder. Në kryeqendrën britanike në Londër sapo u mësua lajmi populli doli në sheshin “Trafalgar”, ku i përshëndeti Winston Çurçill dhe Mbretëresha e ardhshme angleze Margaret. Fakt është se me aktin e 7 majt 1945 u arritën që të ndërpriten luftimet kudo në Gjermani dhe Europë dhe më datën 8 Maj 1945 pikërisht pas mesnate ose në datën e plotë 9 Maj Rusët të konsideronin 9 majin “Dita Fitores”. Por aktualisht në ditët tona BE-ja e quan ditën e 9 Majit si “Dita e Europës” me anën e të cilës festohet “Paqja dhe Uniteti Europian”, bazuar në Deklaratën e Schuman. Edhe pse Britanikët e amerikanët festojnë Ditën e Fitores më 9 Maj kjo ditë nuk është ditë pushimi; ndërkohë që në Gjermani 8 Maji është festë lokale e Berlinit, e cila përkujtohet si përvjetori i kapitullimit, dhe e pendesës përpara njerëzimit, pendesë që nuk kanë harruar ta shprehin personalitetet më të mëdhenj të vendeve europiane në këto 75 vite. Një statistikë e gdhendur në memorien e historisë: “Në Luftën e Dytë Botërore u përfshinë 61 shtete me popullsi rreth 1 miliard e 700 milionë njerëz ose 80 % e popullsisë së botës për kohën. Morën pjesë 110 milion trupa, të mobilizuar dhe zhvilluan veprime luftarake në territoret e 40 shteteve. 50 milionë vetë u vranë në front dhe prapavijë, nga të cilët 26 milionë ushtarakë, 24 milionë civile. Industria e luftës “kafshoi” buxhete të jashtëzakonshme; u prodhuan 650 mijë aeroplanë, 290 mijë tanke, 1.5 milionë gryka zjarri artilerie. Në këtë luftë morën pjesë 110 milion trupa dhe u vranë mbi 50 milion njerëz”. Fitorja mbi fashizmin dhe dita e Europës janë ditë të veçanta të popujve të Europës dhe botës, ditë që përkujtohen me respekt të thellë të rënët, dëshmorët, për të mos parë sërish revansh ekstremist, por vetëm paqe, stabilitet dhe një të ardhme më e mirë për të gjithë popujt e botës sonë. 8 dhe 9 maji nuk janë ditë grindjeje, por ditë të shenjtëruara që meritojnë vëmëndje e respektim sepse janë ditë kujtese për popujt, që historia të mos përsëritet. Nga ana tjetër vallë është koincidencë apo “djallëzi” franceze, sepse pikërisht Robert Shuman Ministër i jashtëm francez më 9 maj 1950, deklaroi se, “bashkimi i kombeve të Evropës kërkon eliminimin e opozitës shekullore të Francës dhe Gjermanisë. Çdo veprim që ndërmerret duhet së pari të ketë të bëjë me këto dy vende”. Dhe më tej: “ne u zgjasim dorën armiqve tanë të djeshëm, jo thjeshtë për t’i falur, por për të ndërtuar së bashku Evropën e nesërme” u bë platforma e pajtimit, integrimit e zhvillimit evropian, që ishte njëherësh edhe mësim i madh i historisë. Prandaj edhe në themelet e Bashkimit Evropian qëndrojnë idetë antifashiste të liderëve të popujve evropianë në Luftën e Dytë Botërore, por edhe të burrave të shtetit të pas Luftës, si Uinston Çurçilli, Alcido De Gasperi, Konrad Adenauri, Sharl De Gol, Zhorzh Bido e Robert Shuman etj., pa harruar këtu antifashistët e mëdhenj evropianë Zhan Mone e shumë të tjerë. Nderim e respekt për fitimtarët dhe mbi të gjitha nderim për gjakun e derdhur lumë për fitoren mbi fashizmin!