Albspirit

Media/News/Publishing

Lule në themelet e Teatrit Kombëtar

Image may contain: one or more people, flower and closeup

Kozeta Zavalani

Kujtoj thënien e bukur: “Kur e gjithë bota hesht, dije se një zë i fuqishëm nga brënda bërtet”- nga M. Yousafzai

 

Sot, 10 ditë pas shëmbjes së Teatrit Kombëtar, i quajtur institucioni teatror më i rëndësishëm i Shqipërisë, një nga vlerat sublime të kulturës shqiptare, gjithashtu një shkollë e artit teatror kombëtar; në terma poetikë, një “tempull” dhe vatër e rëndësishme artistike në mbarë hapësirën shqiptare, më solli në mendje shkatërrimin e shkollave nga Talibanët në Pakistan dhe pakistanezen Malala Yousafzai. Ajo shkroi një ditar anonim për jetën nën sundimin e Talibanëve në Pakistanin veri-perëndimor. Malala ishte shumë e re, kur ditari i saj anonim i shkruar për BBC në gjuhën urdu, nën pseudonimin Gul Makai, mahniti audiencën botërore. – Më pëlqen edhe emri emri im i vërtetë, është shprehur ajo, sepse do të thotë ‘pikëllimi i goditur”. Militantët shkatërruan shumë shkolla vajzash në kohën kur Talibanët kishin pushtetin mbi luginë.

Në janar të vitit 2009, ndërsa shkolla po mbyllej për pushime dimërore ajo shkroi: “Vajzat nuk ishin shumë të emocionuara për pushimet, sepse e dinin nëse Talibanët zbatonin ediktin e tyre [duke ndaluar arsimin e vajzave] ata nuk do të mund të vinin përsëri në shkollë. Unë jam e mendimit që shkolla një ditë do të rihapet, por ndërsa u largova, pashë ndërtesën, sikur nuk do të vij përsëri këtu ”. Ajo u qëllua në kokë nga militantët për guximin që pati për të shkuar në shkollë. Plumbi e goditi në pjesën e majtë të kokës, depërtoi në kafkën e saj, duke udhëtuar nën lëkurë, deri në shpatullën e saj.

Është e gjatë historia e rimëkëmbjes së saj – pas një operacioni delikat në një spital ushtarak pakistanez, deri në operacione të mëtejshme dhe rehabilitim në Mbretërinë e Bashkuar, në Spitalin Mbretëresha Elizabeth në qytetin Birmingham ajo mori një trajtim të specializuar ku i vendosën një pllakë titani në kafkën e saj, për ta ndihmuar të dëgjonte. Më pas ajo vazhdoi fushatën e saj globale – që është ndjekur nga afër nga media botërore. Ai akt tronditës e katapultoi atë në famë ndërkombëtare. Ajo madje u përball me të dërguarin e atëhershëm special të SHBA në rajon, Richard Holbrooke, duke e nxitur që të bënte diçka për gjendjen e grave dhe të vajzave që duan të arsimohen.

Në janar 2013 jeta e saj ishte ndryshe, e paimagjinueshme nga gjithçka që mund të kishte parashikuar ajo, kur ishte një zë anonim që kronikonte frikën e nxënësve të shkollës nën hijen e Talibanëve. Ajo u emërua një nga njerëzit më me ndikim të revistës TIME dhe për herë të parë për Çmimin Nobel për Paqen. Në të njëjtin vit, ajo fitoi çmimin Sakharov të Parlamentit Evropian për Lirinë e Mendimit me ​​autobiografinë e saj “Unë jam Malala”. Në vitin 2014 ajo u bë personi më i ri, që ka fituar Çmimin Nobel për Paqen. Duke pranuar çmimin në Oslo, ajo tha se ishte “e përulur” dhe krenare që ishte e para pakistaneze që fitoi këtë çmim. Në vitin 2017, ajo u pranua të studionte për Politikë, Filozofi dhe Ekonomi (PPE) në Sallën Lady Margaret Hall të Oksfordit. Njëkohësisht, ajo vazhdoi fushatën e saj nëpër botë. Një fond i krijuar në emrin e saj ndihmon fëmijët për arsimim në të gjithë botën…

Këto kujtoj, teksa vendos një tufë lulesh në themelet e Teatrit Kombëtar, që u shemb i blinduar nga forcat policore, të cilët larguan me dhunë qytetarët dhe artistët, sepse askush nuk mundi të rezistonte përballë raprezalies policore. Godina u shëmb, por nuk dua kurrsesi të shemben ëndrrat për të ardhmen tonë, më të mirë!

Please follow and like us: