Albspirit

Media/News/Publishing

Ekskluzive me Tasim Rukon, Kryetar i Degës së Vatrës në Tampa-Clearwater, Florida

Image may contain: 1 person, suit

 

VATRA NË KOHËN E KORONAVIRUSIT

Bisedë me z. TASIM RUKO, Kryetar i Degës së Vatrës në Tampa-Clearwater, Florida.

 

Bisedoi: Dalip Greca, Gazeta Dielli

 

Vatra ka vijuar aktivitetin e saj edhe pse koronavirusi ka imponuar kufizim të përgjithshëm dhe ka ndaluar grumbullimet e mbledhjet. Kryesia e Federatës ka ruajtë kontaktet me anëtarët e saj, por edhe me degët nëpër shtetet e Amerikës së Veriut e Kanada. Ka ndjekur jetën në komunitet dhe në trojet kombëtare, ka mbajtur qëndrime për zhvillimet në Atdhe përmes deklaratave dhe ka zhvilluar video-konferencë për ngjarje të tilla siç ishte Përvjetori i Revoltës së Spaçit dhe asaj të Qafë Barit.
Nga ana e saj, gazeta Dielli, ka informuar në vazhdimësi vatranët për situatën në SHBA e vendlindje, në Europë e Kanda, kudo ku jetojnë shqiptarët. Intervistat me personalitete, mjekë shqiptarë që punojnë në SHBA dhe Europë, me shkencëtarë, gazetarë, personalitet publike, kanë sjellë realitetin e rënduar të Pandemisë.
Po degët e ‘Vatrës’, si kanë funksionuar gjatë kësaj kohe?
Gazeta ”Dielli” ka nisë një bashkëbisedim me degët e ‘Vatrës’ nëpër shtete e qytete të ndryshme në SHBA dhe në Kanada, pikërisht për të sjellë zërin e tyre në gazetën e Vatrës. Janë ftuar kryetarët e degëve përmes ‘Diellit’ të përcjellin informacione për kohën e koronavirusit.
Dega e ‘Vatrës’ në Tampa-Clearwater udhëhiqet nga z. Tasim Ruko. Ajo dallohet për veprimtari të vazhdushme, cilësore, masive, dhe për suksesin që ka arritë me shkollën shqipe, që prej disa vitesh ka fituar respektin jo vetëm të vatranëve por edhe të komunitetit shqiptar.
Redaksia e Diellit i nisi disa pyetje z. Ruko dhe në një kohë të shpejtë ai ktheu përgjigjet. 

 

DIELLI: Z. Tasim, Si po e kaloni këtë kohë të Pandemisë? Si është gjendja shëndetësore juaja dhe e familjes? A ka njeri nga rrethi juaj familjar apo miqësor të prekur nga COVID-19?

Tasim Ruko: Faleminderit Zotit, gjendja shendetësore imja dhe e familjes në këtë kohë Pandemie deri tani është shumë mirë. Edhe rrethi im familjar e miqësor, si këtu në SH.B.A, vendlindje e Europë gëzojnë shëndet të plotë.

 

DIELLI: Si paraqitet situata në Florida në tërësi dhe në veçanti në Tampa-Clearwater?

Tasim RUKO: Situata ne Florida relativisht mendoj se duhet konsideruar jo shumë e rënduar, po të kemi parasysh New York-un, ku jetoni ju. Kohët e fundit është ulur shkalla e infeksionit në Florida, ndërsa jeta e pacientëve të infektuar është nën kontroll mjekësor. Me 24 Maj Florida regjistroi vetëm 4 të vdekur, ndërsa në total kanë humbur jetën rreth 2 mijë e 237 pacientë. Të dielën e 24 majit u njoftuan 740 të infektuar të rinj, ndërsa në total shteti ka raportuar rreth 51 mijë të infektuar. Po vazhdohet t’i tregohet kujdes testimeve. Deri tani janë kryer rreth 873 mijë testime.

 

DIELLI: A u morën aty masa kufizuse? Janë të hapura bizneset?

Tasim RUKO: Fillimisht po, por tani situata po shkon drejt normalizimit. Tampa & Clearwater, ku ne jetojmë, thuajse gradualisht po kalon në jetën normale. Restorantet kanë filluar punën, plazhet thuajse janë 100 për qind të hapura. Kërkohet respektimi i rregullave, por deri tash gjithçka duket mirë. Masat kufizuse, fillimisht edhe tek ne ishin të forta në përgjigje të urdhërit të guvernatorit të shtetit, ashtu siç u morën në të gjithë shtetin e Floridës, por sektorë të tillë si: ndërtimi, transporti, shoferët, piceritë. Supermarketet, dyqanet ushqimore, ku punojnë shumica e shqiptarëve, nuk e ndërprenë aktivitetin.

 

DIELLI: U bënë tre muaj që jemi të izoluar, si i keni mbajtë lidhjet me kryesinë e degës dhe me anëtarët e saj?
Tasim RUKO: Kryesia e degës së Vatrës në Tampa-Clearwater gjatë këtyre tre muajve izolim ka funksionuar në përshtatje me kushtet e izolimit. Kemi mbajtur kontakte të vazhdueshme me njeri-tjetrin, me vatranët por edhe me komunitetin. Në një farë mënyre e kemi përcjellë jetën në komunitet, me gjithë kufizimet e diktuara nga koronavirusi.

 

DIELLI: A ka pasë të prekur nga dega juaj prej COVID-19?
Tasim RUKO: Fatmirësisht deri tani nuk kemi pasë asnjë të prekur me COVID-19, si nga radhët e vatranëve, por as nga pjesa tjetër e komunitetit. Ka pasur të sëmurë nga semundje të tjera njerëzore, po ashtu kemi përjetuar edhe vdekje në komunitet, por ato kanë qenë të moshës së tretë dhe nuk kishin si shkak Koronavirusin.

 

DIELLI: A keni pasë mundësi të komunikoni në mënyrë elektronike, me mesazhe, me telefonata me vatranët. Po me qendrën?
Tasim RUKO: Po, patjetër. Unë personalisht, bashke me kryesinë e degës, kemi pasur komunikim të vazhdueshem me njeri-tjetrin, edhe me anëtarët e ‘Vatrës’ e familjet vatrane, si me telefonata, mesazhe, e-meil etj. Gjithashtu kemi pasur komunikim me kryesinë e Federatës, në qendër dhe miq vatranë. Gjej rastin t’i falenderoj për interesimin që kanë treguar, kryetari z Elmi Berisha, Presidenti i nderit z Agim Rexhaj, ish nënkryetari Asllan Bushati, që na ka telefonuar çdo ditë dhe shumë të tjerë që nuk po i përmend.

 

DIELLI: Cila është gjendja reale e degës tuaj; a e keni ruajtur anëtarësinë e kohës së Kuvendit, ka të larguar apo keni shtuar anëtar të rinj?

Tasim RUKO: Gjendja aktuale e anëtarëve të degës së ‘Vatrës’ në Tampa-Clearwater mbas Kuvendit, është shumë e mirë, nuk kemi askënd të larguar, bile kemi rritur rrethin e simpatizantëve, që kanë shprehur dëshirën për t’u anëtarësuar në ‘Vatër’.
DIELLI: Dega juaj ka bërë një punë të shkëlqyer me shkollën shqipe. Si do të jetë e ardhmja e saj në kushtet e Koronavirusit?

Tasim RUKO: Shkolla Shqipe me emrin e bukur dhe simbolik “Vatra”, si te gjitha shkollat e tjera në sistemin arsimor në Amerikë, u mbyll, për arsyen e Covid-19 dhe do të hapet përsëri sa të fillojë sezioni ri për vitin 2020-2021, që besoj se do të jetë Shtatori. Dua t’i falenderoj si trupën mësimore ashtu edhe prindërit e nxënësve. Për këtë vit, kemi një staf të kualifikuar mësimdhënës, patriotë që e duan Kombin, që po presin me pa durim, hapjen përsëri të vitit të ri shkollor, që të japin kontributin e tyre maksimal për Shkollën Shqipe. Përmend znj. Meri Kodra, që është organizatore kryesore e shkollës shqipe, z. Haki Veliu, z Armand Zacelici, e zonjën Gitjana Gjyshi.

 

DIELLI: Si është gjendja e bizneseve të vatranëve?

Tasim RUKO: Në përgjithësi, sipas informacioneve që kam, gjendja e bizneseve të vatranëve ne Tampa Bay, Florida është e mirë deri tani. Të gjithë janë duke i ushtruar aktivitetet e tyre.

 

DIELLI: Z. kryetar, Ju falenderojmë për informacionet që përcollët dhe urojmë degën e Vatrës në Tampa- Clearwater, që sa më shpejt t’u kthehet aktiviteteve normale.
Tasim RUKO: Kënaqësia ishte imja. Suksese Diellit, që gjatë kësaj kohe na ka informuar rregullisht.

 

VOAL

 

Please follow and like us: