Qeveria e oligarkëve duhet rrëzuar një orë e më parë!
“Topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë”! Fiks si ai çuni i beut te filmi i kohëve të vjetra, ky është mentaliteti i kryeministrit që justifikon prishjen e Teatrit Kombëtar me parimin e shumicës së tij.
Ai tjetri që qeveris kryeqytetin, e quan kolibe fashiste vendin ku kanë ligjëruar artistët më të mirë, ku janë luajtur veprat e më të mëdhenjve dhe sot merr në fshehtësi vendimin e prishjes me ndihmën e një këshilli të uzurpuar nga zëvendësministra të qeverisë së oligarkëve, ushtarë të bindur deri në verbëri.
Sot është ditë e zezë e një kohe të zezë, është dita kur provohet edhe një here se pushtetin e kanë marrë njerëz që shesin e blejnë, e miratojnë vendime nën rrogoz.
Njerëz që rrënojnë historinë, shkolla, kinema apo shtëpi që në vende me lidership normal nuk do guxonin t’i preknin për shkak të traditës dhe faktit që mbeten objekte dëshmitarë të një epoke që nuk përsëritet më.
Sot ata kanë vendosur të shembin Teatrin Kombëtar nën dritën e hënës. Janë të njejtit që hedhin kërcënime e gjoba në muzg. Ngujojnë një popull nëpër bunkerë frikërash e maskash qesharake që të hedhin valle rehat minjtë e zgjyrosur të kanaleve korruptive.
A janë këto akte tregues lidershipi që gëzon pëlqim nga shumica?
Nuk duken se po!
Sepse këto veprime bëhen prej njerëzish të zhytur në llumin e korrupsionit, mësuar me hile, mashtrime dhe intriga.
Në këto kushte, e vetmja opozitë e qenësishme është Populli dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Tjetër opozitë nuk po del në skenë as edhe të aktrojë. Qeveria e oligarkëve duhet rrëzuar një orë e më parë!
Grafika nga Avni Delvina
@Flasshqip