Albspirit

Media/News/Publishing

Qerim Vrioni: Një foto dhe… disa rreshta–Aleko Babe 

Image may contain: 1 person, hat

Pesë vjet më parë, maj 2015, u nda nga jeta shoku im i ngushtë, shkrimtari Aleko Babe. Si homazh për kujtimin e tij po bashkëngjis “Një foto dhe …disa rreshta-Aleko Babe”. I paharruar do jesh përherë Leko!

“Një foto dhe…disa rreshta–Aleko Babe”
Me Aleko Baben kam mbaruar gjimnazin, ndonëse u miqësuam më shumë në dy vitet e fundit të tij. Ai lexonte shumë, po edhe shkruante poezi, të cilat botoheshin koridoreve të shkollës, në gazetat e murit. Po ashtu, Aleko krijonte edhe karikatura të goditura për organin humoristik “Syri dhe veshi” të gjimnazit “Ali Demi” të Vlorës.
Më vonë, Aleko kreu disa punë, si mekanik, piktor-dekorator, pedagog në gjimnaz, por pa u shkëputur kurrë nga krijimtaria artistike. Ai lëvroi poezinë, prozën, pikturën (grafikë, akuarel, pano, kompozim), gdhendjen e drurit, shquhej edhe në debate për çështje estetike dhe kulturore, ku dallohej për trajtimin origjinal dhe filozofik të temave në fjalë. Sidomos të zjarrta ishin diskutimet që zhvilloheshin në papafingo-n e famshme të shtëpisë së tij. Në fushat e arteve që lëvroi, ai mësoi të ecte vetë (teorikisht dhe praktikisht), po ashtu edhe krijoi pa u ndikuar nga kurkush…
Në vitet ’70, Aleko u paraqit në shtypin e kulturës me tri novela për fëmijë, “Kali”, “Bijtë“ dhe “Vezveseliu”; me të parën fitoi çmim në një konkurs kombëtar, ndërsa e treta u kritikua rëndë si moderniste dhe i a turbulloi mjaft jetën. Më vonë iu mohuan edhe botimet e një përmbledhjeje tregimesh dhe të një drame historike me protogoniste Teutën e Ilirisë. Ndërkohë, ai lëvroi edhe pikturën dhe skulpturën me tema historike të cilat u ekspozuan në Vlorë.
Pas rënies së diktaturës, Aleko mërgoi në Greqi, ku nuk harroi për asnjë çast Vlorën, Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, duke shkruar e redaktuar vazhdimisht krijimet e tij.. Në fillim të viteve 2000, ai nisi të vinte çdo vit në Tiranë, ku takoheshim thuajse çdo ditë. Ato kohë botoi përmbledhjen me tregime “Katër romanca” dhe ribotoi novelën “Vezveseliu”. Veçse tashmë gjendja e tij fizike shëndetësore ishte rënduar, ndoshta dhe nga duhani i tepërt, ndërsa inteligjenca ndjesore, shpirti rebel dhe fryma filozofike kishin mbetur tek ai fare të pacënuara.
E fotografoja shpesh, në gjendje të ndryshme shpirtërore, me vëmendje ose jo, e këto foto i ruaj me kujdes të veçantë, sepse në maj 2015 ai u nda nga jeta, duke më krijuar një boshllëk të ndjeshëm.
Nga fotot e Alekos zgjodha këtë, bërë muzg në Ujin e Ftohtë të Vlorës, ai po shikon andej nga kish nisur errësira…
Ishte maj i vitit 2006.

Please follow and like us: