Albspirit

Media/News/Publishing

Pallati i Kulturës multifunksional në Krujë, pret prej 10-të vjetësh të jetë plotësisht në funksion të qytetarëve

Sendet - Vlera Personale... — Albmendimiarts.com
Sabina Darova
Ndodh nganjëherë që kalojnë ditë të fjetura pa ngjarje, pa lëvizje, pa nerv… por ndodh që brenda një dite apo në një dorë ditësh, rrethohesh nga ngjarje të cilat shënojnë ndryshime të forta në jetën individuale, të një kolektivi apo të mbarë shoqërisë.
Katër muajt e fundit, për mbarë botën, një virus i padukshëm shkaktoi Luftën e Tretë Botërore. Nuk iu desh të shpenzohej në armatime, as në financime, as të paguante biletë vajtje-ardhje. Me një qetësi absolute, me nerva të ftohta, pushtoi botën dhe e detyroi deri në gjunjëzim, të tërhiqej e të mbyllej brenda mureve për t’u mbrojtur. Krijoi situata të paimagjinueshme për njeriun, duke i shkaktuar edhe vetë atij asgjësimin fizik. Sot bota regjistron 336,440 të vdekur.
Sikur të mos mjaftonte, kur njeriut iu kërkua të krijojë dhe respektojë distancimin social, duar të padukshme qeveritare, filluan të zgjaten me disa skica të vizatuara në studio të panjohura për qytetarët, me qëllim transformimesh për zhvillim kohor.
Në Tiranë, u bëmë dëshmitarë të një mëngjesi të pazakontë, për tempullin e artit, Teatrin Kombëtar. Ky u shkatërrua nga Bashkia e Tiranës në rrugën më të dhunshme që kishim parë deri më sot.
Në Krujë, banorët mbetën të mbyllur e izoluar, nëpërmjet televizionit, për një plan të ri urbanistik, organizuar e projektuar nga Bashkia e qytetit. Bëhet fjalë për rihabilitimin e zonës së Lagjes së Subashëve, pas dëmtimeve të pësuara nga tërmeti i nëntorit 2019. Lagje kjo, nga më të vjetrat në Krujë, me një histori 500 vjeçare. Çuditërisht, për rindërtimin e kësaj lagjeje, njerëzit zbulojnë se shtëpitë e tyre, të cilat ju kanë rezistuar më së miri luftrave dhe amorfitizimit të kohrave, do shemben në themel. Le ta imagjinojmë se ç’ndodh me këta njerëz, që pa pritur e kujtuar mësojnë që pas dy muajsh, shtëpia e tyre do rrafshohet, sepse e ka vendosur shteti.
Banorët e kësaj lagjeje, për fat të mirë, në të drejtën e tyre, u revoltuan dhe kërkuan rishikimin e këtij projekti, për të lenë të pa cënuar banesat ku jetojnë. Sigurisht, patën dhe mbështetjen e mbarë qytetit, sepse po ushtrohej një padrejtësi ndaj bashkëqytetarëve të tyre. Kryetari i Bashkisë premtoi që do ta rishohë këtë projekt, nëpërmjet një letre të hapur për të gjithë qytetarët, pa i shpëtuar mllefit dhe ironisë duke përfunduar letrën, me thënien e urte popullore “Qentë le të lehin, puna shkon përpara”.
Ky projekt parashikon ndërtime të reja, zgjerime rrugësh, parkime dhe parqe. Kureshtare, hyra në faqen e Bashkisë për të mësuar diçka. Ndër punimet e përfunduara me sukses, fakt që e kam konstatuar çdo herë që shkoj në Krujë, vemendjen ma tërhoqi Pallati i Ri i Kulturës, i cili është ndërtuar në krah të Bashkisë.
Ky Pallat i ri multifunksional, mban emrin e regjizorit të njohur dhe mikut të ngushtë të babait tim, Ibrahim Bërdaku. U gëzova shumë dhe kureshtja më shtyu të kërkoj më tej. Kur është ndërtuar, funksionet e tij, ambjentet e brendshme, aktivitetet…
Zhgënjimi që pësova ishte jo i paktë. Asnjë informacion në faqen e Bashkisë për aktivitetet e zhvilluara në të kaluarën. Asnjë statistikë, asnjë fotografi dëshmuese të aktiviteteve të realizuara në këtë pallat. Në një video në yuotube, shoh që Godina e Qendrës Kulturore ka 4 vjet që është përfunduar, por nuk është vënë në funksion plotësisht. Pyes veten se ç’duan të thonë me këtë? Pas disa telefonatash ndër miq, mësoj se kësaj godine i mungojnë dy ambjente kryesore: kinemaja dhe salla e koncerteve. Por, nuk i mungojnë zyrat për aparatin drejtues, qendra kulturore për fëmijët dhe dhomat e provave për artistët, vendosur në katin e poshtëm të saj. Mësoj që gjithashtu, edhe biblioteka është e vendosur ne katin e nendheshëm (vend i privilegjuar për diturinë), ku librat rrezikojnë të myken sepse mungon ajrimi.
Pyetjet filluan të lidhen zinxhir. Në qoftë se salla e koncerteve nuk është e përfunduar, ku marrin jetë ato? Sa shfaqje artistike pergatiten gjatë vitit dhe cili është tematika e tyre?
Habija vazhdon të rritet. Mësoj që salla spektaklesh janë sheshi përpara Bashkisë, Muzeumi i Skënderbeut, dhe Shtëpia e Kulturës në Fushë-Krujë, për kur bie shi, apo bën ftohtë. Numri i koncerteve numërohen me gishta: Festa e çlirimit të Krujës në shtator, festat e Nëntorit, përvjetorët e Skëndërbeut, festa e gruas dhe e mësueses dhe 1 Qershori. Pra, përmbajtja e koncerteve është kryesisht politike, si dikur në vitet e komunizmit. Për të qendruar në temë, pyes nëse shfaqen pjesë teatrale, festivale të këngës, takime të organizuara për librin me bibliotekën, me piktorë, artistë, poetë, galeri të arteve pamore e shumë e shumë aktivitete të tjera. Më buzëqeshin hidhur e duke ulur kokën, pohojnë në shenjë turpi, se në qytetin e Krujës, jeta artistike është në grahmat e fundit të jetës.
Mësoj, që projekti i këtij pallati kulture merr nismën nga një dëshirë e një miku të gjimnazit, mjekut kardiolog, Shkëlqim Ziri. Kjo, 10 vite më parë, kur përfaqësonte si deputet i PD-së, zonën e Krujës në Parlament. Fondet për ndërtimin e godinës u përfituan nga Ministria e Kulturës. Shifra ishte tek 2 miliard lekë (të vjetra).
Zakonisht, kur ndërtohet një projekt, parashikohen të gjitha zërat në më të voglin detaj: muret, elektriciteti, pajisjet fonike, veshja me pajisje etj. Përse nuk arriti të realizohej? Ku përfunduan lekët e derdhura nga shteti? Përse ndërtesës i mungojnë salla dhe skena për shfaqje, ashtu edhe kinemaja? Kush nuk e zbatoi projektin siç duhej? Cilët janë përgjegjësit? Përse fillohen punimet dhe lihen gjysmake?
Kush përgjigjet për mungesën e jetës kulturore dhe artistike të qytetit?
Kruja mendon të presë dhe të kënaqë me mijra turistë në gjirin e saj, po për vetë banorët e qytetit, a ka menduar? Cilat janë projektet për të ardhmen? Po për të rinjtë, a është menduar t’iu ofrohet një kinema për fund jave apo takime kulturore me njerëz të shkencës, artit dhe kulturës? Si mund të pretendohet që të kemi njerëz të kulturuar, të lumtur e të gëzuar, kur nuk ju afrojmë kushtet? A janë pyetur ndonjëherë të rinjtë e qytetit se çfarë dëshirojnë për argëtim dhe formim kulturor?
Apo mos vallë është më e thjeshtë t’iu përgatitim valixhet për të ikur diku gjetkë, e të kthehen vetëm në stinën e verës si turistë?
Uroj, që plani i ri ndërtimeve të pallateve të reja për qytetin e Krujës, të mos pësojë fatin e Pallatit të Kulturës të papërfunduar ende pas 10 vjetësh. Gjithashtu, të brumoset ushqimi, i duhur për qytetin, që ka nevojë për art, kulturë, argetim dhe jo të vazhdojë të ushqehet me lugë të zbrazur.
Image may contain: house, sky, tree and outdoor
Image may contain: outdoor
Image may contain: sky, tree, house and outdoor
Image may contain: tree, sky, plant and outdoor
Please follow and like us: