HARRESA, KJO PLAGË E SHPIRTIT
Mehmetali Rexhepi
Për ditëlindjen e Zeqir Gërvallës nuk mjaftojnë vetëm urimet, një rutinë e thatë… Nga respekti për një figurë të tillë, për çudi ndonjëherë më mungojnë fjalët… I kënaqur që vijon të jetë në jetë, atje larg, në SHBA… Poezia e tij për Kosovën, kishte prekur e pikëlluar madje vetë Bill Klintonin… Ai emër i përveçëm i atdhetarizmit dhe vetëdijes sonë… Dhimbja e tij e pashuar ishte prore dhimbje e kombit, e atdheut të ndarë, të pushtuar nga sllavët jugorë… Nuk u pajtua, as u mashtrua, as si ilegal, as si gjysmë legal, as si legal, që të mbyllte gojën për atë çerek lirie “autonomie” për Kosovën. Si i tillë me gjuhën shpatë, i kurdisej ndjekja, pastaj arrestimi, torturimi, burgosja… Më tutje e njohën bashkëvuajtësit e tij… Ishin frymëzuese orët letrare në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës kur lexonte-recitonte Zeqir Gërvalla… Poetika e tij ishte poetikë e zgjimit të atdheut… Kumbuese e rrëqethëse ishin vargjet e Zeqës për martirët anonim të pushkatuar e zhdukur… Pa varre gjithandej tokës stërgjyshore… Le të shkëpus vetëm një fragment nga arkivi i kujtesës sime, për njërën nga orët letrare, mbajtur në sallën e Fakultetin Filozofik, ishte dhe lexoi edhe Mësuesi i ynë i letërsisë, doajeni i letrave shqipe baca Esat përkatësisht Esat Mekuli. Zeqa lexoi njërën nga poezitë më rrëqethëse që kisha dëgjuar deri atëherë!… Të gjithë artdashësit studentët u shtanguam! U shtanguam jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për zbërthimin e drejtpërdrejtë të tragjikes, të protestës për heshtjen e saj, për mbulimin e fajësisë shekullore, për domosdonë dialektike të shpërthimit të shpirtit heroik liridashës… Nuk pipëtinte as një tingull, as një zë në sallë… Atëbotë, dy ndjenja ishin zotëruese të gjendjes shpirtërore: guximi i poetit disident, mënyra e artikulimit të ndjenjave dhe, frika për pasojat e censurës, mandej ndjekja e autorit frymëzues… Kurrë nuk më është fshirë, as në motet e luftës për vdekje a mbijetesë, ajo fytyrë simpatike e shëmbëlltyrës sonë, të cilën e përshkonin dallgëzime valësh të emocioneve… Para nesh shfaqej një portret që përshkohej me ngjyra përjetimesh: të prekshme, të dhimbshme, një vajë burrëror pleksur me guxim, me trishtim, me gatishmëri për flijim, me grishje për heroizëm… Ngashërimet dhe dënesja ishin vetanake, por të papërballueshme, si dhe duartrokitjet… Është pikërisht ky, Zeqir Gurra njeri që shkëpuste fragmente të shpirtit dhe i hidhte në letër, në ato letra të përkohshme që i digjeshin para syve…
Arkivi im ende mund të sjellë dëshmi fragmentesh për shëmbëlltyrat tona, të cilat, jo një herë, po i varrosim me heshtjen e harrimit! Zeqir Gërvalla dhe Rexhep Elmazi ishin njohur pa u takuar, pa u parë asnjëherë! Megjithatë, ishin përqafuar dhe kishin marr barrë të rënda detyrimesh kombëtare-politike për vendosjen e flamurit kombëtar-shqiptar në institucionet publike të qeverisur nga pushtuesit serbë! Kush i kishte lidhur aq fort shpirtërisht dhe kombëtarisht? Metaforat e poezisë, prushi i përbashkët i shpirtit tyre, ideja madhore e Arb-Dheut ose?… Gjëma e atentatit tinëzar të udbashëve shqip-folës mbi sivëllain e tij, Rexhep Elmazin, më 1978, në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e kishte zgjuar nga lëngata në Spitalin e Prishtinës Zeqir Gërvallën, t`i jepte lamtumirën në Gjilan gjysmës së zemrës Tij, Rexhep Elmazit… Ai kishte demaskuar atentatin e kamufluar mbi veprimtarin e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve dhe poetin meditativ, si një krim i shëmtuar politik…
Fjala e tij në ceremoninë mortore kishte diçka madhështore, le të parafrazoj: i dashuri Rexhep, vdekja jote i dha hijeshi Gjilanit!… O vëlla, sa hije të paska flamuri mbi fytyrë, për të cilin përjetësisht u lidhe pa pyetur për asnjë çmim!… Zeqa i “Botës së re”, Zeqa për botën e re, meriton më shumë se sa një urim…