Merita B. McCormack: TEATRI… Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!
Merita B. McCormack- Uashington DC/*
Ditën e Diel, më datën 17 maj 2020, në orët e para të mëngjesit, sipas lajmërimit nga Zëri i Amerikës, nga Tirana, forcat policore të qytetit të Tiranës ndërhynë me shpejtësi të paparë dhe me një efektivitet të plotë, duke vënë barrikada rreth territorit të ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar dhe duke i përzënë protestuesit që ishin aty, pa kontrolluar nëse kishte apo jo njerëz brenda. Fadroma goditi muret dhe brenda pak çastesh një re e madhe pluhuri mbuloi sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë. Në SHBA ishte duke u afruar mesnata dhe në Tiranë ishte agim.
Gazetari Ilirian Agolli, ishte i vetëm tek filmonte dhe iu kërkonte policëve të lejohej të afrohej për filmime, ai e solli direkt lajmin për ne. Zëri i Amerikës na bëri të mundur të shihnim me dhimbje se si në mënyrë të rrufeshme u shkatërrua ndërtesa e teatrit dhe si u përndoq grupi protestues dhe se sa e panevojshme ishte kjo mënyrë.
Personalisht kam ato kujtime që kam, si spektatore, si artdashëse dhe si shqiptare.
Për shumë të tjerë ka kujtime të ndryshme, sipas integrimit e pjesëmarrjes në teatër si shikues, artdashës, apo si punonjës. Për të gjithë ndjesia është e ndryshme. Nuk është fjala për tullat e llaçin, nuk është fjala për një gjë teknike.
Për Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit ka mëse dy vjet e gjysmë që është shndërruar në çështje jetike dhe një çështje tashmë që prek cdo qytetar të Tiranës e gjithë popullin shqiptar.
Flitet për disa gjëra dhe do mundohem t’i rendit më poshtë e shkurtimisht:
Së pari për Tiranën e tiranasit (tironsit), në vecanti, është një ndërtesë e para komunizmit dhe paraqet diçka unike tiranase, që ka të bëjë me themelimin e qytetit e zhvillimin e tij si kryeqytet, por edhe me lidhjen shpirtërore, pasi tironsit kanë qenë ata që ishin me shpirt antikomunsit dhe kozmopolitan. Prishja e teatrit, mes shumë të tjerave, ju theu edhe këtë lidhje që kishin me periudhën parakomuniste.
Së dyti, teatri paraqet e pasqyron vlera të mëdha historike për artin e kulturën shqiptare në përgjithësi e jo vetëm për Tiranën. Për vlerat arkitekturore e artistike të teatrit kanë dëshmuar ekspertë vendas e të huaj si edhe disa organizata ndërkombëtare. Mirëpo kjo nuk është marrë parasysh nga autoritetet qeveritare që morën përsipër ta shkatërrojnë dhe hajdutçe, në momentin më delikat, kur njeriun e lodh gjumi i humbur dhe është disi i raskapitur.
Së treti, qëndresa e aktorëve dhe e qytetarëve erdhi natyrshëm, e pasponsorizuar nga parti politike, megjithëse mund të ketë pasur përpjekje monopolizimi, por kjo lëvizje është e pastër nga influencat e parrallinjve, e atyre që quhen “movers and shakers” që nuk i mungojnë Shqipërisë. Kjo lëvizje është reflektim i ndërgjegjjes qytetare.
Së katërti, mos përfshirja e komunitetit ndërkombëtar me thelbin e çështjes në fjalë tregon se ata kanë besim tek shqiptarët dhe se shqiptarët duhet e do t’ia dalin vetë. Megjithëse në disa momente një mesazh mbështetës e ndonjë ndërkombëtari, përfshi edhe ambasadën amerikane do të ishte shumë e mirëpritur. Jam e sigurt që më shumë do jenë shqetësuar ndërkombëtarët për mungesën e distancimit social në këtë protestë sot!
Së pesti, kjo Aleancë për Mbrojtjen e Teatrit i ka dhënë udhë një çështjeje më të madhe e më të qëndrueshme e me perspektivë që megjithëse duket e pashpresë, mendoj se duhet të marrë kreditin e duhur. Protesta e sotme në Tiranë ishte dëshmuese e asaj që do të vijë më pas. Qytetarët po marrin (e duhet) të marrin fatin e tyre në duart e veta. Reagimi qytetar ndaj një akti të qeverisë duhet të jetë gjithnjë parametri kyç në mënyrën e drejtimit dhe llogaridhënia ndaj popullit duhet të jetë e vazhdueshme, e shpeshtë dhe të përcaktojë qëndrimin apo jo në pushtet të tyre. Kur populli reagon, e reagon fuqishëm, qeveria duhet të dëgjojë, duhet të mbajë shënime e duhet të përmirësojë punën, jo të shtypë e të diktojë veprimet qeveritare. Sepse populli e paguan qeverinë e jo anasjelltas. Prandaj, kjo protestë e udhëhequr nga aktorë e aktivistë tiranas duhet të mbështetet nga gjithë populli dhe t’i shërbejë demokratizimit e lirisë së individit dhe të shoqërisë. Prandaj ato që u thanë për tridhjetë vite “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, tashmë, me vend janë zëvendësuar me togjfalëshin “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”. Dhe kjo do bëhet sepse duan shqiptarët ta bëjnë. Ku ka një qëllim të mirë, ku ka shqiptarë të mirë, ka gjithmonë edhe një rrugë të mirë. Shqipërinë do ta bëjnë si Europa vetëm shqiptarët e mirë. Aleanca për Mrojtjen e Teatrit është e përbërë nga shqiptarë të mirë. Le t’i mbështesim e le t’i japim atë që ne mundemi për një Shqipëri të mirë! Jemi me ju!/gazeta dielli/
*Merita B. McCormack është anëtare e Kryesisë së Vatrës, që jeton e punon në Uashington DC, SHBA.