Ilir Çumani: VATHA E MILITANTËVE…
Para dy ditësh, në faqen time në facebook postova një foto, e ngjashme me ato imazhe që shpesh zënë faqet e para të shtypit të huaj dhe bëjnë xhiron e botës, duke mos i shpëtuar as publikimit të agjensisë ndërkombëtare të lajmeve Rojter, ku pasqyrohen ngjarje sensacionale të konflikteve në zona të nxehta kudo nëpër botë. Në fakt, ajo foto nuk kishte të bënte me realitete të këtyre vëndeve në konflikt, por me ngjarjet e fundit në kryeqytetin shqiptar, Tiranën, e cila fliste më shumë se imazhi që ishte fiksuar aty. Ishte një foto ku fiksohej si e gjallë, një prej skenave më rrëqethëse dhe më tronditëse e dhunës barbare policore mbi demonstruesit e paqtë që protestonin në të drejtën e tyre, pas aktit makabër të shëmbjes së Teatrit Kombëtar, një objekt i Trashëgimnisë Historike dhe Kulturore jo vetëm për Tiranën, por për mbarë Shqipërinë. Në atë foto, shfaqeshin disa policë që dhunonin pa mëshirë një student të Akademisë së Arteve. Njëri prej policëve, ai më i bëshmi dhe më fuqishmi me barkun e madh, i kishte lidhur duart me pranga të riut protestues dhe kokën i’a kishte bërë njësh me asfaltin e bulevardit ku protesohej masivisht. Ndërkohë, pa as më të voglin mëshirë, këpuca e tij ushtarake mbështeste të palosur fortë, po aq fortë, fytyrën e njomë e të “maskuar” me mjekër e atij studenti, që dukej sikur tregonte burrërinë e tij të parakohëshme, pamje kjo që të sillte në mëndje gijotinën ku u priteshin kokat skllevërve të pa bindur në mesjetë…! Nuk i di arsyet e asaj situate, por, cilatdo qofshin ato, ai gjest i shëmtuar dhune i një punonjësi policie të shtetit që në një situatë tjetër, mund të ishte edhe babai i atij studenti, më ka trishtuar, më ka angështuar në shpirt dhe më ka lënë pa fjalë. Njëri prej komentuesve, “shok” virtual me mua në rrjetin social, pas publikimit që i bëra kësaj foto në profilin tim në facebook, përmes një komenti më shkruan: “….Policia ka bërë detyrën, dhe ky gjest i policisë nuk është turp, siç po e quani ju, që i vini ca fjalë të pakuptimta e të pa llogjikshme…. Ç’farë donte ai student i arteve aty …!? , – pyet komentuesi “friends” në facebook dhe që, çuditërisht mban emrin e Kryeministrit tonë, Edvin.
Vendosa të mos i përgjigjem drejtëpërsëdrejti “mikut” virtual në atë status që kam publikuar, për një arsye të thjeshtë. Sepse, mes atij komentuesi dhe shumë të tjerëve që mendojnë ndryshe nga ai student guximtar që doli në shesh për të protesuar, janë dy mendësi që ndajnë dy botë të ndryshme.
Ai student dhe gjenerata e tij, kanë lindur dhe jetojnë në një tjetër Shqipëri nga ajo që kemi jetuar ne prej shumë dekadash, në zgjedhën e një diktature të pashembullt, duke na humbur një pjesë jo e vogël e dinjitetit njerëzor përmes mohimit që ai rregjim gjakatar i bënte individit, përmes mohimit të Lirive dhe të Drejtave që duhet të gëzoj çdo qënie njerëzore në vendin ku jeton. Me sa duket, një pjesë e konsiderueshme e gjeneratës tonë, nuk e kuptojmë siç duhet mentalitetin dhe botëkuptimin këtyre të rinjve, që, Lirinë e tyre të fituar në një tjetër kohë nga ajo e jona, ata e kanë më të shejntë se militantët partiakë fanatikë që sublimohen dhe flijohen në regjime diktaturash dhe autokratësh si idhujtarë të liderëve dhe partive politike që ato përfaqësojnë. Pra, Liria dhe dinjitet që ata kanë, nuk lejojnë tu cënohet, sepse ato prevalojnë mbi çdo interes të ngushtë, mbi çdo lloj forme diktature që na paraqitet e veshur me kuperturën e “parimeve” demokratike dhe sloganeve false mbi “Liritë dhe të Drejtat e Njeriut”, të cilat që përmes propagandës, paraqiten si të tilla ndër nesh nga një pushtet absolut që ka vënë në një dorë të gjitha pushtetet. Ne shqiptarët, në përgjithësi vuajmë nga sindromi i njohur i Stocholmit. Si një ves që trashëguam nga e kaluara jo shumë e largët e historisë tonë të dhimbshme, ndoshta edhe pa vetëdije, adhurojmë shtetarë dhe lidera me simptoma të qarta tiranie dhe mendësi autokrate. Adhurojmë dhe u përulemi me dinjitet të nëpërkëmbur dhunuesve dhe viktimizuesve tanë. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet ky lloj “solidariteti”, ku shumica ndër nesh manifestojnë mbështetjen e akteve të tilla të dhunës respresive që prodhon një rregjim autokratik dhe i korruptuar…A e kuptojmë se në ç’gjëndje ndodhet aktualisht shoqëria jonë, në ç’farë mjerimi politik, social dhe ekonomik, shpirtëror dhe moral ndodhen sot shqiptarët!? A e bëjmë dot dallimin mes nesh dhe shoqërive të zhvilluara dhe të qytetëruara kudo në botë, të cilat qeverisen nga politikanë të përgjegjshëm, dinjitozë, të ndershëm dhe të moralshëm, që nuk kanë asnjë ngjashmëri me profilin politik dhe staturën e politikanëve dhe liderave tanë të kapur nga krimi dhe korrupsioni…!? Kush nga liderët politikë në botën e qytetëruar demokratike, ka si qëllim, që në karrierën politike të synojë me kaq ambicie të shfrenuar për të mbajtur të mbërthyer prej 30 vjetësh karriken e pushtetit duke e konsideruar atë si çifligun personal, dhe më pas të zhytet në zullumet e pafundme të pasurimit përmes korrupsionit duke varfëruar popullin e tij…!? Ndryshe prej politikanëve tanë, ata investojnë dijet dhe kulturën që kanë marrë në shkollën politike, përvojën dhe potencialin e tyre duke dhënë kontribute të rëndësishme shtetformuese për 4 apo e shumta 8 vjet, e më pas, investojnë të përgatitin elitat e reja politike, për të zhvilluar përparimin e vendeve te tyre…!? Dhe së fundi, ajo që mbetet për tu thënë është se, nëse në vathën e militantëve bubërues, të ndarë në parcelat kënetore të politikës së ditës, do të kemi në mes tonë shërbëtorë pushtetesh, idhujtarë e adhurues të despotëve tanë autokratë me të ngjashmit e tyre nga të gjitha krahët e politikës, do të vazhdojmë të jemi këta që kemi qenë deri tani. Do të jemi të ndëshkuar dhe të destinuar të mbajmë në kurrizin tonë edhe për 30 vjet të tjera të njëjtët politikanë, për sa kohë do të udhëhiqemi me këto mendësi me tipare dhe zakone të nështrimit tonë ndaj zullumeve të tyre… Ai student protestues, që mund të ishte djali im, i yti, apo i të gjithëve ne, me aktin e tij të guximshëm rinor, frymëzon dhe inspiron çdo qytetar të këtij vendi.
Me gjestin e tij na mëson dhe na ndërgjegjëson të gjithëve se si duhet të reagojmë fuqishëm me një zë, frymë dhe në një mëndje, për të mos lejuar asnjë lloj diktature apo tirani që të ngushtoj hapësirat e Lirive tona, që synon të cënoj dinjitetin dhe vetëdijen tonë kolektive. Ndjehem i keqardhur që, një masë jo e vogël njerëzish në shoqërinë ku jetojmë, mendon dhe vepron ndryshe nga ai i ri ëndërrimtar dhe guximtar, i cili e ngre zërin me kurajo dhe di të protestoj për të qenë i lirë në lirinë e tij… Padyshim, ai dhe moshatarët e tij, në kohën e sotme përfaqësojnë një tjetër gjeneratë dhe një tjetër të ardhme nga ajo që kemi, për të mos patur mbi kurriz dhe nëpër këmbët tona politikanë dhe lidera nopranë e zullumqarë, të etur për para dhe pushtet, por jo për të bërë shtet…(!!!)