Albspirit

Media/News/Publishing

Bernard Pivot: ‘Kukulla’ e Kadaresë, rrëfimi tej klisheve për nënën

Nëna ime? Më e ëmbla, më e dashura, më inteligjentja, më e gëzueshmja, më e guximshmja. Është ky refreni i zakonshëm i shkrimtarëve që rrëfejnë kujtimet e tyre të fëmijërisë e rinisë. Por ka edhe përjashtime, në veçanti Ismail Kadare, shkrimtari i madh shqiptar. Nëna e tij? Një kukull. E brishtë, e lehtë si një kukull letre. Mangësi e dukshme e karakterit, e gjykimit, e mirëkuptimit. Një njeri që nuk mbante dritë e me zor se bënte hije.

Bernard Pivot

Një ditë fatkeqe, Ismaili, me zë të ulët, e quajti idiote. Ajo e kishte dëgjuar. Sa herë e kishte thënë ai atë fjalë poshtëruese? Po ja, kishte ndodhur, ai e kishte plasaritur. Atij i vinte keq. “Lotët e saj, kujtonte ai, kishin shpërthyer. Ishin të njëjtët lot që unë i njihja aq mirë, delikatë si në filmat e animuar, me të vërtetë lot kukulle që, si të tillë, ishin të padurueshëm”. Por Kukulla mund të pretendonte disa rrethana lehtë- suese.

Shqetësimi i saj ishte i justifikuar. Në fillim të viteve 1930, në fshatin (qytetin) shqiptar – i njohur për lexuesit e Kadaresë- Gjirokastër, një vajzë e re u martua, pa i marrë mendim. Para dritares iu shfaq një ditë një burrë i vogël, rrumbullak me një borsalinë të zezë. Ishte i fejuari i saj. I kishin thënë që ishte i gjatë dhe i bukur. Ajo ia kishte dhënë të qarit, kur motra më e vogël i kishte bërtitur: Po jo, nuk është ai!

Është tjetri, në të djathtë!” Në moshën 17-vjeçare, ajo do të hynte së shpejti në një shtëpi treqindvjeçare, të madhe, të rreptë, të ftohtë, të pajisur me një dhomë të nëndheshme, në të cilën mbretëronte vjehrra e saj, një grua e pushtetshme, e vrazhdë, e zgjuar, e dhënë më shumë pas armiqësive, gruaja e djalit të saj të vetëm nuk kishte peshë para saj. Përveç kësaj, sipas një zakoni që Kadare e gjykonte si të “pashpjegueshëm”, gratë e moshuara të mbylleshin vullnetarisht në shtëpi.

Në këto përballje të përditshme dhe irrituese mes vjehrrës dhe nuses, janë shtuar luftërat e familjeve dhe klaneve. Arroganca e parave dhe lashtësisë, krahasimet e pahijshme, ndjeshmëritë dhe keqdashësitë, spiunimi i veprimeve të kundërshtarëve. Së fundi, gjykimi i pamëshirshëm i thashethemeve, para të cilave vajza e re bëri hyrjen e saj në një botë të ngushtë, mbytëse. Pas vdekjes, në vitin 1953 të vjehrrës, -20 vjet jetë të përbashkët- Kukulla do të kalojë ditë më të gëzueshme, mbi të gjitha kur Kadaretë do të jetonin në Tiranë, në kryeqytet.

Ismaili kreu studime të shkëlqyera në Moskë dhe në Tiranë. Por është pikërisht me të birin që ajo do të ketë marrëdhënie të ndërlikuara. Është një intelektual që përdor fjalë që ajo nuk i kupton. Ai nuk tregon aspak durim karshi saj. Naiviteti i saj e irritonte. Ajo do të donte të kishte mbi të në mos autoritet, të paktën një ndikim në përputhje me zakonet. E pse ai të mos zgjidhte një nuse? Ajo drejton vëmendjen e tij mbi një vajzë shumë të “përshtatshme”. Por ajo gabohet. Ismaili i tregon se ajo ishte një “lavire”.

Gjithsesi, ai nuk i merr parasysh këshillat e saj, ai ka zgjedhur Helenën, dhe që të dy, të emancipuar, kanë vendosur të martohen, duke e fiksuar vetë datën dhe orën. Kukulla e kupton me trishtim se në disa vjet, vetëm me një gjeneratë, bota ka ndërruar nga traditat më kufizuese te një liri e pafytyrë, shkatërruese e vlerave të hershme. Ismail Kadaresë, një shkrimtar kundërshtues, nuk i ka munguar kurrë guximi në refuzimin ndaj diktaturës komuniste shqiptare. Domethënia e romaneve të tij historike nuk mund të gënjente regjimin.

Ishte botuesi i tij, Claude Durand, vdekja e të cilit tronditi botën letrare, që organizoi ekzilin e tij në Francë. Edhe pse jo në të njëjtin rend, ai i dha pak kurajë Ismail Kadaresë për të shkruar mbi të ëmën një libër, në të cilin ai portretizohet më shumë si një djalë i zemëruar dhe plagosës, sesa i dhembshur. Edhe një fjalë: si të gjithë librat e Kadaresë, pas 15 vjetësh, “Kukulla” është përkthyer nga shqipja nga violinisti i madh Tedi Papavrami, gjithashtu një azilant i vjetër në Francë. As lidhorja e pakryer nuk është më një sekret për të…

Le Journal du Dimanche, 27 Maj 2015

Please follow and like us: