Albspirit

Media/News/Publishing

Shpëtim Emiri: Kujtime nga miqësia me një ndërtues (1)

Image may contain: 1 person, suit and closeup

Shpëtim Emiri


 
Shkruar në mars – prill 2020

– Si nuk shkrove diçka për Etemin? Ty të takon! – më pat thënë Pajtimi, kur lexoi librin “Kujtime me buzë në gaz”. Pata shkruar një shkrim për të, por nuk e përfshiva në libër. Nuk ishte plotësisht përfaqësues, rasti kur e ftova për të darkuar bashkë në shtëpi dhe këmbyem romuze. Jo ngaqë ai doli “fitimtar”. Hezitoja! Mendoja se gjithë ç’më kujtoheshin mund të përmblidheshin në dy-tre faqe të shkruara. Nuk isha në gjendje ta nderoja kujtimin e tij, siç e meritonte.

Vërejtja për shokun e përbashkët më ndiqte pas…

 

Njohja me Etem Idrizin në Ballsh

 

Personaliteti i çuditshëm i këtij njeriu më ka tërhequr gjithmonë. Në dukje, nuk ta mbushte syrin! Me trup mesatar, fytyrëprerë, i hollë, me veshjen dalë boje, të krijonte një pamje gati të rëndomtë, si shumica e personelit nëpër kantiere. Rrudhat në fytyrën e tij i takonin një moshe më të madhe. Po, çfarë temperamenti! Vullkan! Më vonë, kur do shihja se si punonte ai njeri, do kuptoja se ia kish rrëmbyer jetës rrudhat, para se ajo t’ia jepte, kur t’i takonin.

I jam ndjerë borxhli të hidhja në letër një skicë-portret. Më ka brejtur kjo ide, sidomos vitet e fundit. Ai u nda nga jeta në pranverën e vitit 1986. M’u desh të konsultohesha me shumë shokë për të gjetur saktë, kur ndërroi jetë. Mbajtja e ditarit në jetë qenka kulturë! Nuk e kemi! Çdo vit që kalon lë pas mjegullën e vet mbi kujtimet. Dëborë harrese. Shtresat e saj nuk shkrijnë, ato mbulojnë vit pas viti njëra-tjetrën. Dhe për të nxjerrë në dritë ç’është mbuluar, nuk mjaftojnë kërkimet “gjeologjike”. “Arkeologjiket” mund të deshifrojnë afërsisht të vërtetën.

Të rikujtuara, pra, mbas rreth dyzet vitesh, më dukeshin mjaft të zbehta krahasuar me imazhin aq mbresëlënës, gati tronditës, të individualitetit të tij. Sa herë që emri i Etemit përmendej në biseda shokësh, por edhe në meditime të shkëputura në vetmi, më ka bërë të ndaloj gjithçka tjetër, ta bllokoj “trafikun” e të kalojë në përfytyrimin tim, i vetëm, Ai.

Kishte bërë vend të veçantë mes shoqërisë.

“Si ka mundësi të lërë kaq përshtypje një “copë tekniku”?, mund t’i shkojë nëpër mend lexuesit. Eh! Do më duhet të zgjatem për t’ua shuar kureshtjen.

Kur u takuam të dy, në Ballsh, tek kantieri që ndërtonte qytetin plus bazat e prodhimit dhe të transportit për ndërtim-montimin e uzinës, si dhe ujësjellësin e madh, të gjatë 12 km, nga Poçemi në Ballsh, ai, “copa e teknikut”, i kompletuar edhe me eksperiencë pune gati dhjetëvjeçare, në sytë e mi dukej profesor. Nuk ishte vetëm Etemi që linte natyrshëm këtë përshtypje. Pothuaj të gjithë ata që kishin mbaruar teknikumin e ndërtimit në Tiranë në vitet pesëdhjetë – gjashtëdhjetë*1.

Shkollimi i tyre ishte në vazhdën e programeve, nivelit dhe disiplinës të shkollës teknike amerikane “Hary Fulltz” në Tiranë. Shumë nga pedagogët e këtij teknikumi u bënë pedagogët e parë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, me krijimin e tij më 1957.

Ishin të paktë teknikët e këtij kalibri. Dinin ta zotëronin situatën. Njohës të përkryer të projekteve të komplikuara dhe organizatorë të shkëlqyer, autoritarë dhe të respektuar nga brigadat e ndërtimit, ekzekutues të saktë, të patolerueshëm në respektimin e kushteve teknike.

“Të prishet”! dëgjoja me sa seriozitet e vendosmëri urdhëronin të mos vazhdonte një proces i nisur jo mirë. Më dukej se nuk do të arrija dot kurrë të isha aq i saktë dhe i prerë.

Shoqëria jonë ishte shoqëri e lidhur në punë. Në çdo dy-tre muaj, vetëm një fund jave mund të çmallesha me prindërit në Gjirokastër. Dhe kjo përgjatë shtatë viteve të jetës në Ballsh, 71 – 77, para se të krijoja familje. Ishte puna dhe shoqëria që na mbushnin boshllëkun. Po a e mbushnin dot? Nënën nuk e zëvendësonte asgjë! Asnjë gjë! Shoqëria e mirë i afrohej vlerave të prindit. Kish avantazhin se shoqërinë mund ta zgjidhje, ndryshe nga atësia…

Thënia “Zgjidhe shokun më të mirë se vetja”! që, siç shkruan Pëllumb Kulla, kush e arrin, ua ka ‘futur’ shokëve, merrte kuptim më shumë se kurrë, pikërisht, në momentin që dilje në jetë. O do zgjidhje, o të zgjidhnin.

Punët e mëdha, të vështira e me rreziqe, i zbulojnë shpejt karakteret dhe nuk të gënjen syri. Me Etemin, që i kish me shumicë vetitë pozitive, na afronte edhe natyra gazmore me hidh e prit-et pa qejfmbetje. Qeshte, tallej, kur papritur nxehesha dhe shpërtheja në punë: “Ta marrë dreqi”! ose edhe më rëndë se kaq: “Të marrtë dreqi, të martë”! “Ha, ha, ha”!- nuk i mbahej gazi. Nuk ia mbushte synë fare kjo lloj “e bërtitur qortuese”. E dobët, e këputur, si e trembur. Isha, me demek, edhe kryeinxhinier kantieri. “Pika”! – shkrihej Etemi dhe në fund e përsëriste vetë hakërrimin tim edhe më me forcë dhe prapë nuk rrinte dot pa qeshur. Bile, kur e dëgjoja nga goja e tij, edhe mua më dukej stonaturë në atë mjedis. Kish të drejtë që qeshte me mua.

Mendimi se të bërtiturat janë paaftësi komunikimi, ose tregues i injorancës më shumë se i forcës, po më lëkundej. Kantieri ishte ndryshe! Britmat e drejtorëve ishin në modë. Më dukej se pa ditur të bërtisje, nuk mund të bëheshe drejtor. E mblodha shpejt mendjen nga ai krah. Edhe po ta kisha xham biografinë, drejtorllëkut unë i rruaja bishtin! Sido që të jetë, veshi mësohej vetiu, jo vetëm me të bërtiturat, por edhe me zhargonin e ca çamarokëve të montimit, që sharjen e kishin si qershia mbi tortë. Dalëngadalë po e kuptoja, se edhe “karrierën” si drejtues po ma pengonte paftësia për të sharë. I vonuar po se po, por nuk jepja shenja shprese as për të ardhmen. Mbeta gjytyrym, sakat! Nuk dija të shaja nga nëna! Pa lere më, nga motra, që po hynte vonë në modë edhe në Vlorën, ku lindi! O Zot, çfarë sharje!

Atë, të vjetrën, “Nënën”!, nuk mbaj mend ta kem përdorur ndonjëherë, as fëmijë në Palorto. Mund të jetë faji i lagjes! Jo se isha më i edukuar se fëmijët e tjerë moshatarë. Nuk lindte nevoja as si kundërpërgjigje, për hakmarrje. Nuk kish qenë përdorur as nga breza të mëparshëm në Gjrokastër (në Palorto, po them!). Këtë defekt të lagjes mua m’u desh ta mbaja në kurriz dhe të turpërohesha në sytë e shokut tim vlonjat, paçka se edhe ai nuk i përdorte, po e qeshura mendoj se e tradhtonte. Unë e ndjeja veten të çarmatosur.

Qeshte me të madhe kur dëgjonte shprehje nga e folmja e Gjirokastrës, që unë e kisha nga gjyshja: “kos i lopur” (kos lope), “kos i delmur” (kos deleje). I përsëriste epitetet e çuditshme “i lopur”, “i delmur” dhe shkrihej gazit. Të dëgjuara nga goja e Etemit edhe unë u tmerrova. Kuptohet që nuk i përdora më, por po gjykoja paaftësinë time të korrigjoja në ambientet jashtë Gjirokastrës ca para- e prapashtesa që e shëmtonin gjuhën shqipe. I dukej e habitshme që Gjirokastra kish ruajtur në të folme fjalë që i qëndronin shumë larg të folmes letrare.

“Çudi e madhe, e pabesueshme! Edhe Kush? Gjirokastra!”

 

Cilësitë e Etemit në punë

 

“Etemit i ecën puna, vetë”! – dëgjohej të flitej rëndom. Dhe linte përshtypjen se nuk ishte merita e të zot. Si të ishte njeri me fat. Puna, si të qe një lloj qerreje; dikujt i ecte, dikujt jo. Kërcisnin rrotat e karrocës, ngecnin, u dilte rrota… Etemit jo! Sikur rrëshqiste në pjerrinë, madje, sa më shumë punë merrte në kurriz, aq më mirë i “rrëshqiste” ajo. E merrte pesha para dhe nuk u rrëzua asnjëherë deri ditën që e rrëzoi shëndeti atë vetë. Ajo, ecja vaj e punës, nuk i ndodhte kujtdo. Ishte produkt i përkushtimit, profesionalizmit dhe mjaft cilësive të tjera që i duheshin një individi të arrinte ta “zbuste” punën, si një tigër cirku.
Si drejtues teknik, e pati një “kusur”, ndryshe nga gjithë të tjerët. Në objekt donte të punonte i vetëm. Jo dy gjela në një qymez! Aq të theksuar e kish këtë, sa që pranonte ta sakrifikonte veten. Ndërsa ishte natyrë e çiltër, i hapur, i drejtpërdrejtë dhe kish qejf të diskutonte çdo problem me kolegët, në objektin ku drejtonte, nuk pranonte shkopinj në rrota. Tipat mëndjellinj, që po vinin duke u shtuar, nuk i honepste dot fare. Kur u njohëm, ai kish dhjetë vite pune eksperiencë, pesë vitet e mia në fakultet dhe diferencën në moshë po aq.

Edhe pse patëm mjaft shoqëri, ajo përsëri mund të konsiderohet e përmbajtur. Atmosfera ta impononte. Nuk kemi biseduar asnjëherë për rrethanat politike të familjeve. Nuk më pyeti asnjëherë, unë jo se jo. Përflitjet biografike qarkullonin. Kësaj kategorie i rrinim larg. Distancim social. “Koronavirusi!”

Etemi pati edhe një veçori që ia ngrinte statusin. Në objektet “e veta” kryente edhe gjithë punimet topografike. Përdorte shumë mirë instrumentet topografikë. Veç nivelit, që e përdornin thuajse gjithë teknikët e rangut të tij, edhe teodolitin. Kryente piketimin e objekteve i pavarur. Petrit Çarçani, kryetopografi indërmarrjes, ia besonte punën.

Ky, Petriti, që thoni ju, ishte teknik topograf i shkollës teknike të Fulltzit. Kur do ndërtohej uzina e azotikut dhe TEC-i 100 MW në Fier, objektet industriale më të mëdha për kohën, vitet ‘66-’70, qeveria vendosi si drejtor të përgjithshëm pranë objektit zv-ministrin e ndërtimit, Rahman Hankun. Ai, drejtues shumë i zoti, i rreptë, por njerëzor, i pajisur me kompetenca të veçanta, fuqiplotë, tërhoqi Petritin nga bonifikimi dhe për kompensim i dërgoi bonifikimit dy a tre inxhinierë. Ky ishte kursi i këmbimit! Më i fituar doli, pa diskutim, Rahmani! Petrit Çarçani drejtoi punimet topografike në labirintet e gjithë uzinave e fabrikave të industrisë kimike, petrokimike dhe energjetike në Fier e Ballsh dhe nuk i ndodhi asnjë përplasje a pasaktësi.

I dashur lexues! Këtë kapitull, ku unë, si ndërtues, marr superxhiro, po e mbyll shpejt, me merakun mos bëhet i mërzitshëm për lëçitësin jo profesionist.

 

Prejardhja e Etemit – Mallkeqi i Vlorës

 

Nuk jam në gjendje ta përshkruaj Mallkeqin, fshatin e Etemit. Kam shkuar në raste fatkeqësie dy herë dhe në dasmë herën e fundit. Asnjëherë i lirë për ta kundruar e njohur sadopak… Etemi e përmendte për tradita atdhetare e burrërore, por unë vonë u njoha me figurën legjendare të heroit të asaj krahine, Mehmet Selim Mallkeqit, komandanti i formacionit luftarak të asaj krahine në Luftën e Vlorës më 1920.

Mehmet Selimi, mes trimave më të shquar të Luftës së Vlorës, mbledhur në malin e Beunit, doli vullnetar dhe u përzgjodh nga burrat e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” për t’i dorëzuar ultimatumin, në emër të këtij komiteti, komandantit të përgjithshëm të forcave pushtuese italiane, gjeneralit Piaçentini.

Çfarë figure ky Mehmet Selimi! Çfarë gjenerali! Hypur mbi kalë, vetëm me një shok në krah, hijerëndë, vete i shtyn derën në mes të Vlorës gjeneralit italian, ngarkuar me spaleta e rrethuar me ushtri të armatosur deri në dhëmbë (rreth 20 000 trupa: gjeneralë, oficerë, garnizone, artileri, luftanije, shtrirë nga Vlora gjer në Himarë e Tepelenë) dhe i tund në fytyrë ultimatumin, ku i jepet afat një ditë për t’u qëruar.

Ish i pushkës dhe i gojës, i përzgjedhuri mes trimash, luftëtar, s’i dridhej syri.

Më vonë jam njohur me vlerat e veçanta të asaj lufte për vetë kombin tonë. Ishte thirrja burrërore dhe lufta e përgjakshme fitimtare që shkundi përfundimisht kancelaritë evropiane, se kish zot vatani dhe i detyroi të heqin dorë nga shpërbërja e Shqipërisë. Në Vlorë kish shpërthyer vullkani i atdhetarisë, virtyti më i lartë i këtij populli. Luftëtarët trima nuk i mblodhi ideologjia, ata i thirri atdheu në rrezik. Zëri i atdheut! Lufta më e kulluar pas luftërave të Skënderbeut. Luftë “BIO”! Pa “pestic-idè” importi. Atdhedashuri deri në vetëmohim. Vdekje me këngën “Vlora, Vlora…” – shkruar nga poeti atdhetar Ali Asllani, një tjetër legjendë e Vlorës, sekretari i qeverisë së Ismail Qemalit, që e lanë në mjerim, pa pension, parimorët e fundit.

Etemit i kish hije mburrja me heroizmin e Mehmet Selim Mallkeqit, bashkëfshatarit të tij. Por edhe tek ai unë shikoja ngjashmëri. Ishte i zoti i punës, i zoti i gojës, kurajoz dhe me të gjitha tiparet trimërore që mund të shfaqeshin në diktaturë. Të kish qëlluar në kohë lufte, Etemi do të vritej. Pa diskutim! Nuk ishte kokëkrisur, as i rrëmbyer. Ishte shumë i matur, por bëhej i papërmbajtur po t’i cënohej dinjiteti.

 

Episode me ngarkesë gazmore

 

Nga puna e përbashkët me Etemin, në respekt të lexuesit, do të qëmtoj ato episode që kanë nga pak ngarkesë gazmore. Romuzet nëpër kantiere ishin tregues se punët i kishim vënë për fundi, pra e kishim mësuar punën të ecte vetë…!

 

Tek stacioni i trenit në Ballsh (viti 1974 – mars 1975)

Etemi drejtoi punimet për ndërtimin e stacionit të trenit në Ballsh.

Objekti, me godinën kryesore vetëm dy katëshe, ishte një kompleks i shtrirë, ndër më të thjeshtit për t’u realizuar, por, si për çudi, pikërisht për këtë objekt u hap një telash i madh në ndërmarrje. “NNI Ballsh” ishte në kulmin e punimeve për ndërtimin e gjigantit petrokimik, “Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës”. Në vetvete objekti i stacionit të trenit nuk përfaqësonte kurgjë për kapacitetet e asaj ndërmarrjeje, ku punonin mbi 3000 specialistë, ndërtues e montatorë, përfshirë dhe të burgosurit e burgut të ngritur në faqen e kodrës së Usojës përballë uzinës. Por po ndodhte e pabesueshmja, po rrezikohej seriozisht përfundimi në afat i stacionit të ri të trenit. Drejtorisë së ndërmarrjes po i kalonin mornica. Kushtet e motit ishin tejet armiqësore. Një ngricë e stërzgjatur, e paparë. Kallkan! Temperatura nuk arrinte të ngjitej mbi zero as ditën. Shtresat e akullit shkëlqenin pulla-pulla mbi sipërfaqet e tokës me lagështi e pellgje uji.
Data e përfundimit ishte e padiskutueshme: 15 mars 1975! Koka drejtuesish, po, mund të diskutoheshin, nëse do të vazhdonin të rrinin më mbi qafa, por shtyrje date, jo, kurrsesi!

-“Vjen vetë shoku Enver për inagurim”! – thuhej me gëzim të veçantë. Populli e donte udhëheqësin! Në vitet ‘70-75 edhe ekonomia mbahej ende. Nuk ishte zbuluar dot qëndrimi armiqësor i pulave ndaj vijës së partisë për kolektivizimin e plotë dhe zhdukjen e pronës private. Ato vazhdonin të bënin vezë në shtëpitë e fshatarëve. Bajgat, po! Ato ishin rralluar dhe mund të ndihej më së fundi edhe era e trëndafilave në ato oborre, paçka se humbi era e mishit, ikur njësh me atë të bajgave.

Ardhja e shokut Enver ishte në rendin e ditës. “Të vijë vetë, thua, në inagurimin e hekurudhës Fier Ballsh? Është shumë e shkurtër, njëzet e pesë kilometra! Mund të ngarkojë dhe Mehmetin ai”, – hamendësonin vendasit që kryeministrin, djalin e Mallakastrës, e kishin idhull. “Jo, jo, mos ju gënjejë mendja, gjithë hekurudhat i ka inaguruar vetë i Madhi. Do përshëndesë rininë Ai, aksionistët, brigadat vullnetare… Ama, Memetin do ta marrë me vete, se s’bën, këtu do jemi”! “Po, ku diskutohet shoku Mehmet, ore, ç’a flet ti?!  Kot thonë: Ku vë këmbën Enveri, vë kokën Mehmeti”!? (Kjo thënie në popull për besnikërinë e çiftit, mbas ca vitesh, më 1981, u korrigjua: “Ku vë kokën Mehmeti, vë këmbën Enveri”!*2)

Drejtorisë së ndërmarrjes, befas i qe bërë bishti më i rëndë se sqepari! Të hiqje vëmendjen nga ritmet e ndërtim-montimit të uzinës gjigante e të merreshe me stacionin e trenit ishte si të lije dasmën e të shkoje për shkarpa! Po drejtoria, drejtorí, oreee! Nuk e humbiste kollaj toruan. Drejtuesit kryesorë ishin me eksperiencë të madhe organizuese e drejtuese. Nuk mbyteshin me një lugë ujë! Për shkarpa i gjenin shkarpaxhinjtë. Me t’u njoftuar data e inaugurimit titullarët më komanduan edhe mua, diku aty nga tetori ‘74, në mbështetje të arritjes me çdo kusht të objektivit, duke më shkëputur nga detyra e inxhinierit të kontrollit teknik pranë degës teknike.

Kjo lloj lëvizjeje mua më erdhi pas midesë. Atë siklet që kishin drejtuesit unë nuk e përjetova as kur m’u bë e ditur përgjegjësia e madhe e kësaj urgjence. Jo aq nga “trimëria” ime, por sepse në krye të asaj pune ishte tekniku i talentuar Etem Idrizi. Nuk na bënte trim ideja se në këtë rast nuk do ishim ne balli i përgjegjësisë. Vërtet, po të mos realizohej objektivi, grykat do rrihnin lart, mbi kokat tona, dhe ne do na kapte vetëm presioni i gazrave. “Plagosje”, por kjo, jo vetëm që nuk na çlironte, por na bënte shumë më të përgjegjshëm.

Dimri i acartë nuk dëgjonte të lodhur. Temperaturat e ulëta nën zero zgjatën për një kohë gati tre muaj. Nuk mund të kryheshin as punime betoni e as suvatime, të cilat duan domosdoshmërisht temperaturat mbi plus pesë gradë. Nuk po bëhej dot hidroizolimi i terracës. Ishte e pamundur të bëhej shtresa lustër-çimento, ku do ngjitej letra katrama. Kjo bllokoi plotësisht punimet e brendshme, suvatimet etj. Duheshin zgjidhje praktike të paprovuara më parë.

“Etemi i vuri zjarrin stacionit të trenit”! Kështu u përshkrua alarmi që krijoi në Ballsh pamja e flakëve natën, mbi godinën e stacionit të trenit. Kish ndezur, si asnjëherë, zjarret mbi terracë për të rritur temperaturën e ambientit dhe të materialeve që po përdoreshin për shtresën lustër-çimento. Zjarrfikësja nuk kish nevojë të njoftohej. Flakët, që dukeshin direkt nga reparti i tyre, i kishin brofur në këmbë! Sirena e zjarrfikëses e tundi Ballshin. Largësia deri tek flakët nuk ish as një kilometër. Sa mbërritën, dy efektivë zjarrfikës u lëshuan të shtrinin tubat e ujit deri tek objekti në flakë. Flaka mbi objektin dykatësh mund të shuhej që nga poshtë.

Etemi, majë tarracës, sa dëgjoi sirenën, nxitoi në drejtim të baxhës për të zbritur poshtë tek sheshi para stacionit, ku frenoi zhurmshëm makina zjarrfikëse. E tmerroi ideja se do t’i mbysnin me ujë që nga poshtë. Nuk bënte llogari qulljen e tyre, që edhe ajo nuk ishte e paktë në atë farë të ftohti të hidhur, por, kryesoren: i gjithë uji i zjarrfikëses do kthehej në akull gjatë natës dhe qëllimi për të cilin ishin ndezur zjarret do të dështonte papritur e afati do të pësonte një tjetër shtytje.

Në moment gjithë ekipi i zjarrfikësve shtangu. Mes errësirës një si fantazmë po vinte drejt tyre. Afrohej i xhindosur me duart e ngritura lart, duke i kryqëzuar ato ritmikisht për të thënë “Ndaloni”! Etemi nuk e dinte ç’pamje i kish marrë fytyra. Nxirë keqas nga tymi i zjarreve, që ia vërviste era sikur donte ta lyente me disa duar boje, për të mos u turpëruar bojatisja nga ndonjë pullë lëkure shpëtuar pa blozë. Mezi e njohën më në fund teknikun e tymosur. Lum kush nuk e pa atë lloj Etemi atë natë! Dukej si zjarrvënës i qëllimshëm, ashtu siç ishte në të vërtetë! Efektivët u çliruan. Fikën motorët, u mblodhën rreth tij të shtensionuar. Filluan ta shijonin shoqërinë me “lugatin”! U shqyen gazit!

“Rregjistrojeni në programin e stërvitjes natën”! – i këshilloi “fantazma”, ndërsa u ndau cigare nga paketa “Partizani”. “Është gabimi im. Duhet ta parashikoja, se do të krijohej shqetësim. Po, ça t’u thotë vëllai, mos ma vini re, ndofta i hutuar nga lodhja… pa drekë”!

Askush prej tyre nuk e ka vënë në dyshim sinqeritetin e tij. Përshtypjen se ai sakrifikonte shëndetin për punën, ta linte që në pamje. Sa herë e kemi bërë së bashku këtë dreq bisede… Etemi ndihej i ngopur vetëm me punën e kryer! Harrohej në të.

Unë nuk rastisa aty atë natë. Nuk i kisha bërë bisht tymosjes. Përkundrazi, kisha humbur një rast të mirë për reklamë. Kalimi i nxirë, mespërmes Ballshit, si kaldajist qymyri, do ma zbardhte një fije biografinë.

Hidroizolimi i terracës na qetësoi përkohësisht, por kishim gënjyer veten, kur menduam se u kapërcye rreziku. Acari i akullt bllokoi punimet tek suvatimi i tavaneve të sallës së madhe të pasagjerëve dhe gjithë ambienteve. Llaçi i gatuar me ujë të ngrohtë, i hedhur me mistri në tavan, pas pak rrëzohej i ngrirë poshtë, bile dhe ajo pak që qëndronte në tavan të nesërmen shkëputej sapo ndjente dorën e specialistëve për vazhdim.

U dha urdhër i prerë: “Të shfrytëzohet çdo mundësi që ka ndërmarrja për të vazhduar puna”! Nxehtësia që lëshonin një numër sobash, të shpërndara në nivelin e dyshemesë, nuk arrinte dot deri në tavanin gjashtë metër të lartë. Era e ftohtë brisk që frynte nga të katër anët në objektin në ndërtim, pa dyer e dritare, këndonte e mbretëronte në gjithë luginën e lumit Gjanica! Montimi i parakohshëm i vetratave të larta dhe xhamave nuk ishte i mundur. Nuk ishin prodhuar.

Ndërsa po bëhej “shkencë”, Etemi shpiku prapë “Vezën e Kolombit”! Nxorri nga magazinat gjithë sobat për zyra e fjetore punëtorësh dhe i ngriti lart mbi skela, në lartësi mbi 4 metër, ku shkelnin suvatuesit. Dhe pas “vezëve të Etemit” nuk kish më perëndi të pengonte përfundimin e punimeve para afatit.

U çliruan të gjithë nga tensionimi. Stresin e drejtuesve e përjetonin edhe brigadat. Nuk u qeshte buza. Ndiheshin pafajësisht fajtore. Marrëdhëniet mes drejtuesve të punimeve dhe brigadave ishin shumë njerëzore, plot respekt reciprok. Ne mezi prisnim të takoheshim bashkarisht çdo ditë me ata njerëz të zotë, të sakrificës, që nuk të linin kurrë në baltë!

Si u mposht acari me zjarre, u ndez mangalli i romuzeve.

Ishim në humor të mirë, kur një ekip me drejtues të lartë të ndërmarrjes dhe rajonit të Ballshit inspektoi gjendjen e punimeve dy javë para inaugurimit. Në largim, të kënaqur e të qeshur, na uruan: “Ju lumshin duart”! Etemi ua ktheu me simotrën: “Ju lumshin këmbët”! E qeshura e tyre zgjati, duke kthyer kokat nga ne, për nënkuptimin se me çfarë kishim punuar ne dhe ata.

“Ore, Shpëtim, përse është bërë kaq i vogël restoranti i këtij stacioni, krahasuar me të gjitha stacionet e tjera hekurudhore? Kuzhinë e vogël, salla e vogël…”.

“Nuk e di”, – ngrita supet para Etemit dhe Petrit Çarçanit, pa e vrarë mendjen se ajo pyetje ish përgatitur pikërisht për mua. Konstatimi i tyre ishte i saktë. Nuk kish të krahasuar me stacionin e trenit në Fier.

“Sepse shumica e udhëtarëve në këtë stacion do të jenë nga Gjirokastra. Gjirokastritëve u merr të keqen restoranti! Ata, dihet, e marrin bukën me vete! Ti nuk ke faj që nuk ta ka kapur syri këtë ndryshim. Si gjirokastrit, të duket i mjaftueshëm, kaq sa e ka parashikuar projekti”.

“Po qe për mua, si gjirokastrit, restoranti nuk ka ç’duhet fare këtu! Ja ku është Gjrokastra! Po, me sa duket, do t’i shërbejë Përmetit, Tepelenës dhe Sarandës”.

“Po puna e inagurimit si vajti”? – do kujtohej ndonjë lexues.

Mysybet vajti! Data mbeti ajo që u tha, po ç’e do trenin, pse erdhi në ditën e shënuar? Pa udhëheqësa! Jo, moreee! Pa udhëheqësaaa?! Po, pra! I madhi fare jo se jo, as Memeti, po dhe i dyti i partisë, shoku Hysni, kish ardhur me veturë gjer në Ballsh…

Për atë datë, Etemit nuk i kish ikur zgjyra e tymit akoma nga fytyra!

 

Sillosat e çimentos në stacionin hekurudhor Ballsh

 

Etemit po i shtohej mërzitja nga dita në ditë! Në objektin “Sillosat e çimentos tek stacioni hekurudhor Ballsh”, thuajse qenë ndërprerë punimet. Ishte ndërtuar bazamenti, kolonat betonarme dhe armatura e drurit e soletës fundore në dy sillosat rrethore, nën të cilën do ngarkoheshin makinat e transportit të çimentos. Ndërmarrja nuk po e plotësonte dot bazën materiale për kallëpe e skela jashtë e brenda. Duhej një pyll me dërrasë!

Atë shprehjen “Jam bërë derr”! nuk e përdorte më, qyshse ia kthyem: “Nuk ka nevojë të prezantohesh! Dallon një sahat larg”, por ndenjia pa punë atë e veremoste. Jepte e merrte Etemi, po pa atë “pyllin me dërrasë” objekti nuk bëhej, të hidhej përpjetë i madh e i vogël!

“Do ta realizoj me kallëp rrëshqitës”! – më tha një ditë duke zbritur rrugën nga Ballshi për në uzinë. Unë ngrita supet, nuk ia kisha idenë si realizohej në praktikë. Në fakultet vetëm sa ishte përmendur kallëpi rrëshqitës si teknologji e veçantë për objektet e larta beton-arme.

“E kam bërë skemën”! – më tha dhe nxori vrulltas paketën. I mbajti këmbët, shtriu paketën mbi pëllëmbën e dorës dhe me stilolaps ndërtoi mbi të një skemë rrethore me tetë pika të baraslarguara. “Këtu”, tha Etemi, “do vendos krikot hidraulike, që mbajnë kallëpin e harkuar dhe skelën rrethore jashtë e brenda, njëlloj si tek kulla e granulimit në uzinën e URE-së (Diam.= 12m dhe lart. H=64m)”.

Unë po e ndiqja me vëmendje. Nuk u habita nga skicimi mbi paketë. Nuk e kisha për herë të parë të shikoja skicat e tij. Madje e pata këshilluar: “Duhanin mos e ler edhe po të thotë doktori! Paketën e ke mjet pune, të mbeten projektet pa hartuar…”. Por këtë radhë nuk mund ta qesëndisja.

“Bashkë dua të diskutojmë numurin e krikove, 8, 10 apo 12”, – tha gjithë seriozitet, i kthyer nga unë. M’u duk i vetmuar. Nuk kish me kë të këshillohej. Inxhinierët me eksperiencë të ndërmarrjes ishin të mbytur me hallet e uzinës, gjigantit në përmasa e probleme. Ndjeva keqardhje për veten. Unë, inxhinieri me pesë vite eksperiencë, nuk e njihja atë teknologji. Etemi, teknik, e njihte dhe kish kurajën ta aplikonte i vetëm.

Këmbëngulës, siguroi vetë në magazinat e ndërmarrjes pompën, tubat e presionit, krikot hidraulike, konstruksionet e skelës dhe akset e rrëshqitjes vertikalisht të krikove. Pa u ndjerë, qeveri më vete, me një sasi të papërfillshme dërrase realizoi objektin para kohe, me kosto mjaft më të ulët. Ndihej i kënaqur, por nuk u mburr! Boll që lehtësoi punën e tij dhe që çliroi ndërmarrjen nga një hall.

E kish hak një shpërblim, por nuk ishte e lehtë në atë sistem. Haka ngecte nëpër filtra, që vetë sistemi ia kish vënë vetes e nuk i hiqte më dot…

 

Me koncepte të qarta inxhinierike

 

Kish kontaktuar vetë me inxh. Ferit Stërmasin, kryekonstruktorin e Institutit të Projektimit Nr. 4 në Tiranë. E shqetësonte vështirësia e vendosjes së shufrave të hekurit  pranë portës së shkarkimit në qendër të soletës së dyshemesë së sillosit. “Nuk mbetet më vend për betonin”! – ia përshkroi Etemi. Ma tregonte e qeshte me zgjidhjen praktike të dhënë nga inxh. Feriti. “Rralloje uniformisht armimin radial tek mesi i soletës, aq sa të lejojë betonimin”!

Inxhinier Feriti, me shumë përvojë, e dalloi nivelin profesional të teknikut dhe u mjaftua me porosinë gojore, në mirëbesim të plotë se zbatimi do të ishte i saktë dhe i sigurt.

 

Tek Fabrika e tullave në Krekëz-Kakome, Sarandë

 

Në vitin 1978 “Ndërmarrja e Ndërtimeve Industriale, Fier” ngriti një kantier ndërtimi dhe sektor transporti në Sarandë. Qendra në Lukovë.*3 Ministria e Ndërtimit i kompensoi mungesën e përkohshme të ngarkesës në Fier dhe në Ballsh. Objekti kryesor për këtë kantier ishte ndërtimi i fabrikës për prodhim tullash të kuqe, ngjitur me fabrikën ekzistues të tullave në Krekëz, në mes të rrugës Sarandë Lukovë.

Për ngritjen me shpejtësi të kantierit të ri dhe veçanërisht për ndërtimin e fabrikës së re të tullave, veç personelit të plotë të kantierit, më komanduan edhe mua.

Ndërsa vazhdonte puna normalisht, një tërmet i fuqishëm,15 prill 1979, e bëri akoma më të domosdoshme urgjencën e vënies në shfrytëzim, një orë e më parë, të fabrikës së re të tullave. Në pellgun Shkodër-Lezhë ishin sheshuar fshatra të tëra, dhjetëra viktima, qindra të plagosur, mijëra shtëpi të rrëzuara. Shteti organizoi aksion të madh kombëtar për eliminimin e pasojave. Gjithë prodhimi i tullave në fabrikat ekzistuese dërgohej në zonat e prekura…

 

Mbërritja e Etemit në Lukovë

 

Sa mori detyrën në degën e kuadrit të ndërmarrjes në Fier, Etemi u nis me makina rasti për në Sarandë dhe prej andej në Lukovë, në qendrën e kantierit. Mbërriti pasdite vonë. U takua rrugës me specialistët që kishin ardhur para disa ditësh dhe kishin përshtatur për dhoma fjetjeje një banesë të papërfunduar prej ndërmarrjes së ndërtimit të Sarandës, në qendër të fshatit.

“Lart e ke magazinier Stefon”! – i thanë Etemit. “Merri teshat, sistemohu në dhomë dhe ne të presim tek kafja. Po t’u desh njeri të të ndihmojë, i ke dhomat plot me shokë, sa t’u bësh zë, i ke pronto! Apo do të kthehemi”?

“Ç’ne, të ktheheni ju? Ju e morët përsipër një punë! Në e bëfshi atë, jeni në rregull”!

“Pse o, ça pune morëm përsipër ne”?

“A do më prisni, të më qerasni, apo e thatë sa për të larë gojën…”?

Stefua ishte teknik i freskët ndërtimi, nga ata që poqi në skarë vetë ndërmarrja. Nga muratorë me kategorinë e tretë u transformuan në teknikë ndërtimi brenda gjashtë muajsh. Edhe një gjeni do t’i kish zili! E vërteta është se këta teknikë nuk mbanin dot përgjegjësi për ato që nuk dinin. Përgjegjësinë e “diplomimit” e kish ndërmarrja, por dhe ajo nga e keqja. Në vitin ‘70, kur filluan veprat e mëdha industriale, dhuratë nga Kina motër, nevoja për personel teknik u rrit me disa fish. Kursi i muratorëve ishte zgjidhja e vetme. Mbipesha e kësaj zgjidhjeje praktike ra mbi inxhinierët apo teknikët e vjetër, të cilët duhej t’i sqaronin imtësisht gjatë punës dhe t’i kontrollonin në çdo hap*4.

Këtu, në kantierin e Lukovës, Stefos ia kishin rënduar supet. Nga teknik e ngarkuan me detyrën e magazinierit dhe me atë të punonjësit të kuadrit. E kishin lejuar të merrte bashkëshorten si punëtore magazine dhe aty ai kish ardhur si familje, edhe me fëmijët e vegjël. Pra kur trokisje tek dera e magazinierit, kishe trokitur në derën e “shtëpisë” së tij.

Trokiti Etemi. Pas pak u hap dera dhe u përball me Stefon. Ç’kemi, ku kemi, Etemi dhe i kërkoi teshat për fjetje, çelësat dhe t’i tregonte dhomën ku do sistemohej. Stefua, pak konfuz në kryerjen e detyrave të reja prej zyrtari e ndofta edhe i ndodhur gafil, ia preu shkurt: “Orari i punës ka dy orë që ka mbaruar, shoku Etem, nesër eja për teshat!”

“Ashtu, mo shoku Stefo”? – pyeti i habitur nga përgjigja e thatë, kinse zyrtare.

“Ashtu, posi”!

“Po, sipas teje, ku të shkoj të flë unë sonte në Lukovë, apo kam miq këtu”?

“Etem, shko ku të duash, unë zbatoj rregullat e qeverisë! Miqtë e tu gjeji vetë”! – i tha prerë “shefi i kuadrit në detyrë” njëherësh magazinier dhe pas kësaj shtyu derën ta mbyllte. Etemi i vuri këmbën, e shtyu derën me gjithë magazinierin për ta hapur dhe u fut brenda tek dhoma e “pritjes” e Stefos. Hoqi këpucët dhe u ul në një si divan të sajuar. Stefua dhe e shoqia e tij po shqyenin sytë. Nuk po kuptonin ç’po ndodhte.

“Mirsejugjeta”! – u tha i kapardisur Etemi. “Ja ta gëzoni edhe shtëpinë”! Ata, burrë e grua, mbetën pa fjalë. “Kam ardhur mik tek ju! Më të afërt se ju nuk kam njeri tjetër në Lukovë. E, ç’më shikoni ashtu, të habitur, shtromëni mua, se jam i lodhur nga rruga! Jam nisur që në sabah nga Fieri e jam shkundur karrocerive të makinave”. Dhe u mbështet Etemi aty ku ish. “Për të ngrënë më vonë, kur të zgjohem”!

Turfullonte Stefua, po nuk kish çfarë të bënte. Me nder jush, e kish dhjerë muhabetin! E mbërthyen ethet. Ia dinte kokën Etemit, po ia dinte dhe autoritetin e respektin që gëzonte në gjithë ndërmarrjen ai. Po të ngrinte zërin, e dinte se do t’i hidheshin në kokë ndërtuesit nga dhomat ngjitur. Për Etemin linin kokën! Seicili do t’ia lironte atij vendin. Nuk po arrinte, i shkreti Stefo, të kuptonte se veprimi i tij ishte jo thjesht burokratik. Nuk kish asgjë të përbashkët me raportet e sjelljet tejet miqësore mes ndërtuesish, sidomos nëpër kantieret larg familjeve. Ai cilësimi për të “burokratik” më shpëtoi mua, se ai nuk pati kohë të bëhej burokrat brenda dy javësh. Më shumë u konsiderua një çrregullim momenti, se sa tregues i nivelit nga vinte. Shyqyr i erdhën shpejt mendtë magazinierit dhe punëtores; dolën me vrap burrë e grua, hapën magazinën e teshave të fjetjes dhe ia bënë gati Etemit, në çast, dhomën e gjumit me krevatin e kompletuar dhe të tendosur.

“Ngreu Etem, se e ke gati, një kat më sipër! Çelësin ta lamë tek dera”.

“Jo, unë nuk luaj që këtu, zura rehat, shkoni flini ju të dy atje”! – u tha Etemi, që nuk i kish dalë inati nga ai veprim i padëgjuar. Atë natë gumëzhinte fjetorja e punëtorëve. Zhurma e të qeshurave i bënte kureshtarë dhe nuk mbeti dhomë pa dërguar përfaqësues tek Etemi.

“Hë, mo Stefo, si ia kaluat mbrëmë me atë mikun, që ua zuri derën”? – e pyesnin ndërtuesit kuadrin e ri me dy detyra, kur shkonin për mëngjes tek mensa fushore e ngritur në një cep të sheshit, në qendër të Lukovës.

“Kot dole jashtë ti, Etem, kushedi ç’do të të gatuante Stefua për mëngjes…”!

Të nginjur e të qeshur zbritën me mjetet e transportit dhe vetëshkarkuese nga Lukova në Krekëz. Rruga gjarpëronte në faqe kodrash një mbas një, të tarracuara, gjelbëruar nga agrumet deri poshtë në buzë të detit Jon, duke kaluar nëpër fshatrat Shën Vasil dhe Nivicë Bubar.

Sa shkeli në objekt, si u njoh me projektin dhe terrenin, Etemi bëri adetin: “Kjo punë nuk ka nevojë për dy teknikë”!

Nuk më çuditi. E njihja dhe ia dija huqin. Ishin tepër dy gjela në një qymez. Ajo që nuk dija ishte në do t’ia hante syri ta mbante i vetëm në kurriz atë ngarkesë për kohën aq të shkurtër. Nga ç’kuptova më pas, ish nxitur nga dëshira ta lironte teknikun tjetër, të shkonte me punë në Fier, pranë familjes dhe fëmijës së vogël.

Me mua nuk e kish problem të bashkëpunonte. Ishim në një linjë pune dhe humori. Nuk i bëja hije. Ndanim detyrat. “Më jep punë”! – i thosha gjithmonë. Ai qeshte, por e dinte se kërkesa ime ishte serioze. Me punën nuk bënim shaka! Ky ishte kodi i mirëkuptimit. Kishim me çfarë të bënim humor…

Objekti kryesor i fabrikës, zemra e saj, ishte furra tip Hofman, një dinosaur gjigand prej tullash. Konfiguracioni në planimetri ishte një katërkëndësh i stërzgjatur me dy ballet fundore në formë harku. Brenda saj krijoheshin dy tunele paralele që bashkoheshin me njeri-tjetrin në fillim dhe në fund sipas gjysmë rrethit. Gjithë ky tunel ndërtohej me muraturë të fuqishme tulle mbuluar me qemer, hark i plotë, brenda të cilit stivoseshin tullat e argjilës nga dyshemeja në tavan për t’u pjekur në temperaturën që ngrihej dhe ulej sipas kurbës së procesit teknologjik. Për realizimin e qemerëve të tunelit, pjesa më delikate e furrës, punonin specialistët më të mirë të dy brigadave dibrane me gollobordas. Brigadat e tjera kryenin  gjithë punimet, jashtë furrës, nënobjekte, gërmime, sistemime, rrugë, sheshe, mure mbajtëse, kanalizime, instalime, përfshi edhde kapanonin e madh që mbulonte gjithë furrën etj.

Në këtë kantier erdhi disa herë titullari më i lartë i rrethit Sarandë. Vizita e parë ishte për rëndësinë e objektit, kurse të tjerat ishin për nostalgji. Jashar Menzelxhiu ishte dibran. U entuziasmua, kur pa dibranët e vet të kontribuonin në Sarandë. I pyeti me radhë se nga ç’fshat e fis ishin. Me disa u zgjat në bisedë. Sa dëgjonte mbiemrin, i pyeste për të njohurit e vet, shokë e miq. Në ca mbiemra u vrenjt. Në reagimin e tij lexohej diferencimi që u kish bërë mbiemrave të fiseve lufta e klasave, por ai nuk cenoi askënd. Unë, i komanduari që e shoqëroja, mbeta me përshtypje shumë të mirë. I pyeti ndërtuesit në se kishin halle e probleme. E falënderuan ata, por ai nuk u mjaftua. Për çdo problem që do të kini dhe nuk u zgjidhet, do të vini direkt tek unë, në zyrë. “E, kush na lë ne të vijmë tek zyra juaj”? – e pyeti njeri. “Do t’i thoni rojes: Na ka thirr Jashari dhe kur të vini lart, mos trokisni! Derën e zyrës time shtyjeni me këmbë”!

Fabrika e re, ngjitur me atë ekzistuesen, ishte një rast i veçantë që të punonin në të njëjtin shesh ndërtimi punonjësit e prodhimit dhe ndërtuesit. Në stafin e shfrytëzimit bënte pjesë edhe një grup vajzash të reja të shtëpisë së fëmijës Sarandë. Shteti u kish siguruar, përveç kushteve të banimit në një pallat, edhe transportin e tyre nga Saranda në fabrikë çdo mëngjes dhe kthimin pasdite. Shteti menaxhonte mirërritjen e fëmijëve jetimë. U siguronte jetesën, shkollimin, edukimin edhe punësimin deri sa të krijonin familje. Dallonin që larg për shkathtësinë, gjallërinë e moshës, të qeshura e të komunikueshme dhe mjaftueshëm të fuqishme për natyrën e proceseve të punës që kryenin në atë fabrikë.

Mbingarkesa e punës së Etemit, sa për dy teknikë, nuk i hynte në pjesë kohës së tij për hoka e romuze. Qesëndisjet nuk e pengonin punën. Nga hidh e prit-et mbijetonte ndonjë, që, qarkulluar vesh më vesh, mbërrinte deri në Fier, në ndërmarrje.

“Nuk po dimë si të hakmerremi me ty”, – më tha, serioz, një ditë të bukur.

“Hakmerreni? Ç’ne”?

“S’guxojmë të shkojmë në ndërmarrje, në Fier, se na i numërojnë ato të thënat e tua të ‘bukura’. Si ua punoi Shpëtimi”? – pyetjen e shqiptoi me zë femre. Dhe i vazhdojnë vetë ato ‘gozhdët’ e tua. I mbajnë mend përmendësh. Ti, sikur ua çon të shkruara…

“Etem, ti e di që unë nuk kam kohë të shkruaj ç’kam thënë, se përgatit të rejat”, – vazhdova i ngrefosur e i kënaqur nga tifozët e shtuar në ndërmarrje.

“Për të rejat mos e vra shumë mendjen, se do të të ndihmojmë edhe ne. Boll je lodhur”! – tha dhe i ndritën sytë e nuk i mbaheshin buzët.

Kjo çehrja e tij, që dukej e lumtur ende pa ndodhur ‘të rejat’, më sëmboi keq. Që diçka po lëvizte, po ma kapnin turbull antenat, por jo gjë të saktë. Elektricisti i kantierit, Kosta, herën e fundit, kur erdhëm nga Fieri, vërdallosej në punë me një aparat fotografik. Po fotografonte ndërtimin e qemerëve prej tulle. Më bëri përshtypje se fotografimin e proceseve të punës për dokumentim dhe arkivim në ndërmarrje e kryeja unë me një aparat shumë të mirë “Practica”.

“Ç’ne Kosta”?! – e pyeta.

“I kanë rënë në qafë këto vajzat, – tha Etemi, u bën fotografi, i lan e i stampon në Fier dhe ua sjell. Ç’ke me të”?

“Bie në sy për keq, o Etem, ai është punonjës si gjithë të tjerët, si mund të rrijë gjithë ditën me aparat në dorë”?

“Nuk ia mban ta lëjë në fjetore, ka frikë mos ia vjedhin”, – ma justifikoi.

Deshëm s’deshëm, u mësuam dhe me fotograf Kostën nëpër këmbë. Parametrat për fotograf i plotësonte, pa pas nevojë për ndërhyrje, për mik. “Ma paç hallal!” ishte shprehja e tij mbas çdo fjalie, jo vetëm kur shkrepte aparatin. I qeshur gjithë kohën. Shëndeti për zili. Fytyra, formë rrethi prej faqeve të mbushura në të kuqërremtë. Si elektricist, ngarkesën në mirëmbajtje e kish simbolike. Mund t’i varje në qafë, pa frikë, edhe ato aparatet e xhirimit të kinostudios “Shqipëria e Re” pa i prishur punë punës.

Mbas ca ditësh, në të qeshur e sipër, kur sapo këmbyem qesënditë si të qenë cigare, “merr një nga paqeta ime”, ma plasi vlonjatçe.

“E pate mirë ti atë punën e aparatit! Do ta heqim, sapo të realizojmë një lojë të vogël”.

“Po, bëjeni dreqin, se latë nam”! – iu shkreha unë.

“U rezervuam nga ti”, – tha dhe qeshi.

“Ç’ne o, kur u jam bërë unë pengesë”?

“Ne duam që të na ndihmosh …”.

“T’ju ndihmooj? Veç po s’patët në plan të hidhni në erë fabrikën”!

“O inxhinier, nuk ka pse ta mbajmë sekret. Edhe drejtori i kantierit, Vasua, e miratoi, bile me të dy duart. Bëjani, bëjani”! – na tha.

“Po hë, o burra, ç’prisni më?! Gjersa e miratoi drejtori, lerni punën e bëni lojën”!

“Jo, nuk ka nevojë të lëmë punën, bëhet gjatë punës, pa e penguar hiç atë”.

“Po ça doni, pastaj? T’u bëj unë ndonjë projekt”? – dhe po e shikoja Etemin i habitur.

“Jo, jo, projekti është i gatshëm, ti do na ndihmosh për ta zbatuar”.

“Po pse, o Etem, mua ma ngecët në dorë sqeparin”?

“Pak kontribut duhet ta japësh vetë”.

“Fundi, për qejfin tuaj po e bëj. A keni pengesë tjetër”?

“Jo, atë që e menduam si pengesë, e kapërcyem”.

“Kë”?

“Rudin”!

Unë po rrija supengritur e buzëmbledhur nga habia.

“Kemi rënë ujdi me atë, Rudin, ti e njeh, apo jo”?

“Po mo, ajo më e bukura, me trup atleteje, që duket si studente e institutit të fiskulturës”.

“E, pikërisht, ajo! Do vijë të të hidhet në qafë, të të puthi, diku në një vend te fabrika dhe Kosta do shkrepë aparatin nga lart. Kopjen e fotos do të ta japim, po deshe të çojmë edhe një në shtëpi” – ma bëri qejfin Etemi, që dhe po të më humbiste mua fotoja, familja ime, ime shoqe, ta kish si dokument besnikërie nga i shoqi. Dreq, o punë! Kish qenë lule ajo fotoja që më kishin bërë tek shkarkoja nga kazani i riportablit një tavolinë dhe krevatin tek pallati i papërfunduar në Sarandë, ku më ndihmoi të sistemohem drejtori Mane Lula dhe kryeinxhinieri Spartak Doraci, shoku im i shkollës dhe fakultetit. Kish mjaftuar një foto, që të ma kujtonin shpesh kur diskutohej për fuqi punëtore: “Mos harroni, keni dhe inxhinier Shpëtimin për ngarkim shkarkim. Ai të shqyen. Kush s’beson, ja ku e keni”! Dhe tregonin foton që më bëri teknik Zoi. “Uaaa! Dal ta shikoj dhe unë”! bërtisnin të pranishmit, sikur unë do zgjidhja gjithë hallet nga mungesa e fuqisë punëtore. Qeshnin me shpirt! Kur rastiste të isha i pranishëm, e kthenin kokën nga unë, si për të vërtetuar foton me origjinalin. Sidomos ky, ballafaqimi, i çlironte fare. Doja s’doja, qeshja dhe unë, për të mos i nxitur më tepër të shqyheshin në gajasje e të aksidentoheshin me ndonjë brinjëthyerje.

M’i futi keq mizat! Skena ishte plotësisht e realizueshme. Rudi, jo vetëm mund të më përqafonte në objekt, kur ti donte qejfi, po edhe mund të më … mbyste. Çupë e re, tetëmbëdhjetë vjeçe dhe e fuqishme. Gatishmërinë e saj për këtë lojë e besova, nuk i kushtonte asgjë asaj çamarokeje. Kishin për t’u shkrirë gazit gjithë vajzat e jetimores. Do tundej Saranda. Pa mund të hapej dhe ndonjë konkurs me pjesëmarrjen e gjithë çapkëneve, se kush do ta realizonte më bukur skenën e puthjes. Fotografi në dispozicion! Inxhinieri po, i mbërthyer kallkan, si dordolec në mes të fabrikës. Pas kësaj s’ish çudi të merrte emrin tim fabrika. “Eeeh, ç’më gjeti!” – po mendoja. Sa nisesha për në punë, i shikoja dhe një herë faqet e mia në pasqyrë. Nuk e dija si do kthehesha…!

“Kur i propozuam Rudit”, – vazhdoi Etemi, sikur po raportonte për realizimin e një programi shkencor, hapësinor, – “na siguroi se mund të të mbërthejë ty, jo për një foto,  – tha, – po, po të doni, edhe për të xhiruar film”!

“Për film nuk kemi aparat”, i thamë asaj, “por ti të lumtë! Nuk do ta lëshosh inxhinierin sa të bëjmë shënjë ne, se e kemi kapur siç na duhet, mat”!

“Ore, Etem, mos është tip i rrezkshëm ai, inxhinier Shpëtimi, se mbahet si rëndë? Mos më qëllojë”? – e paskësh pyetur ajo me merakun e ndonjë skandali.

“Prrththth”! – kishin nxjerë gjuhën njëherësh skenaristi me operatorin, ortakun me aparatin varur në sup.

“Po s’është nga ato lule ai, moj Rudi, jooo. Me nder teje, ai të ha munë”!

“Ti, o inxhinier, m’u drejtua mua, mos bëj budallallëqe të kundërshtosh”! Po më këshillonte edhe për detaje, që mos kish nevojë për ta përsëritur xhirimin. “Ti e kupton, edhe po të tentosh ta pengosh, nuk ke takat ta mundësh, ndërsa ajo mund të ankohet se e ke kapur me zor dhe ti e di fare mirë, për këto të shtëpisë së fëmijës shteti nuk të lë kusur”.

“Ore Etem i dashur dhe ti, mor, zoti Kosta, përse e keni marrë me kaq frikë?” – e mblodha mendjen unë, se nuk kisha nga të luaja. “Si guxoni të mendoni, se do të refuzoj të puthurat e saj? Nuk e kuptoj. Ju, asaj, i keni dhënë detyrë të më puthi, a të më kafshojë?” Ata po qeshnin me kthesën time, kur mezi mblodha veten. “Mua më duhet t’u falënderoj, ju keni zgjedhur për mua atë që e ka qëndisur Zoti. Kjo, loja juaj, e vlen të mos jetë lojë, por e vërtetë! Kur të doni, mor vëllezër, që më doni të mirën! Për ju unë mbetem i gatshëm në çdo kohë. I çoni haber asaj”! – u bëra burrë dhe trim para tyre, por frika nuk po më ikte.

E dija! Kur e thoshte, Etemi e mbante fjalën! Unë prandaj e kisha shok, po kësaj radhe nuk më duhej hiç mbajtja e fjalës së dhënë. Romuzet, që isha mësuar t’i lëshoja pa doganë, e meritonin një finale të tillë. Nga gjithë kjo punë që u bë në Sarandë, çfarë do mbahej mend? Në Fier, në ndërmarrje, mbërrinin hidh e prit-et tona pa fund. Ishim afër përfundimit me sukses të punimeve të ndërtimit në fabrikë. Kampionatit të romuzeve e qesëndive i kish mbetur vetëm ndeshja finale. Etemi kish vënë topin tek pika e njëmbëdhjetëmetërshit dhe unë, i hutuar, në ethe, po rrija në pritje, si dordolec parcele në portë. I palëvizur. I vetmi shans për mua mbetej shtylla, se për gjuajtje jashtë kuadratit nga Etemi nuk bëhej fjalë! Gol i sigurt! Ama një gol allasoj. Fitorja e Etemit do mbahej mend gjithë jetën.

Të gjithë ndërtuesit në fabrikën e tullave mezi prisnin ta shikonin atë vajzë, kur kalonte në territorin e kantierit me atë fytyrë dhe trup aq të bukur e të shëndetshëm. Bile, edhe më e bukur dukej, kur kalonte me fytyrën e mavijour nga tymrat e bloza e furrave ku punonin. Kështu e shikoja dhe unë deri ditën që më thanë se ç’më priste nga ajo bukuri… Më pas, sa dalloja se vinte në drejtimin tonë, vetëm a me shoqe, lëvizja si pa të keq, të afrohesha në zonë të populluar me ndërtues, ku ndihesha disi më i mbrojtur… Çfarë trapi paskam qënë! Pse nuk shkoja në ndonjë zgëqe e le të ndodhte hataja! Trembej burri se mos e puthte një vajzë! Ç’mut burrë! Edhe ime shoqe, shtatzanë, do ma kish falur aqe gjë, sa t’i thoshja se më sulmoi, më plagosi, por më mori të keqen. Ja ku jam, i ndershëm!

Kalonte Rudi! E shikoja shkarazi, të kuptoja në se ish nisur për foton…  Ajo shihte, syri filxhan, e buzëqeshte sikur thoshte “Prit, prit, se nuk të ka ardhur akoma radha.” Dhe s’ish çudi, për atë lloj bukurie me siguri mbahej radhë…

Kish shtuar vizitat ditët e fundit. Po familjarizohej edhe me ambientin. I përshëndeste ndërtuesit. Atyre, të kënaqur nga inspektimi i saj, po iu shkonin tullat shtrembër. Të kish filluar më herët kjo miqësi, do na ishin rrëzuar qemerët e furrës! Në familje, të gjorët, shkonin çdo dy javë! Sekush qante hallin e vet. Ndërkohë, unë e ndjeja se skenari po ecte normalisht. Isha në prag xhirimi. Lutesha vetëm të vinte me fytyrë të larë. Ndryshe, fotot e mia, minimumi vetëm me njërën faqe të nxirë, do të ishin të pakonkurrueshme. Nuk e mendoja të pamundur që të më nxinte të dy faqet me fytyrën e saj tërë blozë. Kjo do të varej nga operatori që do komandonte… Kjo po, njolla në faqen time mund të quhej njollë në biografi! Ama, njolla e vetme që nuk i ngjitej pas krahësh të zotit, por në ballë e në mexhlis.

Do thotë lexuesi: Po ju, or derdimenë, kishit shkuar për punë a për maskarallëqe në Sarandë? Lexuesit më duket se i dola borxhit. I mora lejë t’i tregoj grimcat e humorit në kantier. Ah, po deshët për punën, mund t’u shkruaj nga një libër për çdo objekt dhe zgjidhni vetë kë doni të lexoni, grimcat apo librat me “heroizma”!

NNI-ja, e angazhuar në ndërtimin e objekteve industriale, ngarkuar me objektiva që duheshin arritur me çdo kusht, nën trysninë e strukturave më të larta të shtetit, ishte ndërmarrje shumë e vështirë. Punohej me përkushtim, me orare të zgjatura, shumë shpesh edhe në ditët e pushimit. Paradoksi i kësaj pune ishte mënyra e pagesës. Ndërsa specialistëve u paguhej puna jashtë orarit, personeli inxhiniero-teknik ishte i përjashtuar nga kjo e drejtë. Vështirësia merrte të tjera përmasa, kur punohej larg familjeve, duke u kthyer pranë tyre vetëm në fundjavë ose në krye të dy javëve. Kësisoj kantieret e largëta ktheheshin në një familje të madhe, ku punonjësit jetonin, jo vetëm me hallet e tyre, por edhe me të njëri-tjetrit. E mira në këtë të keqe ishte miqësia dhe solidariteti mes punonjësve që shpërthente si fontanë në situata të vështira e të rrezikshme.

Po kur e keqja është e madhe, të mirat nuk kanë të sosur!

Kantieret e largëta kishin një epërsi, prodhonin më shumë të qeshura. Larg, në pamundësi për t’u shërbyer familjeve, jepnin e merrnin me njëri-tjetrin. Të qeshurat rrokulliseshin nga kati në kat e nga dhoma në dhomë, ose zbrisnin poshtë në sallën e mensës dhe në klube, ku tonet e larta bënin ligjin.

Edhe ne, drejtuesve, na kish më tepër duk shakaja në këto kantiere, pa lere kur e shoqëronim rrëfimin me të qeshurën tonë si paradhënie. Punonjësit nuk kishin përse të mos vdisnin gazit. “Po ti pse nuk qesh”? – paskësh pyetur, thonë, diku një drejtor. “Nuk jam i kësaj ndërmarrjeje unë”! – e kish sqaruar me sinqeritet i paangazhuari në kakarisje.

Shpëtim Emiri: Kujtime nga miqësia me një ndërtues (2)

 

 

 

Please follow and like us: