Silvana Begaj: O popull, sa shumë gjëra bëhen në emrin tënd, tim e të tyre!
Shikoj çdo ditë lajmet e vendit tonë dhe çdo ditë bindem me thënien e Penn: Bëni që njerëzit të mendojnë se po qeverisin e do të nënshtrohen.
Me sa kujtoj, u rrit nafta në Greqi me 10 cent dhe u dogj Athina, Franca po ashtu… Unë nuk dua të digjet Tirana. Ajo nuk ka faj… Unë dua të digjet mizoria që ne po tregojmë çdo ditë, çdo protestë, çdo reagim…
Ne kemi vrarë mirësinë, dashurinë, e po e vrasim çdo ditë e më shumë. Çfarë na ndryshoi kaq shumë? Dikur dhe një të njohur e kishe vëlla, sot dhe vëllain e ke më pak se të njohur…
Kam menduar se çdo gjë erdhi si pasojë e ndryshimit të sistemit nga centralizim në sipërmarrjen e lirë. Kush e di sa njerëz janë vrarë vetëm sepse dega e pemës së fqinjit binte mbi pjesën e tokës ku ndan gardhi i tij. Por këto nuk janë gjëra që ju nuk i dini.
Për këtë u dashurova me Aleksandin e Madh i cili para se të vdiste kërkoi që në rrugën ku do kalonte, pa jetë, t’i linin duart jashtë që të gjithë të shikonin që Mbreti i Botës vdiq me duar bosh. Si idealistë që jam mendoja se njerëzit nuk e dinin se nuk kishin lexuar mbi Aleksandrin e Madh. Kujtdo i sugjeroja që të lexonte dhe t’i bëja të kuptonin që askush nuk fiton dot as parajsën dhe as përjetësinë me mizori dhe etje për pasuri që nuk na përkasin.
Por të jesh i pasur nuk është as krim dhe as mëkat dhe as nuk të bën automatikisht njëri të keq. Ka shumë mënyra për t’u pasuruar. Deri këtu e kam kuptuar.
Ajo që nuk kuptoj dot akoma është si mund të idealizosh dhe të ushtrosh dhunë e të veprosh në emër të një partie ku drejtuesit apo pjesëmarresit e saj janë pasuruar në mënyrë të beftë dhe të dyshimtë.
Si popull të gjitha fatkeqësitë na kanë ardhur për shkak të politikave të gabuara ndër vite. Ne mund t’i mbyllim hesapet me të shkuarën, por a i mbyll ajo me ne?
Ndryshimi i ligjeve për pronat për shembull rriti krimin në familje e në shoqëri.
Ligjet me dy standarde na kanë lënë të pasigurt për sigurinë, qetësine, jetën etj.
Dhe keto nuk kanë ardhur nga asgjëja. Kanë ardhur nga drejtuesit, përfaqësuesit, të zgjedhurit tanë për interesat e tyre. Sepse ata, të gjithë së bashku, për interesat e tyre ngrenë dhe pllakat e bulevardit.
Sa bukur e thashë! Për interesat e tyre! Po ju, unë, ku jemi?
Unë, ju, ne vritemi, vrasim, dhunohemi, dhunojmë dhe mbi të gjitha përdoremi për të mbrojtur interesat e tyre.
I kemi zgjedhur të na përfaqësojnë dhe në të vërtetë dalim dhe i përfaqësojmë duke i ndjekur verbërisht se mos cenohen dhe të fitojnë pushtet. E kështu, historia përsëritet… Por kam një ngushëllim në fakt se e di që pas një përballje elektorale njeri nga ata do të humb. Sa keq!
Shqipërinë e kane mbuluar militantët. Zërat e militantëve nuk janë për popullin. Janë për kryetarin, kryetaret! Janë ata që flasin për asgjë duke qenë e vetmja gjë mbi të cilën dinë gjithçka. Kryetarëve të partive nuk iu preket as një qime floku, iu bëjnë njeri-tjetrit favore me miliona euro, kanë formuar familjet klanore ku bëjnë favore dhe marrin favore. S’kanë nevojë për të zhvilluar konceptin lidership sepse këto janë Qeveri që mbahen dhe mbështeten tek njeri-tjetri. Ata që humbin jemi ne, ata që ikim (një milion vitet e fundit) jemi ne, duke na hequr sigurinë për jetën, nuk ka drejtësi, nuk ka zhvillim ekonomik, sepse nuk ka shpresë. Sepse në Shqipëri nuk ka opozitë.
Duhet, sot, të vrasim frikën dhe të përfaqësojmë veten. Sot duhet të jemi bashkë për jetën tonë, për fëmijët tanë, për të ardhmen dhe për Shqipërinë dhe të recitojmë vargjet e Nolit:
Dhe një zë vëngon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet Beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta,
Dhe kudo gjëmon trumbeta:
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korrini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!