Albspirit

Media/News/Publishing

Kushtetuta në veprim në pamundësi për të qenë në interpretim

Margarita Kola: Vendimi i firmosur i Metës, KQZ nuk ka tagër për ...

Dr. Av. Margarita Kola 

 

Alexis de Tocqueville ka thënë “Demokracia është pushteti i një populli të informuar”.

 

Kam dëgjuar këto ditë një refren të përsëritur nga kokat e “mëdhaja politike”, por edhe nga ithtarët e prishjes së teatrit që ne jemi mazhoranca (zoti) dhe vendosim ne dhe vetëm ne se cfarë të bëjmë me fatet tuaja. Kjo është shumë e rëndë për t’u dëgjuar dhe shumë e ulët për t’u gëlltitur gjithashtu.

Të jesh mazhoranca në demokraci, sepse vetëm në demokraci ka kuptim të flitet për mazhorancë, nuk do të thotë që vendimet që ti duhet të marrësh janë në kundërshtim me ligjin dhe të zbatohen dhunshëm pa kosultime publike dhe pa tërhequr mendimin e ekspertëve. Të jesh mazhorancë në demokraci do të thotë që ke legjitimitet për të qeverisur dhe cuar përpara programin politik sipas dhe me llogaridhënie.

Shkeljet ligjore nuk përligjen nga fakti që je votuar për të qeverisur. Dhe meqë makineria propagandistike mediatike ka ndezur motorrat përsëri dhe si kurrë mëparë do të na duhet të kujtojmë edhe njëherë se ligji është i njëjtë për të gjithë.

Për shumë miq të mi që më kanë pyetur dhe pyesin vazhdimisht se çfarë shkeljes ligjore ka tek shembja e Teatrit Kombëtar po i rendis edhe njëherë me kujdes dhe qëllimisht sipas një rradhimi llogjik:

  1. Trualli i Teatrit Kombëtar nuk duhet t’i kalonte Bashkisë së Tiranës. Vendimi i qeverisë qendrore është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kodin e Procedurës Administrative. Kështu i bije që edhe trualli i Akademisë së Shkencave, Ministrive, Parlamentit etj t’i kishte kaluar Bashkisë së Tiranës.
  2. Vendimi për shembjen e teatrit është marrë pa pasur një leje ndërtimi për teatrin e ri. Nuk prishet asnjë ndërtese e tillë nëse nuk kemi leje për ndërtimin e një ndertese tjetër. Bashkia e Tiranës nuk ka asnjë leje ndërtimi për një teatër të ri.
  3. INUK ka ndërhyrë për shembjen pa pasur një vendim shembjeje, pra në mënyrë të jashtligjshme.
  4. Vendimi i Këshillit Bashkiak nuk ishte i formës përfundimtare. Do duheshin 10 ditë që të pritej që ky vendim të konsiderohej përfundimtar.
  5. Për aq kohë sa ishte drejtuar një padi drejt Gjykatës Kushtetuese për themelin e ligjshmërisë së vendimit të qeverisë për kalimin e pronësisë së truallit Bashkisë së Tiranës asnjë veprim tjetër nuk duhej të ndërmerrej sepse çdo veprim i tillë i mëtejshëm përbënte pasojë juridike të këtij vendimi të Bashkisë dhe nulizmi dhe anullimi i efekteve varej nga pavlefshmëria absolute ose relative e këtij vendimi të Bashkisë.
  6. Padia drejtuar Gjykatës Kushetuese u dërgua edhe me një kërkesë për të pezulluar shembjen e Teatrit Kombëtar deri sa të shprehej Gjykata Kushtetuese për themelin e kushtetueshmërisë së vendimit të qeverisë. Pra shembja përsëri nuk duhet të ndodhte.
  7. Asnjë vendim dhe veprim prishjeje bazuar mbi bazën e një raporti ekspertize që është kallëzuar në SPAK nuk duhet të ndërmerrej sepse në kuptim të Kodit Penal dhe të Procedurës Penale është vepër penale me elementët objektivë dhe subjektivë të cilësuar si “zhdukja e provave të krimit dhe nga vendi i krimit”.
  8. SPAK si një strukturë e dal nga reforma në drejtësi pa pasur nevojë edhe për kallëzim penal por në mënyrë kryesisht duhet të kishte filluar hetimet menjëherë dhe të kishte vendosur bllokim të çdo veprimi që mund të bëhej mbi teatrin si ndërtesë (duke vendosur sekuestro mbi godinën) për shkak se kjo godinë duhej të konsiderohej si vend hetimi.
  9. SPAK gjithashtu duhet të hetoj shkeljet ligjore të policisë dhe shtetarëve të tjerë që urdhëruan përdorimin e dhunës. Nuk dimë akoma se për çfarë është duke hetuar SPAK dhe kush do jetë akuza e ngritur prej tij.

 

Hapat ligjore të ndërmarra deri tani nuk kanë shteruar të gjithë mekanizmat ligjorë që mund të ndiqen në lidhje me çështjen e teatrit. Këto hapa të ardhshëm mund të përbëhen nga:

  1. Ngritja e një padie administrative e shoqëruar me një kërkim sigurim padie (për ndërprerjen e cdo veprimi tjetër mbi truallin e teatrit) e cila duhet të kërkoj pavlefshmërinë e aktit të nxjerrë nga bashkia si një akt i nxjerrë në kundërshtim me ligjin.
  2. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit duhet menjëherë të aktivizoj procesin e referendumit duke depozituar kërkesën për referendum në bazë të firmave të qytetarëve dhe në kushtet e prishjes së teatrit në këtë referendum qytetarët të shprehen për ndërtimin siç ishte dhe ku ishte te teatrit kombëtar. Rezultatet e këtij referendumi do të jenë përcaktuesi se çfarë do të ndodhi me fatin e mëtejshëm të teatrin të prishur dhe atij të ri.
  3. Ngritja e padive penale nga cdo i dhunuar rast pas rasti gjithashtu do të çlegjitimojë “moralin” e dhunës shtetërore nëse do të tentohet ndoshta përdorimi i saj në përpjekjet ndaluese për ndërtimin e një teatri të ri mbi gërmadhat e të vjetrit.

Në kushtet kur mazhoranca është në llogoren e diktaturës dhe parlamenti është gjithashtu pa opozitë efektive është utopi të mendosh se shkatërruesi do të bëhet rindërtues. Gjithashtu, në kushtet e një besimi të thyer gjerësisht të qytetarëve nga opozita mekanizmat e zgjidhjes së çështjes së shkuar deri në fund të teatrit duhet të jenë ligjore.

Politika do ta shfrytëzojë si kauzë teatrin dhe kjo është detyrë dhe nevojë e saj por zgjidhja e cështjes së mbetur të teatrit (pra ku, kur dhe si do ndërtohet teatri i ri) pas prishjes së godinës egzistuese nëpërmjet një referendumi do t’i kryej tri shërbime të mëdha demokracisë shqiptare:

a) rikthen besimin tek qytetarët se ka mekanizma kushtetues të cilët mund të përdoren në demokraci të cilat e zbresin demokracinë nga niveli përfaqësues në nivelin e demokracisë së drejpërdrejtë,

b) krijon shtratin e zhvillimit të një kulture të operimit kushtetues pra e sjell në ekzistencë kushtetutën në veprim edhe në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese,

c) heq mundësinë e cdo alibie ose justifikimi për të hequr vëmendjen e shmangia e përgjegjësisë politike për Reformën Zgjedhore.

 

 

22 Maj 2020

Please follow and like us: