Albspirit

Media/News/Publishing

Ali Daci: NË KUJTIM TË MIKUT DHE PROFESORIT HASAN GJONBALAJT

No photo description available.

Libri ‘Zhanica, Pepaj dhe Nokshiqi’, fshatra këto të krahinës së Plavë e Gucisë janë objekti i studimi të etnologut shqiptare nga këto treva z. Hasan I. Gjonbalaj. Sakrifica e popullit shqiptarë për të qendruar në vatrat stërgjyshore gjatë ekzistencës së tij, gjatë historisë së përgjakshme shumë shekullore ka bërë që faqet e historisë shqiptare të shkruhen me gjak shqiptari dhe trojet e tyre të mbeten shkretë. Si rezultat i spastrimeve etnike nga pushtuesit dhe okupuesit e tokave shqiptare, kjo e vërtetë e ka shtyre autorin e këtij libri që të vë në letër faktet historike dhe etnografike të kësaj treve shqiptare autoktone. Kjo monografi që në bërthamën e vet ngërthen faktet historike e gjeneologjike rreth fatit të shqiptarëve të fshtrave që përfshihen në këtë studim. Duke i njohur mirë rrjedhat historike që e kanë përcjellë historinë e dhimbshme, por gjithsesi tragjike të kësaj pjese të Atdheut. Hasan I. Gjonbalaj lexuesin e rrënqeth me historikun e ish fshatrave shqiptare të luginës se Limit, të cilën e quan Ultina e Limit, në komunën e Plavës. Kujtesa e brezave dhe tradita e përcjelljes se ngjarjeve historike nga brezi në brez, i kanë mundësuar autorit që të mbledh me kujdesin më të madh të dhënat rreth trungut gjeonologjik dhe atij fisnor e farefisnor të banuesve të këtyre fshatrave, gjonologjisë së fiseve dhe barqeve në këto anë. Në sajë të mungesës së banuesve autoktonë sot në këto fshatra, shqiptarëve autoktonë, Gjonbalaj i rreket historisë së kësaj treve duke kërkuar ish banuesit e saj në gjithë hapësirën gjithëshqiptare por edhe më gjerë dhe gjithë kallëzimin e tij e mbështet tek njerëzit e kësaj treve që me besnikëri parashtron para lexuesit vështrimin historik për secilin fshat veç e veç dhe gjeonologjinë e familjeve shqiptare të fshatrave Zhanicë, Pepaj dhe Nokshiq, e që për secilën familje ka prezantuar në tabela gjeonologjike trashëgimtarët nëper breza. Gjonbalaj dokumenton origjinën shqiptare të ish banuesve të kësaj treve duke u mbështetur edhe në toponimet, antroponimet dhe në varret që janë të vetmet që ”frymojne” shqip, siç thotë autori. Pos argumentit shqiptar ai argumenton me fakte historike edhe pushtuesit dhe okupuesit e kolonizuesit e këtyre fshatrave duke i njohur ata me emër e mbiemër, pra gjithë ato familje malazeze që shtrihen sot gjithandej fshtrave të krahinës së Plavë e Gucisë e veçanërisht flet për banorët e ri malazez të këtyre fshatrave dhe për varret e vjetra që kanë mbetur si dëshmi që dikur jo fort larg kanë jetuar familjet shqiptare këtu. Konvertimin e shqiptarëve të kësaj ane nga besimet katolike dhe islame në fenë sllavo-ortodokse, Gjonbalaj e ka dëshmuar me ngjarjet historike të asaj kohe, ku në fund të shekullit XVIII përfundoi konvertimi në fenë islame, konvertim ky që rezultoi me ngritjen e xhamive në fshatrat e Ulrinës së Sipërme si në Nokshiq, e më vonë në Zhanicë, xhami këto që më vonë do të rrënohen nga provokuesit serbo-malazezë, të cilët me dhunë shqiptarët provuan t’i konvertojnë në fenë pravo-sllave përmes Iguman Zeçeviqit që si model kishte sjellë “ligjin e Vasojeviqeve më 12 pikat” e asimilimit të dhunshëm. Ai në libër shqyrton edhe asmilimin e toponimeve dhe antroponive shqiptare në ato sllave. Asimilimi i shqiptarëve dhe konvertimi i tyre në fenë ortodokse serbe ishte tragjik për popullin e kësaj ane, ku rezistenca shqiptare kundër konvertimit ishte e madhe, por jo më e madhe sa shtypja e serbo-malazezve të cilët fuqishëm u mbështeten nga Rusia Cariste.
Gjonbala nuk harron t’i përmendë edhe ish fiset shqiptare që u asimiluan dhe u kovertuan në besimin ortodoks siç ishin fiset: Ozri, Pipri, Hoti, Krasi, Vasi, Bakeqi, Kelmendi, Kuçi etj, fise këto që tani njihen si fise nacionaliste serbo-malazeze. Planet pansllaviste të Carit të Rusisë, për t’u ndarë tokat shqiptare aleatëve të tij, kanë qenë në planin e parë, andaj si rrjedhoj e kësaj tentative në monografi përmendet edhe lufta e njohur e Nokshiqit e cila u zhvillua më 4 dhjetor të vitit 1879, luftë kjo e cila me dinjitet dhe heroizëm u fitua nga shqiptarët. Më pastaj studiusi përshkruan në hollësi masakrën e shkaktuar nga Avro Cemoviqi dhe pop Gjorgji që kishin kryer mbi shqiptarët të cilët për se gjalli nuk i kovertuan dot në fenë ortodokse sllave, apo siç e quan autori në fene pravo-sllave. Qendresa e shqiptarëve, nënshtrimi dhe pushtimi e kolonizimi i tokave të tyre nga serbo-malazezët është një histori e hidhur që mund të lexohet në këtë libër. Pushtimin e këtyre trojeve, Gjonbalaj e cilëson edhe si meritë e fuqive të mëdha dhe qarqet evropiane të cilët trojet tona i shndërruan në monedhë kusuri mes veti. Lexuesi në këtë monografi gjen një numër të konsiderueshëm fotografish që përbejnë një hstorik pamor të historisë së kësaj zone, të cilat autori lexuesve ua ka ofruar nga fototeka e tij e pasur. Libri ‘Zhanica, Pepaj dhe Nokshiqi’, fshatra këto të krahinës së Plavës e Gucisë, është një shtytje për ndriçimin dhe hulumtimin e mëtutjeshëm të gjenezës gjeneologjike, gjuhësisë dhe historisë shqiptare me interes për historinë dhe kulturën shqiptare në përgjithësi e me theks të veçantë për historinë e shqiptarëve të Plavës e Gucisë.

 

http://kosovapersanxhakun.org/?p=9003&fbclid=IwAR0XpnVSlMQ73M3d7OuQ4utzapUj3wPP9Qyg6YRHn2E4mTsIBXFsYA8TKps&lang=sq

 

Please follow and like us: