Albspirit

Media/News/Publishing

Zaho Golemi: DJALI I POLICISË RRUGORE NË MEMORIEN KOMBËTARE

Zaho Golemi | ILLYRIA

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

(Kushtuar dëshmorit Allaman Nuh Dervishi të lindur më 1969 dhe rënë në krye të detyrës në moshën 35 vjeçare. Dedikimi është me rastin e 16 vjetorit të rënies në krye të detyrës (24 maj 2004) dhe 15 vjetorit të vendosjes së eshtrave të tij në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut)

 

*

Allaman Nuh Dervishi lindi më 20 shtator 1969 në Kryezi të Pukës. Trungu familjar i Dervishajve ishte i njohur për njerëz të ndershëm, punëtor, bujar, trima dhe të besës. Kështu i kishin njohur brez pas brezi në fshat dhe krahinë. Brezat i kishin bërë nder gjithë brezave që erdhën në jetë në periudha të ndryshme të zhvillimit, duke mbajtur krenarë në shtigjet e jetës të gjyshërve e stërgjyshërve. Babai i tij Nuh Elez Dervishi ka ecur në rrugën e breznive të nderit, duke qenë plotësisht i përfshirë në mbrojtje të traditës atdhetare familjare, që për çështjet kombëtare të lirisë dhe pavarësisë nga pushtuesit kanë derdhur gjak, për besën e kombit. Babai i Allamanit e mëkoi atë dhe shtatë fëmijët e tjerë, me parimin që jetën ta çanin me ndershmëri dhe punë. Kjo ishte e ardhmja dhe e duhura që fitohet me djersë në jetë. Atdheu dhe kombi kanë qenë prioriteti i gjithë brezave të fisit Dervishi dhe gjithë fshatit të tij të lindjes, Kryeziut, dhe për këtë është derdhur gjak deri tek gjaku i pastër i Allamanit, që është trupëzuar njësh me gjakun e Policisë së Shtetit në themelet tona kombëtare.

*

Stërgjyshi dhe gjyshi “dëshmorë” të kombit shqiptar

Traditat familjare, patriotike e atdhetare janë dhuratë e paçmuar e të parëve, e Shqipërisë stërgjyshore. Kështu ka ndodhur edhe me bijtë e bijat e fisit Dervishi, që çdo brez djem dhe vajza i mëkonte me atdhedashuri, me virtytet më të pastra të trevës patriote, që rezatonte mirësi e dashuri njerëzore. Amaneti për lirinë ishte përcjellë brez pas brezi në të gjithë Malsinë. Në ngjarjet më madhore të kombit, burrat e oxhakut dhe bajrakut të Kryeziut kanë qenë bashkë, në mënyrë të trupëzuar me pjesën më elitare kombëtare dhe që synonin vijimësinë e trashëgueshme të mëmëdhetarisë. Stërgjyshi i Allamanit, Mehmet Brahim Brahimi (Dervishi) ka qenë i shquar në kryengritjet e mëdha shqiptare të shekullit të XIX-të. Ai ka luftuar me armë në dorë në kryengritjet antitanzimat dhe përsëri armët s’i lëshoi nga dora në tre vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878 deri më 1881. Me rastin e 70 vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë,  28 nëntor 1982, është dekoruar me urdhërin “Për veprimtari patriotike dhe atdhetare të klasit të parë” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSSH. Fakt është se Mehmet Brahimi (Dervishi) bashkë me të birin Ibrahimin kanë qenë pjesëtar aktiv në formacionet e LSHP me përfaqësues të tjerë të Pukës, përfshirë edhe Ismail Agë Kryeziun, kajmekanin e Pukës, si dhe qindra luftëtarë të tjerë që mbushnin formacionet luftarake të Lidhjes Shqiptere të Prizrenit. Për veprimtarinë shumë aktive kundër pushtuesve osmanë ishte vënë në shënjestër të koshareve dhe është vrarë në rrethinat e Shkodrës bashkë me të birin Ibrahimin në pranverën e vitit 1881. Në bazë të dhënave janë varrosur pranë Xhamisë së Plumbit/Kurşunlu Cami. Duke pasur devizë të jetës “pushkë dhe dituri”, për lirinë edhe gjyshi i Allamanit, Elez Dervishi, ka kryer studimet në Stamboll, në Shkollën e Xhandarmërisë/Jandarma Okullu, të themeluar që më 1839, ku është shquar për maturi, urtësi e korrektësi në detyrë. Elezi shërbeu në garnizonet osmane në Pukë në vartësi të Valiut dhe komandantit të divizionit të Shkodrës, ku u shqua si njeri i drejtë dhe i ndershëm, sipas parimit, “secilit hakun që i takon”.  Me shpalljen e Pavarësisë më 1912, u vu në shërbim të qeverisë së parë të Vlorës sërish në armën e xhandarmërisë duke u trainuar edhe nga ekipi hollandez i kryesuar nga Gjeneral De Weer e Kolonel Tomson si dhe më tej pas luftrave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore në qeverinë e Durrësit, deri sa ndërroi jetë në moshën 44 vjeçare, në vitin 1919. Gjithë brezat që erdhën më pas e mbajtën lartë frymën e besnikërisë dhe shërbimit ndaj shtetit. Por ata nuk harruan ta përjetësonin në lapidar qëndresën heroike të popullit të Kryeziut ndaj egërsisë pushtuese. Lapidari u flet brezave të Kryeziut për traditat malësore, për qëndresën e Fletit, luftimet e Bardhetit, pritën e Shkallës së Bushtrës, etj.

*

Në rrugën e lavdisë: “Bëmë baba të të ngjaj”!

