Artur Spanjolli: Në skaj të qiejve
Tregim
“Falë ligjeve të fizikës, shigjeta e kohës ecën vetëm përpara. Po të mos ishin këto ligje atëherë, ujrat nuk do të rridhnin në lumenj drejt deteve, shiu nuk do të binte, njeriu nuk do të ecte i mbështetur mirë mbi tokë, nuk do të plakej dhe ne do të jetonim në një gjëndje statike, si të ngrirë, pa kohë. Do të ishim një pikë në hapësirë ku gjithçka është e palëvizshme. Falë pra rrotullimit të hënës rreth tokës, asaj rreth diellit, që ne i japim kohës një kuptim. Deri këtu asgjë e re. Por mund të imagjinojmë një ekzistencë pa materje? Një ekzistencë të përbërë vetëm nga gjendje shpirtërore, ku llogjikisht ato më të lumturat do të kishin vëndin kryesor?! Në një botë të tillë, si në ëndërra, gjithçka do të fluturonte sipas dëshirave tona, sipas humorit tonë, sipas kujtimeve që chip-i i kujtesës do t’i servirte sipas vullnetit dhe kënaqësisë shpirtërore. Një botë pra fantastike, ku gjithçka do të varej nga ne. Meqë universi është i pafundë, meqë fantazia njerëzore është e pafundë, atëherë nuk perjashtohet fakti, që në këtë pafundësi kombinimesh në univers, të ekzistonte dhe një botë e tillë”!
Këto gjëra po mendonte Edi, kur i shtrirë duke medituar mundohej të kujtonte me ngulm, se kush kishin qenë momentet më të bukura në jetën e tij. Atëherë, kujtesa, sikur t’i ofronte dhuratën më të çmuar, diademën më të vyer të kurorës, vetvetiu filloi të shfaqte imazhet plot dritë të një pushimi. Shfaqeshin si në një film të kthjellët orët vezulluese blu, mbi një anije druri, dallgët plot shkumë të bardhë, rrëmuja e këndshme e melodive, qielli i kaltër plot paqe, dielli me rrezet e tij zemërgjëre dhe flladi bregdetar plot erë të mirë jodi që i pë-rkëdhelte lëkurën. Ja pra, duke ndjekur një ëndërr të bukur pushimi, ai do të kishte dëshirë ta përjetonte akoma, me shijen e fortë të përjetësisë atë moment sublim lumturie familjare. Por rrjedha e kohës është e pashmangshme, kthimi mbrapsh është vetëm një iluzion i pafat i cili vetëm kënaq dëshirën tonë më të zjarrtë. Qënia njerëzore ishte e prirur të shkonte drejt kërkimit të lumturisë. Asnjë qenje e ndërgjegjshme besonte, nuk donte të shkonte drejtë dhimbjes, tragjedisë, varfërisë, shkatërrimit moral dhe shpirtëror.
Pra, ai Edi, i zhytur në dritën e kujtimit, kujtesa i servirte tre sekuenca të mrekullueshme të jetuara në një ishull me familjen e tij. Ai, pra i shtrirë në kuvertën e anijes, duke krijuar kimera drite me sytë e mbyllur përdrejt diellit. Ai bashkë me familjen në një mbasdite që merrte zjarr nga dielli i qershorit në një shesh të Maltës. Më saktësisht në Medina. I veshur me këmishën e bardhë të lirit, pantallonat e teritalit, këpucët verore dhe kapelen me strehën mbrapsh. Ai pra, regjistronte ato momente të çmuara në kujtesën e ftohtë dhe besnike të celuloidit. Dëshira e tij e fshehtë për të përjetësuar momentet më të bukura, kishte bërë pra që teknologjia ta ruante të paktën të paprekur atë lumturi të skajshme shpirti, që gjithkush do e çmonte pa masë. Aty pra do të mbetej përherë, heshtja e nxehtë e një dreke mesdhetare, gurët e verdhë vullkanik të ndërtesave, pleqt e ulur nëpër hijet e sheshit dhe ajo ndjesi e fortë lumturie. Ai çlirim pa fund nga ankthi i mediokritetit, nga vrapi i jetës, ajo paqe çlodhëse, kur njeriu don veç të kenaqë shpirtin dhe trupin me bukuritë e natyrës dhe me atë çka njeriu ka ndërtuar në shekuj.
“Hajde Aldi. Të bëjmë një fotografi bashkë”, i ishte lutur mamaja djalit të vogël. Ai, vazhdonte me kapriçot e tij. Ngulmonte akoma ti blenin një lodër. Bënte gjithmonë kështu kur iknin me pushime. Kishte mbi krye një kapele kashte, nga ato të cilat blihen gjatë udhëtimeve të shumta me emrin e qytetit të shkruar mbi një fjongo. Kishte gjithashtu veshur një palë pantallona të shkurtëra verore, sandale lëkure dhe i mërzitur nga entuzjazmi i ekzagjeruar e prindërve, donte të ikte gjetkë.
“Je fiks si unë kur isha i vogël sa ty”, i thoshte babai Edi, ndërkohë që pretendonte një buzëqeshje dhe një përshëndetje për ta memorizuar përherë në celuloid. Të ishte një dëshmitar i kohës, një mbrojtës i flaktë i momenteve të bukura ishte një dëshirë e tij e hershme. Kish filluar shumë kohë përpara se të dilnin kamerat dixhitale për përdorim të gjërë, kur ai mundohej ti shkruante mbresat e tij. Një rekuperim kohe nëpërmjet emocioneve të zemrës. Sheshi, kishte një histori shumëshekullore. Kishte parë dhe jetuar kushedi sa momente të tilla në jetën e vet të gjatë. Kishte parë tmerrin e shumë luftërave, deri dhe dyndjet turke. Ky qytet i heshtur, Il-Belt is-Sieket, kujtonte deri dhe të motshmit fenikas të cilët kishin jetuar këtu shekuj më parë. Kujtonte mirë udhëtimin e shën Palit, pasi anija i ishte dëmtuar në brigjet e Maltës. Kujtonte arabët të cilët e kishin rrethuan me mure të trashë në të largtin 870, duke e ndarë qytetin nga Rabat-i. Kujtonte tërmetin e tmerrshëm të 1693, kur kalorësit maltezë endeshin gjithkund si prinjës të vërtetë me mendjen drejt Tokës së Shenjtë. Kjo kujtesa e tanishme e grabitur nga teknollogjia ishte veç një grimcë e papërfillshme përballë oqeanit të kujtesës që ajo bartte. Edi vazhdonte të regjistronte, por asgjë nuk do ta shprehte, përveç fjalës, apo tingullit, apo ngjyrës së filtruar në ndërgjegjen e artistit atë moment përjetësie. Vetëm kujtesa e njeriut, memorja e gjallë, e filtruar në ndjeshmërinë njerëzore, mund ta bënte mrekullinë. Vetëm, koha e cila zbukuronte dhe sublimonte gjithçka të bukur, mund ta ruante atë sipas humorit të zemrës. Edi i dinte të gjitha këto, por i pëlqente të ndihmonte kujtesën herë herë gënjeshtare. Gjithçka do të mbetej përherë kështu, një fluturim i lehtë gimcash drite, një valle e shndritshme në formë hareje pa fund, mbi një sfond qielli të tejdukshëm si një shpirt i dlirë shenjtori. Për fat të keq, lumturia, si gjendje shpirtërore ishte aq fluturake dhe e shpejtë sa ikte gjithnjë me vrap, ndërkohë që dhimbja, trishtimi, ankthi, edhe pse njeriu donte t’i kalonte shpejt, ato pra, momentet e rënda kishin gjithmonë efektin e kundërt. Ato pra, bëheshin si plumb dhe zvarriteshin në kalldrëmin e kohës. E bënin njeriun që ta ndjente peshën plot acid, atë zhavorr kërrcitës nëpër nofullat e rënda në shpirt.
Edi pra, do të donte t’i zgjaste këto çaste lumturie fluturake, kur ekzistenca ishte një flutur vezulluese shumëngjyrshe që praronte nga rrezet e diellit, ishte si një fllad plot parfum vere, nën hijen e butë dhe të këndëshme të një peme të gjelbër, (por e gjelbër plot dritë mahnitëse brënda, si e ndriçuar nga një perëndi e fshehtë). Edi donte që gjithçka të ishte një hov rinor dhe plot diell përndritës ndjenjash të lumtura, kur zemra donte veç të lodronte si një fëmijë. Dhe ku bukuria e ekzistencës merrte kuptimin e saj më të thellë. Ja pra pse Edi mundohej t’i kapte, ngjeshte, t’i ngrinte ato çaste diku. “Eja Aldo. Eja ta bëjmë një fotografi bashkë”, i thoshte. Dhe buzëqeshja pas një dreke të mirë me verë të bardhë dhe fruta deti ishte aq e natyrshme, plot dlirësi të bukur. Përpara Kishës së shën Palit në Rabat, afër shpellës ku apostulli ishte strehuar dikur, e gjetën sheshin të mbushur me njerëz. Me sa dukej kish vdekur një person i rëndësishëm i qytezës së pushtuar nga dielli zemërgjërë. Ishte një qytezë aq e vogël, me rrugica të pluhurosura nga shekujt dhe harresa sa gjithë pleqt, si në Greqi, Sicili apo gjethkë, uleshin pranë pragur të shtëpisë, nën hijen plot dritë të nxehtë mesdhetare, dhe thyenin heshtjen e pasdites duke vështruar me sytë plot rrudha rrugicat pa shpresën e një rimëkëmbje. Të dorëzuar tashmë nga jeta, si marinarë në pencjon, prisnin orën e fundit, pa ankth, pa trishtim, por më një durim prej njeriu që e ka shijuar jetën. Pasi kaloi funerali, Jezusi fitimtar mbi vdekjen, me kurorën e tij të artë përreth kryes, me duart e hapura dhe veshjen e kuqe, i piktuaruar mbi fasadë, dukej sikur fliste nga pafundësitë e kozmosit. Premtonte ndoshta një përjetësi dashurie që e kishte shprehur me veprat e tij?
“Nëse lumturia ka një emër” mendoi, “atëherë ky emër gjendet diku këtu! Mes këtyre rrugicave të heshtura, në këtë qytet të humbur dhe të largët, ku momenti, me ulërima drite dinte ta shprehte gjendjen e vet të lumtur. Edi mendonte këto gjera dhe i pushtuar nga një ngazëllim i paparë, i përmbajti me zor lotët e një lumturie të thellë. Ngriti kryet dhe pa mozaikun e Krishtit. “Magnus, Sanctus, Cristus!” lexoi, dhe përqafoi fort trupin erëmirë të djalit dhe bashkëshortes së tij. Bënin shpesh përqafime grupi.
Ai do të donte, pse jo, një botë, një ekzistencë, (dhe nuk ishte e pamundur ideja e tij) ku ai, me vullnetin e tij, do të mund ta perjetësonte çastin më sublim, dhe ta zgjaste atë deri në pafundësi. Dhe t’i kalonte shpejt, momentet më të vështira të jetës. Do të donte një botë utopike ndjenjash ku koha të ishte vetëm një copëzim, përzgjedhje e momenteve të mrekullueshme, të paharrueshme. Ato që skalitnin mirë në kujtesë ndjenjën e bukur të lumturisë.
Malta e parë me sytë e një vizitatori ishte si një vegim erëmirë dielli përvëlues. I pushtuar gjithkund nga drita, arkitekturat, ajo tokë e thatë me shkurret si në shkretëtirë, hijet e lëvizshme të pemëve me muret epike përreth ku shushurima e gjetheve sillte ndër mënd këngën që vinte përtej shekujve. Gjithkund, gjithçka, e dinte mirë se do të jetonte gjithmonë brenda tij, por e trasformuar, e idealizuar ndoshta, sipas dëshirës kapriçoze të shpirtit. Kjo ishte parajsa që kishte njohur deri në ato momente. Të ishe aty me dashuritë e zemrës, i lumtur me atë ç kishte përreth. A nuk ishte lumturia e thjeshtë? A nuk kishte ajo nevojë veç për pak gjëra elementare? A nuk ishte ajo e bukur dhe e mrekullueshme? A nuk kishte nevojë ajo veç për pak momente të vrullshme drite? Në ndergjegjen e tij tashmë nuk quhej Malta, por Mjalta. Ato pallate me dritare të pergjumura, ai tis pluhuri shekullor mbi shkëmbinj pa moshë, dhe ai det i tejdukshëm ngjyrë turkeze ku peshq të kuq dhe blu shkisnin si në një botë ëndërre.
Ishte një botë ëndrre. Një ëndërr e mrekulluar nga gjendja e tij shpirtërore. Edi rrinte tashmë mbi shkëmbinj. Ato të dy, Aldo dhe Mira. atje poshtë mes dy shkëmbinjsh, notonin të lumtur mbi një det vezullues plot jeshile, blu dhe turkeze të tejdukshme. Dhe dielli, ai dielli i pashmangshëm, lozonjar, plot rreze të bujshme që piqte lëkurën por dhe shtonte atë ndjesi gazi dhe ngazëllimi pa fund. “Eja Edi. Eja lahu me ne!” Ai tani po zbriste shkëmbin drejt atij deti si një shpirt i dlirë dhe i tejdukshëm blu, ku nuk gjen asgjë tjetër veç dashuri, dlirësi dhe bukuri. Mes gurëve të bardhë ku thyheshin këmbët e tyre nën ujë, peshq të kuq dhe vishnje shkisnin me tufa. Lodronte zemra si një fëmijë, kishte pasur pra, momente më të lumtura? Nga anija prej druri atje tej, dikush si me magji kishte ngritur zërin e manjetofonit. “The edge of Heaven!” i Wham-ave. Thyerja e dritës së kristaltë mbi sipërfaqen e lëvizshme të ujit, dukej si vallja e lumturisë në skajet më të largët të qiejve që njohim. Ka qenë vallë njeriu më i lumtur?
“Mira. Ne po shkojmë të marrim një akullore”, tha dhe i kërkoi dorën djalit të tij Aldos. E bënë si lojë, të iknin duke rendur drejt dyqanit. Sheshi ishte i mbushur me turistë. Gjithçka ishte sistemuar nga dora njerëzore me një hijeshi dhe bukuri prej artisti. Harmonia e gurëve të skalitur nëpër arkitektura kishte bukurinë e qyteteve ideale të cilët vetëm nëpër ëndërra i kishte parë. Pasi morën akulloren e lëpinin tani të ulur në një stol nën hijen e një bliri të lartë. Ishin të bukura momentet mbas plazhit. Kur ato me lëkurën e përkëdhelur nga dielli, bënin një dush, hanin me ëndje dhe pastaj dilnin shëtitje me një ndjesi shlodhjeje dhe paqe të brendëshme.
Ishte shumë bukur dhe shlodhëse të shëtisje me idenë për të mos shkuar asgjëkundi. Thesht të shëtisje. Pushimi dukej pra si një arritje e qenjes njerëzore. Të shijoje gjithçka pa asnjë kokëçarje. Njerëz të panjohur kalonin nga të tëra anët. Edi pati një deja vu. Iu duk sikur kishte qenë aty dikur, i shoqëruar nga dashuritë e jetës së tij, duke lëpirë akullore, në një epokë tjetër, në një dimensjon tjetër, në një frekuencë tjetër, dhe ai moment, nuk ishte veç shumëfishimi i një gjëndje shpirtërore që përsëritej në përjetësi, sipas shijes së zemrës. Gjithçka atëherë kishte ekzistuar, ekzistonte dhe do të ekzistonte gjithmonë. Veç perceptimi i tij, shqisat pra nuk ishin të afta ta deshifronin ta kuptonin. Atëherë, tek dëgjojne këngën e turtulleshave që dashurohen poshtë degëve, cicërimat e zogjve dhe këmbënguljen ulëritëse të gjinkallave, e dinte se ai moment i lumtur familjar mund, duhej te ishte gjithkund. Mund të gjendej në çdo parajsë që imagjinata njerëzore kishte shpikur. Mund të ishte në Shpirtin e Gjithësisë, mes njerëzve që i donte fort por të cilët gjendeshin larg, mund të ishte mes atyre që nuk jetonin më, ose në rrahjen e zemrës së një fëmije ende të palindur. Mund të ishte pra, falë lumturisë së çastit, në zemrën, në dashurinë e gjithkujt. Dhe kjo ishte e mrekullueshme. Një kohë pra, mund të ishte gjithë kohët, dhe një vend, gjithë vendet. Ky ishte pra privilegji i lumturisë, ku drita brenda tij e bënte të përhershëm, të pafundë. “Kurrë nuk kam qenë kaq i lumtur!” i pëshpëriti bashkëshortes e cila e shprehte tërë gazin e brendëshëm me dritën plot ekstazë që vezullon në bebet e sajë. “Përse të mos jetonte gjithmonë kështu njeriu?!” pëshpëriti duke lëpirë akulloren. Tek sheshi i vogël, Aldo, pasi kishte kullufitur akulloren me padurim, tani rendte pas një grupi pëllumbash të cilët fluturonin të trembur nga agresjoni i fëmijës. “Aldo” i thërriste me zë të lartë. “Eja se do të tregoj diçka të bukur!” Por fëmija ishte i dhënë tërësisht me gjahun fëmijëror të pëllumbave.
“Shpesh, kur shoh videot e vjetra!” tha Edi, ndërkohë që ndiqte me sy Aldon e argëtuar pa masë, “më duket se gjërat më të bukura në jetë, akoma nuk i kemi bërë!”
“Optimizmi është një filozofi shumë e mirë për të jetuar!” ia kthen Mira.
“Këto janë momente me të vërtetë të çmuara. Nuk kanë çmim. Janë ar i pastër për shpirtin. Unë nuk kam keqardhje. Pastaj mendoj, se ky çast nuk vjen më, por diku në hapesirë do të jehoj gjithmonë. Për këtë çast pra, një ditë do të kemi nostalgji. Do të ënderrojmë të ishim prap këtu. Gjithmonë. Pra ta jetojmë fort këtë çast!”
“Vetëm pse jeta është nje kalimshe, është aq e mrekullueshme!” shtoi ajo.
“Tani jemi këtu. Si në mes të një ëndërre të bukur ku ka veç diell, paqe, lumturi, dashuri për gjërat që po i zbulojmë për herë të parë. Netë të thella plot yje të panjohur, një det ku ëndërrat nuk kanë kufi dhe dielli i ngroh çastet me një mirënjohje qiellore, sikur të ishim mes lulesh erëmirë. Ja pra. Tani jemi këtu, dhe unë, nuk e di, por mua më vjen për të qarë! Ja, në një gjëndje të tillë shpirtërore do të doja një ditë të largët, ta mbyllja jetën. Kjo është dashuria. Dashuria e thellë për gjithçka”!
“Ti beson se parajsa ekziston”?!- e pyeti ajo.
“Unë nuk e di nëse parajsa ekziston. Nuk kam qenë ndonjëherë përtej jetës. Por arrij te kuptoj një gjë. Nëse ekziston ka këtë shëmbëlltyrë. Ka këtë dritë përjetësie. Ka këtë bukuri të pashprehshme fjale, drite. Ka këtë erë të mirë familje, dhe shpirti pra. Shpirti yt, shpirti im, ndjejnë brenda këtë muzikë hyjnore dhe ku gjithçka është aq e bukur, aq e lehtë, aq erëmirë sa ti do të ndalosh çastin përgjithmonë. Ta shtrëngosh fort sepse don që ai çast mos të vdesë kurrë! Don të bëhesh i pafundë, i përhershëm”! Edi tha kështu dhe dy lotë të nxehtë i rrodhën nëpër faqe. Ai vuri syzet e diellit për të fshehur mallëngjimin, dhe u përqafuan tek stoli i drunjtë i atij vëndi të panjohur. Një muzikë e ëmbël ere, shushurimë gjethesh erëmirë, si një frymë hyjnore zbriste poshtë nga ai qiell i kaltër dhe dukej sikur bekonte gjithçka me pëshpëritje të padukshme. Pak më larg ishte Aldo. Tani i ulur po përkëdhelte një qen të vogël leshator të bardhë. “Poeti im!” mendonte ajo dhe i përkëdhelte dorën.
“Koha është një kalimshe. Gjithçka tjetër është iluzjon. Janë ëndërrat, dëshirat tona, fantazia jonë që nuk mposhtet. Nuk dorëzohet dhe ne duam që gjithçka e bukur të jetë e përjetshme”! shtoi ajo.
“E din ti ç’mendoj unë”, tha Edi. “Unë mendoj se dashuria, jeta është diçka tepër e mrekullueshme dhe misterjoze për të qenë e rastësishme. Mund të jetë i rastësishëm kombinimi i elementeve në natyrë. Mund të jetë i rastësishëm që njeriu din të arsyetojë, por dashuria nuk mund të jetë e rastësishme. Është e pamundur! Këtu ka diçka shumë më të thellë këtu. Sepse gjithçka në natyrë është e dashuruar me diçka tjeter. Era me gjethet, deti me rërën, ajri më tokën, dielli me gjithçka, njeriu me yjet! Gjithçka është e dashuruar në natyrë!” Pastaj, mbasi ndezi një cigare shtoi. “Kudo ku kemi qenë bashkë. Venecia, Roma, Iskia, Barcelonë, Paris, Lisbona, kudo ku kemi kaluar momente lumturie, gjithmonë kam dashur me tërë shpirtin të mund ta lëçitja kohën, të ndaloja ligjet e fizikës dhe të mbetesha skllav i atyre momenteve”!
“Ah sikur të ishte e mundur”!
“Vetëm Jezusi e coptoi kohën fizike. Ai shfaqej në disa vende, u materializua gjithkund, ngjalli të vdekurin dhe shëroi të sëmurin. Duhet të jeshë hyjnor, të mund të bësh diçka të tillë. Ai po, që i mposhti ligjet e fizikës! Kjo tregoi se Drita e ka këtë fuqi”!
U ngritën. Mira kërkonte me ankth Aldo-n, i cili për disa çaste i kishte humbur nga rrezja e kontrollit. Koha në keto çaste të lumtura kalonte aq shpejt. Fluturonte si rrezet e diellit në një gjëndje gëzimi pa fund. Ajo kohë të cilën ligjet e fizikës e mbanin nën kthetra, por e cila në dimensione të tjera, në frequenca të tjera jete kishte një kuptim krejt tjetër.
E kishin planifikuar prej shumë kohësh këtë udhëtim në Maltë dhe falë kohës, stinës dhe njerëzve, gjithçka ishte e bukur dhe e organizuar si duhet. Shëtitjet pas darke. Ditët e plazhit tek pishina pranë hotelit, shëtitjte me autobuzë nëpër qytetet e tjera të ishullit. Në ishullin e Gozzo-s, u mahnitën fare nga bukuria e pejzazhit. Emri Gaulos, vënë për shkak të qarkores së rrahur nga dallgët, e kishte prejardhjen nga greqishtja e lashtë. Aty morën vesht nga ciceroni se në vitin 1551, turqit i kishin marrë të tërë banorët e ishullit dhe i kishin dërguar në Libi nën kërcenimin e armëve. Ishte e pa imagjinueshme, si mund të dëboje një popull të tërë nga trojet e veta! Të tre ishin shumë të lumtur dhe ajo lumturi zgjati plot 7 ditë. Një lumturi aq e thellë, aq e mallëngjyeshme, aq e bukur dhe me dritë. Një lumturi e cila me siguri shëmbëllente me atë parajsën e imagjinuar nga të gjithë njerëzit nëpër kohëra, epoka, vende të ndryshme të botës.