Dokumentet ekskluzive/Skandali i OSHEE, faturon trefish afrofe dhe s’ke ku të ankohesh
Siç mund ta shikoni nga fotot këtu është fatura tatimore për muajin Prill 2020 e pagesës së energjisë elektrike të apartamentit tim në rrugën “Kongresi i Lushnjës”. Zakonisht pagesa jonë mujore është 35-37 mijë lekë (faksimile e librezës për muajt Janar-Shkurt-Mars 2020), ndoshta pak më shumë në dimër, por fatura tatimore e Prillit ka ardhur mbi 94 mijë lekë, pra 3 herë më shumë.
Shkoj dy herë te Kujdesi i Klientit, por më thonë se është bllokuar sistemi. Detyrohem të shkoj te zyrat qëndrore, por çuditërish atje më thonë se nuk ka një zyrë ankesash. Diçka e tmerrshme dhe e paimagjinueshme sepse çdo institucion detyrohet me ligj për ta pasur një të tillë.
Natyrisht nuk do ta bëja publike këtë shqetësim sepse të Zyra e Klientit një ditë do të hapet sistemi dhe ndoshta do ta korigjojë këtë lapsus, por pashë se shumë individë si unë kishin të njëjtin hall, ishin faturuar afrofe disafish dhe nuk kishin ku ta zgjidhnin, shkonin e vinin nga Zyra e Klientit pranë kompleksit ‘Delijorgji’ te zyrat e Administratës Qëndrore të OSHEE ku nuk ka një zyrë ankesash.
Nuk dua të paragjykoj faturistin e lagjes që edhe rrugën ‘Kongresi i Lushnjës’ e shkruan te fatura tatimore rruga ‘Ndre Mjeda’, nuk dua ta besoj se ky është një i afërm deputeti, ministri, një numërues në qendrat e votimit (zakonisht janë vjedhës votash), akoma më keq i pashkolluar (me ndonjë diplomë false nga shkollat private) që nuk di as tabelën e shumëzimeve, por dua të denoncoj papërgjegjësinë e një strukture që mbahet nga taksat tona.
Post Scriptum:
Ftoj të gjithë shqiptarët që janë faturuar afrofe për Prill 2020 të më dërgojnë (në adresën cercizloloci@gmail.com) faturën tatimore (foto me celular) të këtij muaji si dhe librezën personale për muajt Janar-Shkurt-Mars (foto me celular), të cilat do pasqyrohen falas çdo ditë te Albspirit. Një denoncim i mençur dhe i dokumentuar flet dhe bën punë më shumë se një protestë apo antiprotestë sharlatanësh.