Trimëria dhe zgjuarsia e zonës ishte tashmë e materializuar. Virtytet trashëgoheshin që në djep dhe bashkë me qumështin e nënës, djemtë e Kryeziut merrnin virtytet e ndershmërisë, besës e trimërisë në shërbim të kombit. Këto veti të brezave i trashëgoi edhe babai i Allamanit, Nuh Dervishi, që ja shtoi familjes së tij vetitë morale e atdhetare. Kështu djem në kohë, babai Nuhiu dhe xhaxhai Hyseni me mbërritjen e forcave të Frontit Nacionaçlirimtar, partizanët, në zonën e tyre, u bashkuan me Brigadën e 22 Sulmuese. Dy vëllezër, dy shokë, dy luftëtarë në një brigadë, partizan të BrXXIIS. Babai dhe xhaxhai i Allamanit u bënë pjesë e armatës antifashte shqiptare dhe pjesë e antifashizmit botëror. Ata ishin bashkë si “fishekë gjerdani”, në një front ku rreshtohen burrat që shkruan histori suksesi. Babai dhe xhaxhai i Allamanit ishin bashkë në Brigadën XXII Sulmuese, në çdo hap të saj, në brigadën që shkroi lavdi me veprimtarinë luftarake të bijëve të saj nga jugu në veri të vendit. Nimet Ymeri ish-komisar i BrXXIIS do të shkruante shkëlqimin e heroizmit partizan “Nga Peza në Vishegrad”. BrXXIIS ishte krijuar më 18.9.1944 në Pezë, nga partizanë të Grupit te Pezës, luftëtarë të sprovuar në luftë  dhe në fakt 54% e partizanëve kishin eksperiencë të gjatë në luftime. Në ditën e inagurimit brigada kishte 1127 partizanë të inkuadruar ne 4 batalione, që e njihnin artin e luftës partizane. Në Brigadën partizane djemtë e Kryeziut të Pukës, dy djemtë e Elez Dervishit: Nuh dhe Hysen Dervishi u bënë partizanë të frontit antifashist, ndërkohë që Brigada komandohej nga Sali Verdha dhe komisar Tonin Jakova, por që në Tuz të Malit të Zi zëvendësohet nga Nimet Ymeri. Zv/komandant brigate Shaban Rexha, zv/komisar Sadik Bocaj, përgjegjës i rinisë Iliaz Reka, intendent Rexhep Kollçaku dhe më vonë Hysen Dervishi. Batalionet komandoheshin: b1p me komandant Muharrem Kokomani, komisar Him Kolli; b2p komandant Sotir Spiro, komisar Xhevdet Petrela; b3p komandant Ymer Hoxha, komisar Hysen Ballhysa; b4p komandant Rexhep Zuna, komisar Nimet Ymeri. Brigada e nisi misionin luftarak në luftimet në Kavajë, Tiranë, Peqin, Durrës, Shijak; më 18 tetor 1944 arriti në zonën e Shpalit të Mirditës, më 25.10.1944 me luftime të ashpra e çliroi Shpalin, më tej luftoi në Fan, Gziq, Fushë Arrëz, në Kryezi, në Rrape të Pukës, ku ra heroikisht Met Hasa, “Hero i Popullit”. Pas rreth 40 ditë luftimesh në zonën Mirditës e të Pukës, më 20.11.1944, nis sulmin për çlirimin e qytetit dhe më 21 nëntor çlirojnë qytetin Pukën dhe gjithë zonën. Luftimet i vazhduan në Shkodër dhe në mëngjesin e 29.11.1944 Shkodra çlirohet pas luftimesh të ashpra si dhe çlirohet e gjithë Shqipëria. Misioni i BrXXIIS nuk përfundon, sepse me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH ajo vazhdon luftën në ndihmë të shqiptarëve matanë kufirit, të çlirimit të popullit malazez, boshnjak dhe vëllezërve të Kosoves. Tuzi, pas luftimeve të përgjakshme u çlirua më 14 dhjetor 1945, Podgorica më 19.12.1945, dhe më tej Vishegradi më 14.2.1945. Brigada niset në Kosovë dhe më 12 mars 1945 arrin në Mitrovicë. Në Kosovë qëndron deri më 30.6.1945 dhe më pas kaloi në territoret shqiptare të Maqedonisë, Tetovë, Gostivar, Dibër dhe më 3 dhjetor 1945 nis rrugën e kthimit në Atdhe. Një vit luftime jashtë kufijve shtetërorë. BrXXIIS ka 107 dëshmorë, nga të cilët 82 u vranë jashtë Shqipërisë. Vepra e partizanëve të Brigadës partizane të vëllezërve Dervishi u bë burim frymëzimi për pasardhësit, për djemtë e vajzat e Nuh Dervishit dhe vëllait të tij Hysen Dervishit, i cili ishte intendent batalioni si dhe më vonë intendent brigade. Ka qenë plagosur gjatë LANÇ-it dhe ka vdekur pas lufte, në vitin 1962, si pasojë e plagëve, duke qenë një dëshmor i pashpallur (edhe pse ligjërisht çdo luftëtar që humb jetën nga plagët shpallet dëshmor). Pas kthimit në Atdhe të BrXXIIS, Nuh Dervishi është rikthyer në fshatin e tij, Kryezi dhe është zgjedhur sekretar i KANÇ-it. Me krijimin e Stabilimentit të Sharrave të Kryeziu,  më 1946, nga më të mëdhejt në vend ka punuar në këtë ndërmarje, i cila më vonë mori emrin Ndërmaje e Përpunim Drurit Fushë-Arrëz, si punëtor, brigadier dhe deri përgjegjës sektori, deri në vitin 1974,  kohë kur doli në pension. Pas daljes në pension, ka qenë aktiv në jetën social kulturore të fshatit e krahinës, si edhe në ndihmën ndaj kooperativës Bujqesore, duke krijur vreshta dhe plantacione me gështenjë, që ishin me emër në të gjithë zonën. Këta bij të thjeshtë të popullit që kishin mbi gjokset e tyre meritën e krenarisë së ligjshme antifashiste u’a lanë trashëgimi bijëve të tyre sakrificat për Shqipërinë dhe lirinë e saj.

*

I lindur në truallin e trimërisë, besës dhe mençurisë

Allamani erdhi në jetë në një ditë të vjeshtës së parë të vitit 1969 dhe ishte fëmija i gjashtë i Nuhit dhe nënës së tij Gjyle Dervishi. Emrin ja vuri i ati, që e quajti Allaman, për t’u rritur dhe për t’u bërë si mali i Allamanit dhe në fakt ka ngelur një Allaman në kujtesën shqiptare. Të tetë fëmijët e Nuhit, pesë djem: Shkëlzeni, Bilbili, Gajuri, Allamani dhe Napoloni dhe tre vajza Zenepja, Selvia dhe Mandarina kanë marrë arsimim fillestar në fshatin e lindjes. Arsimi ishte korsia e parë e jetës për fëmijët e Kryeziut dhe të të gjithë Shqipërisë në këtë periudhë. Shkollën tetëvjeçare Allamani e kreu në Kryezi, të mesmen në Shkollën “70 vjetori i Pavarësisë” në Fushë Arrëz, ku çdo ditë bënte në këmbë 7 km rrugë, bashkë me gjithë fëmijët e fshatit. Edhe pse shkollën e atdhetarisë e kishte në shtëpi tek nëna Gjyla dhe babai, që i edukonin përditë fëmijët bashkë me mësimet që merrnin në shkollë dhe ku pothuaj gjithë fëmijët e Nuhit ishin në librin e krenarisë dhe nderit të shkollës. Në vitet e shkollës Allamani spikati si një djalë punëtor, i palodhur dhe i etur për dije, zemërmirë dhe i zgjuar prej natyre, i dashur, i komunikueshëm dhe tolerant. Në shkollë filloi dhe mësimin e gjuhës së huaj frënge, që e deshi dhe aspironte të thellonte dijet në këtë gjuhë. Meqënëse familja e tij ishte  e lidhur fort me strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes, kërkoi të arsimohej në këtë drejtim. Shkolla e policimit ishte ëndërra e tij. Por për shkak se gjatësinë, ishte 1.69 cm, për një centimetër, nuk mundi të shkonte në shkollën e Policisë. Ishin rregulla strikte. Nuk dinte të bënte dredhi sepse kishte lindur për të qenë i drejtë dhe jetën e donte të drejtë. Pas mbarimit të shkollës i motivuar nga i vëllai, Bilbili, i cili kishte mbaruar shkollën e lartë ushtarake dhe në atë periudhë ishte  oficer në Kukës, synonte edhe ai strukturat e sigurisë, rendit e mbrojtjes. Dëshira për t’u përgaditur si oficer policie nuk ju shua kurrë. Por pasi punoi dy vjet në ndërmarrjen e NPD Fushë Arrës, u mobilizua ushtar. Shërbimin ushtarak e kreu në divizionin e Kuksit, në kompaninë e ndërlidhjes. Në jetën ushtarake u rrit dhe u burrërua, u njoh me shumë shokë e miq nga e gjithë Shqipëria që kryenin shërbimin në Kukës. Pas ushtrisë në maj 1993, rikthehet në fshatin Kryezi. Ëndrat dhe shpresat sërish nuk i kishte humbur edhe pse provoi edhe rrugët e mundimshme të emigrimit në Greqi dhe sërish u kthye pranë familjes.

*

Drejt ëndrrës … me detyrë në strukturat e policimit

Në dhjetor të vitit 1997, në këtë vit të mbrapshtë për shqiptarët, Allamani këmbëngulës në ëndërrën e tij, është pranuar në radhët e policisë në Komisaritatin e Policisë së Pukës. Allamani në këtë vit edhe pse strukturat policore të rendit ishte të trondituar nga viti i mbrapshtë shqiptar, me besim të patundur në energjitë e tij dhe me dëshirë ju bashkua forcave të policimit me një energji që i buronte nga brenda vetes, nga prushi i zemrës. Shumë shpejt do të fitonte zemrat e kolegëve dhe eprorëve, për korrektësinë, kulturën si dhe komunikimin me komunitetin. Pas rreth një viti punë në strukturat policore të KP Pukë, në shtator 1998 është transferuar në Durrës. Aty ka përfunduar një kurs kualifikimi 10 javor “Për trafikun rrugor”, organizuar nga misioni policor i BE-së (MAPE). Në policinë e Durrësit punoj për rreth 2 vjet dhe në shtator 2000 u transferua në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, fillimisht si trupë shërbimi dhe në nëntor 2003 është emëruar në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, si trupë shërbimi trafiku dhe në fund kontrollor linjash. Në këtë detyrë sikurse në të gjitha punët e kryera më parë, Allamani, spikati për zgjuarsi, sinqeritet dhe si njeri i operacionit, që dinte të zgjidhte në kohë çdo lloj detyre, sado e vështirë, me profesionalizëm. Ai ndeshej ballazi me elementët kriminalë, me shkelësit e rendit dhe të ligjit, që duhet thënë se prej vitit 1997, kishte “prodhur” në mënyrë të konsiderueshme shkelës së ligjit. Detyra dhe vetëm detyra ishte moto e punës së tij.

Në verë të vitit 2000 është martuar  me zonjën Selvie Dervishi (Asllanaj) nga qyteti i Pukës, me të cilën ka një djalë, Eriksin, që i ka lindur më 7 maj 2001 dhe aktualisht është në vitin e parë në Universitet. E shoqja (Selvija), pas vdekjes së Allamanit, është marrë efektiv në strukturat e Policisë së Shtetit dhe aktualisht është punon në Drejtorinë Vendore të Policisë Kufitare Tiranë. Allamani privohej jo rrallë edhe nga gëzimet familjare dhe përkujdesjet ndaj fëmijës së tij, sepse misioni i policimit është i vështirë dhe sakrificë ndaj lirisë.

*

Përballja me dorën e zezë kriminale

Allamani ishte në lulen e rinisë kur impenjimi ndaj detyrave ishte maksimal. Atdheu dhe detyra e thërriste në frontin më të vështirë, ditën dhe natën dhe ai përgjigjej me vullnetin e tij e pasionin për punë që e karakterizonte. Edhe në periudhën që punoi me “djemtë e Policisë Rrugore”, Allamani ka qenë një djalë i shoqërueshëm, miqësor, energjik dhe me vullnet të çeliktë për realizimin e synimeve. Ai pëlqente shakatë dhe bëhej protagonist që nuk e qaste kurrë të keqen, ishte shumë i shoqërueshëm dhe krijonte atmosferë optimiste. Ka qenë mjaft aktiv në aktivitete sportive e veçanërisht në aktivitete futbolli e qitje. Pëlqente notimin dhe eksplorimin e terrenit sidomos vendeve me ujëra, gryka e maja malesh. Merrte me vete shokë dhe eksploronte gjithë zonat si dhe pëlqente zonat historike, pjesëmarrës në të gjitha spartakiadat e garat e vrapimit, tërhiqte rreth vetes njerëz që ishin të aksionit dhe energjikë. Kështu spikati përgjatë gjithë periudhës së punës në policinë rrugore, si një vijimësi jete duke u konsoliduar dhe duke shërbyer cilësisht në të gjitha detyrat e ngarkuara. Por një ngjarje tragjike do të vinte në një ditë maji, në majin e dëshmorëve. Allamani ka qenë i planifikuar në punë në turnin e tretë dhe e kishte filluar punën në orën 22.00 të datës 23 maj 2004. Ishte ditë e diel për të hënë. Bashkë me kolegun e tij Resmi Hasanpapa, ishin patrullë e linjave rrugore jashtë qytetëse dhe e kishin ditën e fundit, pas një jave turni i tretë. Rreth orës 02.00 të datës 24 maj, patrulla është njoftuar nga salla operative e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë. Njoftimi që sallës i ishte transmetuar nga salla operative e Durrësit ishte fare i thatë, pa shpjegime të plota:  “… nga Durrësi vinte një autoveturë, duke i dhënë dhe targat e automjetit”. Vetëm kaq. Nuk pati informacion shtesë apo me çfarë do të përballej patrulla e policisë e Allaman Dervishit dhe Resmi Hasanpapa. Pas pesë minutash patrulla është ndeshur me makinën që ka ardhur nga Durrësi në hyrje të qytetit të Tiranës, tek kryqëzimi i Kamzës (sot mbikalimi me të njëjtin emër). Allamani në mënyrë krejt korrekte e ka ndaluar automjetin, sipas rregullave. Por në momentin që Allamani po i kërkonte shoferit dokumentacionin konformë ligjit, pasagjeri del nga makina dhe e qëllon pa paralajmërim duke i shkaktuar shtatë plagë. Kolegu i tij, Resmiu ka reaguar menjëherë, por edhe ai është qëlluar në mënyrë të papritur nga autori, duke i shkaktuar plagë të rënda, prej të cilave ai edhe sot është i paralizuar. Vrasja në krye të detyrës e Allaman Dervishit më 24 maj 2004 ishte një tronditje e rëndë për kolegët, shokët, miqtë e veçanërisht për familjarët, ishte tronditje e rëndë për gjithë Policinë e Shtetit, që vijonte të përballej me krimin në çdo rrugë të Shqipërisë dhe vazhdonte të humbiste gjak, që në fakt ishte vetë gjaku i shtetit. Volteri thoshte se: “Trimëria është produkt i qartësisë”, që parasëgjithash kupton qartësinë e vetflijimit për kauzën e kombit. Ndërkohë që nga antikiteti latin vjen thënia proverbiale se: “Gjaku është fara e Lirisë”, fara e jetës, sigurisë, rendit e qetësisë së publikut, sakrifica sublime e paguar me jetë. Allamani e sfidoi vdekjen në një natë të zgjuar pa zgjim dhe pa kthim. Të përleshesh me krimin, të ndeshesh ballë për ballë dhe të mposhtësh vdekjen është veti e njerëzve që janë lindur për të sfiduar vdekjen në emër të detyrës shtetërore në rrugët e atdheut.

*

Përshkrimi i vëllait të dëshmorit: “Një copëz të zemrës përjetësuar në mermer!”

Vëllai i dëshmorit, kolegu ynë Bilbili, oficer karriere në Policinë e Shtetit, na tregon momentet kur i vëllai, Allamani, u  përball me personat e armatosur që ndodheshin në mjetin e ndaluar të ardhur nga Durrësi në Tiranë në mesnatën e datës 23 për 24 maj të 2004-ës në orën 02.05: “Jeta njerëzore nuk ka çmim dhe sidomos kur bëhet fjalë për gjakun tënd. E tillë është jeta. Të godet ku se pret. Edhe kur bie dëshmor në emër të jetës për një ideal të madh pengjet shtohen. Vëllai im ishte efektivi i Rrugores, sikurse i thonë shkurt “Policisë Rrugore” dhe unë një copëz të zemrës e kisha tek ai sikurse ai tek unë. Ne ishim nisur shkollave dhe punëve të policimit për të bërë krenarë familjen, fshatin, trevën e zonës sonë, pa ditur se Allamani do bënte krenarë gjithë policinë dhe do të ngelej në historinë e kombit si dëshmor i Atdheut. Allamani ishte në krye të detyrës në turrnin e natës së bashku me një shokun e tij Resmi Hasanpapaj, si efektiv i Policisë Rrugore. Pas sinjalit të marrë nga qendra, Allamani ndaloi makinën e ardhur nga Durrësi në Tiranë, në afërsi të vilës “Flevi”, në  hyrje të qytetit të Tiranës (Laprakë). Shoferi i automjetit kishte nxjerrë dokumentat duke i thënë se ishin punonjës të Gardës. Por kjo ishte veç një manovër për të përfituar kohë dhe në atë moment pasagjeri del nga makina dhe qëllon drejtpërdrejt Allamanin, i cili pëson goditje fatale dhe thuajse vdiq aty. Kolegu i tij, Resmiu, reagon menjëherë, por edhe ai qëllohet nga autori dhe plagoset rëndë, e për pasojë edhe sot e kësaj dite është i paralizuar. Në grahmat e fundit të jetës së tij, Allaman Dervishi, shënon targën e mjetit ku ndodheshin autorët e krimit. Pas krimit, të dy autorët largohen me shpejtësi nga vendngjarja, por janë prangosur pas katër orësh dhe janë dënuar. Duke analizuar ngjarjen dhe veprimet çojnë në konkluzion se angazhimi i Patrullës së Policisë Rrugore në operacion ishte një gabim i rëndë, sepse salla operative e Durrësit njoftoi direkt atë të Policisë Rrugore, duke shkelur procedurat. Policia Rrugore kishte dhënë targën e personave të armatosur dhe në fakt nuk ishin marrë masat që duheshin marrë. Kjo betejë me krimin ka sjellë drama të forta njerëzore për vite me radhë për gjithë familjarët e uniformave blu, ku sakrificat e tyre sublime, kanë ngelur shpesh pa shpërblimin e merituar dhe pa trajtimin dinjitoz të të rënëve në krye të detyrës. Faktikisht Policia e Shtetit numëron 266 efektivë të rënë në krye të detyrës, ndërkohë që kolegu i vëllait tim punonjësi i policisë rrugore Resmi Hasanpapaj, i cili ngeli i paralizuar nga plagët cilësohet “dëshmori i gjallë” i uniformave blu”.

Nderimet e punonjësit të policisë, të vrarë në krye të detyrës, Allaman Nuh Dervishi, ju bënë nga kolegët dhe familja, duke  u varros fillimisht në varrezat publike në Tufinë. Por pas gjashtë muajsh ju dha titulli i lartë “Dëshmor i Atdheut” dhe është bërë rivarrosja me rastin e një vjetorit të rënies në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë. Parcella e dëshmorëve të Policisë së Shtetit, rreshti nr.1, varrit. nr. 1. Allaman Dervishi është edhe dëshmori i parë i policisë, i pas vitieve ’90 të shekullit të kaluar, që prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë. Institucioni që e ka miratuar aktin juridik të shpalljes “Dëshmor i Atdheut”, për Allaman Dervishin, është Komisioni Qendror i Statusit Dëshmor i Atdheut, i kryesuar nga zv/kryeministri dhe vendimi mban nr. 40, datë 16.11.2004. Prandaj Allaman Dervishi ishte dhe mbeti krenaria e brezave të policimit që me veprimtarinë e tij i dha kuptim dhe dinjitet uniformave blu të policisë, prandaj edhe rron në kujtesën e të gjithë brezave.

*

Përjetësisht në dokumentacionin arkivor shtetëror! Përjetësisht në zemrat e kolegëve!

Plagët me krimin janë krenari dhe plagë të popullit!

Duke analizuar të dhënat arkivore të dosjes së dëshmorit jemi duke hulumtuar në gjurmët e një heroi të uniformave blu. Konsideracione e vlerësime shprehin origjinalen e një jete plot vrull e dinamizëm e një jete që u vendos plotësisht në shërbim të jetëve deri në frymën e fundit. Një dosje me tre stavionime e personelit, që flet për seriozitetin e shtetit. Në  Tiranë me nr.1758, Durrës me nr.690 dhe Pukë me nr.209, shikojmë se: Drejtori i shkollës së Fushë – Arrëzit, Tomë Curri, do ta përmblidhte formimin e gjithanshëm dhe sjelljen në shkollën e mesme me etiketimin: “sjellje shëmbullore”, një simbolikë premtuese e vijimësisë së jetës.  Me datën 25 dhjetor 1997, ka filluar punë në Komisariatin e Policisë Pukë, si trupe shërbimi në postën e policisë Iballë dhe pastaj në policinë rrugore. Në dokumentacion janë vlerësimet maksimale nga shef i qarkullimit rrugor Haki Sula, shefi i personelit Pëllumb Uka dhe shefi i komisariatit të policisë Brahim Vokshi. Në shtator 1998 transferohet në Drejtorinë e Policisë Durrës, ku ka kryer edhe kursin fillestar të punonjësit të policisë dhe një trajnim 10 javor për shërbimet e policisë rrugore. Me 16 shator 2000 transferohet  në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, fillimisht trup shërbimi në repartin e sigurimit të Bankës së Shtetit, në vazhdim në Komisariatin e Policisë nr.1 Tiranë. Me urdhër nr. 325 datë 1.5.2003 të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kolonel Bajram Ibraj, i jepet grada policore “agjent”. Më 16.9.2003 me urdhër të drejtorit të Policisë së Tiranës, Allaman Dervishi emërohet në detyrën e trupë shërbimi trafiku në seksionin e trafikut, në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, ndërsa më 1 nëntor 2003 transferohet në detyrën kontrollor linje në seksionin e linjave të këtij Komisariati. Edhe pas ndryshimit të strukturës organike më 10 maj 2004 me urdhër të Drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë, riemërohet në të njejtën detyrë, duke rënë në krye të saj vetëm 14 ditë pas riemërimit. I fundit që e pa për së gjalli ishte kolegu Resmi Hasanpapa, i plagosur në ngjarje, që shprehet: “Nuk do të të harroj kurrë. Fati na ndau fizikisht, por përjetësisht është në zemrën time!” Francezi i madh Viktor Hygo, për invalidët e përballjes me krimin thotë se, “Invalidët janë dëshmorët e gjallë të kombit” dhe “plagët e tyre veç krenarisë, janë plagët e popullit”.

*

Nderime dhe vlerësime për dëshmorin e Atdheut Allaman Dervishi

Propozimi për shpallje dëshmor i atdheut të policit të vrarë në krye të detyrës Allaman Dervishi dhe për t’u prehur në altarin e kombit, është bërë nga Drejtoria e Policisë e Qarkut të Tiranës. Vendimi është miratuar Këshilli i Qarkut të Tiranës dhe procedurat kanë zgjatur nga maji deri në nëntor 2004, deri në daljen e vendimit të strukturave shtetërore për këtë qëllim e mandej rregjistrimin në rregjistrin themeltar të Dëshmorëve të Atdheut, që mbahet aktualisht në Departamentin e Dëshmorëve të Atdheut, pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Pas shpalljes dëshmor, Këshilli Bashkiak i Tiranës në kuadrin e 5 vjetorit të rënies, ka vendosur emrin e tij një rruge në Laprakë, dhe sot quhet: Rruga “Allaman Dervishi”, ngjitur me Kompleksin Malajzjan dhe 2 Kullat 14 kateshe. Vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës ka qenë unanim.

Me rastin e 1 vjetorit të rënies, në maj 2005, nga Këshilli i Komunës i Komunës Qafë Mali, Pukë, i është dhënë titulli “Qytetar Nderi” i kësaj komune. Po me vendim të këtij Këshilli është vendosur një pllakatë tek shtëpia e lindjes së tij në fshatin Kryezi të Pukës.

Janë publikuar: një libër në dy vëllime nga shkrimtari  Sefer Pasha, me tituj – “Allaman Dervishi, biri i Kryeziut”, botuar në vitin 2009, me rastin e 5 vjetorit të rënies dhe “Flutura shpirti i Allamanit”, botuar me rastin e 10 vjetorit të rënies.

Mësuesja dhe drejtoresha e shkollës 9 vjeçare “Shtefen Gjeçov Kryeziu”, Kryezi, Naxhije Braha ka shkruar artikullin “Jetë e shkurtër, vepër e madhe”, më 22.5.2005.

Punonjësi i policisë, Besnik Meta do të vargëzonte poezinë: “Sot t’u dha emri dëshmor, /Ti sigurisht nuk mund të vije/ Koha mbi Ti vuri dorë/ Të ngriti në shkallë lavdie/ Në nderimin tënd u mblodhën/ Veteranë, vëllezërit motrat/ Dhe ata që derdhën lotët./ Nderin ngritën mbi flamur”. Në bashkëpunim me TVSH, Departamenti e Diasporës, me rastin e 5 vjetorit të rënies, është përgatitur një dokumentar me autor Sefer Pasha dhe regjisore Tefta Radi.

Me miratim të Këshillit të Qarkut të Tiranës dhe të Ministrisë së Brendshme, në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore është ngritur  një memorial përkujtimor nga skulptori i Popullit Muntaz Dhrami, i cili në vitin 2017, në kuadër me rikonstruksionit të këtij Komisariati është hequr me miratimin paraprak të familjes dhe dhe të autorit të veprës së artit  nga vendi i vendosur  dhe është në pritje për t’u rivendosur në ambientet e rikostruktuara tasmë.

Gazeta Shqip, 23 Janar 2019; me titull “Top Story”, mes dëshmorëve të rënë…edhe efektivi i Rrugores, Allaman Dervishi”; portali, https://dritare.net/e-efektivit-te-rrugores-allaman-dervishi-i-vellai-rrefen-ngjarjen/; Më 25 janar 2019;  portali: http://www. albeu.com/shqiperi/me-frymen-e-fundit-shenoi-targen-si-u-vra-efektivi-i-rrugores-allaman-dervishi/;  Portali https://alb-spirit.com/ 2020/05/04/gjaku-policise-eshte-gjak-shtetit/ Zaho Golemi, publikuar me rastin e 5 Majit, ditës së dëshmorëve, ku mes mijëra dëshmorësh të Shqipërisë përkujtohen edhe 266 dëshmorët e Policisë së Shtetit shqiptar, në pjesën “Apeli i dëshmorëve të policisë që jetojnë në përjetësi…”, portali: https://www.kosova-sot.info/lajme/349374/ne-grahmat-e-fundit-shenon-targen-e-vrasesve-vellai-i-policit-shqiptar -hero-tregon-ngjarjen/ e datës 24 janar 2019 në 15 vjetorin e rënies; portali: https://www.lajme.gen.al/2009-05-05/dita-e-deshmoreve-drejtuesit-e-policise-ne-familjet-e-te-reneve-ne-detyre.html; Portali:https://zjarr.tv/polici-hero-u-paralizua-ne-krye-te-detyres-vazhdon-punen-vullnetarisht/, ku bën fjalë edhe për dëshmorin Allaman Dervishi, që fatkeqësisht nuk iu mbijetoi dot plagëve të marra, të treguar në intervistë nga kolegu i tij i paralizuar Resmi Hasanpapaj; Dëshmori Allaman Dervishi është renditur në bazë të rendit alfaberik me nr. 12.; Libri “Dëshmorët e Atdheut”, publikuar nga me grup autorësh (Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj), botim zyrtar i  Ministrisë së Mbrojtjes, Tiranë, 2012, faqe 170. Nderimi, respekti, kujtimi i dëshmorëve të policisë, është nderim i përhershëm i djemve të policisë që dhanë jetën në krye të detyrës, në luftën me krimin dhe kriminelët, për rend e qetësi, për ligj në Republikën e Shqipërisë.

*

Kryeziu i luftave, mençurisë, luftës për jetën dhe ku jeta rilindet përmes fushëbetejash.

Kryeziu është 6 km larg Fushë-Arrëzit, në verilindje të tij përbri burimeve të Fanit të Madh. Burimet e Fanit të Madh zbresin përmes katër përrenjëve krysorë: Përroi i Madh, i Bens, i Oroshit dhe i Lajthizës. Fshati përbëhet nga tri lugina të thella pjellore, aq sa dikur quhej Gjakova e Vogël. Në lindje të fshatit është Kodra e Madhe, që vazhdon nga Qafa Bena deri tek Ura Bardhetit. Në verilindje shtrihet Kunorë Dardha, që lidhet me Majën e Malit e Kodrën e Madhe, për mes Lak Hithit e Qafë Benës. Kryeziu ose “Bardheti”, siç thirrej deri në mes të shek. XVII, sipas Frang Bardhit, ky fshat ishte një nga më të mëdhenjtë e Pukës, fshat që ka qenë luftë të përhershme me pushtuesit osmanë. Nga këto luftra detyroheshin të largoheshin, herë pas here banorët e këtij fshati e vendin e disa fiseve e zinin fise të tjera. Gojëdhënat tregojnë se, fshati ka marrë emrin “Kryezi” nga fakti se sipër fshatit, në krye të tij, ishte një pyll i dendur e i zi pishash; ndërkohë që një gojëdhënë tjetër thotë se, fshati e ka marrë emrin nga Kryezezët e Mirditës, (si një ndër 12 bajraqet e trevës malsore), të cilët janë vendosur këtu në shekullin XVII-XVIII, edhe pse sot ky fis nuk ekziston në këtë fshat.

Nga mesi i shekullit XVII, në Kryezi vijnë nga Iballa, nga dera e zotnive një burrë dhe një grua, të cilët dalngadalë ata u shumuan dhe u forcuan aq shumë, sa u bënë pronarë të mëdhenj, duke e shpallur pronë të tyre vendin që nga Ura Bardhetit, Qafë Mali, Qafë Bena, Lak Hithi, Kunorë Dardha, Livadhi i Barhim Agës, Qafë Ballshi, Fushë Mrijaj e Kodër Nushaj. Nga kjo derë është edhe familja e Allamanit. Kushdo që të vinte, pas tyre duhej që të bëhej “çepçi”/ çiftçi, bujk i përkohshëm në tokat e zotnive, të cilëve u paguanin rreth një të tretën e prodhimeve bujqësore. Çepçitë filluan të vijnë nga krahina të ndryshme, për vështirësi jetese ose për t’u larguar për arsye gjaqesh. Në shekullin XIX zotnitë u fuqizuan edhe më shumë dhe bënë përpjekje për të sunduar në gjithë trevën e Pukës.

Më 1911 malësorët e Kryeziut u bashkuan me Bajram Deklanin dhe luftuan rreth tre muaj kundër osmanëve, në atë që quhet “Kryengritja antiosmane e Bardhetit”,  duke e bërë rrugën Shkodër – Prizren të pakalueshme tek Ura Bardhetit, aty sot është një lapidar në kujtim kësaj ngjarje. Kryeziasit ishin mbështetës aktiv të lëvizjeve patriotike për pavarësi, liri e demokraci si dhe në mbrojtje të kufive të Shqipërisë e deri te Revolucioni i Qershorit 1924. Kryeziu u bë streha e patriotëve dhe luftëtarëve të mëdhenj si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Shote e Azem Galica, etj. Më 1912 kryezezët i shkuan në ndihmë Shkodrës, që luftonte kundër ushtrive serbo-malazeze. Gjatë Luftës NÇL, BrXXIIS, qëndroi dy javë rresht në këtë fshat, ku djemtë e fshatit mbushën radhët partizane, furnizuan me materiale mbështetëse për luftën dhe siguruan lidhje me BrVIS dhe BrXVIS. Ngjarje e rëndësishme për banorët e këtij fshati, ishte rindërtimi i stabilimentit të sharrave. Në vitin 1946, u rihap edhe shkolla e fshatit, më 1960, u hap shkolla 8-vjeçare, më 1964 u ndërtua shkolla e re, që e rriti kapacitetin nga 30 nxënës arriti maksimalen 320 nxënës. Në 1969 u ndërtua furra e parë e bukës, më 1970 mensa si dhe një çerdhe. Në Kryezi shërbyen dhjetra mësues që mësuan edhe dëshmorin e këtij fshati dhe të gjithë Shqipërisë, Allaman Dervishin. Në vitin 1971, u ndërtua një stabiliment sharre i vogël për nevojat e kooperativës, ndërkohë që ishte krijuar një vit më parë (1970) kooperativa e bashkuar Tuç-Lumbardh-Qafë Mali dhe Kryezi, bashkim që solli një fuqi më të madhe ekonomike. Sot Kryeziu është përzgjedhur në projektin e qeverisë shqiptare të 100 fshatrave me perspektivë zhvillimi turistike për bukuritë e luginës, mozaikun piktoresk natyror, për trashëgimitë e pasura natyrore dhe humane, relievin e larmishëm kodrinor e malor, resurset e pafundme medicinale aromatike e ujor, objektet monumentale natyrore ujvara, kisha e Kodër Gegës, xhamija Arifaj, objektet e lashtësisë mesjetare si Rruga antike Adriatik – Dardani; mullinj të blojes në Gegaj, Fercoj, Lajthizë, Arifaj. Të gjitha këto e bëjnë këtë vend të bekuar, me klimë malore, gjelbrim, histori e traditë, performacë gjithëvjetore për zhvillimin e turizmit të gjelbër, të bardhë, kulturor, sportiv, kurativ, agroturizëm etj. Frang Bardhi më 1637 ka celebruar meshë për banorët e zonës në kishën e Shna Prenës që është shumë e hershme. Në Kryezi bashkëjetojnë 12 fise me dy besime, katolik e mysliman me bashkëjetesë fetare e fisnore në shekuj që është model edhe sot dhe që trashëgohet në breza. Vendi është me histori, traditë e kulturë. Shkolla e Kryeziut mban emrin “Shtjfen Gjeçov Krzeziu”. Nga Kryezi kanë origjinen korifenjtë e letrave shqipe At’Shtjefen Gjeçovi Kryeziu dhe Ndre Mjeda, me të cilët krenohet historia e kulturës kombëtare. Djemtë e Kryeziut janë të mirëshkolluar, të zgjuar e vizionar, që dinë të hartojnë politika zhvillimi, strategji e projekte, me gen perkushtimi, me punë mund e djersë e kanë çarë rrugën e së sotmes, që krijojnë ura bashkëpunimi, që dinë ta bëjnë jetën të bukur dhe të frekuentueshme edhe në Kryeziun madhështor. Për të gjitha këto Allaman Nuh Dervishi e donte me shpirt e zemër vendlindjen deri në frymën e fundit. Është fakt se Kryeziu ka dhjetra dëshmorë të pashpallur që kanë luftuar shekujve me të gjithë pushtuesit, por ka tre deshmorë të LANÇ-it: Nikoll Mem Çuku, Dod Mark Lleshi, Nikoll Vorfi, ndërkohë që pas çlirimit kanë rënë Rasim Kryeziu, për rindertimin e vendit dhe Allaman Nuh Dervishi, në mbrojtje të rendit publik më 24 maj 2004, si pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit. Patriotizmi dhe atdhetaria e djemve të Kryeziut si dhe gjithë trevës pukjane spikat në mençurinë dhe përfaqësimin dinjitoz në ço fushë të jetës dhe të dijes, duke i bërë nder vendlindjes, trashëgimisë historiko-kulturore, që po t’i shtosh gjakun e derdhur të bijëve të saj e rendit trevën në avangardë të një prej trevave më të shquara të vendit.

*

Emër pishtar i pavdekësisë dhe kujtimit

Shokët e Allamanit vijojnë misionin e policimit, të sigurisë publike, të rendit, qetësisë dhe rregullit në çdo cep të atdheut. Ata janë pjesë e strukturave të Sigurisë Kombëtare. Ata në 16 vite të mungesës dhe prezencës së shtuar të tij, janë me të dhe Allamani është me ta në brendinë dhe misionin e tyre të përditshëm. Ata nuk e harrojnë një jetë të shuar për jetët, një njeri praktik dhe të sakrificës sublime njerëzore, një dëshmor të policisë, një shembullor e frymëzues brezash. Ata do ta kujtojnë përherë seriozitetin në punë, vetmohimin në detyrë të Allamanit, shakanë plot kolorit, njeriun njerëzor, origjinal, rezultativ e konkret në punë, djalin e motivuar deri në sakrificë, djalin që që la mbrapa tek shoqëria një tog mirësish, por edhe një dhimbje e ligështim.

Ai ngeli përherë shpirti i dlirë që shokun e donte me shpirt, e donte dhe e mbronte, shoku që nuk rreshtën hobet e tij të rinisë së hershme si ngjitjet malore, kalimi i pengesave, njeri i lartësive dhe ultësirës, organizator, gjithmonë i gatshëm, që dinte të depërtonte natyrshëm në zemrat e shokëve, i fjalës së ëmbël shakatore, djali i etur për kulturë, autoritar serioz në detyrë, gjithmonë origjinal që ofronte dhe rezatonte besim, besnikëri dhe vërtetësi, me tipare fisnike. Përkushtimin ndaj detyrës e quante shenjtëri, prandaj është një yll që shndrit në panteonin e lavdisë së kombit, në vendin dhe nderin e burrave ku ulen veç perënditë dhe shenjtëritë, njerëzit me virtyte atdhetare, që janë ushtarët e përjetshëm të kombit që nuk lejojnë të shuhet pishtari i ndezur i lirisë në kodrën e dëshmorëve në memorialin “Nënë Shqipëri” të lartësuar në kodrat juglindore të qytetit të Tiranës. Për këtë arsye djali me emër mali është i shkruar me  shkronja të arta në simbolin më të madh të kombit që përfaqësojnë tiparet e nderimit të lirisë në Republikën e Shqipërisë. Ai jeton në jetën e të birit, të bashkëshortes, të vëllezërve dhe motrave, në jetën e kolegëve të policisë, në jetët e miqve e shokëve, në jetët e të gjithë breznive të shqiptarisë.

Nderim dëshmorit Allaman Dervishi në përvjetorin e 15-të të shpalljes Dëshmor i Atdheut!

 

 

Please follow and like us: