Albspirit

Media/News/Publishing

Natasha Lako: ‘KUKULLA’ QË SHOQËRON DITËLINDJEN E KADARESË

 

Natasha Lako - Wikipedia

Natasha Lako

 

Është tepër e rrallë, për të mos thënë gati e pamundur, që anijet më të mëdha të sotme transoqeanike të kenë emrin e heroinave më të njohura të letërsisë botërore, të cilat shprehin gjithashtu edhe burime të mëdha të njerëzimit. Dhe të gjithë këto emra, me të cilat bota ka çarë përpara në përparimin e vet, të çojnë edhe në një heroinë, në mos një antiheroinë të çuditshme në kundërshtim me të gjithë botën, si “Kukulla”, një nga emrat e fundit dhe një prej personazheve më të rrallë të krijuar prej Ismail Kadaresë. E krijuar apo jo, është një diskutim i gjallë, përderisa vepra “Kukulla” mbështetet në kujtimet e interpretuara të një shkrimtari të madh për nënën e vet. Dhe mund të përsëritësh pa droje se vepra “Kukulla” vazhdon të jetojë si një kundërthënie dhe krenari, për gjithçka që është thënë deri tani për të gjitha nënat e botës, si një copë e përbashkët loje e mikrobit të madhështisë a të një mendjemadhështie të përkundërt nënë e bir, që e kthen këtë vepër në një prej thesareve më befasuese të së gjithë letërsisë së sotme botërore.

Aq sa të duket se pa këtë vepër, do të ishte e pamundur të festohej edhe 80-vjetori i ditëlindjes së Ismail Kadaresë.

Është rasti i rrallë që madhështia e emrave dhe veprave letrare të matet me dështimin në përdorimin e veglave tona të përditshme, ku gjithnjë për siguri dhe pushtet shkëlqejnë emra princërore dhe perandorësh.

Në të kundërt, në një botë më vete, pothuaj tragjike, qoftë në madhështi, qëndrojnë gjithë heronjtë dhe heroinat e veprave letrare, me të cilin njerëzimi ka kryer katarsin e vet.

Mos qoftë në përdorim të përditshëm emri i vajzës së sakrifikuar, ai i Efigjenisë në Tauridë, i shkruar prej Euripidit. Pa le Medea, e shkruar po prej tij dhe e shfaqur andej nga viti 431 para erës së rë. Mund të pranojmë disi, duke u ngjitur drejt shekullit të tetëmbëdhjetë, kur do të shpikej makina me avull ndoshta emrin ‘Andromakë’, të paktën në ndonjë qoshk kafeneje, por kurrsesi në një anije të sigurt që duhet të çajë detet. Ja po cedojmë, po ku edhe Fedrën e veprës tjetër të Rasinit. Por mos qoftë as në ndonjë jaht emri i Ana Kareninës, as ai i Zonjës Bovari.

Të gjithë këto emra shfaqen gjithnjë si shkallë tragjike të njerëzimit, që gjithnjë ka ecur mbi trupat e vet.

Rasti i “Kukullës” na bën të veçojmë edhe më tepër një botë femërore, që shkëlqimin ia ka dhënë botës nëpërmjet përpëlitjeve të mëdha. Por në të nëpërkundër të dhimbjeve, Kukulla kadarejane na vjen si një nga personazhet më stoikë të botës letrare. Dhe është pikërisht kjo Kukull stoike, që duket sikur ka ecur lehtë nëpër histori, e parapërgatitur prej shekujsh, duke shmangur gati enkas të gjithë tragjizmin e botës femërore, gati adekuat me atë ecjen e lehtë. Aq sa edhe ne, siç shprehet Kadareja vetë, sikur ta ketë përsëritur secili prej nesh, nuk mund ta shihje kurrë të hynte a të dilte në tualet thua se nuk shkonte kurrë atje. Thua se në mënyrë kryeneçe të ketë pranuar fatin prej Kukulle.

Kështu “Kukulla” kthehet në një embrion të fatit të femrës në përgjithësi, një fat sa elegjiak edhe ngadhnues, që përmban në vetvete misterin e përparimit të kthyer drejt enigmës dhe errësirës, njësoj si në bisedat e Kadaresë me Vosnjesenskin.

“Kukulla” është megjithatë një personazh real, që jeton në një shtëpi të gurtë, ku vjen një kohë kur gratë e moshuara e kanë për zakon të mbyllen brenda, në ngjashmëri të përkundërt me priftëreshat e lashtësisë, që duhet të vdisnin para kohe. Megjithatë, kjo kukull duket sikur jeton njëkohësisht jashtë një realiteti, atje ku me sa duket e vendos vetë shkrimtari aq sa për Kukullën ‘mund të pranohej gjithashtu prej të gjithëve se madje edhe një luftë e tërë botërore, mund të përmblidhej në një parfum të humbur’. Romani “Kukulla” formëson njëkohësisht një vetëmbrojtje të një virgjiniteti shoqëror. Lumturia dhe mendjemadhësia për këtë personazh të rrallë, kur zotërohen, janë krejt të natyrshme ose e njëjta gjë.

Shumëkush mund të thotë se kësaj here ky titull “Kukulla”, nuk mund të përfytyrohet rreth e rrotull pa qytetin e gurtë, thua se është fortifikuar brenda këtij qyteti nga ka marrë edhe atë lloj gipsi të fytyrës. Edhe si sublime, edhe si sakrilegj në të vërtetë është një emër nëne.

Një herezi më tepër shkrimtari, do të thoshte Arshin Pipa.

Një akt tjetër sublim apo ndoshta thjesht ushqim shpirtëror, qoftë edhe për shkrimtarin vetë do të thoshte edhe njëherë kritiku gjerman Michael Kleeberg.

Gjithsesi, një gjë është e sigurt. Kjo figurë nuk ka të bëjë me përdorimin kaq të konsumuar, që nga trupi i kukullave frymore të shtëpive kalon për përdorim drejt politikës. Një frymë e pafrymë e vogël, pasi autori flet për të përtej vdekjes.

“Gjuha shqipe, sipas mendimtarëve, ndër ta Ernest Koliqi, e ka tepër të theksuar mekanizmin e zvogëlimit, (diminutive) aq sa Naim Frashëri e quante Shqipërinë ‘Shqiqpërizë’, ku përkëdhelja, malli dhe dhembshuria ndërthuren haptas, njësoj si te fjala “nënëz”, thotë mes të tjerash në një prej eseve të librit “Mengjezet në kafe Rostand” vetë autori i tij. “Kukulla”, si figurë artistike është pjesëz e këtyre lloj zvogëlimeve peshëlehta, që zënë vendin e tyre në njerëzim. Si vepër letrare, “Kukulla” zë një vend të mbetur bosh në krijimtarinë e autorit, duke krijuar së bashku me “Kronikën në gur” dhe “Vitet e Marrëzisë”, një triptik të veçantë, për të mos thënë se lënë mënjanë dhe largojnë disi më shumë “Darkën e gabuar”, vepër ku autori është prezent në kompromiset jo vetëm të mjekut real gjirokastrit, që ka jetuar pranë shtëpisë së tij në Gjirokastër, por të çdo njeriu, duke përfshirë edhe atë vetë. Mund të jetë vetëm ndonjë personazh si Kukulla, që ka lindur për sfidime të plota e si rrjedhojë përfshin së bashku shoqërinë dhe fatin personal.

Megjithëse shfaqet gati modestisht në Kadariadën e sotme, pa “Kukullën”, edhe vetë libri “Mëngjeset në kafe Ronsar” do të mbetej thjesht një plotësim vakumesh të shqetësimeve të vazhdueshme shoqërore dhe misionare të Kadaresë, ku gjithnjë e më tepër po zë vend qëndrimi i njeriut karshi femrës, aq më tepër në botën shqiptare. Është e natyrshme që kjo vepër të shkëlqejë si roman më vete, ose si një libërth i vogël, si do ta ofronte vetë gjuha shqipe nga brenda saj, fare pa ndihmën e Kadaresë.

Ashtu si edhe vepra të tjera të opusit Kadare, “Kukulla” mbështetet në kujtime, të cilat kanë forcë të tillë gjeniale perceptimi, që të kujtojnë shkëputjen e anijeve kozmike që nisen drejt hapësirave. Por që nuk mund të bëhet emër i asnjë peshkarexhe ose anije klandestinësh të mbytur nëpër dete.

Kur lexon të gjithë vëllimin ku është botuar për herë të parë, në një kontekst të hapur, ajo duket sikur i kundërvihet veprës “Nëna” të Maksim Gorkit, jo aq se kjo vepër e një shkrimtari kolos si Gorki, u bë udhë rrëfimi për revolucionarët e rinj shqiptarë të para- Luftës së Dytë Botërore e duhet nënvleftësuar patjetër, por se siç thotë vetë Kadare tek eseja “Makbeth”, nuk ka brenda asnjë fare fantazmë, nënkupto asnjë lloj fantazie, që i nevojitet artit të vërtetë të madh. Dhe kjo shterje, që ndoshta në një periudhë të caktuar dhe në një vend të caktuar do të vinte në lëvizje edhe një pjesë të kohës, mbeti e pasqyruar në një prej librave më të mërzitshëm të po atij çasti vetë.

Kukulla, në të kundërt i kapërcen etapat e njëpasnjëshme.

Duke u nisur nga kujtime personale, nga një tepsi dasmash dhe bakllavaje ballkanike që rrokulliset gjatë mbartjes së plaçkave të familjes Kadare nga Gjirokastra në Tiranë, “Kukulla” sjell së pari në letërsinë botërore, figurën e një nëne gjer tani të paqenë ose të pashfaqur, thua e rrokullisur dhe e larguar që nga “Shtëpia e Kukullës”, e Ibsenit dhe “Nëna” e Gorkit, drejt kohës së sotme të postmodernizmit, ku lotët e një Kukulle si personazh real rrjedhin aq lehtë, si në teatrin aziatik ku fytyrat mbulohen me një maskë.

Te “Kukulla” e Kadaresë nuk kemi më maskën e nënës, por parzmoren mbrojtëse të një gruaje shtatvogël, e cila përmbledh me kryeneçësi të gjithë fuqinë e saj ndaj jetës në një raport bir dhe nënë, ku tepria dhe mungesa ndërvaren nga njëra-tjetra, siç shprehet vetë autori.

“Kukulla” nuk është thjesht një libër për figurën e një gruaje të mbetur pothuaj fëmijë gjithë jetën, si vetëmbrojtje ndaj të gjithë peshës së përjetuar nëpërmjet pafajësisë, ose kultivimit të naivitetit. Figura e Kukullës nënë është vetëm dhe vetëm e Kadaresë, një monument i tij për atë që e ka lindur, si një figurë e sfidës ndaj të gjithë botës, e rreshtuar pranë plakave gjirokastrite që vështrojnë botën me dylbi, ose deri te një figurë reale si Izmini Kokobobo, që sipas Kukullës që merr vesh gjithçka, nuk di të bëjë bisedime të vërteta me Enver Hoxhën. E më në fund e shohim të rreshtuar edhe pranë shkrimtarit vetë, kur e fton të birin për bisedime për ta pyetur nëse do ta ketë atë më nënë kur të bëhet shkrimtar i famshëm. Ka ndodhur ndarja e madhe.

Është vetë Kadareja si bir, që dëshiron ta mbrojë këtë naivitet, si pasuri të madhe të botës njerëzore, përkrah një mashkulli baba, ku negociatat bëhen të mjaftueshme, mjafton që të dy së bashku të japin dhe marrin buletinet me lajme nga bota e jashtme të ndaluara për të tjerët.

Me nënën njeriu nuk mund të ketë kurrfarë negociate. Por Kadare nuk është vetëm biri, por edhe shkrimtar gjenial. Dhe fjala gjeni nuk mund të jetë ndonjë fjalë aq e madhe, as privilegj i madh. Është një dhunti për të parë dhe perceptuar atë që nuk e shohin të tjerët. Kadare, si e tregon vetë, është prej atyre njerëzve që së bashku me nënën e tij parasheh fatin e tij të ardhshëm të shkrimtarit, bir i një nënë që për hir të letërsisë duhet mohuar patjetër, njësoj si Shën Pjetri që mohon Krishtin e vet.

Dhe “Kukulla” krijohet në radhë të parë për të ruajtur në një mbrojtje të pafund dhe të pacenueshme seksualitetin e ngrirë. Por gjithsesi, të shpallur.

Pasazhi është i rrallë dhe i kursyer. Na mjafton që Kukullën ta përfytyrojmë me një hijezë (çadër) në dorë, duke ecur drejt shtëpisë Dobi të vajzërisë, të shoqëruar nga një grua rome sipas zakonit për vizitën e parë pas martese, kur më në fund të gjithë do t’i thonë zonja Kadare.

Kukulla duket sikur ka fituar dhe ka ngrirë pamjen e virgjëreshave të Nepalit, që duhet të kenë pastërtinë e dëborës së Kilimanxharos. Në raport me jetën shoqërore. Aq sa të duket se vetëm nga ky kënd i volitshëm, ajo mund të pranohet edhe në kujtesën e të birit.

Nuk jemi më në raportin e komplekseve edipiane, at e bir, si një raport i vazhdueshëm pushteti, që vazhdon të tronditë botën deri më sot.

Pushteti i Kukullës është tërësisht i mëvetësuar dhe i mbledhur në vetvete. Komoditeti i saj kërkon diçka tjetër, vetëm të sajën. Të shkojë shumë vite më pas, të ulet vetë në hollin e Pallatit të Kulturës “për të ndritur sytë”.

Edhe ajo fraza e saj “Më ha shtëpia” si në shtëpinë e madhe të Kadareve që ka edhe burg brenda, si kur jeton në apartamentin e vogël, tingëllon aq lehtë një mister prej kukulle, por pa tmerr.

Njësoj si ai parfumi i rrallë dhe i vjedhur prej gjermaneve gjatë kohës së luftës, Kukulla shpërndahet brenda kujtimeve familjare për t’u krijuar si figurë e rrallë e letërsisë botërore. Ngjarjet vijnë të shpupurisura, herë mes ngashërimeve të mikut të fëmijërisë Besnik B, gati si një alterego që duket sikur nuk ekziston më, herë me drekën e kumtit të lidhjes së shkrimtarit me Helenës, bashkëshorten e tij të ardhshme, herë me ndodhinë historike kur një grup ekspertësh trokasin në apartamentin ku ka jetuar shkrimtari dhe sekuestrojnë dorëshkrimet e tij, e ku prapë se prapë shfaqet fjala nënë, një fjalë që përsëritet si refren nga të tjerët, por jo prej shkrimtarit vetë.

Vetë shkrimtari pranon për ta quajtur përpara të gjithë botës Kukull.

‘Po mua do të më fusni në burg?’ – pyet Kukulla “inkuizitorët” e dorëshkrimeve, që për fat nuk humbën kurrë.

Është fundi i një perandorie të dhunës, që shfaqet kaq antihistorike, si mund të meritojnë lotët e një Kukulle? Të lehtë.

Është gjithnjë refreni i pyetjeve të pafajësisë së mbrojtur prej një shkrimtari dhe biri.

‘Po ti tani je francez?’ – pyet ajo pas kthimit prej arratisjes së tij të bujshme.

Pohim ndoshta që një shkrimtar si Ismail Kadareja i përket gjithë botës.

Asnjëherë deri më sot një shkrimtar nuk i ka dhënë letërsisë botërore një vepër të tillë, ku të shprehet me një riparim kaq elegant dashuria për nënën.

Asnjëherë ndonjë shkrimtar i madh shqiptar, përpos ndonjë pasazhi jetësor të Faik Konicës te romani “Gjilpëra”, nuk i ka dhënë lexuesit shqiptar skena të tilla tipike dhe të ngrira ndër shekuj të jetës shqiptare. Mjafton të thuhet se është një skenë e përjetuar në shumë familje shqiptare, ajo që edhe vetë Kadaresë i duket e veçantë si gjyqi i zakonshëm familjar mes nënës dhe gruas, ku herë ecën me hap të lehtë nëpër shtëpi, ajo që ka fituar pafajësinë dhe herë të tjetra mbyllet në kthina misterioze, duke rënkuar, njësoj sikur të jemi në skena mbretërore. Po aq tipike shqiptare është detyrimi patriarkal dhe për-gjegjësia patriarkale e djalit me “të fuqishëm” për t’u mbartur me të gjithë familjen me vete. Qoftë ajo vërdallisja rreth fjalës nënë, ose mama ku përplasen vjehrra dhe nëna të vërteta. Ky kolorit i papërsëritshëm e bën romanin “Kukulla” pjesë të jetës së çdo njeriu, sado e befasishme të krijohet prej penës së shkrimtarit.

“Kukulla” mund të quhet një libër i çuditshëm dashurie për mëmësinë e ndërkryer të kësaj bote, një rikthim kaq i vonuar i të gjithë njerëzimit drejt shprehjes së dashurisë.

Roman i infiltrimit të humanizmit të sotëm, që zbret në fëmijëri dhe shpëlahet prej saj, për të mbërritur përsëri në ditët tona. Ndoshta në këtë fëmijëri Kadareja ka vendosur të shpëlajë gjithashtu të gjithë Shqipërinë e tij mbretërore, italike, gjermanike apo komuniste, siç e quan vetë. Gjithsesi, vetëm në këtë mënyrë ai mund të fitojë kurorën letrare të gjithë këtyre lloj Shqipërive europiane, përfshi edhe atë të komunizmit gjithnjë e më të papranueshëm.

Dhe nuk ka se si kur është bir i një Kukulle të tillë, që sfidon çdo lloj kohe dhe çdo lloj historie. Në këtë formë sfidante si përtej vdekjes, romani “Kukulla” ndoshta qëndron më pranë romanit të tij “Spiritus”, ku spikasin labirinte nga më të çuditshmet totalitariste.

“Kukulla” nuk ka lidhje me asnjë lloj mekanizmi të pushtetit. Është providenca krijuese që ka vendosur për të mbrojtur kuptimin dhe moskuptimin midis nënës dhe birit, si shenjë e një marrëdhënieje të pafund në përtëritjen e jetës.

Po të mos isha shqiptare, ose po të kisha thjesht detyrën e një recensionusi, ashtu si kanë bërë edhe recesionues të njohur, do t’u mëshoja ndoshta fakteve më të thjeshta që dalin nga ky libër, si rikonstruksionit të shtëpisë së Ismail Kadaresë, nga e cila një ministre Kulture mund të ngazëllehet më tepër se me librin vetë. Do të vija në dukje përsëri, përndjekjen që i ka bërë shkrimtarit regjimi komunist e të tjera bla ba bla, “trululu, e tra lala”, si mëton të kundërshtojë me të gjithë veprën në fjalë vetë Kadare, kur thotë se “mund të këndoje gjithë ditën nënë e dashur, nëna ime, më e mira në botë, sa erë e mirë që vjen e gjëra të tjera të këtij lloji”. Por ja që një shkrimtar i madh, si edhe nëna e tij vetë “e di që edhe sikur t’i pranojë hojnat, ato janë të përkohshme”.

Misteri prej Kukulle, gjithnjë pa tmerr, e ndjek njeriun në marrëdhënie të përjetshme.

Si përfundim, mund të thuhet se ashtu si i kemi dhënë gjithnjë botës në sajë të emigracionit pa fund, në pamundësi të shkëmbimeve të tjera, diçka edhe më hyjnore, si vetë trupin, gjakun dhe mishin, si shqiptarë i kemi dhënë botës edhe një nga figurat më befasuese të nënës, nenëzës, apo Kukullës kadarejane të papërsëritshme. Shumë pranë perëndeshës mesdhetare të Osirisit dhe perëndeshave të tjera të nënës natyrë, aq më tepër një miniaturë kukulle e të gjithë nënave të kësaj bote, që nuk do të gjenden më, të shpëtuara prej mëkateve të kësaj bote, jo se nuk ekzistojnë, por se janë parë me sytë e një biri që duhet të paktën në mos të shpëtojë figurën e nënës që perëndon, të paktën figurën e një biri që gjithmonë do të lindë patjetër.

Le ta falënderojmë me rastin e 80-vjetorit të lindjes edhe një herë për romanin “Kukulla”, për pasurimin që si autor i bën me këtë emër të gjithë veprës së vet të krahasuar me Komedinë njerëzore apo hyjnore, le ta zgjedhë vetë.

 

Janar 2016

Please follow and like us: