Albspirit

Media/News/Publishing

Sabina Darova: Shtëpia trasparente

Arti pamor bashkëkohor jo vetëm në Tiranë. — Albmendimiarts.com

Shtëpia ime është më e çuditshmja në botë. Është një kuti e vogël e trasparente si kurriz breshke ( pagëzuar nga mami e nuk e di përsenë), që i hedh hapat me shumë kujdes. E kanë zgjedhur posaçërisht për mua, disa gra të veshura me përparëse të bardha. Që ditën kur kam lindur, këto kryqëzohen mbi kokën time dhe japin e marrin me njëra – tjetrën duke shqiptuar shumë fjalë të komplikuara, në një gjuhë ndryshe nga fjalët që më pëshpërit gjithë ëmbëlsi ime ëmë. Janë fjalë që ngjajnë si pjesë mekanike të një aeroplani. Kërcasin si ashkla hekuri përpara fytyrës e të rrënqethin. Pikërisht, këto fjalë-elementë aeroplani ngjiten midis tyre e përpiqen të lëvizin si një trajektore mbi qiellin e kraharorit . Thonë që qielli i kraharorit tim paska njëqint probleme të lindura në fetus. Ndaj duhet të kurohet larg nga vendi ku kam lindur. Shpejt, më ngjitën tek retë.
Me bashkëmoshatarët e mij, mund të ve bast pa m’u dridhur qerpiku i syve të kaltër e më të bukur në botë ( siç thonë ata që më njohin) , që jam i pari në klasifikim që kam parë krahët e mi njomështak mbi krahët e një aeroplani. Kush mund të ma kalojë? Asnjë! Unë kam marrë fluturimin drej qiellit kur kisha vetëm dhjete ditë i ardhur në këtë botë. Në kutinë ku ndodhesha përgjatë fluturimit, zgjateshin prej vrimash, disa tuba që mbërthenin qenien time si pre e kapur në gjah, për ta shpënë gosti në pallatin e mbretit. Por, ndodhi ndryshe. Nuk më dërguan gosti në pallatin mbretëror, por në një ndërtesë të çuditshme. Aty më dhanë mikpritjen disa tuba të tjerë prej të cilëve kujtoj që midis meje dhe tyre, zgjati për një kohë të gjatë, një histori siç e quajnë të rriturit, dashuri – urrejtje. Kjo, se herë- herë më ushqenin dritë mbi lëkurë kur nxihesha gjatë kollitjes, e herë-herë ma gërvishtnin fytin e njomë duke e lënduar tek ndizte bulçijtë e i shfrynte si tullumbac i shpuar. Këta tuba kishin edhe një të keqe të madhe: pengonin buzët e mia të ngjiteshin mbi thithkën e gjirit të nënës për të tërhequr një lloj lëngu të çuditshëm, i cili sapo e kaloja mbi qiellzë, më dhuronte kënaqësinë më sublime të botës. Se ç’kishte ai lëng! Mund ta krahasoja me aromën e luleve të portokallit që ta deh mendjen, apo me erën e luleve alpine të malit, që t’i zgjeron mushkritë sa detet. Madje, mund ta krahasoj me mushtin e verës që budallalleps të rriturit. Fakt është, që unë sapo thithja pikat e atij lëngu, gjallërohesha. Ndjeja gjakun të vallëzonte brenda venave e të shtynte muskujt me një forcë të papërshkrueshme, ashtu si vagonat e trenit në një park lodrash. Por, kënaqësia nuk mbaronte me kaq. Mbi lëkurën e kokës ndjeja drithërima sapo më afrohej diçka e butë që më përkëdhelte. Mornicat më ngjiteshin nga maja e gishtit të vogël të këmbës e këlthisja prej gëzimit. Pak më vonë, mësova që kjo magji vinte nga dora e nënës, që më ofronte atë thithkën e magjishme. Por, siç ju tregova në fillim, këto momente ishin të ralla. Gratë me përparëse të bardha i pengonin vazhdimisht këto takime eksituese, e më ngulnin në mish qetësisht fije tubash të hollë, duke këmbyer të shqetësuara njëra me tjetrën, fjalë nga të cilat nuk kuptoja asgjë. Ah sa zemërohesha në ato çaste! Ulërija, çirresha, këlthisja, lëshoja lot krokodili në shenjë proteste, por askush s’ma vinte veshin. Jo vetëm që nuk i merrnin parasysh ankesat e mia, por guxonin e më vështronin me ëmbëlsi duke nanurisur ndonjë fjalë përkëdhelie që s’i kuptoja fare, por që simbas tyre duhej të më dilnin e të më tepronin. Mes nesh ishte qëndisur sfida. I inatosur mbërtheja grushtet e betohesha se një ditë, do jua paguaja shërbimin ashtu siç duhej!
Gratë me përparëse të bardha, nuk më janë ndarë akoma e kësaj dite. Mbas largimit të tubave, shpikën diçka të re që të më ngacmonin nervat. Më zgjatën mbi gjuhë një send metalik që të fut të rrënqethurat e që quhet lugë. Nëpërmjet kësaj luge përpiqen të ndërhyjnë një lloj lëngu tek unë, që nuk i afrohet askund atij lëngut të veçantë që vjen thjesht nga një thithkë me aromë luleje. I shoh drejt e në sy dhe i mbërthej buzët gozhdë. Kam mësuar të mbrohem. Ato dëshpërohen për qëndrimin tim, por nuk sprapsen. Ngulmojnë dhe ja arrijnë qëllimit. Lëngu artificial çan përpara dhe pushton grykën dhe stomakun. Ky i fundit, çuditërisht ndjehet mirë. E pranon dhe s’do t’ia dijë për pretendimet e shijeve të mia. Gëlltit lugezat lopata si pa të keq dhe ushqen barkun tim që vihet në lëvizje. I befasuar ndjehem më i fortë e më i rritur. Ndjej gjymtyrët që zgjaten e kërkojnë të takojnë tokën. Nis të lëviz e të kërkoj ato sendet që quhen lodra, për tu zbavitur . Zgjas duart e i tërheq flokët e gjata e të zeza të sime mëje, ndërsa më mban mbi krahë, tek ecën në korridoret e gjata, për të kryer shëtitjet e mbrëmjes, kur rallohen vizitat e njerëzve.
Edhe asaj ka filluar t’i rikthehet buzëqeshja. Në fillim u tremba kur e pashë që zbardhte dhëmbët e ndukte faqet e mia ngjyrë rozë. Isha mësuar ta shihja të ngrysur. Cepat e syve qëndronin të veshur nga një lëng trasparent. Kjo pamje që njerëzit e quajnë trishtim, për mua do të thoshte normalitet. Kur ndjeva që buzëqeshja e saj gëzonte indet e trupit tim, atëhere kuptova që buzëqeshja qënka gjë e mirë.
Pak nga pak fillova të njoh e të kuptoj edhe fjalët që shqiptojnë gratë e veshura me të bardha. Quhen doktoresha, infermiere, logopediste e fiziatre. Gjuha e tyre ( e huaj siç thotë mami), quhet gjuhë italiane. Kujdesen dhe shërojnë fëmijët e veçantë si unë. Sepse fëmijët që lindin me një pompë ku valvulat e sëmura punojnë ngadalë, janë fëmijë specialë. Them pompë, sepse doktoreshat kështu e quajnë zemrën. Këta fëmijë, jetojnë si në kurriz të breshkës se në veprimet e tyre janë të ngadaltë. Por, për këtë nuk bëhem shumë merak. Të rriturit thonë, që ai që ecën ngadalë, shkon larg, sepse ka një yll që e mbron dhe i sjell mbarësi. Dhe ky ylli jam unë, Stean, bebushi që mësoi njëherësh dy gjuhë dhe t‘i dojë këmishët e bardha që i shpëtuan jetën.

Please follow and like us: