Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Një burrë i vogël me nënën e tij…

Image may contain: 2 people, people standing, shoes, child and outdoor

Një burrë i vogël me nënën e tij… Disa muaj më parë në Tiranë, në shtrat, nëna më shikonte me sy të humbur dhe unë e pyeta: – Pse më shikon?… Dhe ajo mu përgjigj: – Të dua!… Dhe unë i putha duart, gishtërinjtë!… Një shi i nxehtë më ra në shpirt dhe më lagu gjer në kockë!…
Dhe atëherë, në një copë letër në xhep shkrova:

Nëna ime përgjumet me sytë në fëmijërinë e saj,
ngatërron ditët, muajt, vitet,
por jo fëmijërinë, as karafilët
dhe borzilokun në poçet e dritares nuk i harron,
aromë borziloku është ende trupi i saj,
ajo më flet për shtëpinë e vjetër mbetur tej kufirit
që nuk e shkeli më,
dhe që gjithnjë e shikon në ëndërr, sikur shkon,
duke kapërcyer Qafën e Botës,
duke ecur këmbëzbathur
mbi livadhet e gjelbërt, ashtu siç i la,
më kërkon ujë dhe cigaren e saj të përjetshme,
ndërkohë që hiri mbi gishtërinj i bije
si vitet që shkuan.
Nëna ime flë syhapur,
flet me fotografinë time përballë
varur në murin e kohës pa fund,
bën dialog dhe më thotë se jam vonuar,
ka brymë e mjegull në sytë e saj,
më flet për rininë e saj dhe dashurinë
për fustanet ‘dekolté’ dhe dansin,
pastaj… pastaj, për ditën e ftohtë
kur më lindi në shtëpi, një ditë të ftohtë janari,
nëna ime ka shkuar të takojë fëmijërinë e saj
me gërshetin lidhur me manxuranë…
shkon… me hapat mbi ujë… shket gjithnjë…
për të lënë pas njëmijë diej që më djegin e më përvëlojnë…

8 mars 2016

———–

Një burrë i vogël pa nënën e tij

Nënat digjen si fluturat,
krahëthyerat nëna,
të uritura nga dashuria,
të etura gjithnjë,
buzëthara, buzëplasur, buzëvrara,
me jasminin e fshehur në pragun e pritjes së gjatë,
bulzuar në plagën e madhe të mallit të mungesës…
Erdha po atë mëngjes kur ora kishte mbetur,
ti flije përgjithnjë,
doje gjithnjë të më flisje për dashuritë e tua
kur të puthi për herë të parë im atë
por ti kishe fshirë buzët dhe kishe thënë:
Pse kjo është dashuria?
pastaj fute dorë në krahërorin e tij
duke ndjerë rrahjen e një zemre dhe duke humbur në të,
ah nënë, ti s’më prite
edhe pse të kasha thënë se do të vija në fund të prillit
më 1 maj ishte datëlindja tënde
por ti u lodhe nga pritja e gjatë, s’mund të më prisje më
atëherë ti mbylle dritaret
dhe nxore rrobën e zizë
që mbaje prej vitesh në dollap,
nxore këpucët, fustanin dhe këmishën e mëndafshtë
pastaj mbylle qepallat për mos t’i hapur më,
dhe ti çuditërisht u ngrite, dole nëpër terr
hape portën e botës dhe shkove në majë të gishtave
si në një valle çame,
veç portën e shpirtit mbaje hapur,
e dije se do të vija më së fundi bashke me stuhinë në zemër,
të të puthja sytë në përgjumjen e madhe
– Ku shkon kështu? – të thanë hyjnitë
– Ti ke vdekur!
– Shkoj të kërkoj të dashurit që më mungojnë…
Trupi yt kishte nxjerrë avull
avullin e fundit,
dhe unë imagjinoja se endesha në avullin tënd të bardhë,
Tiranën në brymën e kohës
dhe unë fëmijë që shtyja me shkop një rreth të hekurt
zbathur, në rrugicat me kalldrëm,
nga dritarja e shtëpisë sonë dëgjohej muzika e filmave të kinemasë,
dhe zhurma e karros ku Perikliu tërhiqte triumfator trupin pa jetë të Hektorit…
Ti kërceje bukur nëna ime,
të kujtohet kur pesëmbëdhjetë vjet më parë
erdha në mes të natës?
Kisha pesë vjet pa të parë, ishte mesnatë,
ndërsa ti përgjumeshe në divan
të putha lehtë në ballë me buzët që digjnin:
– Më ndrite shpirtin! – më the ti.
– Sonte do flë me tim bir! – i the atit tim,
dhe ai shkoi në dhomën tjetër duke tundur kokën, gëzonte,
dhe ti më peshtolle në shtratin tënd,
kujtoje se isha fëmijë
një fëmijë 45 vjeçar…
pjella e ngrohtë që kishe lindur ishte ende në krahët e tu.

Ky burrë i vogël, tani është pa nënën e tij!
Më lot endem rrugëve të Tiranës
në natën e zezë, të zezë,
duke kërkuar nënën time
aromën e saj të qumështit dhe të bukës,
më kot pres agun e së nesërmes
me të qeshurën e saj që jehon ende
me fjalët se kjo jetë është thjesht një roman,
një roman dashurie e pafund…
Dhe unë ika sërrish,
kapërceva male, qiej,
një tufë lejlekësh hallakateshin të çoroditura pa ditur ku shkonin
pa ditur nga vinin
ndërsa unë kisha ftohtë, ftohtë,
nga avioni, mijra metra poshtë,
shikoja plisat e dheut që rëndonin mbi ty
me një ngjyrë kafeje si në një sfond të Rembrandt
atëherë shpirtit i thashë: – Shko, shko shtrihu dhe ti
dhe thuaj për të miliontën herë se sa shumë e kishe dashur…
E di se gjiri yt i rreshkur nuk dihat më,
dhe se ende kam në gojë shijen e qumështit tënd…

Please follow and like us: