Bujar Llapaj: Paç fatin e Duçes o Krm-i ynë!
Urrejtja për të kaluarën, historinë, çfaqet tek njerëz inferiorë që kanë dështuar në ndërtimin e jetës tyre. Fatkeqësisht një i tillë gjëndet në krye të shtetit shqiptar. I formuar si “piktor” nën emrin e Kristaqit, i emëruar si pedagog nën emrin e Kristaqit, i “respektuar” si djali i Kristaqit, edhe ministër u bë si djali i të ndjerit Kristaq dhe për “veteranët” vazhdon të jetë “djali” i Kristaqit dhe nipi Spiros… Di njeri kush ishte Edi para se të bëhej ministër përveç se shoku i Dash Xhuvanit për të qenë pak në shoqërinë e Fatos Nanos?
A mund të prisni gjë më të mirë nga “piktori” pegagog që nxitoi të fshinte “Aksionisten”, muralen e diplomës së tij? Apo që nxitoi të mbante refleksion-leksionet e “demokracisë” për tu bërë i “dukshëm” si pretendent për lider i opozitës se në familjen e PPSH-së nuk e llogariste kush, por “fatkeqësisht” nuk ja mbushi dot syrin Ramiz Alisë?
Prandaj si ministër kulture e nisi hakmarrjen me projektin e shëmbjes së institucioneve kulturore, si kryetar bashkie me zhdukjen e Tiranës së “vjetër”, si kryetar i PS me transformimin e saj në një organizatë mediokre dhe kriminale, si kryeministër me shembjen e gjithçkaje pozitive të arritur në këto 30 vjet.
Historia ka shëmbuj për rrezikshmërinë e paparashikueshme të këtyre specieve pa identitet profesional dhe shoqëror, dhe vetëm rezistenca qytetare është mjeti për të ndaluar veprimet e tyre kriminale.
Prandaj sot në Shqipëri është detyrë qytetare, patriotike bashkimi rreth kauzës të Mbrojtjes së Teatrit i të gjithë opozitarëve të këtij deliranti.
Është e vështirë në historinë botërore të gjesh artistë, apo grup “artistësh” të dalin në mbështetje të një pushteti të certifikuar publikisht si i korruptuar që një pronë publike, një aset kombëtar të trashëgimisë arkitekturore dhe kulturore, kërkon ta zhdukë në emër të “zhvillimit modern”. Në këtë betejë çdo artist dhe qytetar ka vënë shpirtin në “skenën” e historisë e cila do të jetë e pamëshirshme në gjykimin e saj.
Të qeshësh apo aq më keq të duartrokasësh “shakatë e kripura të Duçes” dhe eskavatoristit të tij Lali Erit që kutrobon ngado, është një akt i pështirë që mban erë myk dhe kalbësirë.
Në respekt ndaj figurës së qenit, kujtoj dy thënie popullore: Qeni leh atje ku ha, dhe, nuk mund ti besosh ruajtjen e shtëpisë një qeni të rrahur që këlysh.
Post Scriptum: Charles Dutoit njihet si dirigjenti historik i Orkestrës Simfonike të Montrealit, i cili u akuzua nga lëvizja “MeToo” për abuzim dhe ngacmime seksuale. Megjithëse nuk është dënuar nga asnjë gjykatë, emri i tij nuk përmendet më në inçizimet që jep CBC (radio nacionale kanadeze) si ndëshkim moral.