Albspirit

Media/News/Publishing

Shpëtim Emiri: Kujtime nga miqësia me një ndërtues (2)

Image may contain: 1 person, suit and closeup

Shpëtim Emiri

 

 

Vdekja e Nënës!

Befas mbërrin në Krekëz një lajmërim vdekjeje. Nëna e Etemit! Njoftimi ish dërguar në ndërmarrje nga familja përmes centraleve telefonikë dhe linjave me shtylla e tela, nga posta në postë, Kotë – Vlorë – Fier – NNI-Fier. Nga ndërmarrja, përmes centralit, u çua në Sarandë, në Ndërmarrjen e Ndërtimit, e prej saj tek Fabrika e tullave, Krekëz. Marrësi i lajmit shkoi të gjejë menjëherë të zotin e hallit, Etemin. Ky i bënte shenjë “Largohu, mos u afro”! Ishte duke mbushur me llokume dinamiti brimat, hapur me pistoletë, në kodrinën shkëmbore ngjitur me fabrikën ekzistuese, pjesë e projektit të zgjerimit. Një punë delikate dhe me rrezik. Nuk duhej të na ndodhte asnjë aksident.
Lajmi i aksidentimit të një punonjësi në punë, qoftë dhe plagosje, ishte i tmerrshëm për çdo drejtues punimesh. Ishte më shumë se një fatkeqësi në familje. Jo nga rreziku i penalizimit personal nga ligjet e shtetit. Burgu! Mbi drejtuesin teknik rëndonte, edhe pa e patur realisht, përgjegjësi personale. Si mund të çoje me arkivol në shtëpinë e tij kryefamiljarin, apo pjesëtarin e familjes, që kish ikur nga shtëpia për punë, të ushqente familjen? A mund të shikoje në sy prindët e moshuar, familjarët dhe fëmijët që lebetiteshin?

Gjithashtu, shpërthimi nuk duhej të dëmtonte fabrikën përballë, pesëmbëdhjetë metra larg. Ndaj, sasinë e dinamitit për çdo brimë e raciononte vetë, bashkë me minatorët. Ndihej i kënaqur. Ra rehat më së fundi me barominat që bllokoheshin orë e çast e po na rrezikonin seriozisht afatet e punimeve, qysh se ramë në duart e ustait nga Gjirokastra, kovaçit të ndërmarrjes së bonifikimit Sarandë, i biri i Qato Evgjitit, kovaçit me famë në gjithë jugun e Shqipërisë, bijtë e të cilit “pushtuan” kovaçhanat në shumë qytete, deri në Fier, Vlorë e Korçë.

Krushqinë e kësaj lidhje në Sarandë, kuptohet, e bëra unë me drejtorin e bonifikimit, Hysni Bakirin, shok nga foshnjëria deri sa dolëm inxhinierë, dhe, pasi bëra këtë, më dukej se nuk e haja bukën kot në atë kantier. Epo, unë, në mungesë të pincës, nuk do shtrëngoja me dhëmbë kapsollat me fitilin, siç bënte Etemi, de! I flisja! Për atë punë nuk mjafton vetëm trimëria…

Pasi njoftoi fatkeqin, u hap lajmi. Ngrimë! Lamë çdo gjë dhe shkuam tek Etemi, e ngushëlluam dhe po rrinim si mbi gjemba, nuk dinim çfarë të bënim.

Më kish thënë Etemi se nënën e kish pa qejf, të sëmurë, po mbase, do Zoti, e hedh… Ngarkesa e punës me njëmijë probleme, të papritura e pengesa plus rreziqe, na hutonte, na rrëmbente dhe, në situata si kjo, ndiheshim borxhlinj ndaj familjeve, që luftonin me të njëjtat halle në punë, plus ngarkesës së rritjes dhe edukimit të fëmijëve.

U prek shumë… Shkoi kokëprerë në barakë-zyrën e kantierit. Ne qëndruam jashtë derës së hapur. E lamë të lirë të përjetonte me tërë qenien e tij fatkeqësinë. Të meditonte. Eeh, Nëna! Gjithë kujtimet e jetës, dashuria më e madhe. Hallet më të mëdha. Brengat, vuajtjet, sakrificat, të gjitha zbutur nga dashuria e nënës. Nofullat e tij të shtrënguara vuanin të bluanin dhëmbë e dhëmballë.

Punëtorët njoftuan njëri-tjetrin me zë të fikur. Mbi kantier kish rënë fatkeqësi. Të gjithë lanë punën. U pastruan disi, shkundën rrobat e punës, duart, nga mbeturina materialesh ndërtimi dhe kokulur po afroheshin përballë barakës. I biri qante për nënën. Eeeh, edhe burrat qajnë! U falet të qajnë nënën! Shpirti i Etemit ishte shumë i ndjeshëm, cilësi që të bënte ta respektoje më tepër. E vuante dhe vuajtjen e të tjerëve. Dhe ja sot, më e dhimbshmja: Nëna! Shprehja e fytyrës, tjetërsuar, lexohej nga larg dhe çurgu i lotëve kish hapur brazda mbi pluhurat  e fytyrës duke zbritur rrudhave që iu thelluan. Thuajse të gjithë u përlotën dhëmbështrënguar. Kish rënë zija në familjen tonë të përbashkët, ku jetonim e qanim hallet e njëri-tjetrit.

Doli, i takoi të gjithë, me një si hije buzagazi për të na lehtësuar. “Ngushëllime Etem! T’i rroni ju! Mbahu! T’i rrojnë gjithë ç’la pas! T’u rrojnë gjithë të dashurit! Qoftë e Xhenetit! Kadèr i hakut!…”, – vazhduan ngushëllimet radhë.

“Ju falemnderit shumë! Ua paça borxh për të mira! Më lerni vetëm, më duhet të bëhem gati për të ikur”!

Dërguam një shok tek rruga nacionale, të mbante ndonjë nga mjetet shumë të rralla që kalonin nga Saranda në drejtim të Vlorës. Etemi e mblodhi shpejt veten. Nuk e humbi toruan. Më la fletët e borderove dhe më porositi: “Regjistro volumet e punës në listë-pagesë me të dhënat e brigadierëve! Është mbyllje muaji, se, të kish qënë pesëmbëdhjetë-ditori i parë, i mbyllnim kollaj me pagë bazë. Sido që të jetë, edhe po të ketë gabime, nuk prish punë, i rregulloj unë kur të kthehem. Rëndësi ka që të shkojnë borderotë në afat në ndërmarrje, të mos krijohet asnjë rrezik që të mos merren pagat ditën e caktuar nga punonjësit”.

Listë-pagesat, pjesën më të bezdisur të punës, e linte për ditën e fundit, pasi kish mbledhur shënimet nga brigadierët dhe i ballafaqonte me matjet e shënimet e tij të përditshme. Thuajse e gdhinte atë natë. Nuk përmbahej në përpjekjet  për t’i nxjerrë mirë me pagë brigadat, veç me punë të kryer, jo me zëra pune parazite. E donin punëtorët. Me Etemin dalim mirë, mbajmë familjet, i ushqejmë kalamajtë!

Më shikonte me merak dhe keqardhje. E dinte se unë nuk kisha bërë asnjëherë bordero, nuk më kish ardhur radha. Kisha kaluar nëntë vite pune intensive. Po i vinte më keq për mua se sa për veten. U përqafuam! Pa fjalë! Përlotur…

Një makinë vetëshkarkuese e kantierit e nxori në rrugën nacionale. Nuk kish kaluar asnjë makinë për në Vlorë. Mundësia e vetme, autobusi i linjës Sarandë-Vlorë, kish kaluar në mëngjes. Shoferi i saurelit, nuk e zgjati. Urgjent në Sarandë! Aty ka lëvizje për në minierën e qymyrgurit në Memaliaj dhe nga Memaliaji për në Vlorë … Në shtëpi, në fshatin Mallkeq, kish mbërritur pas mesnate, pasi pat bërë një copë të mirë rruge me këmbë.

Si iku Etemi, sipas traditës tonë, biseduam se si do ta respektonim atë. Jeta në Ballsh më kish mësuar zakonet e Mallakastrës. Ata të turpërojnë me respektin që të bëjnë në gëzime dhe hidhërime. Të bëjnë të ndihesh borxhli dhe i pazoti t’ua kthesh nderin me të njëjtin nderim. Nga Gjirokastra kam ikur nxënës dhe nuk i mësova ato që t’i mëson jeta. Gjirokastra është e shquar në këto tradita.

Fat i madh për ne! Drejtori i ndërmarrjes na dha leje për të përdorur automjetin e punës, saurelin e ri vetëshkarkues, të shkonim në shtëpinë e Etemit në fshat. Eh, sa urime i kemi dhënë atë natë drejtor Anastasit! Na nderoi! Nuk po na zinte gjumi nga kënaqësia se do bëheshim burra. Të tjerat ishin në dorën tonë. Të nesërmen në mesditë u nisëm nja shtatë shokë. Donin të gjithë. Mezi i ndaluam!*5 Para ndenjëm katër vetë, ndonëse kabina kish vetëm një ndenjëse, përveç shoferit, dhe lart, në kazanin metalik, të tjerët. Ndoqëm rrugën e Bregut deri në Borsh. Aty u kthyem në rrugën e paasfaltuar e në gjendje jo të mirë, Borsh – Fterë – Kuç, e që aty, përgjatë lumit të Shashicës, në Brat – Gjorm deri në Kotë, ku na treguan rrugën për Mallkeq.

Mbërritëm, më në fund, pas pesë orësh. Saurelin e lamë në fushë dhe iu ngjitëm kodrës deri në majë, tek shtëpitë. Nga zhurma e saurelit, që jehonte në tërë atë fushë dhe faqet e kodrave, kishin dalë tek-tuk njerëz, që po na bënin sehir së largu. Aty, në zona të thella, ku veshët ishin mësuar me zhurmën e përditshme të motorit të makinës “Gaz Molotov” (2ton) të kooperativës, makina e rëndë e transportit (8-9 ton) ishte një ngjarje. Kish dalë para, nëpër monopat, Etemi. E ndjeu se mund të ishim ne, shokët e tij. Na njohu që larg. Nuk kishim komunikuar. Ishte e pamundur. Na priti me një gëzim, që nuk i lejohej për zinë që e kishte pllakosur, por atij në atë moment iu ngjall nëna! Tani zinë e kishim ne! Ai u ndje i lumtur. Si e bëtë këtë? Nuk ju prisja! E dija që e kishit të pamundur…

Kur mbërritëm në majë, kishin dalë njerëz të familjes. Binin në sy burrat e moshuar me mustaqe të rënda, me veshjen karakteristike prej shajaku të zi, hedhur mbi supe brucat me thekë dhe qylafët e bardhë me “antenë” në majë. Na takuan… Etemi u fliste për secilin nga ne… Ishim si të kontraktuar, përjashto xha Dinen që ishte më i moshuar ndër ne dhe i rrahur me të tilla raste fatkeqësish. U futëm në shtëpi, u ulëm këmbëkryq mbi shtresat shtruar mbi gjithë dyshemenë, qilima leshi me motive me ngjyra të errëta, punuar në zonë. Na mirëseardhën, qarkulluan paqetat dhe kafja me gotën e rakisë. I rezistova shëmtuar këmbënguljes se duhet ta pija një cigare dhe do ta kisha pirë, por u kujtova se do kollitesha, do mbytesha. Sa shprehëm fjalët ngushëlluese, ramë në heshtje. Nuk ia thosha fare për të vozitur bisedë në këto ujëra. Edhe mosha e re më frenonte para burrave të moçëm. Ata më shikonin, isha, me demek, si punë titullari në atë grup shokësh.

Më i moshuari, xhaxhai i Etemit, i ulur këmbëkryq përballë e mori fjalën dhe udhëhoqi bisedën shtruar. Diti të na çlirojë. Na pyeti për punën, për shokët, për tërmetin dhe biseda mori rrugë.

Portreti dhe sjellja e këtij fshatari hijerëndë ishin imponuese. Ç’e bënte të tillë vallë? Pamja mbresëlënëse? Ngjyra eshkë e fytyrës? Mos rrobat e rënda të shajakut? Ai bruci i zi i derdhur me thekët që shkëlqenin? Apo mustaqet e plota, të dendura, pjesërisht të thinjura, që lidhnin natyrshëm të bardhën borë të qylafit me gjithë veshjen e tij të zezë dhe kalcat e kërcinjve? Ndofta të gjitha bashkë, por mbi të gjitha fjala, fjala shkëmb e rëndë.

Na ulën me zor për të ngrënë, si të ishte dasmë. Hezitimi jonë dukej fëminor para qëndrimit të tyre të vendosur e autoritar, gjithë mirësjellje e respekt. Mu desh të merrem, ndërkohë, me Etemin për të sqaruar disa pika të listë-pagesave. Edhe ai vetë, kish ca porosi e sqarime, që m’i dha.

Duke ditur ç’rrugë do të bënim për tu kthyer, u ngritëm më shpejt. Ata u revoltuan. “Jo, ju sonte do ngryseni këtu! Shtëpi kemi boll. Do t’u ngrëmë ne pa gdhirë të niseni”! Aty ne morëm zemër për të folur. U thamë se, përveç të tjerave, makina duhet të ishte gati në orën gjashtë në mëngjes të transportonte punëtorët nga Lukova në frontin e punës.

“Po qe kështu, atëherë, o burra”! – na përkrahën. Nuk harruan të na japin ushqim me vete. Nuk i dihet natës djema, jeni rrugës, në qiell të hapur. Etemi na shoqëroi deri tek vendi, ku na priti. U ndamë dhe nxitimthi po zbrisnim mjaft të lehtësuar. Mundëm të kryejmë një detyrë të shenjtë, shpirtërore. Respektuam një shok në fatkeqësi. E kam të pamundur të shpreh me fjalë atë përjetim të lehtësimit tonë. Përmasat mund të krahasohen vetëm me ekstremin e kundërt. Po të mos mundnim ta realizonim, do të mbeteshim të turpëruar, me kokën poshtë, jo para shokut, por para vetes dhe do të na ndiqte gjithë jetën. Drejtori, shoku ynë, nuk na la të turpërohemi.

Ndërsa po hipnim në makinë dëgjuam të thirrura. “Dikush po thërret”! – bërtisnin shokët e kazanit, që i binin kabinës nga sipër. Sekush po bën me dorë, qëndroni! Zbritëm nga makina dhe po i mbanim sytë nga faqja e kodrës për ta pikasur. I bënë shenjë tanët të mos vraponte.

“Etemi, Etemi, mban diçka në dorë”! – tha Gafuri, brigadieri i talentuar dibran dhe një shok i jashtëzakonshëm. “Çfarë kemi harruar? Borderotë”?

“Jo! I futa te kroskoti! Kontrolloni xhepat, kot nuk po zbret me vrap ai”!

Etemi ishte pesë vite më i madh se unë. Moshën e Etemit, atë vit 35 vjeç, e gjeta tashti, vonë, kur zoti Ismail Ahmeti, shefi, siç e thërrasin të gjithë, shumë më tepër se bashkëortak me mua prej 27 vitesh, solli foton e klasës të teknikumit. Viti 1958. Dhe më pyeti: “A e gjen dot kush është Etemi”? E kish nxjerrë foton për t’ua treguar miqve të vet fisnikë, familje bejlerësh në Lushnje, mbiemri Resuli, të cilët rastësisht ia kishin përmendur me shumë respekt e mirënjohje emrin e Etemit. “Na ka ndihmuar shumë, Ismail, i jemi mirënjohës”!

Interesant! Unë isha krejtësisht i pavëmendshëm për të mësuar detaje nga jeta e gjithsecilit prej nesh në shoqërinë e ndërtuesve. Një mungesë kurioziteti e theksuar, e shoqëruar nga mosvëmendja për të fiksuar edhe çka bëhej e njohur rastësisht në biseda. Tani, ulur të shkruaj, ndjeva se më mungonin plot gjëra për ta ndërtuar portretin e shokut tim dhe për t’i vendosur në sfond familjen. Dija se kishte një vëlla. Nuk mbaj mend sa motra pati. Të atin nuk e kishte… Pa lere më për njollat në biografi, nëse e kish pajisur sistemi. Nuk na interesonin. Për ne vlenin vetëm cilësitë e individit.

Ndërsa ne po e prisnim të habitur, Etemi, sa mbërriti na befasoi me çfarë dëgjuam.

“Do vij me ju”!

“Me neee? Çfarë thua, o Etem?! Nuk ka kuptim. Është turp”!

“E di! I di të gjitha, kot muhabeti”!

“Or njeri, ti sot ke varrosur nënën…”.

“Më ndoqi pleqësia”! – dhe na shikoi në sy të gjithëve, si të tregonte se vendimi nuk ishte i tij dhe nuk varej nga ai. “Nuk ke pse rri më në fshat”, – më thanë. “Ngushëllimet këtu i presim ne. Ty nderi t′u bë sa një mal nga shoqëria, ndaj shko me ata që të respektuan! Nderi jot, pas kësaj, është atje, tek puna, bashkë me ta”!

“Etem, edhe për ne nuk është e hijshme të vijmë të të marrim në shtëpi direkt e nga varrezat. Sa je ndarë, mor burrë, me nënën, është ende i ngrohtë dheu…”.

“Shpëtim, unë në fshat nuk kam vend. Edhe po të kthehem, nuk më pranon kush në shtëpi… vetëm po të shkoj të fle me nënën”.

U rrënqethëm! Kokulur, vazhdoi me zë të mekur: “Po dhe ajo, e shkreta, kur t’i tregoj, vallë a do më pranojë”?! – dhe nuk i shqiste sytë nga toka, sikur të priste edhe fjalën e saj, të Asaj që kushedi sa e mallosur iku për të birin larg…

“Hypni lart”! – u thirra. Morëm rrugën nga erdhëm. Ishte akoma më e lodhshme, por nuk e ndjenim falë moshës dhe lehtësimit që të jepte plotësimi i zakonit të lashtë: Të gjendesh në fatkeqësi! Bisedat në kthim, së bashku me Etemin, nuk mund të ishin gazmore, pavarësisht përpjekjeve të tij për ta çliruar ambientin. Heshtja, pa fjalë, ishte më e pranishme në kthim. Të shtynte në meditim.

Mënyra si rrodhën ngjarjet nuk po më shkulej nga mendja. Më ish skalitur pamja dhe sjellja e burrave të moçëm të Mallkeqit. Ç’qe ai vendim që morën ata? Si mund të largosh të birin e ta nisësh në punë menjëherë pas varrimit të nënës?! Normal, do të kthehej, por pas ca ditësh, pasi të çmallej edhe me vëllanë e motrat e ardhura nga larg, mbledhur nga morti. Do të shkonin në varreza bashkë, ato pak ditë, të ndanin dhimbjen e madhe të humbjes së nënës. Por jo! Pleqësia e Mallkeqit i dha ultimatum: “Nderi jot nuk është më këtu, në shtëpi, por është tek puna, mes shoqërisë që të nderoi”.

Me ç’kandar e peshuan pleqtë këtë vendim të beftë?

Në peshoren e gjykimit të atyre burrave nderimi ishte guri më i rëndë, të cilin asnjë peshë tjetër nuk mund ta balanconte. Pesha e rëndë e nderimit! Për ata, edhe kjo, nxjerrja e pazakontë e të birit nga shtëpia e kalimin e tij si një peshë në krahun tjetër, të miqve, përsëri nuk e kanë ekuilibruar dot peshoren e nderimit që iu bë. Jo vetëm e nisën, por i dhanë njëmijë porosi atij, të ishte edhe më i përkushtuar dhe të ndihej borxhli.

Ç’burra të mençur, ç’burra të fortë, sa vendimmarrës dhe me sa autoritet!

A mund të ishte, pra, i ndryshëm nga kjo racë Etemi?

Pas mesnatë arritëm në kantier, në Lukovë, ku kishim fjetoret. Të nesërmen, në orën shtatë, ishim të gjithë në krye të punës tek Fabrika e Tullave në Krekëz.

 

Në Uzinën e Sodë – PVC-së në Vlorë

Humbi Vlora për një drejtor!

 

NNI-Fier, në vitin 1981, u ngarkua të ngrejë dy uzina në Vlorë: uzinën e sodës – dyfishim kapaciteti – dhe rikonstruksion i plotë i uzinës së Poliklorvinilit, PVC, ku do të çmontohej komplet teknologjia kineze dhe do të montohej teknologji italiane. Për kompletimin e stafit të kantierit Fieri do të siguronte drejtuesit teknikë dhe brigadat e specializuara, ndërsa Vlora plotësim personeli dhe punëtorët e thjeshtë, gjithçka brenda administrimit nga NNI-Fier.

Komiteti Ekzekutiv i Vlorës po dërgonte njëri pas tjetrit pjesën e vet: inxhinierë, teknikë dhe personel administrativ. Po vononte plotësimi i dy vendeve: drejtori i kantierit dhe shefi i kuadrit. Kjo habiti pa masë ministrin e ndërtimit, zotin Rahman Hanku, që në mbledhjen e shtabit nuk iu durua pa shprehur, buzagaz, habinë në prani të kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Vlorës: “Ua merr mendja juve, që tre muaj të mos gjendet dot një drejtor në Vlorë”?!

Tek buzagazi i ministrit fshihej opinioni i njohur se Vlora e kish vështirë të gjente punëtorë, po me drejtorë mund të furnizonte gjithë Shqipërinë. Drejtorllëku ishte si një prodhim i veçantë, që e bënte vetë vendi, natyra, nuk kish nevojë për shërbime, vaditje, prashitje, as plehërim. Vlora kish prodhim monokulturë, drejtorë bio për eksport!

Etemin e kishin çuar para meje për organizimin fillestar të kantierit. Në atë fillim, me pak punonjës, ai kryente gjithë funksionet: përgjegjës kantieri deri sa të vinte drejtori i Vlorës, drejtues teknik dhe më bëri me gaz kur tha, se xha Rizai, shefi i madh e i vrazhdë i kuadrit, i kish besuar edhe funksionin delikat të punonjësit të kuadrit.

“Që mund të bëheshe edhe biçim shef i vogël kuadri, nuk ma kish marrë mendja. Vetëm pse je shoku im, nuk duhet të ta besonin”, – i kreha bishtin me krehër kau.

“Pikërisht pse jam shoku jot, ma kanë varur me të ngecur përkohësisht këtë biçim detyre. Unë nuk doja ta pranoja, por më pyetën: A e ke shok atë biçimsëzin? U dorëzova! Nuk të hidhja dot poshtë”!

“Ore, Etem vëllai, tani, sa ke në dorë këtë qerrata detyre, shiko mbase më rregullon një çikë ato letrat e biografisë”, – bëja sikur nuk po kuptoja se Etemit i kishin dhënë në dorë hapëset e kashtës.

“Ça halli kam unë e ça halli ke ti! Nuk di a do marr dot fletë-hyrje për ty, or gjytyrim. Sa të marrin vesh vlonjatët se je i djegur që në Fier, ku s’të emërojnë dot asgjëkundi, por vetëm të komandojnë sa andej-këndej, je i përvëluar në Vlorë”.

“Etem, të keqen, pa gjë mos më ler, në mos të dhënçin fletë-hyrje, më merr një fletë-dalje të kthehem në Fier…

“Jo more?! Po unë me kë do gricem këtu? Se mos të kanë dërguar për punë ti”!

Punë e parë, secilit prej të ardhurve i sigurohej fletë-hyrje për t’u futur brenda territorit të dy uzinave. E vërteta është se në ato dy uzina nuk kish nevojë për fletë-hyrje, por për fletë-dalje! Sa afroheshe tek portineria, mendoje: Ishalla nuk më lënë të hyj! Ishte dit’e kiametit! Mbetjet teknologjike të shëllirës në sodë kishin mbushur rrugët që lidhnin repartet. Vende-vende nuk dukej asfalti, bile as bordurat anësore të rrugës. Në kohë me diell shëllira kthehej në pluhur dhe këpucë e pantallona deri në gju merrnin ngjyrën gri, si të kishe veshur çizme. Tek uzina e PVC-së ndotja kimike ishte në nivele të paimagjinueshme. I mësuam pikat me rrjedhje klori dhe kalonim me vrap, pa marrë frymë. E dinim se klori ishte lëndë helmuese luftarake. Kur hapëm themelet e reja pranë objekteve ekzistuese, mund të mblidhje zhivën me grushte. Formacioni i tokës ishte ranor. Uzinat ishin vendosur buzë detit. Zhiva rridhte nëpër rërë në faqet anësore të gropave të sapo hapura. Pesha e saj e rëndë e ndihmonte të dilte: “Ja ku jam”! Eskavatoristët, në piskun e vapës, nën diellin përvëlues, punonin me kundërgaz ushtrie për gërmimin e themeleve të reja. Punonjësve të shfrytëzimit u jepej antidotë, qumësht, dhe repartet më të rënduara përfitonin edhe ushqim, drekë me mish. Të gjitha këto karakteristika të çuditshme do t’i mësonim më vonë, gjatë punës.

Tek hyrja kryesore rastisa të dëgjoja të revoltuar inxhinierin e sapoemëruar nga Vlora, që po i hakërrehej Etemit.

“Si ka mundësi, mos dalë për mua leja e hyrjes për në vendin e punës”?

Puna ende nuk kish filluar, veç, ndërkohë, për gjithë punonjësit që po vinin nga Fieri fletë-hyrjet u jepeshin në moment. Vlonjati e kish vënë re. Po dilnin lalët më të besuar se lebërit! Dhe ku? Në Vlorë!

“Të kanë dalë ca probleme, nuk po ma miratojnë fletë-hyrjen tënde! Edhe unë po çuditem, miratojnë tërë fierakët, si të besuar, e nuk të lënë ty nga zemra, nga Lumi i Vlorës! Po mua, mos më thënçin Etem, po nuk të kalova ty! E kam menduar! Do të të kaloj me një dokument sikur je nga Fieri”,  – e trazoi vlonjatin aty ku nuk i mban ujë pilafi.

“Në asnjë mënyrë, ore, ça thua ti? Unë nga Fieriii?!  Hahaha”! – kundërshtonte me të drejtën e vet inxhinieri. Po, më tepër e acaroi ofendimi që i shkaktonte ndërrimi i origjinës. T’i hiqje Vlorën e t’i jepje Fierin. Të bukur ndërrim! Edhe Lushnjen po t’ia shtoje nuk i hynte në sy. “Po, unë s’jam i vdekur, o budalla”! – vazhdonte inxhinieri. – “E bëj problem, e ngre Vlorën në këmbë, ore, Etem. Mua më ka emëruar shteti me punë në këtë kantier, ku ka bythë njeri të më ndalojë të hyj, kam tre ditë që pres tek porta, unë vete i zë derën sekretarit të parë… Cili është ai mut ballisti që më ndaloka mua”?

Etemi e kish në xhep lejen prej tri ditësh. Me inxhinierin ishin nga një krahinë, gjitonë, por  Etemi, i larguar nga Vlora, dy dekada punë në zonën Lushnje-Fier, kish lënë mënjanë trimërinë, pat shtuar diplomacinë dhe tani po luante me patriotin e vet miqësisht, sa kohë ishin në pritje për fillim. Kur e pa se mund të dilte me humbje nga kjo lojë, ndofta do kish edhe ndonjë ballist në fis, ia dha.

“Më detyrove të bëj sherr të madh për ty”! – iu mburr inxhinierit.

“Faleminderit, po kot ma kurseve një përplasje”! – qeshi ai që po i hanin duart për sherr. – “U bëra gati, e bisedova dhe me ca njerëz të mij, i kam nga ata që nuk ua nxe gjoksi dekoratat dhe … Por, do më takosh një çikë me atë mikun që më ka zënë në gojë biografinë, t’ia numuroj mirë dhe ta shohë, bën ai biografinë time, apo ia bëj unë atij, punoka dhe në kuadër ai”!

“Të kam takuar, të kam takuar me mikun, s’e more vesh akoma ti”?  – iu kthye Etemi gjoja i nevrikosur e buzagaz.

“Ama, ti paskëshe qënë ai mut ballisti, o Etem”? – iu lag baruti nevrikut të inxhinierit.

Kjo lloj gare, mes ‘gropave’ në gjokse lebërish kish lezet.

Pasardhësit tanë nuk do kuptojnë dot për çfarë bëhet fjalë, “Gropa në gjoks”! Nga të rrahurat e gjoksit për trimëri, labit iu bë gropë. Kështu e tregojnë. Të drejtën për ta rrahur gjoksin e kishin: “Na e bëmë luftën më dymëdhjetë për pavarësinë, na e bëmë më njëzetë, kur huadhëm italanët në det, na e çliruam Shqipërinë”!

Etemi, si vlonjat, mund ta kish “gropën” më të madhe nga ajo e inxhinierit, por varej e ç’kohe ishte gropa, se një pjesë prej tyre, “gropat” e luftës së Pavarësisë e të Luftës së Vlorës, të 20-ës, i kish mbushur disi koha, ca nuk dallonin më, ca ishin mohuar … Çmoheshin kryesisht trimëritë e luftës për çlirim. Më “trimit” i takonte të mos e kish thjesht gropën më të thellë, por vrimë tejpërtej! Por më e bukura nga të gjitha, në këtë atmosfere gazmore, festive, krahinore, ishte se nuk mburreshin vetë trimat…

Nga moria e barcaletave m’u kujtua ajo në det, kur labi u kthye të bënte not shpine. “Mooos”! – i bërtitën. “Do të mbushet gropa me ujë dhe… ike”!

 

Kur komanduan lalët në Vlorë!

 

Nuk e di pse më hanë edhe mua brirët me ca veti që i janë faturuar Vlorës, njëlloj sikundër ia kanë ngjitur kurnacërinë Gjirokastrës. Me siguri edhe vlonjatët, si ne, i fryjnë vetë atij zjarri. I publikojnë vetë rastet dhe i zmadhojnë e i zbukurojnë për t’u kënaqur vetë e, pse jo, dhe të tjerët, pa u ndjerë hiç në siklet me vetëqesëndinë, madje as kur të tjerët e përdorin si armë kundër tyre.

Ishte problem i madh, po të komandonin myzeqarët në Vlorë. Jo probleeem, po gjëëëmë!! Dhe dyfish t’ua bëje pagën vlonjatëve, nuk kishin ç’e donin, ta kishin drejtorin lalë. Ishte turp! Po të mos i vihej dot stërkëmbëshi atij për biografi, vlonjatët do largoheshin nga ajo ndërmarrje, “Kurrë mos u hëngërt ajo bukë!”, dhe le ta bënte planin drejtori.

Pikërisht në këtë kohë e në këtë atmosferë u ngarkua nga qeveria si i komanduar  për një vit në uzinën e sodës dhe atë të PVC-së Thanas Mërkuri*6, drejtori i Azotikut Fier, madje pa u shkëputur plotësisht nga Azotiku, ku do të kthehej sërish drejtor e duke ndjekur njëherësh që nga Vlora edhe aktivitetin e asaj uzine. U vendos në përforcim të detyrës së kryeinxhinierit, që e mbante Bardhyl Nasto, një inxhinier i talentuar.

Ndërmarrja e sodës ishte bërë problem qeveritar. E kish realizuar planin vetëm një vit në rreth dhjetë vite jetë të saj. Vetëm vitin e parë! Pastaj e detyroi qeverisjen vendore dhe qendrore të kënaqej edhe me aq sa bënte. Kapacitetin e saj teknik le ta harronin! Drejtorët, që i ndërronin njeri pas tjetrit, të gjithë vlonjatë dhe të suksesshëm në aktivitetet e mëparshme, dukej sikur i sillnin në Sodë për t’ua ulur “hundën”, sikur donin t’i turpëronin me çdo kusht. Dhe ja, tani qeveria po e menderoste fare! Përforcoi drejtimin me një myzeqar! Me një Thanas! Plasi gazi në uzinë. “Na kanë dërguar ‘Lipe Shtogun’*7 nga Fieri. Tani po! Do kallëm puna”! – identifikonin me kallamin Myzeqenë lebërit, krahasuar me lisat e rrepet e Lumit të Vlorës.

Thanasi, një profesionist e administrator i shkëlqyer, njohës i thellë i proceseve teknologjike dhe i gjithë elektro-mekanikës industriale, që nuk e hante sapunin për djathë, dita-ditës e përnatë po vinte me shpatulla për muri gjithë shkelësit e disiplinës teknike. Me Thanasin nuk funksionoi bllokimi i kontrollit prej tij nga shfryrje të qëllimshme të gazeve helmuese. I vetëm, me kundërgazin në fytyrë, repart më repart, në çdo pozicion teknologjik, sidomos turnin e tretë. Shumë shpejt ia çmuan vlonjatët vlerat si inxhinier e drejtues i jashtëzakonshëm. Personeli inxhiniero-teknik, profesionistë të zotë, dhe njerëz me vlera të spikatura intelektuale, mezi prisnin të dëgjonin në takimin ditor logjikën dhe seriozitetin përmes zërit të tij të fortë e të kumbueshëm, bariton.

“Kallëmi” nuk u thye nga suferina e fillimit. “Lipe Shtogu” u bë personazhi i ditës. Respekt maksimal për atë, kur uzina, për herë të dytë, realizoi të parealizueshmin, planin. Suferina ia la vendin flladit të Myzeqesë.

Ishte pikërisht ky fllad në pellgun e uzinave që ma ngriti pa dashje edhe mua pjacën. Fjala “i komanduar” kish marrë tjetër kuptim. “Edhe ky është “i komanduar!” – pëshpëritej më të rrallë, ndërsa lëvizja nëpër objektet e reja brenda uzinave. Kaq mjaftonte që të më fryhej tullumbacja e vetëkënaqësisë. Fillova të hiqesha homolog me Thanasin e famshëm! Tullumbacka ime cipëhollë nuk duronte dot fryrje. Ishte gati të bënte “Bam!”.

Po fatit, kur të qepet, hapi rrugë! Si të mos më mjaftonte vetëm një homolog, vitin tjetër, po aty, u komandua dhe drejtori i përgjithshëm i montimeve të republikës, Bashkim Zajmi. Dhe si? Me urdhër nga Sekretariati i Komitetit Qëndror… Kjo i vuri kapak muhabetit. Puna nuk mund të bëhej më me të emëruar. O të komanduar, o s’ka! Tullumbaces time iu trash lëkura! Etemi me shokë, të mësuar të m’i pëlcitnin sa herë në sy, këtë radhë nuk po e preknin. U bë si tullumbace e përbashkët. Ne, të emëruar e të komanduar tek kantjeri i ndërtimit, formonim një ansambël harmonik*8. Secili i kish dalë zot punës në pozicionin e vet. Ndiheshim të mjaftë për ta përballuar ngarkesën dhe vështirësitë.

“Më dëgjoni mua, të komanduarin!”, iu kapardisesha herë pas here kolegëve derisa tullumbacen ma shpoi drejtori i portit të Vlorës. Nami im si “i komanduar” nuk e kapërceu dot as Pyllin e Sodës! Ai, vunjotas, që “y”-në e shqiptonte “i”, si të ish nga Gjirokastra, u revoltua dhe nuk pranoi të më ndihmonte me një autovinç për kantierin, ndonëse vinçat e portit qenë pa punë dhe benzinën e ofronim ne, sapo mori vesh se unë, i paraqitur si drejtor, isha i ardhur nga Fieri.

“Pak drejtorë ka Vlora, venë e bien këtë! Dashka di orë vinxhin ki..! Ikë, nuk kam vinxh për ti”! – tha në prani të gjithë administratës, mbledhur në port.

Kur ia tregova Etemit, mbante brinjët me duar. Edhe mua nuk më mbahej gazi, e shijova shumë! E harroi ai vinçin që po priste për të montuar kapriatat e mbulesës së kapanonit në poligon. “Po gënjen”! – m’u drejtua prapë, kur mblodhi veten. “Ti je maskara! E sajove të na vësh në lojë ne, vlonjatëve”! Veç, kur u bind se ishte e vërtetë, tha: “Ia vlente dështimi, vetëm për atë llaf që të ka thënë, por ti mos u merr më me atë punë! Nesër do t’i kesh të ngritura kapriatat! Do t’i ngremë të çmontuara, pa vinç, me çunat, fierakët, grupi i Sazanit! Është turp t’i kërkojmë ndërmarrjes në Fier të na dërgojë autovinçin nga Ballshi për dy-tre orë punë këtu në Vlorë”!

Puna në kantier shtohej dita-ditës. Iku koha e llogjeve. Mjaftoheshim vetëm me ndonjë bejte shkarazi, që na i kujtonin shokët në riciklim…

Unë:
Je nga fshati Palo-plaçkë*,

mbahesh grurë, më dole kashtë,

na mprehën në qerre bashkë,

të riun me një të lashtë!

 

Etemi:
O gjirokastrit me vulë,

ç’të gjeti, që rri si pulë,

“kolaq”, humbur me pusullë,

mbetur si zarfi pa pullë!

 *Palo-plaçkë = Mall i keq-Mallkeq (emri i fshatit)

 

Pas gati dy vitesh pune të përbashkët në Sodë-PVC, Etemi u shkëput. Iu dha detyrë ndërtimi i kompleksit të madh blegtoral të rritjes së viçave në Jaru, Levan, Fier.

U zgjata disi, i nxitur t’u ofroj situata gazmore, mbetur në kujtesë pas dyzet vitesh. Nuk ia vlen të përmend ç’vështirësi u desh të kaloheshin aty nga Etemi dhe gjithë punonjësit e atij kantieri. Të konsiderueshme! Të pabesueshme!

Pas 90-ës uzinat u shkatërruan dhe kjo bëri të pavlerë, padrejtësisht, djersën e çmuar të ndërtuesve dhe montatorëve.

Për ndonjë zmadhim në linjën e humorit, le të më falin, nuk mund të rri pa i ngacmuar shokët e miqtë e shumtë në Vlorë. Janë të mrekullueshëm! E dinë që unë jam me qerre! Miqësinë e shfaq me romuze dhe i mirëpres ato në kurrizin tim të bërë shollë.

 

Jeta personale, shëndeti dhe largimi…

 

Kur më thanë se ishte sëmurë dhe nuk dilte në punë, shkova e kërkova në lagjen 1 Maj, tek të afërmit. Ndonëse nuk e jepte veten, dukej i lodhur. Kish probleme me mushkëritë. Ishte vizituar në spital dhe vazhdonte mjekimin. Ishte optimist. Spitali i Fierit kish mjekë shumë të mirë.

Unë vazhdoja të punoja në Uzinën e Sodës në Vlorë dhe fundjava, kur kthehesha në shtëpi, ishte e pamjaftueshme as për t’u çmallur me dy fëmijët e vegjël, tre dhe gjashtë vjeç. Sa mora vesh se gjendja ishte rënduar dhe kish shkuar tek e motra në fshatin Trevëllazër të Vlorës, i shkova që nga nyja e madhe e inerteve të Mifolit me një nga makinat e zhavorrit deri ku kish rrugë dhe pastaj, me shoferin, ecëm deri sa mbërritëm, duke pyetur, në shtëpinë e motrës së tij në fshat. E gjetëm rënë në dyshek. U ndje keq. Do kish dashur të na priste në këmbë, por vajtja jonë ishte e papritur. Dukej më i zverdhur dhe nuk e lamë të ngrihej. Iu luta të organizonim çuarjen e tij në senatorium në Tiranë. I shpjegova se rastësisht, për shkak të një lidhjeje familjare, njihja drejtorin, mjekun Kanan Jakupi, që kish qëlluar të ishte një shpirt njeriu e punëmbaruar. Nuk pranoi. Ndjente përmirësim. Nën kujdesin që mund ta bëjnë vetëm motrat u bë më mirë e doli sërish në punë.

Mbeti beqar! Nuk kish shtëpi. Sa kohë të ishe beqar, nuk të jepte kush shtëpi. Ishte e pamundur! Ai nuk vendoste të krijonte familje. Nuk mund të përballonte sakrifica denigruese, që cenonin personalitetin e njeriut. Kush nuk martohej në moshë të re, sa ishte “budalla”, më vonë e kish shumë të vështirë të vendoste, duke ditur se ç’rropatje e mundime do t’i duhej të përballonte, endur nëpër baraka apo sajesa të përkohshme, me fëmijë të vegjël nëpër këmbë, si arixhinjtë.

Ndërsa gjendja shëndetësore e tij ishte përkeqësuar, komisioni i strehimit i ndërmarrjes planifikonte ndarjen e apartamenteve të pallatit të fundit, ndërtuar me kontribut vullnetar, një formë kjo që aplikohej për të zbutur krizën e rëndë të strehimit në atë sistem. Ndërmarrja ziente nga ankesat. Ndarja e apartamenteve ishte një punë e tmerrshme. Kërkesat pirg. Të gjithë nevojtarë. Kontigjenti shumë i vogël. Të pakënaqurit nuk mund t’i ndaloje të ankoheshin. Kërkesa e Etemit (beqar) për strehim ishte, si dhe më parë, e rrezikuar nga mjaft kërkesa familjarësh me fëmijë, pa shtëpi. Lajmi i keq “As këtë radhë…” më çoi direkt tek titullari i ndërmarrjes. Për çfarë i thashë edhe sot dridhërohem. U ndodh aty edhe inspektori i ministrisë, të cilin e shoqërova të nesërmen në objektin e Sodë – PVC-së. “Ishe i vetmi që hyre tek drejtori për të qarë hallin e një shoku dhe jo tëndin. Na bëri përshtypje. Edhe Anastasi e vlerësoi” – po më thoshte rrugës.

Sekretari i byrosë së partisë, Hasani, dhe shefi i kuadrit i ndërmarrjes, Zoi, i shkuan për vizitë, aty ku qëndronte si mik, në banesën tek lagjia 1Maj dhe i dorëzuan autorizimin e shtëpisë, një garsonierë. Autorizimi rrinte mbi jastëk, ngjitur me kokën e këputur të Etemit. Besoj, ka qenë rasti i vetëm që i jepej shtëpi një beqari. Drejtori kish vënë veton!

“Ta gëzosh Etem”! – e uruan të dy. “Tani edhe me një nuse”! – shtoi shefi i kuadrit.

“Faleminderit shumë për shtëpinë, se atë, nusen, po e gjeta, do ta kemi bashkë”! – ia ktheu Etemi shefit. Përgjigjja e Etemit u hap si një rënkim në ndërmarrje. Ishte duke përjetuar pamundësinë për ta mposhtur armikun që po e gërryente përbrenda. Nuk pranonte të gënjente veten me ëndrra, ndaj nuk e kurseu ironinë për veten, për fatin e tij dhe për shefin, që nuk e gjeti momentin për llojin e urimit.

 

Etemi ndërroi jetë!

 

U tronditëm, kur na çuan në kantier, në Vlorë, lajmin e hidhur: Etem Idrizi ndërroi jetë në punë!

Ishte rrëzuar mbi dallgët e gjelbra të grurit, në parcelën buzë rruge, pranë azotikut, Fier. Fillim prilli. Në pranverën e jetës. Sa i ngjashëm me grurin! Në moshën e gjelbër. I begatë si gruri. Delikat si ai. I rrëzuar për tokë. Si grurë i shtrirë nga cikloni. Lënë pas fatkeqësi,  dëshpërim. Pse? Të shtyn të ngresh kokën nga qielli: Përse kaq shpejt?! Nuk ka ardhur koha për korrje…!

U ktheva. Ishin marrë të gjitha masat për ta përcjellë ashtu siç e meritonte. Ndërmarrja! Drejtori ndodhej në Kinë, por tradita e respektit ishte e rrënjosur. Të nesërmen ishin vënë në dispozicion të ceremonisë të gjitha mjetet që transportonin punëtorë, mësimorja e kursit të shoferëve, karrofiçina, kamionçina dhe autovetura. U tejmbushën plot me shokët dhe shoqet e punës, në pamundësi të marrin të gjithë sa kishin ardhur aty për të shkuar në Mallkeq, në fshatin e tij, për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.

Hidhërimi dhe pjesëmarrja e jashtëzakonshme në përcjellje bëri përshtypje të madhe në zonë. Trupi i të birit nuk po përcillej vetëm nga lotët e dashurisë së pafund të familjes dhe bashkëfshatarëve, por dhe nga një respekti i thellë dhe dhimbja që shprehnin shokët e shoqet të pranishëm, që përfaqësonin një kolektiv me rreth njëmijë e dyqind vetë, me të cilët kish punuar mbi njëzet vite Etemi.

“Ne, sot po e njohim djalin tonë”! – thanë thuajse të gëzuar familjarët dhe bashkëfshatarët fisnikë të atij fshati. U drithëruam! Ngrimë! Rrëqethje! Ata po njihnin të birin tek lotët tanë! E pazakontë! O Zot, çfarë sinqeriteti në mort! Nuk po kuptonim në ishin lotë gëzimi rrëketë në fytyrat e rreshkura. E njohën të birin kur ndërroi jetë! Sytë e tyre po ndriçonin. Dhimbja e tyre shkarkonte me dënesë në sytë e gjokset tona. Mbahej mend, më shumë fëmijë se i rritur në Mallkeq. Katërmbëdhjetë vjeç kish ikur në teknikum, në Tiranë, dhe gjatë një çerek shekulli punë, kur humbi kantiereve, ish shndërruar në një mysafir të rrallë…

 

Ftesa e familjes për dasmën e nipit

 

Nipi i Etemit erdhi përsëri*9 në zyrat e NNI-Fier. Sa na u bë qejfi! E mirëpritëm. Besoj, i kemi bërë adetet tek bufeja para zyrave. Besimplotë, sepse shoqëria e asaj ndërmarrjeje nuk turpërohej në të tilla punë, për të nderuar mikun, madje për të “nderuar” edhe veten me ndonjë gotë… Ardhja e tij, këtë radhë, nuk ishte vetëm për të shprehur mirënjohjen e familjes për respektin, që ndërmarrja i bëri njeriut të tyre të dashur, por sepse do të na dorëzonte ftesën për dasmë. Ishte befasuese! Nipi do martohej dhe ftonin në dasmë edhe ndërmarrjen e Etemit. Na emocionoi! E përqafuam, e uruam dhe i premtuam se do të shkonte një grup shokësh t’i nderonte në këtë gëzim të madh familjar, pas asaj fatkeqësie.

Në datën e caktuar, ditën e diel, u nisëm nga Fieri me autoveturën Karpat, me shofer Foto Gjikopullin nga Dhërmiu, Laver Skëndoja nga Brati i Vlorës dhe unë. Sa mbërritëm në të hyrë të fshatit Mallkeq, ndaluam tek varrezat. Nuk mund të shkonim në shtëpinë e Idrizajve, pa u takuar e çmallur me Etemin. Me lulet në duar po e kërkonim në atë mjedis të ftohtë varresh dhe, sa e pikasëm, iu afruam. I vendosëm lulet tek koka shokut tonë të paharruar … Qëndruam disa çaste në këmbë me sytë nga pllaka me shkrimet gjersa meditimin e seicilit me kujtimet e veta e theu Laveri, më i moshuari nga ne të tre, por dhe më i regjuri me zakonet e zonës, që iu drejtua atij me të folur të ngrohtë, të qartë, zëplotë, dalëngadalë, sikur ta kish përpara të gjallë.

“Etem, erdhëm ne! Ju kemi ardhur si shokë e si miq. Na keni ftuar në dasëm! Ju faleminderit shumë! Nipi t’u trashëgohet! Jam me Shpëtimin dhe Foton, por, ta diç, vëlla, vijmë në emër të gjithë ndërmarrjes…”.

E përjetova me shumë emocion. Skenat ku dhimbja pleksej me burrëroren më tronditnin. Ndjeva sa i parrahur isha me jetën. Ai improvizim i bisedës me shokun, ndërruar jetë, m’u duk si ëndërr. Mbas prijësit diçka, ndofta, kemi pëshpëritur edhe ne, dy të tjerët, të pagojët, shtangur. Përlotur u ndamë me shokun që nuk u pamë. Këmbëzvarrë, kokë varur u kthyem tek makina dhe… karpati, më i qetë se ne, iu drejtua kodrës përballë, nga ku na kishin parë me vëmendje dasmorët. Ndaluam pa mbërritur në majë, aty ku kishin dalë familjarë për të na pritur e mirëseardhur.

Nga varreza në dasmë! Distanca dhe koha e shkurtër. Nuk po transformohesha dot. Ende nuk po ndahesha nga Etemi. Më dukej se ishim bashkë. “Po mua ku më lini? Edhe unë e kam vendin aty!” – dukej sikur më shikonte me dyshim. Lëvizja i dyzuar dhe nuk e di ç’përshtypje po u lija shoqëruesve, dasmorë të gëzuar. U ngjitëm monopatit deri sa mbërritëm te “salla” e dasmës, një vend i zgjedhur. Si një ballkon gjigant në krye të kodrës. Tarracë natyrore dy-tre metër nën lëndinën që shtrihej në thellësi, ku ndodhej edhe shtëpia. Me tre krahët të mbrojtura nga era, dhe ballin e hapur me pamje të pafund nga ana e detit, që nuk dukej, dhe me një pjergull të madhe mbi kokë, ishte vend ideal për ceremoninë e dasmës me trapezin e shtruar në formë patkoi. Tavolinat ishin plot! Gjithçka i duhej gëzimit të madh të jetës.

“Juve po ju prisnim”! – tha shoqëruesi kryesor, i moshuar, që, me dhëndrrin, na prezantoi para dasmorëve. Ne i përshëndetëm të gjithë përzemërsisht aty, nga vendi në hyrje.

“Para se të uleni do të kryejmë edhe një detyrë sipas zakonit të krahinës.” – tha shoqëruesi dhe më dorëzoi një pushkë, mbajtur vertikalisht në dorë. Unë nuk e kisha marrë veten edhe pa pushkë. Po kjo?! Një e papritur tjetër.

“Do të shtijë kryemiku i dasmës me pushkë, pastaj fillon dasma! Pushka është e mbushur, është gati, në siguresë” – dhe pa e lëshuar ende plotësisht në duart e mia, më orientoi nga duhet ta drejtoja me grykën pjerrët lart. Tërhoqa këmbëzën dhe shkrepja u dëgjua shumë e fortë në atë qetësinë, mes një natyre të lirë, të shkujdesur, të pashqetësuar, mbushur gjelbërim e cicërima nën diellin që nuk mund të rrinte pa dalë të shohë e të marrë pjesë në një gëzim të çmuar pas një fatkeqësie të dhimbshme. Përplasja njëherësh e krahëve të zogjve të trembur, ngritur befas në fluturim, dëgjohej si duartrokitje në jehonën e shkrepjes që humbiste valë-valë në kaltërsinë e qiellit.

Edhe kur ma morën pushkën nga dora dhe mbeta i lirë, nuk po e ndieja veten të çliruar … Si dasmor, në raste të tjera, nuk kisha pas “ndërhyrje”, as detyra, as urdhra. Këtu, e paimagjinueshme! Varreza, Etemi, që nuk po më ndahej, dasmorët, dhëndri, nusja me të bardha, një e shtënë pushke, unë kryemik … Të gjitha nën shikimin e përqendruar të mbi njëqind dasmorëve.

Cilësimi “Kryemik!” më qëndronte pezull dhe, i pamësuar me tituj, po mendoja, a më takonte mua? Përse? Si moshë, jo! Ndofta si më i largët i grupit tonë të ftuar, nga Gjirokastra, apo si një titullar i ndërmarrjes. Më tepër, mendova, si shok nga më të afërtit, që na kripej muhabeti, por, sidomos, për si e respektonim njëri-tjetrin. Atë e dinte kodi i atij fshati. Pleqësia!

Po pushkën? Përse ma drejtonte me dorë atë pushkën e vjetër të dasmës mikpritësi, si të mos e njihja unë armën, sikur po ia linte në dorë një fëmije? Aq i tronditur shfaqesha? Në atë kohë nuk kish njeri në Shqipëri të mos njihte armët. Ne bënim zbor ushtarak tridhjet e pesë ditë në vit, bënim qitje me fishekë luftarakë, isha komandant toge, oficer me demek … Jo shaka! Të ma ketë bërë si lab ai personi, për t’u murrur me mua gjirokastritin? Jo, s’është e mundur! Nuk ish vendi. Unë isha kryemiku! Në zakonet e Labërisë, si në gjithë vendin, kryemiku mbahet mbi krye! Ai, i zoti i pushkës, bile, këmbënguli sikur veç ai e shikonte tabelën e qitjes në qiell, ndërsa unë nuk e dalloja dot.

Vetëm pasi u ula në tavolinë, kur u ambientova me terrenin, kuptova se armën e shkrepa, kur drejtimi i saj shikonte në qiellin mbi varrezat e fshatit. Atë krismë duhet ta dëgjonte dhe Etemi. Pra Ai, i paharruari, ishte i pranishëm në gëzimin familjar. Ai ishte midis nesh, të gjithë e kishim brenda vetes, aty.

U hap dasma dhe, ende i hutuar, me vonesë po shikoja kalimthi njerëzit në tavolinat përballë. Nuk njihja asnjë nga njerëzit e familjes së Etemit, përveç dhëndrit dhe vështrimi nuk ndalonte në asnjë fytyrë. M’u drodh piruni në moment! Lotë! Lotët në fytyrat përballë më shtangën. Ishin të veshura me të zeza. Gra. Ato nuk m’i ndanin sytë. I shtangur, në atë gjendje njoha njërën nga fytyrat. Ishte motra. Ajo që takova në Trevëllazër, kur iu shkova në shtëpi. Derdhur vështrimi mbi ne të porsaardhurit, kish rizgjuar lotë motrash! Sa të çmuara ato lotë! Edhe gjendja ime shpirtërore ishte duke lotuar. Sytë e mi nuk mund ta fshihnin. Dënesja e mbytur e motrës më zgjonte gulçime të brendshme. Ajo nuk mund të nxirrte zë në mes të atij gëzimi familjar.

Dasmë dhe tronditje! Nuk ishin lotë gëzimi. Nuk më kish qëlluar të kisha përjetuar momente tronditëse, gëzimi e hidhërimi, pleksur brenda një kohe kaq të shkurtër.

Aah! Mos i provofshin motrat lotët për vëllanë, ikur para kohe, në moshë të re! Ato lloj lotësh unë i kisha njohur në familjen tonë. Ishin lotë të përvëluar! Halla jonë, zonjë dhe kapedane, e qau gjithë jetën vdekjen e të vëllait 23 vjeç, kur ajo kish qenë 16 vjeç.

Po e ndieja veten fajtor. U bëra unë shkaku për t’u prishur ekuilibrat. Çfarë fuqie mbinjerëzore u dashka për të ndaluar motrën të qajë vëllanë. Duhej bërë patjetër, ndryshe lotët e hidhërimit bëhen si ortek dhe mund të përfshijnë gjithë dasmën. E mblodhën ato menjëherë dhe zunë të na përshëndesnin buzagaz. Edhe ai buzagaz i tyre për mua ishte lotndjellës, por ato u bënë burra! Unë mezi, mbas tyre. Shtrëngoja dhëmbët. Mu duk sikur Etemi po më qortonte: “Mos na e prish dasmën, o kolaq Gjirokastre!”

U përfshimë pastaj, si vagon i porsa lidhur, në vorbullën e gëzuar të dasmës me shëndete e me dolli. Tek kjo pjesë ndihesha i sigurt, barra më lehtësohej shumë, kisha Laver labin në krah, krahinar me Mallkeqin, në të njëjtën gurrë zakonesh dhe sojlli.

 

 Tiranë, mars –  prill 2020

 

Falënderim.                                                                                                                                           

Falënderoj shoqërinë që më nxitën dhe më risollën në kujtesë detaje nga jeta me shokun e përbashkët. Veçanërisht Anastas Pone, Pajtim Aliaj, Jorgji e Leni Kocani, Jorgji Dimo, Themi Kola, Petraq Duka, Ismail Xhuveli, Thanas Gjoka, Ismail Ahmeti…

Nga nevoja për të vendosur ngjarjet në atmosferën e kohës, kam folur edhe për vete. Shpresoj të mos keqkuptohet.

*1. Nga ai teknikum shkëlqyen Pajtim Aliaj, Jorgji e Leni Kocani, Ismail Xhuveli, Nikollaq Koçi, Hiqmet Shehu…  

*2. Në nëntor 1981 u (vetë) vra Mehmet Shehu me një (dy) plumb(a) pistolete.          

*3. Gjeografia e shtrirjes së punimeve për kantierin e NNI Fier-it u shtri nga Piqerasi në Ksamil. Përveç fabrikës së tullave në Krekëz, iu ngarkua ndërtimi i disa pallateve në Lukovë, magazina në fermën e Lukovës mbi plantacionet e tarracuara të agrumeve, pikë-hapje ushtarake në Sasaj dhe ujësjellësi i Ksamilit me pusin e marrjes së ujit në Çukë-Sarandë. Qendra e kantierit dhe sistemimi i punonjësve u bë në Lukovë.

*4. Funksionoi kjo zgjidhje. Disa prej tyre, sidomos ata që kishin arsimin e mesëm, u bënë teknikë të zotë ndërtimi dhe topografë të besueshëm në profesionin delikat.

*5. Përveç Petrq Dhimës – shofer, Gafur Ereqi – brigadieri i pakrahasueshëm, xha Dinia, (Hajredin Hoxha), brigadier dhe sek. Partie, elektriçisti Kosta Shkurti (Shiko çfarë të bën koha dhe koka! Sa keq! Nuk më kujtohen emrat e shokëve të tjerë!)
*6. Thanas Mërkuri – D.L. 1937 Karavasta, Lushnje. Inxhinier mekanik. Nga 1965 deri 1994, përgjatë 29 viteve ka punuar në uzinën e prodhimit të plehrave azotike në Fier si kryemekanik, kryeinxhinier dhe drejtor (15 vite). Si drejtor e fillonte punën, çdo ditë, në orën 6 të mëngjesit, me lopatë në dorë tek lëmi i llaçit në banesën e radhës me kontribut vullnetar të Azotikut.

*7. Lipe Shtogu – Personazhi anekdotik i krijimtarisë satirike të Pëllumb Kullës. “I mbetur mbrapa liste…”!                             

*8. Drejtuesit teknikë të kantjerit të ndërtimit të uzinave të sodës dhe PVC-së: Bashkim Selami (drejtori i Vlorës), Etem Idrizi, Jorgji Kocani, Kastriot Basha, Zef Lazri… më mbresëlënësit në memorien time. Meritojnë të përmenden, përveç personelit, disa brigadierë, Lik Gjini, Sazan Liçaj, Ikri Lika… dhe mjaft specialistë…

*9– Përgatitja e qivurit

E kujtoj ardhjet e nipit të Etemit tek Zyrat e NNI Fier. U interesua për përgatitjen e qivurit për xhaxhanë. Porosinë për prodhimin e elementeve të qivurit e bëmë tek NSHN Gjirokastër. Kryeinxhinierit, Spiro Sotiri, iu bë qejfi që iu dha mundësia të jepte një kontribut, sado të vogël, për të respektuar një koleg, një ndërtues me emër, me të cilin kish pas njohje personale në ato tre vite punë që bëri në NNI Fier e Ballsh edhe vetë. E prodhuan qivurin me gurin e Gjirokastrës dhe na i dërguan në ndërmarrjen Komunale Fier, ku u krye dhe pagesa, që, siç thotë Jorgji Dimo, teknik e drejtor kantieri në NNI, u bë me lekët e Etemit. Kish hyrë në një llotari me një grup shokë e shoqe, kish kontribuar dhe nuk i kish ardhur radha për të marrë të vetën. Jorgji Dimo kujtoi se kemi organizuar një grup të vogël me në krye specialistin Hasan Shuli dhe i dërguam me elementet dhe gjithë materialet e nevojshme në Varrezat e fshatit Mallkeq për të montuar qivurin, punë që u krye disa ditë para njëvjetorit të vdekjes, ditë kur NNI Fier dërgoi në Mallkeq një grup shokë e shoqe (Leni Kocani, Pajtim Aliaj, Adem Borova, Jorgji Dimo, Llazar Papa) të merrnin pjesë në ceremoninë familjare të përkujtimit mbas një viti, duke vendosur lule në varreza.

 

 

Please follow and like us: