Albspirit

Media/News/Publishing

Përshtatja e artizanëve me normalitetin e ri

Kruja, qyteti i Skënderbeut që mundi pushtimin otoman, qyteti i historisë, kulturës dhe turizmit, sot i kanoset një rrezik tjetër. Pandemia globale, edhe pse e padukshme, tashmë ndodhet në Krujë dhe po sulmon ashpër jo vetëm jetën e njerëzve por edhe kulturën e turizmit. Tradita, kultura dhe historia e Krujës dhe e gjithë Shqipërisë jeton përmes punës së artizanëve të “Pazarit të Vjetër” të Krujës. Por, sot, kultura dhe trashëgimia është në rrezik. Sezoni turistik ka ngrirë për shkak të pandemisë dhe me të, mundësia e artizanëve për të krijuar të ardhura dhe si rrjedhim, edhe për të mbajtur gjallë traditën e kulturën shqipare. Sot, më tepër se kurrë, nevojiten qasje inovative që përshtaten me rrethanat e reja të krijuara, me të ashtuquajturin “normaliteti i ri”. Kështu, TID Kruja, organizata jo-fitimprurëse e cila i shërben artizanëve të “Pazarit të Vjetër”, përmes Partnerëve Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim me ndihmën financiare të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ka ardhur me një inovacion në fushën e tregtimit të punimeve artizanale, një platformë për shitjen online të produkteve artizanale, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Platforma online është një dyqan virtual për artizanët dhe produktet e tyre. Artizanët shprehen entuziaste për këtë nismë. “Kjo është një ndihmë e madhe për ne, produktet dhe financat tona në këto kohë të vështira për ekonominë dhe turizmin në Shqipëri” – është shprehur një prej artizanëve të “Pazarit të Vjetër”. Në këto kohë të vështira për të gjithë individët e bizneset, nevojiten qasje inovative për tu përshtatur me rrethanat e krijuara. Historia, tradita, kultura duhet të mbahet gjallë përtej çdo vështirësie. Baza është kreativiteti dhe përshtatja me “realitetin e ri”.

Please follow and like us: