Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Një rrugëtim gjysmak drejt Brukselit

Zbardhet dokumenti i BE: Negociatat për Shqipërinë shtyhen për më ...
Një rrugëtim gjysmak drejt shtigjeve të Brukselit, ky vend problematik po pllakoset në baltën e vet ballkanike mes këtyre politikanëve amatorë që rrahin ujë në hava. Një mallkim po e largon vendin nga demokracia dhe perspektiva. Diplomatët e SHBA dhe kancelarive në Bruksel janë të shokuar nga ajo çka po ndodh në këtë vend, aspirant për BE që pritet të çelen negociatat. Ata e kanë mjaft vështirë të gjejnë një zgjidhje diplomatike për shfrenimet politike të liderëve të krekosur që secili nga palët do medaljen dhe meritën për hapjen e negociatave. Ndaj nuk habit fakti që euro-diplomatët kanë vënë alarmin për situatën e krijuar, po çirren me zë të forte që të fillojë të zbatohet Vetingu dhe detyrat e shtëpisë që ata kanë caktuar, por zëri i tyre nuk është aq i fuqishëm, sa është i thellë gjumi i thellë dhe veshi shurdh, që të mund ta zgjojë, përfundimisht, nga kjo kllapi, korrupsion dhe drogë politikën tek ne.

Ta lëmë anash komunizmin. Që nga viti 1991, në gjithë këtë katrahurë politike, askush, asnjë subjekt politik, asnjë lider politik, asnjë institucion shtetëror, nuk e merr fajin mbi vete dhe kështu faji, si përherë, mbetet jetim. Sipas pushtetit, të gjitha të këqijat që e kanë katandisur vendin e ka fajin opozita aktuale, ndërsa opozita ‘ngordhalaqe’, me petkun e korrupsionit dhe drogës  ka anatemuar pushtetin. Në këtë baltosje mbi njëri-tjetrin, populli është spektator, ndërsa problemet po shtohen dita-ditës.
Ka papunësi, ka vafëri. Në qershorin e ardhshëm kemi zgjedhje. Me reformën po luhet. Njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit, partitë politike shumë shpejt do t’i shtrijnë dorën  popullit dhe do të jenë në rolin e ‘lypësit’ të votave – deri në ditën e votimeve. Por çfarë po ndodh, asnjëra nga partitë politike qoftë të majta apo të djathta nuk zenë në gojë sistemin maxhoritar. Bëni vetëm kaq zotërinj dhe e keni shpëtuar Shqipërinë nga injorantët, oligartët dhe tarafikantët. Nëse bëhen lista e hapura asnjëri nga këta alabakët e partive politike që futen në listë nuk fiton, madje mud të humbasin edhe vetë kryetarët e partive, siç ndodhi me Ramiz Alinë kur ishte president e konkuroi me një inxhinier të thjeshtë minjerash dhe humbi.

Por kryetarët nuk i duan lista e hapura sepse duan që të futin ata që duan ata në parlament jo ata që e meritojnë. Bëni çfardo lloj reforme, nëse nuk kthehet sistemi marxhoritar e njëjta orkestër do të jetë votat do të vidhen… Kur populli e di se kujt do t’ia japi votën ai e ruan atë vetë dhe nuk ka rëndësi se me kë parti është kandidati, ai  zgjedh më të mirin intelektual që ka përballë…

Duhet të ndryshohet edhe zgjedhja e Presidentit të Republikës. Presidenti duhet të zgjidhet nga populli, jo nga një parti që vjen në pushtet, pasi ai nuk është president i gjithë popullit, ai hidhet sa me një parti aq me tjetrën. Presidenti është përfaqësues i popullit dhe garant i kushtetutës. Një Maqedoni dhe e zgjedh populli presidentin …

Do të “mendojnë të premtojnë ” në fushatë, mullarë me premtime  me para nën dorë apo me thasë me miell dhe shlyerje listash ushqimesh nëpër dyqane siç ka ndodhur rëndom. E vërteta u takon njerëzve të lirë, ata që gënjejnë janë peng të mashtrimeve të veta, janë robër. Në politikë shpesh po instrumentalizohet e vërteta, ajo ruhet në ‘sirtarë’ dhe nxirret sipas nevojës për dedikime të posaçme. Të jesh i mençur në politikë dhe në jetë, do të thotë të dallosh të vërtetën, atë të cilën duhet thënë dhe për atë të cilën duhet heshtur. Pushteti mbetet në fuqi me mashtrime, ushtrim të frikës dhe para të pista.

Politikanët kanë mbërthyer tërë shoqërinë me lojën e tyre mashtruese.  Demokracia, e cila, në fillimet e saj, mes nesh shkaktonte entuziazëm ekzaltues, është transformuar në një kurth të lirisë. Ende jemi larg realitetit qytetar. Populli s’është ende i vetëdijshëm se ka armën e votës dhe forcën e madhe, për të bërë ndryshimin e proceseve dhe arritjen e kthesave pozitive!

U deklarua me pompozitet se shumë shpejt peshqit e mëdhenj në Janar do të binin në rrjetë, por iku Janari dhe erdhi Shkurti po ikën dhe Maji dhe duket se ata do të shijojnë edhe stinën e Verës  sëbashku me të dashurat e tyre të shkojnë nëpër vënde ekzotike.

“Gjuha politike është shpikur për të bërë që gënjeshtrat të tingëllojnë si të vërteta”, ka thënë novelisti i njohur angleze, George Orwell. Një gënjeshtër e përsëritur 100 herë, do të dalë si e vërtetë, fenomen ky që mund të haset në mentalitetin e politikanëve ballkanas. Politika është art i të mundëshmes, ajo nuk është statike, është fleksibile, deri në përmasa të pabesueshme. Për këtë shkak, populli nuk i ‘kupton’ politikanët. Ata sjellin në veprimet e tyre befasi të vazhdueshme. Sepse, të jesh i sinqertë në politikë është një hiç… E vërteta shpesh është e hidhur, sido që të gjithë  përballemi më të. Në Mokër ka një shprehje “Më shumë duhet armiku që e thotë të vërtetën në sy, sesa miku që gënjen“. Politikanët tanë na gënjejnë vazhdimisht, por çuditërisht u besojnë gënjeshtrave të tyre, sidomos kur fakir fukarait i japin ndonjë lëmoshë dhe i marrim votën për të sajuar përsëri një gënjeshtër të re kur të vijnë zgjedhjet e tjera. Negociata kësaj radhe duket se do të hapen, por ky do te jete nje udhëtim gjysmak drejt Europës…

 

 

 

 

 

Please follow and like us: