Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: DIKU…

Gazetari Ismail Xhaferi "thumbon" me vargje politikanët...

Diku jeta rrjedh e paqtë,
Diku brenga kurrë nuk fle,
Diku çel një rreze shprese,
Diku humb e s’kthehet më.

Diku fati vjen i bardhë,
Dhe ne themi, fat mos ik!
Diku tjetër fati vjen,
Me stuhi e me kamzhik.

Diku mbin një manushaqe,
Nën një plis me borë mbuluar,
Sa çudi, bora dhe lulja,
Rrojnë së bashku përqafuar.

Diku mali heq qeleshen,
Sepse bora nis të shkrijë,
Nëpër rrjedhën e një përroi,
Nis pranvera që të vijë…

Diku shkojnë e vijnë mesazhe,
Dhe i japin jete një ëndrre,
Po kur nuk ka më mesazhe,
Ndalon rrahja e çdo zemre.

Diku zemrat që janë ndarë,
Mes pendimesh psherëtijnë,
Diku gjetkë, një shami dasme,
Digjet bashkë me vajzërinë,

Diku ëndrrat flakërijnë,
Pranë zemrës m’u tek gjiri,
Diku tjetër ëndrra zgjat,
Sa zgjat flaka e një qiriri.

Diku dita nis e trishtë,
Për shumë vite që kanë ikur,
Për ata që pleqëria,
Shkon në portë për t’u trokitur.

Diku dega e hardhisë,
Rritet zgjatet prej harbimit,
Kapton gardhin e oborrit,
Përqafon lisin e fqinjit.

Diku në oborrin tim,
Një tufë zogjsh të mardhur rrinë,
Eshtë acar ndaj u hap derën,
Që në dhomë brenda të hyjnë.

Diku lulëzon lofata,
Në rrugicë para një porte,
Gjithë lulet e lofatës,
Ngjajnë si buzëqeshja jote.

Diku parkut gjethe vjeshte,
Bien tokës me përtesë,
Si ca letra dashurie,
Që kërkojnë një adresë…

Diku rrjedh një lumë i kaltër,
Brigjet spërkatur me vesë
Po nëse shterojnë përrenjtë,
Edhe lumi nis e vdes.

Diku jeta rrjedh e qetë,
Dikë brenga me ne fle,
Diku çel një rreze shprese,
Diku humb e s’kthehet më.

Please follow and like us: