Ibrahim Emiri: Bar-restorant ‘Kupola’ në Përmet dhe mundësia e rijetëzimit
Ibrahim Emiri
(Projektimi dhe realizimi i objektit)
Në krahun e djathtë të rrjedhës së lumit Vjosa, përballë me qytetin Përmet, shtrihet plot gjelbërim “parku i qytetit”. Për formimin e sistemimin e tij, në vitin 1974 u rafshuan të gjithë objektet ekzistuese, si hangare, kapanone, magazina dhe zyra të SMT e NB, të cilat krijonin një pamje të shëmtuar përballë qytetit. Për ta bërë parkun më funksional e më atraktiv, me interesimin e veçantë të kryetarit te Komitetit Ekzekutiv të kohës, Resul Zani (Qytetar nderi i Përmetit), 14 vjet më pas u planifikua ndërtimi i një objekti bar-restorant.
Meqenëse projekti i këtij objekti, që duhej të ishte unikal, mbasi prezantonte qytetin qysh në hyrjen e tij, unë propozova që të organizohej një konkurs projektimi, në të cilin të mund të merrnin pjesë të gjithë projektuesit e rrethit. Propozimi u miratua dhe u vendos që brenda një afati dyjavor pjesëmarrësit të paraqisnin projekt-idetë e tyre për shqyrtim në Këshillin Teknik pranë Komitetit Ekzekutiv.
Si pjesëmarrës në konkurs, në variantin tim rëndësi të veçantë i kushtova pozicionit të objektit në park, në mënyrë që ai vetë të ishte sa më i dukshëm nga qyteti, ndërsa klientela nga objekti ta sodiste sa më mirë peisazhin e qytetit. Për të realizuar sa më mirë këtë pamje, pra që objekti të kishte dukshmëri sa më të mirë jo vetëm nga shëtitorja e qytetit paralel me lumin Vjosa, por edhe nga brendësia e tij, pika më optimale për të vendosur qendrën e objektit ishte pika e intersektimit të tre akseve të rrugëve tërthore e njëkohësisht radiale të qytetit. (Shih pamjen ajrore te qytetit).
Për t’u përshtatur maksimalisht me parkun e shlodhjes, për t’u harmonizuar sa më mirë funksionalisht e estetikisht me atë, mendova që forma më optimale e objektit duhej të ishte forma cilindrike, pra tip “rotondo”. Me emocionet e krijimit, fillova të kompozoj skicë-idetë e para të funksionalitetit, duke harmonizuar trajtimin arkitektonik me atë konstruktiv, në mënyrë që konstruksioni të ishte jo vetëm i dukshëm në funksion të arkitekturës, por që elementet konstruktive të ishin njëkohësisht edhe elemente arkitektonike.
Procesi i kompozimit arkitektonik është një përpjekje e mundimshme për vendosjen e ekuilibrit optimal midis funksionalitetit, efektit arkitektonik dhe zgjidhjes konstruktive. Me konceptin konstruktivist, kur kërkohet që konstruksioni të mos maskohet, por të jetë i dukshëm e të ketë edhe efekt arkitektonik, ky proces bëhet edhe më i vështirë. Duke e pasur kohën të limituar, u desh një punë intensive, për të realizuar projekt-idenë e kompletuar në kohën e planifikuar.
– Objekti në volum u konceptua tip cilindër me dy kate, me një aks simetrie në plan, me hapësirë qëndrore (atrium) të përbashkët, e cila u parashikua të mbulohej me një kupolë pjesërisht sferike, të stakuar në hapësirë. Kati përdhe do të komunikonte me katin e parë nëpërmjet shkallëve konsol simetrike, që fillonin në hyrje të objektit dhe harkonin në dy krahët atriumin qëndror të tij, duke qenë jo vetëm elementë të rendësishëm funksionalë, por njëkohësisht edhe elementë të fuqishëm dekorativë.
– Në trajtimin funksional kati përdhe u parashikua të shërbente si bar-bufe, kurse kati i parë si restorant. Në periudhën e verës, kur frekuentimi në park do të ishte maksimal, kapaciteti i klientelës mund të dyfishohej, sepse bar-bufeja mund të shërbente edhe me tavolina, të vendosura jashtë në platformat pranë gjelbërimit, kurse restorantit i shtoheshin tavolinat, që do të vendoseshin në ballkonadën rrethore, të parashikuar në pjesën ballore të tij, e cila do të mbulohej me një pergolatë funksionale mjaft dekorative.
– Në kompozimin arkitektonik objekti në pjesën ballore të tij, ku u parashikuan ambientet e klientelës, u konceptua komplet me vetrata, për të pasur vizualitet e transparencë maksimale, kurse në pjesën mbrapa, ku u parashikuan ambientet e shërbimit, ne të cilat kontakti vizual me ambientin e jashtëm duhej të ishte më i kufizuar, u konceptua me dritare të ngushta gjatësore. Në katin e parë u parashikuan edhe dy ambiente të veçanta (saleta), të vendosura simetrikisht kundrejt aksit të objektit. Saletat do të krijonin intimitetin e nevojshëm për aktivitete grupesh të vogla, ose për festa familjare.
– Pamja e jashtme e objektit formësohej nga kombinimi i harmonizuar i sipërfaqeve të plota me ngjyrë të bardhë dhe sipërfaqeve transparente prej xhami, duke vendosur një ekuilibër estetik ndërmjet tyre, në sfondin e gjelbërt të parkut.
Këshilli Teknik pranë Komitetit Ekzekutiv te Rrethit, mbasi i shqyrtoi të gjithë variantet e paraqitur nga pjesëmarrësit në konkurs, unanimisht vendosi të miratojë variantin e paraqitur nga unë. Miratimi u mirëprit jo vetëm nga unë si autor, por edhe nga të gjithë kolegët dashamirës, sidomos nga të paharruarit Spartak Janaqi, Dhimitraq Sterjo e Ylli Dule.
Ishte i pari dhe i vetmi konkurs projektimi ku u ballafaquan profesionalisht të gjithë projektuesit e rrethit e ku u miratua varianti më i mirë për realizim. (Fatkeqësisht, forma demokratike e konkursit të projektimit për objekte të veçantë nuk vazhdoi në Përmet, prandaj ky mbeti konkursi i parë dhe i fundit).
Projekt-idea u paraqit edhe në Ministrinë e Tregtisë, si investitore e objektit, ku u vlerësua maksimalisht si nje objekt i veçantë e unikal në lloin e vet.
Hartimi i projekt-zbatimit me të gjithë komponentet e vet kompleksë, si arkitektura e konstruksioni, instalimet, interioret e arredimi, të përpunuara deri në detaje, kërkoi angazhim maksimal, mbasi ishte një sipërmarrje tejet e madhe individuale. Projektimi në vendin tonë në vitet tetëdhjetë vazhdonte të ishte “punë skllavi”, sepse çdo vizatim bëhej në mënyrë artizanale me dorë, me laps e me tush direkt në letër. Atëhere as që mund të mendohej komoditeti i krijuar tashmë nga zhvillimi i teknologjisë për hartimin e projektit me programe kompiuterike.
(Në vitin 1988 llogaritjet konstruktive me programe kompiuterike sapo kishin filluar të aplikoheshin për projekte të rëndësishme vetëm në Institutin e Projektimit në Tiranë, ku ishte instaluar nje kompiuter, i cili kalkulonte me programet e kohës, të cilët sot konsiderohen primitivë).
Hartimi i projektit të zbatimit ishte mjaft kompleks, sepse duhej harmonizuar njëkohësisht funksionaliteti, jo vetëm me trajtimin arkitektonik, por edhe me konstruksionin, i cili dëshiroja të ishte i ekspozuar, si pjesë integrale e tërësisë arkitektonike. Skema konstruktive e objektit u konceptua me “rama” radiale (struktura vertikale), të lidhura me trarë unazorë (struktura horizontale).
Konstruksioni i objektit u projektua beton-arme, me struktura radiale të parafabrikuara, të cilat monolitizoheshin nga strukturat unazore. Llogaritjen statike e dinamike të “ramave” munda ta realizoj me program kompiuterik, me ndihmen e miqve ne Institutin e Projektimit, kurse të gjithë strukturat e tjera i llogarita me metodat inxhinierike tradicionale.
Pra, vlen të theksohet se, “Kupola” është i pari objekt në Përmet e ndër të parët në Shqipëri, konstruksioni i të cilit është kalkuluar me metoda kompiuterike. Puna voluminoze projektuese e përpunuese, mjaft e lodhëshme e stresante, u finalizua me rreth 110 fletë projekt-zbatimi, përfshi arkitekturën, konstruksionin, instalimet e arredimin.
Paralelisht me hartimin e projektit arkitektonik e atij konstruktiv, gjykova se modelimi i një maketi të detajuar të objektit, do mundësonte konceptimin e plotë të tij në hapësirë. Në atë kohë formulimi i objektit në tredimensional ishte i vështirë, mbasi vizatimet, që quheshin “pamje perspektive”, realizoheshin në mënyre artizanale e konsumonin shumë kohë, aq më tepër për një objekt të ndërlikuar e me konfigurim cilindrik. Aktualisht, me programet kompiuterike 3D Max, etj., formulimi i objektit në hapësirë është bërë aq lehtësisht i realizueshëm, sa që konsiderohet rutinë.
Realizimi i detajuar i maketit, exterior + interior, me mbeturina lastre të siguruara “me mik” në Tiranë, ishte një sipërmarrje, sa e lodhshme, po aq e bukur, e cila u bë e mundur edhe me ndihmën pasionante të mikut tim, skenografit Aleks Todhe. Realizimi i maketit më ndihmoi mjaft për modelimin e harmonizimin e linjave dhe elementeve të ndryshëm arkitektonikë. Maketi mundësoi përfytyrimin real të objektit edhe për drejtuesit e rrethit e të qendrës, të cilët duke mos qenë profesionistë, nuk mund ta krijonin përfytyrimin e saktë vetëm nga vizatimet.
(Ky maket, si pjesë integrale e projektit, ishte i pari dhe i fundit, pra i vetmi që u bë në Përmet)
Foto të maketit
Maketi i objektit më ngacmoi fantazinë që në interior, në sipërfaqe ballore të evidentuara në të dy katet, të parashikohej trajtimi dekorativ artistik me motive lirike nga trevat e Përmetit. Për këtë qëllim, bëra të mundur organizimin e një konkursi me të gjithe krijuesit e arteve figurative të Përmetit, si dhe me një grup artistësh nga Tirana.
Të gjithë artistët pjesëmarrës punuan me pasion dhe paraqitën në konkurs bocetet e tyre të bukura në pikturë murale, apo qeramike, të frymëzuara nga traditat e trevave përmetare. Veshja e sipërfaqeve me qeramikë dekorative të pjekur, e trajtuar me motive floriale, baritore e të mikpritjes tradicionale përmetare, e kompozuar mjeshtërisht prej grupit të skulptoreve Kristo Krisiko, Niko Thano e Taqo Miho u vlerësua si varianti më i arrirë e u miratua unanimisht për realizim. Aplikimi në interier i sipërfaqeve e frizeve me qeramikë dekorative artistike ndikoi mjaft në rritjen e vlerave të veçanta estetike të objektit, duke e bërë atë unikal e mjaft atraktiv, sa që u vlerësua me çmim të parë – për harmonizimin e arkitekturës me artet e aplikuara, në Konkursin Kombëtar me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut nga pushtimi nazi-fashist.
Pamje të sipërfaqeve dekorative me qeramike
Për të bërë të mundur përfundimin e vënien në shfrytëzim të objektit brenda afatit të caktuar, Ndërmarrja e Ndërtimit filloi zbatimin e punimeve me projekte pjesore, akoma pa përfunduar plotësisht projekti përfundimtar konstruktiv, duke paraprirë me parafabrikimin e strukturave vertikale.
Vlen të përmendet që Ndërmarrja e Ndërtimit e vlerësoi me seriozitet ndërtimin e objektit, tek i cili veçanërisht donte të tregonte aftesitë e saj më të mira për punime cilësore dhe për këtë qellim angazhoi specialistët më të mirë, si dhe personelin inxhiniero-teknik, të drejtuar me përkushtim nga kryeinxhinieri Dh. Sterjo.
Objekti u ndërtua tërësisht me mundësitë e kufizuara materialo-teknike, që dispononte vendi, në zbatim të parulles së asaj kohe “të mbështetemi plotësisht në forcat tona”.
Të gjithë punimet dekorative të drurit në interior, për të cilat u detajuan vizatime të veçanta, u realizuan nga Ndërmarrja e Përpunim Drurit në Përmet, drejtuar nga inxhinieri Hetem Ibrahimi, kurse banakët, paisjet e mobiliet u porositën në Tiranë, sipas vizatimeve te detajuara.
Si autori i projektit të objektit “Kupola“, shpreh respektin e mirënjohjen time për ndërtuesit përmetarë, të cilët e realizuan me cilësi objektin, si dhe për artistët, që realizuan me mjeshtëri veshjet dekorative.
Nderoj me përulje kujtimin e miqve të mi të mirë, të cilët fatkeqesisht kanë ndruar jetë:
– Resul Zani, ish kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit (Qytetar nderi i Përmetit), i cili ka meritën e veçantë për planifikimin dhe sigurimin e financimit për ndërtimin e objektit.
– Spartak Janaqi, për mbështetjen e sinqertë gjat gjithë periudhës së projektimit e realizimit të objektit.
– Dhimitraq Sterjo, për drejtimin me përkushtim të zbatimit të gjithë punimeve ndërtimore.
– Skulptorët Niko Thano e Taqo Miho, për realizimin me nivel të lartë artistik të veshjeve dekorative me qeramikë.
Më 24 maj 1989, me rastin e 45 vjetorit të Kongresit të Përmetit, u bë përurimi i objektit me një kokteji, të organizuar për udhëheqjen më të lartë të partisë e të shtetit monist.
Veç satisfaksionit të natyrshëm, mbas një pune të madhe e të lodhshme, si për projektimin ashtu edhe për ndërtimin e objektit, nuk ka munguar edhe ndonjë shqetësim i krijuar nga absurditetet e kohës.
Disa pensionistë të Përmetit ishin ‘mbikqyrësit’ e zakonshëm të punimeve. Në çdo fazë të punimeve, por veçanërisht kur objekti po merrte formë, kurioziteti i tyre ishte i veçantë dhe, për çdo sqarim që u bëhej nga ndërtuesit në objekt, bënin komente nga më të çuditshmet.
Kur objekti gjat ndërtimit mori formën cilindrike, nxituan ta pagëzojne me nofkën “tenxhere me presion”, duke e krahasuar me tenxheren e re, të sapo dalë në treg. Kishte edhe ndonje që ironizonte duke bërë analogji me pikat turistike në Vlorë, Fier e Lushnje, të cilat quheshin respektivisht “Kuz-Baba”, “Kuz-Çaça” e “Kuz-Lala”, për ta quajtur objektin e Përmetit “Kuz-Nana”.
Në përfundim të konstruksionit, kur u vendos kupola mbi atrium, shumica e përmetarëve e pagëzuan “Kupola”, emërtim që i mbijetoi kohës, me të cilin identifikohet edhe aktualisht. ‘Mbikqyrësit’, që nuk arrinin ta përfytyronin dot objektin në funksionim, i shqetësonte shumë hapësira dy katëshe e atriumit, e cila u dukej hapësirë bosh e pashfrytëzuar, për të cilën sipas tyre “ishin harxhuar kot lekët e popullit”. Kurse ata më ‘namuzqarët’ i shqetësonte parapeti dekorativ i shkallëve, i cili u dukej shumë transparent, nga ku mund të shiheshin nga posht femrat në ngjitje e në zbritje.
Fatmirësisht parapeti dekorativ gjysëm transparent i shkallëve e justifikoi ekzistencën e tij, mbasi nga hapësirat e tij nuk mund të shihej asgjë e veçantë, që cenonte ‘moralin’ e qytetit.
“KUPOLA“ – pamje e objektit mbas përurimit
Mbas vitit 1990, me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, “Kupola” u privatizua, por për fat të keq, u amortizua mjaft, si pasojë e shfrytëzimit të pa përgjegjshëm e mungesës së mirëmbajtjes në vite.
Mbas periudhës 30-vjeçare të shfrytëzimit primitiv, “Kupola” me vlerat unikale të saj natyrisht që ka nevojë për rikonstruksion e rivitalizim, në përshtatje me kërkesat e reja dhe mundësitë e mëdha të kohës. Me studion projektuese të arkitekturës “M.A. – Studio & Partners” (Modelling Architecture) kemi përpunuar një projekt-ide për rivitalizimin e objektit “Kupola” sipas kërkesave bashkëkohore dhe uroj që të ekzistojë interesi e të gjendet financimi që projekt-idea të përpunohet si projekt-zbatimi dhe të realizohet rikonstruksioni e rivitalizimi i objektit, si një vlerë e shtuar për Përmetin!