Asnjë marrëveshje s’mund të jetë më e dëmshme sesa tentativa për të penguar një të tillë
Ndue Ukaj
Mjedisi ynë politik është i varfër dhe pa traditë, për shkak të mentalitetit dhe të trashëgimisë, ndaj, deri në ditët tona, s’ kemi mundur të krijojmë shkollë kombëtare ose shtetërore të dashurisë për vendin. Ne kemi formuar parti, kemi përqafuar ide e ideologji, por s’ kemi krijuar shkollë të vërtetë të dashurisë për vendin, një shkollë që arrin t’i tejkalojë uniformat e ngushta dhe s’e fragmenton popullin në të mirë dhe në të këqij, në heronj dhe në tradhtarë.
Për fat të keq, historia politike shqiptare njeh pak lëvizje të mëdha dhe të shëndetshme kombëtare.
Ndryshe nga ne, popujt tjerë me traditë në punët e shtetit, shkollën e dashurisë për shtetin e kanë organike dhe ajo s’ varet nga partia e ideologjia. Me këtë dua të them se, një gjerman, italian, francez, suedez… e do vendin e vet dhe beson se vendi i tij është më i mirë, jo pse i thotë kryeministri, partia, ideja a ideologjia, por se është mishëruar me të, jeton me të, duke e ndjerë kombin e shtetin si diçka organike, si diçka që jeton brenda qenies së tij, në mendimet dhe botëkuptimet e tij.
Humusi ynë s’e njeh një nivel të tillë të emancipimit.
Përkundrazi, historia shqiptare është përplot kontradikta e politikanë batakçinj, të zotë të luftojnë njëri-tjetrin e t’ia nxjerrin sytë, por njeh fare pak politikanë të mençur që i dhanë shtytje e dinjitet përparimit kombëtar.
Duke u marrë me intriga, thashetheme, me rrëfime historike e tentativa për të përftuar hapësirë në histori, ata kanë harruar detyrën themelore të politikës, që është zhvillimi dhe përparimi i një vendi. Kjo është njëra nga arsyet kryesore pse jemi nga popujt më të varfër dhe më të shkretë në Europë.
Sepse, në esencë politikën dhe misionin e saj s’ e kemi kuptuar, ndonëse flasim më së shumti për të.
Politika ka kuptim dhe vlerë vetëm kur kthehet në koncepte zhvillimore, për më shumë dritë, rrugë, shkolla, libra, mirëqenie, nder dhe respekt ndërkombëtar.
…
Përpjekje për të krijuar konstitucion shpirtëror shqiptar dhe rrjedhimisht shkollë kombëtare të dashurisë, kanë bërë shkrimtarët shqiptarë, që nga Pjetër Bogdani e këndej, me Rilindjen Kombëtare dhe periudhën e viteve të pavarësisë kombëtare, që u vazhdua deri kur mbi shqiptarët ra dergja komuniste.
Ndërkaq, lëvizje politike të kësaj natyre, kemi pak dhe figura shembullore, po ashtu.
Këtë trashëgimi të vlefshme kulturore e identitare, në Kosovë e përtëriu në mënyrën më shembullore Ibrahim Rugova, bashkë me elitën kulturore të kohës.
Ai – si udhëheqësi i madh i shqiptarëve, ndoshta nga më të mëdhenjtë në historinë tij qindvjeçare, me një gjuhë të përkorë, e humanizoi mendimin politik dhe Kosovën arriti ta vendoste në hartën politike të botës së lirë si një vend të qytetëruar politikisht, ndonëse në një rajon të paqytetëruar politik. Dhe kjo qe fitore e madhe, ndoshta më e madhja e qindvjeçarëve, që u shpërblye me përkrahje të jashtëzakonshme ndërkombëtare për kauzën tonë.
Imagjinojeni sikur atëbotë të ishim udhëhequr nga politikanë të egër, se ku do të kishim përfunduar?!
Rugova, me mendime, me veprime dhe sjellje prej politikani fisnik arriti të plekste etikën me politikën, për ç’gjë u admirua nga e gjithë bota e lirë. Kështu, krijoi themelet i një shkolle politike shtetërore dhe jo partiake, ndaj në ligjërimin e tij, ai shpesh e vinte theksin te nevoja që të mësoheshim të logjikonin si shtet.
Vendit tonë sot i mungon një logjikë e tillë politike, sidomos kjo logjikë i mungon një pjese të spektrit politik, që pretendon se të vërtetat gjinden vetëm brenda hambarit të tij.
Rugova s’bënte kundërshtarë – as të jashtëm e as të brendshëm – kurse atë të mundshmit, mundohej t’i mirëkuptonte dhe i respektonte.
Ai s’bënte karrierë politike, duke e poshtëruar askënd, duke turfulluar ose duke krijuar armiq politikë, por kudo dhe kurdo, me besim e dije, tregonte vlerat e tij politike dhe rrugën e tij.
Ai, ndonëse pa shtet dhe pa institucione të njohura ndërkombëtarrisht, pritej me respekt e admirim në të gjitha shtetet perëndimore, më mirë se ç’priten sot të gjithë udhëheqësit shqiptarë bashkë.
Zaten, është vështirë të besosh se sot dikush në botën perëndimore e pret ndonjë nga udhëheqësit shqiptarë me respekt!
Dhe natyrisht, arsyet e kësaj degdisje, s’janë në Bruksel, Uashington, Londër, Paris, Berlin, Romë a Madrid. Ato janë mes nesh, brenda nesh dhe burojnë nga mjedisi ynë stërkequr, ku kufijtë e normalitetit dhe jonormalitetit janë zhdukur.
Ndaj, më duken kukurisje të pështira dhe të pakuptimta krejt shigjetimet që i janë bërë dhe i bëhen Uashingtonit e Brukselit, nga ish kryeministri e kryeministri në detyrë, nga presidenti ose nga ndonjë halldup që sorollatet nëpër media, duke tentuar me çdo kusht të gjejë një armik të Kosovës diku jashtë.
E meqë ne si komb kemi kujtese të shkurtër, duhet ta përsërisim shpesh:
Amerika dhe vendet e perëndimit përfaqësojnë vlerat më sublime të lirisë dhe në saje të këtyre vlerave, ne u çliruam dhe u pavarësuam. Kjo është e vërtetë politike dhe historike. Pretendimet tjera janë ligjërime kuturu që bëhen për kusure të brendshme, në një mjedis të egër politik, ku të krijosh armiq e kundërshtarë, mund të shpërblehet me një grusht likesh në FB dhe një grimë pushtet.
Prandaj, janë krejtësisht të pakuptimta, pretendimet se një udhëheqës i Kosovës po e mbrojtka Kosovën, sepse dikush nga perëndimi po dashka ta prishka atë. Këto janë anomali dhe ashtu duhet trajtuar.
Këso paranoja di të prodhojë vetëm rajoni ynë i çoroditur, ku politikanë të pa mençur propagandojnë gjithçka e ku mendimet shterpe bëhen dogma e gëlltiten lehtësisht nga tufa të verbuar që në botën e internetit kanë gjetur hapësira të bollshme ku mund t’i shpërfaqin marrëzitë dhe turfullimat e tyre.
Duke u nisur nga vlerat që përfaqëson perëndimi, nga përvoja dhe nga puna e madhe që shtetet perëndimore kanë bërë për të realizuar synimet tona politike, mendoj se asnjë marrëveshje politike mes Kosovës dhe Serbisë, e përkrahur nga Amerika e Europa, s’mund të jetë më e dëmshme sesa tentativa për të penguar një të tillë.
Sepse, tentativa për të penguar një marrëveshje, mund të na lë jashtë sferës së interesimit të perëndimit, dhe për ne, sa herë kemi mbetur jashtë kësaj orbite, janë hapur portat e ferrit.