Albspirit

Media/News/Publishing

Ana Gjokaj: Sot disa të vërteta prevalojnë mbi disa të tjera

Sot disa të vërteta prevalojnë mbi disa të tjera.

Është e vërtetë që Teatri u shemb. Sot në 04:30 të mëngjesit, siç tanimë është bërë praktikë nga Bashkia Tiranë, fadromat shkatërruan godinën e teatrit, në pabesi të plotë.

Është e vërtetë që me shembjen e tij, nje copëz historie u zhbë, pa kthim. Teatri do të jetë një gojëdhënë edhe për pak kohë, mbase edhe një legjendë urbane, por së shpejti do të harrohet. Askush nuk do të flasë më për të, askush nuk do të dijë mbi ekzistencën 80 vjeçare të tij e as për atë që ka përfaqësuar gjatë këtyre viteve. (lexo këtu https://dritare.net/kazma-kunder-historise-te-kthehet-kunder-vetes/?fbclid=IwAR3fVuwOcxeKdsHvvUDZNm_nu-KBkELk28Slao9EVDrCEsBPpZ7ilK70VX8).

Sigurisht, është e vërtetë që teatri u shemb dhe për një akt të tillë nuk u pyet për strukturat ligjore dhe kushtetuese. Nuk u pyet as për dëshirën e popullit, as të artistëve. Nuk u pyet as për organizatat shqiptare e as për ato të huaja. Nuk u pyet as për histori e as për filozofi. As për art e as për shkencë. Asgjë nuk i ndali qoftë ta rimendonin vendimin.

Pa diskutim është e vërtetë se çdo popull meriton qeverinë që ka. Por çfarë ndodh kur shumica është gabim?! Kush do ti marrë përgjegjesitë për këtë gjë? Si do ti rregullojmë pasojat?

Të gjitha këto më lartë të dhëmbin në palcë, por ka disa gjëra akoma më të thella.

Nëse ato të sipër përmendurat janë fakte, të pamohueshme tashmë, dhimbja më e madhe është që Teatri, si godinë fizike dhe kulturore, u mbrojt nga qytetarët. Ndoshta nga të paktat protesta dhe qëndresa në Shqipëri e cila ka nisur dhe është vazhduar për kaq gjatë (kjo është protesta më jetëgjatë ne Shqipëri!) prej qytetarëve. Kësaj proteste, apo lëvizje, iu bashkuan qytetarë e opozitarë. Kurrë nuk u tjetërsua qëllimi i saj, kurrë asnjë prej pjesëtarëve nuk u ble e as u shit. Përkundrazi, protesta u udhëhoq nga profesionistë të shkëlqyer, nga njerëz të cilët besojnë në ideale e luftojnë për to, nga njerëz që ndezën një dritë jeshile se ky vend ka ende shpresë, sepse ka ende njerëz luftarakë për të mirën e përbashkët.

Nuk ishte ndërmarrje opozitare, ku një pjesë e shoqërisë gjen veten e një pjesë jo. Sepse njëra palë është e mirë dhe tjetra jo. Se njëra parti është e aftë e tjetra jo. Se njëra e do popullin e tjetra ka interesat e veta. Jo, jo! Ishte iniciativë e ndërmarrë nga sovrani.
Megjithatë, as kjo nuk mjaftoi që Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë të tërhiqeshin nga vendimi për prishjen e tij. Nuk i interesoi aspak, se prej Shkurtit 2018, përditë e përnatë, në atë vend kanë qëndruar qytetarët, nga më i thjeshti tek më intelektuali, për ta mbrojtur e për ta ruajtur. Përditë e përnatë!!!

Krejt e kundërta, me mimikën e tij karakteristike, me vetullen e ngritur lartë, dhe me të folurën e zhdërvjellët, Kryetari i Bashkisë thotë se ka ardhur në pushtet për të modernizuar këtë qytet! Më keq akoma, sot me një status në rrjetet sociale i shtrin dorën atyre që ishin kundër prishjes.
Kjo miq, nuk eshte e folur prej shtetari. Kjo është blasfemi, sepse kryetari i Bashkisë tanimë mendon se është Mësia që ka zbritur të na çlirojë nga mëkatet e historisë, sepse Teatri ishte ferri i këtij qyteti. Erion is Holly!

Problemi sot, nuk është më teatri. Problemi tani është që demokracia në këtë vend është më larg se kurrë. Demokracia tanimë është një ëndërr e largët. Tutela komuniste ka shtrirë tentakulat e rrezikon vdekjen tonë si kafshë politike.

Nuk e di kush duhet të ngrihet më, çfarë tjetër duhet të ndodhë që marritë në këtë vend të mbarojnë. Kur do të kuptojmë se demokracia nuk mund të jetë utopi?

Prej shumë kohësh kam dashur të largohem nga Shqipëria. Megjithatë, nuk kam ndërmarrë iniciativa konkrete për t’u larguar, sepse thellë në të pandërgjegjshmen time, kam shpresuar se realiteti do të ndryshojë. Se gjërat do vijnë duke u përmirësuar.

Ndërsa sot, çdo fije shprese është shuar plotësisht, e lutem që të largohem një orë e më parë prej këtu.

https://dritare.net/kazma-kunder-historise-te-kthehet-kunder-vetes/?fbclid=IwAR0ILULv3QuK2oTm-sXMK54BUlGgn8x080ucm9AYO-HdOp2rtO0TXsArOTk

Please follow and like us: