Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Ç’më vërtitesh nëpër ëndrra!

ATDHEU-nga poeti Ismail Xhaferi

Ç’më vërtitesh nëpër ëndrra,

Si një shall i lehtë në erë

Siç vërtitet shpirti i etur,

Përreth një gote me verë!

 

Ç’më vërtitesh nëpër ëndrra,

Dhe ma bën natën magji,

Herë si një ylber rreth kodrës,

Herë si bora mbi çati!

 

Ç’më vërtitesh nëpër ëndrra,

Si një hënë që netëve bredh

Dhe një grusht me prush të ndezur,

M’u në kraharor ma hedh!

 

Ç’më vërtitesh nëpër ëndrra,

Siç vërtit ujëvara shkumën,

Si fustani i nusërisë,

Sapo nis dasma të shtunën!

 

Ç’më vërtitesh nëpër ëndrra,

Nëpër netët e Janarit,

Ashtu siç vërtitet ngjala,

Nëpër grep të peshkatarit!

 

Ç’më vërtitesh nëpër ëndrra,

Zog i brishtë në shtegëtim

Ashtu siç vërtitet malli

Brenda kraharorit tim!

 

Ç’më vërtitesh nëpër ëndrra,

Ti shenjtore bukurie,

Kur këputesh si një gjethe

Edhe përmbi gjoks më bie!

 

Ç’më vërtitesh nëpër ëndrra,

Si një shall i lehtë në erë,

Po kur ti më del prej ëndrrës,

Sikur pi një gotë me vrer!

Please follow and like us: