Ermal Mulosmani: Tmerr populist…
Në Kosovë para disa ditësh një djalë 26 vjeçar, i sapokthyer nga Gjermania dhe i karantinuar në konviktet e Kosovës, kreu vetvrasje, u hodh nga katet e larta të godinës ku ishte karantinuar. Ishte një ngjarje e tmerrshme, një dhimbje e madhe për prindërit e tij që e kishin djalë të vetëm…
Ishte fatkeqësi e madhe së pari. Askush nuk donte që ai djalë të humbte jetën, as autoritetet sigurisht. Mundet të ketë gabime, neglizhime, teprime që e kanë ndikuar aktin. Më së miri këtë çështje duhet ta zbardhë drejtësia.
Sot i ati i djalit ishte i ftuar në T7 dhe po rrëfente historinë e Agonit, birit të tij. Po e ndiqja live nga facebook. I dridhej zëri, herë pas here përlotej dhe pinte ujë për të marrë veten. E tregoi të vërtetën sipas tij duke u përpjekur të ishte i saktë sa mundej. I fortë ish ai burrë!
Mirëpo unë mbeta i pataksur nga diçka tjetër. Komentet që shoqëronin intervistën e tij ishin makabre! Militantë të Vetëvendosjes (VV) shanin me një gjuhë frelëshuar, babain, gazetarin, televizionin, glorifikonin Lëvizjen, Albinin, përmendnin sëmundje psikike të viktimës… Pashë gjithçka, përveç mirëkuptimit!
Ohh, çfarë ndjesie të keqe më dhanë!
A jeni more njerëz? A ekziston mirëkuptimi, toleranca qoftë edhe ndaj akuzave të pabaza? Njeriun nga kafsha e ndan arsyeja, toleranca. Lëreni njeriun të shfryhet si të dojë… Në paçi një fjalë të mirë, një melhem për plagën e një babai që ka humbur dritën e syve-mirë, në mos paçi-heshtni!
Tmerr…