STRATEGJIA E QARTË DHE KURAJUA PËR NDRYSHIM, JO IMPROVIZIMET DHE FORMALIZMAT E BËJNË FITUESE OPOZITËN
Nga Dr. Astrit Gjunkshi
Ku shkoi vija e kuqe e kryetarit të opozitës sonë për Teatrin Kombëtar që u shemb para tre ditësh nga bashkia dhe qeveria? Mazhoranca nuk pyeti as për këtë vijë të kuqe, ashtu si nuk kishte pyetur edhe më parë për vijat e kuqe të opozitës në rastin e prishjes së shtëpive apo mjediseve në segmentet e unazës te Astiri, Farka, apo te Kopështi Botanik, për ndërtimet te Parku i Madh i liqenit artificial, për prishjen e stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, për pretendimin për manipulimin e zgjedhjeve parlamentare apo vendore etj. Kuptohet se, në mjaft raste, e drejta ka qëndruar në anën e opozitës, të kapur pas kauzës së mbrojtjes së demokracisë apo të të drejtave të komuniteteve të caktuara. Ka patur edhe mazhoranca të drejtën e saj për të mbrojtur kauzën e zhvillimit të programeve zhvillimore e qeverisëse. Por, ky shkrim, nuk ka për objekt debatin nëse ka patur të drejtë opozita apo mazhoranca në secilin nga këto raste apo në raste të tjera.
Shkrimi do të përqëndrohet te një analizë e shpejtë e shkaqeve se përse dështojnë vijat e kuqe të kërcënimeve të opozitës dhe përse ajo e ka mjaft të vështirë që të sigurojë progres dhe perspektivë reale për të marrë frenat e qeverisjes në zgjedhjet e ardhëshme, edhe atëhere kur ekzistojnë kushtet objektive për të bërë rotacionin politik. E kam të qartë se nuk varet gjithçka nga opozita. Varet edhe çfarë mazhorance ka ajo përballë. Mbështes një pjesë të rëndësishme të akuzave të opozitës ndaj mazhorancës për inkriminimin e rradhëve të saj deri në nivelin e deputetëve, për praktikat e partisë-shtet në qeverisje, për politizimin e administratës, për afera korruptive në zgjedhjen e klientelave të paracaktuara për projekte të kushtueshme me paratë e buxhetit të shtetit, për mungesën e transparencës në kanabizimin e vendit, për monopolet në ekonomi, për propagandën që lustron dhe mbulon gjendjen e rëndë të varfërisë dhe të padrejtësive, shpesh ulëritëse, ndaj qytetarit të pambrojtur, etj. Por opozita nuk mund të justifikohet me dështimet e saj meqenëse ka përballë një mazhorancë që, siç pretendon ajo vazhdimisht, mbështetet te oligarkët dhe po shkon gjithnjë e më tepër drejt diktaturës. Madje, edhe sikur të jenë plotësisht të vërteta këto pretendime të opozitës, ajo duhet të shikojë edhe përgjegjësinë e vet në të gjitha këta zhvillime të zymta në situatën politike, ekonomike dhe sociale në vendin tonë.
Edhe një shënim i fundit përpara se të filloj të rendis argumentat që lidhen me temën e shkrimit: synimi im është që të ndihmoj, aq sa mundem, në forcimin e opozitës. Dhe këtë nuk e bëj nga emri që ka partia e opozitës. Do ta bëja edhe për një opozitë tjetër, sikur opozita e sotme të ishte në qeverisje. Do ta bëja sepse, ajo që më intereson, është forcimi i demokracisë së vërtetë. Është e njohur në teorinë dhe në praktikën e demokracisë se, sa më e fortë dhe konstruktive të jetë një opozitë, aq më tepër do të detyrohet mazhoranca të përmirësojë qeverisjen në të mirë të popullit dhe të vendit. Prandaj do të përpiqem që të rendis disa mendime që mund ta bëjnë opozitën një subjekt politik që kontribuon realisht në forcimin e demokracisë. Nëse ajo do ta bëjë këtë me sukses, do të jetë populli ai që përfiton dhe, nga kjo, është edhe opozita që do të përfitojë për të ardhur në pushtet. Por suksesi arrihet, para së gjithash, duke shmangur gabime thelbësore në politikat dhe në metodën e saj të punës. Cilat janë disa gabime kryesore të opozitës shqiptare?
- Opozitës i mungon analiza dhe reflektimi i thellë ndaj gabimeve
Kryetari aktual i PD-së dhe i opozitës së bashkuar, z. Lulzim Basha, përmendi para tre ditësh gabimin e madh që ka bërë tre vite më parë për marrëveshjen që arriti me kryeministrin Rama për daljen nga çadra e protestës dhe hyrjen në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017. Ai tha se nuk do ta përsërisë atë gabim me një lider, siç e quan ai, të papërgjegjshëm, mashtrues dhe të lidhur me krimin. Edhe sikur pranimi i gabimit të tij të jetë tregues i sinqeritetit të tij njerëzor dhe politik, mendoj se kjo nuk përbën ndonjë shenjë premtuese se opozita nuk do të gabojë përsëri në kryerjen e detyrës së opozitarizmit. Sjelljen opozitare dhe suksesin e saj nuk e përcakton vetëm pranimi formal i një gabimi. Personalisht kam spjeguar në analiza të mëparshme se, krahas mangësive, ajo marrëveshje kishte edhe anët e veta pozitive. Mjafton të përmendim lehtësimin që solli në klimën politike në vend për një farë kohe, rritjen e mbështetjes nga elektorati gri, apo përshëndetjen nga aleatët tanë strategjikë.
Një forcë politike nxjerr mësime edhe nga gabimet, nëse analizon në detaje se në cilin element konkret të një veprimi politik apo të një marrëveshje ka gabuar. Për të bërë këtë lipset që forumet drejtuese të organizojnë debate shterruese për atë që e quajnë gabim. Gabimi mund të jetë i kryetarit, por, jo më pak përgjegjësi mbajnë edhe eksponentët dhe forumet e tjera të partisë. Edhe përgjegjësia për gabimet duhet të jetë kolegjiale, ashtu siç duhet të jenë kolegjiale vendimet e partisë. Mungesa e kolegjialitetit për gabimet flet shumë edhe për faktin se nuk ekziston kolegjialitet real as për vendimet. Me qëllim apo pa qëllim, vendimmarrja i është lënë kryetarit të partisë, ose një rrethi shumë të ngushtë njerëzish afër tij. Një vendimmarrje e përgjegjëshme duhet të përfshijë sa më shumë ekspertizë, përfshirë edhe me profesionistë jashtë partisë.
- Opozitës i mungon reformimi i thellë strukturave të saj drejtuese dhe një strategji e konsoliduar që evoluon shpejt
Përzgjedhja e forumeve kryesore në parti, sipas aftësive, dhe krijimi i hapësirës së nevojshme për dhënien e mendimeve krijuese dhe për angazhim individual në përgjegjësi konkrete garanton saktësinë dhe shmangien e gabimeve në vendimarrje dhe në realizimin e programeve. Vihet re se ka subjektivizëm në përzgjedhjen e drejtuesve të partisë. Edhe pse janë sjellë jo pak elementë të rinj në udhëheqje, ata nuk janë vërtet më të mirët pasi nuk i janë nënshtruar një mekanizmi të vërtetë konkurimi, por janë zgjedhje preferenciale. Nga ana tjetër, ka edhe mjaft figura që janë ende në udhëheqjen e partisë, edhe pse me emrin e tyre lidhen dështime të rëndësishme të partisë, humbja e shumicës parlamentare dhe pasoja që i kanë kushtuar shumë popullit. Pra ka formalizëm në vendimmmarrje edhe në kompozimin e strukturave drejtuese. Kjo ka cënuar vetë demokracinë brenda partive opozitare. Edhe nga pikëpamja logjike nuk mund të pretendosh të demokratizosh jetën e një vendi pa demokratizim real të jetës së partisë.
Opozitës nuk i mungojnë strategjitë për fusha të caktuara të veprimit të saj politik. Ata kanë dhënë rezultate sa herë që kanë arritur të jenë të qarta dhe të zbatohen në mënyrë këmbëngulëse. Përmendim suksesin e strategjisë së saj për demaskimin e deputetëve të inkriminuar të mazhorancës në kuvend, strategjinë për sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar ndaj kanabizimit të vendit, e ndonjë tjetër. Por, nga ana tjetër, opozita nuk ka arritur të ketë strategji të zhvilluara në mënyrë të plotë që sigurojnë koherencën e veprimit të saj politik në të gjitha fushat, me perspektivë për sukses të sigurt. Strategji të tilla duhet të jenë shumëdimensionale dhe të zbatueshme. Për këtë ata duhet të bazohen në vëzhgime të thelluara për evidentimin e problemeve dhe të vështirësive që kalon populli në çdo sektor të jetës, për abuzimet e mundëshme të pushtetit, për alternativat e mundëshme të tejkalimit të tyre, përfshirë kostot përkatëse. Është e domosdoshme që opozita të bëhet e besueshme në akuzën e saj ndaj qeverisjes. Për këtë ajo duhet të shmangë nxirjen e situatës në çdo aspekt, të pohojë arritje dhe të përqëndrohet në probleme e shkelje reale, duke paraqitur prova. Ajo duhet të bëjë dallimin për mënyrën se si i ka menaxhuar vetë ata probleme kur ka qenë në qeverisje, ashtu siç duhet të bëjë autokritikë për gabimet që ka bërë gjatë asaj periudhe dhe të japë argumenta bindës se si do t’i zgjidhë në rast se do të vijë sërish në pushtet. Strategjitë janë vërtet efektive kur ata janë të plota e konkrete, evoluojnë sipas situatave dhe zbatohen me këmbëngulje e taktika të zgjuara.
Këmbëngulja për zbatimin e strategjive nuk duhet të ngatërrohet me konservatorizmin dhe kokëfortësinë. Ajo kërkon edhe fleksibilitet për të bërë kompromise të caktuara në negociatat me mazhorancën, të cilat sigurojnë arritje në një nivel të tillë që hapin perpektivë për më tepër progres në vazhdimësi. Të mohosh kompromise të dobishme për interesat e popullit, duke këmbëngulur në kërkesa të parealizueshme, do të thotë të mbetesh në vendnumëro në realizimin e tyre dhe të rritësh tensionet në mënyrë të panevojshme.
- Maturia në marrjen e hapave për procese kyçe në konsolidimin e demokracisë dhe shmangia e qëndrimeve emocionale dhe e improvizimeve
Nëse do të quaja disi të diskutueshëm vendimin e PD-së dhe të opozitës tjetër për marrëveshjen e majit 2017, do të quaja kryekëput të gabuara dy vendime të tjera të saj, siç janë lënia e mandateve të deputetëve të saj në fillim të vitit 2018 dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale të vitit 2019. I pranoj shumë argumenta që opozita ka sjellë për këto dy vendime politike madhore, të tilla si manipulimi i zgjedhjeve, kriminalizimi i qeverisjes etj. Por çfarë arriti opozita me braktisjen e strukturave të pushtetit legjislativ në nivel kombëtar dhe lokal? Arriti, në fakt, të ndërkombëtarizojë kauzën e saj në struktura të tilla si Bashkimi Evropian, në lobime të ndryshme në SHBA dhe në disa struktura të tjera. Por nuk arriti të sigurojë fitore substanciale dhe siguri se ato vendime do të rrisnin mbështetjen e elektoratit. Përkundrazi, ajo dëmtoi perspektivën e partisë, e shkëputi atë nga një pjesë e rëndësishme e elektoratit, madje përçau edhe partinë, siç e tregoi krijimi i opozitës së re parlamentare në kuvend.
Braktisja e kuvendit nga opozita solli zbehjen e përfaqësimit të elektoratit të tyre duke i lënë të pambrojtura interesat e tij përballë një qeverisje të kriminalizuar, siç pretendon opozita. Ky ishte një gabim i madh strategjik dhe taktik i opozitës. Braktisja e një parlamenti, qoftë edhe me ato gjynahe që thotë opozita, i hoqi vetë opozitës mundësinë për të shfrytëzuar rolin e saj në mbikqyrjen parlamentare, që është një gur themeli për demokracinë. Edhe pse është i vërtetë pretendimi i opozitës se mazhoranca përdor forcën e kartonave në miratimin e ligjeve në kuvend, ajo bëri nul të gjitha mundësitë e saj për të kërkuar llogari në zbatimin e ligjeve dhe të buxhetit që kalon kuvendi. Një monitorim i fortë i ekzekutivit nga opozita e kuvendit do të përmirësonte balancën e pushtetit në mbrojtjen e interesave të popullit. Ajo nuk shfrytëzoi mjetet dhe mekanizmat e mbikqyrjes parlamentare si dëgjesat, vota e mosbesimit, interpelancat, komitetet speciale hetimore, etj. Roli i tribunës së kuvendit dhe i linjave të funksionimit parlamentar nuk mund të zëvendësohen as me prononcime pa fund të liderit opozitar në media me akuza për shpërdorimet e pushtetit dhe të buxhetit nga mazhoranca.
Edhe braktisja e pushtetit lokal nga opozita i la dorë të lirë mazhorancës qeverisëse të marrë vendime të njëanshme, pse jo edhe abuzive. Edhe vendimmarrja për shkatërrimin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar nuk do të ishte aq e lehtë sikur opozita të ishte e pranishme në aulën e këshillit bashkiak. Prandaj ndodhi ajo që nuk kthehet më.
- Përbetimet e përsëritura për vija të kuqe nga lideri i opozitës dhe shkelja e tyre e vazhdueshme dëmtojnë rëndë besimin te lideri dhe te vetë opozita
Jemi dëshmitarë të ngjirjes së zërit dhe hakërrimit të liderit të opozitës sa e sa herë është ndodhur përpara momenteve të përballjeve të mëdha me mazhorancën, përfshirë edhe në protesta, shpesh masive. Ata kanë patur rolin e tyre mobilizues në disa momente por, më pas, kanë sjellë humbjen e besimit kur nuk është mbajtur fjala. Natyrisht, ngritja e zërit është pjesë e taktikës për rritjen e presionit te kundërshtari dhe për mobilizimin e masave. Por duhet llogaritur që ai zë të mos merret nëpër këmbë dhe të shpërfillet. Shpërthimet e një lideri duhet të zëvendësohen nga argumenti i qartë në fjalën e tij dhe nga veprime të matura. Siç thotë populli: “kafshatën e madhe haje, por fjalën e madhe duhet ta matësh mirë kur ta thuash…” Aksioni duhet menduar mirë, duhet pjekur mirë mendimi, format e veprimit dhe alternativat. Duhen ndarë përgjegjësitë, shtrirja territoriale, sondazhet reale dhe jo ngopja me lugë bosh dhe supozimet euforike e fiktive.
- Opozita duhet të ketë kurajo për ndryshim, të shohë të vërtetat në sy dhe të heqë dorë nga formalizmat e qokat
Çdo parti, aq më shumë një opozitë që këkon të vijë në pushtet, ka nevojë të pohojë arritjet e saj dhe të fitojë elektorat përmes promovimit të tyre. Por, mbi të gjitha, ajo duhet të promovojë të vërtetat dhe ndryshime të domosdoshme, edhe kur ato i sjellin disavantazhe të përkohëshme. Duhet thënë e vërteta edhe për protesta masive që arrijnë të shfrytëzojnë energji të mëdha popullore, por që përfundojnë pa arritur as objektivat minimale. Liderët e opozitës duhet të pranojnë gabimet në formulimin e kërkesave ekstreme, të parealizueshme të atyre protestave dhe të pohojnë qartë korrigjimet e nevojshme në vijim. Përndryshe, zbehet vijimi i frymës së protestave popullore.
Një opozitë duhet të ketë kurajo për të kapërcyer praktika që pengojnë konsolidimin e demokracisë, edhe kur ata i shërbejnë konsolidimit të pushtetit personal të kryetarit dhe udhëheqjes së saj. Një shembull tipik është tejkalimi i paraqitjes së kandidatëve për zgjedhje përmes listave të mbyllura dhe kalimi në lista të hapura. Një gjë e tillë duket sikur dobëson pushtetin e kryetarit por, në fakt, rrit cilësinë e kandidatëve dhe shanset e votimit të tyre më masiv nga elektorati si dhe cilësinë e përbërjes së grupit parlamentar opozitar me politikanë të përgatitur dhe me integritet. Kjo praktikë duhet të përfshijë edhe rinovimin e elitave të partisë, përfshirë vetë kryetarin.
Një e vërtetë tjetër që partitë duhet të shohin në sy është shkëputja përfundimtare e partisë nga mbështetja e « të fortëve » gjatë fushatave zgjedhore. Kjo bën që udhëheqja e partisë të mbetet peng i njerëzve që kanë lidhje me krimin dhe trafiqet që sigurojnë para të pista dhe do të përbënte garanci për qeverisje të pastër të opozitës kur ajo të vinte në pushtet.
Opozita duhet të heqë dorë nga formalizma dhe qoka në praktikën e saj të punës dhe të aksionit politik. Nuk lenë shije të mirë i njëjti tip deklaratash pas dështimeve të aksioneve politike. Populli nuk mund të pranojë lustrimin e situatave dhe as dështime që paraqiten si fitore. Vetë analizat në parti duhet të kenë pjekurinë për ta vënë gishtin edhe në mangësitë e programeve të partisë dhe në shkaqet e vërteta të dështimeve. Edhe aleanca opozitare duhet parë me realizëm, ashtu siç është pesha e vërtetë e partive. Duhet të marrë fund fryrja artificiale e të ashtuquajturave parti që, në fakt, janë një grup i vogël miqsh të kryetarit të saj dhe që synojnë vetëm sigurimin e përfaqësimit të kryetarit në listat e sigurta për deputet të partisë më të madhe opozitare. Duhet kuptuar se, në fakt, më pak do të thotë më shumë. Sepse ajo që ka rëndësi është të zgjidhen deputetë cilësorë dhe jo thjesht të merren ca vota më shumë.
Këto ishin vetëm disa ide se si mund të bëhet më efektiv aktiviteti politik dhe aksioni i opozitës në vendin tonë. Ato duhen parë si një përpjekje e sinqertë që mund të kontribuojë në konsolidimin e demokracisë në vendin tonë, që mund të pasurohet më tej nga njerëz me përvojë në teori dhe në praktikë.
———–
Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, Master i Shkencave për Sigurinë nga Universiteti Cranfield i Britanisë së Madhe dhe mban diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë. Është studjues dhe autor librash për sigurinë, integrimin dhe diplomacinë, shkrimtar, poet, eseist dhe përkthyes. Ka shërbyer si diplomat – Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO dhe ka kryer detyra të tjera në diplomacinë e mbrojtjes dhe në sektorin e arsimit.
Tiranë, 20 maj 2020