Albspirit

Media/News/Publishing

Mustafa Spahiu: VETMIA – NË NISHAN – KOSOVA LINDORE

mustafa saphiu

Mustafa SPAHIU

 

 

VETMIA – NË NISHAN – KOSOVA LINDORE

 

I.

 

 (Gardhet – Mbrojtja Kombëtare)

 

 

Prijatarët na lanë amanet

guri i hudutit të vitit 1878

është tej Vranjës, n’Ristoc,

 

udha hekurit për Selanik

kalon nëpër Dardaninë,e

Kosovës Lindore eshtrash,

 

Hëna ia ruan fshetësinë

fushave të gjera bukanike

viseve kodrinore luadhet

 

llafosin me ajrin e dehur

gjurmëve të xixëllonjave

dhe ngarendin fëmijët…

 

Rétë lotojnë bjeshkëve,

qyqeja kukon tjerr të zi

në një çerdhe të shkretë!

 

2.

(Grigja e gurëve – lëvizin)

 

Qaramanët tërë natën

me fytyrat e lëmashkura

kullosin stivimin e gurëve

 

numërojnë qafat e maleve

vija kufitare heshtas kalon

Ujin e Bardhë, Blinishten –

 

zbret rrëshqanas luginës

nëpër kurtet e fshatrave

Karaçevë e Ulët virgjër,dhe –

 

futet në fshatin Novoselë,

nëpër gardhet me shtrezë

dhe lumthi keq hakërrohet!

 

Hej tokë, hej lashtësi jona

çukat këlthasinë vajtime

nga xhandarmëria sllave?!

 

3.

(Memento – Dardania)

 

Kavalkadë ujqërit afrohen

qentë kuisin nuset dhëmbët bigor

zogjët e frikësuar mardhin,

 

karpatianët prej kolendrës

kërkojnë gjurmët e erës vrer

futen në urinë deri në gjunjë

 

prej luadhesh dëborërash

ndjekin ujqërit e errësirës

presin gdhirjen e diellit djegin

 

gardhet me kama rrufeje

i djegin në hurin e fundit

me tym i ndezin cigaret,

 

me siringa pazvanët prej

lemerisë bëjnë gjumë guri

qielli gëlltiti pyllin vajtor…

 

4.

(Arlekin – asignatat)

 

Hiqen si asket diabolikët

arkadë bëjnë me karmine

me nafora mbajnë svastikë

 

nën toga shajnë Sh’mërinë

urinojnë puseve të thella,e

shlligat shpresën ua thithin,

 

kob ndjellin e kob mbjellin!,

qengjat e bardhë po ikin

malësorët prej Hashanisë

 

ia mbathën guri gurin e

rrokulisi Fushës’Mëllenjave

u çmësuan pa lulebjeshkët!

 

Ty, o turpëri njerëzore ende

përpushen si pavoda ditëve

ata kullosin si baullicat kaos

 

mbi varr të marrës Europë

në rrotat qiellore gjithësie,grua

e përdalë paskërke qenë muzg;

 

5.

(Guri – lotët tanë)

 

Si muratorët më të vyeshëm

Ilirët shekujt i radhiten lartë

gurët i nxirrnin prej djersëve

 

damarë të lidhur nyje rrënje,

rrënjë të dallgëzuara thellësi;

fara e tyre mos të përzihet

 

 

me gjakun tonë të paderdhur

rrashtash tanë të gjallë mbiu

përfitimi i Luleshpatës n’ilikë

 

Gardhiqet mbërthyer e gram

tokës me ballin e vesuar rrethi

kërkon sinkopa të ndritshme…

 

mbi pëllëmbën e diellit hapen

pejsazhe të lashta si lulet koha

bren shkëmbin e pagjumësisë?

 

 

 

II.

 

1.

(Mahnitje – shkurret e shiut)

 

Qentë lehin – prapë lehja ia

fillojnë kotekot marrëzisht

të përgjakur, të shastisur…

 

Ndihet tingëllimi i lingës qensh

lehni laro me mërinë qençe mbi

dhe cofshi qençe nën gardh tok

 

me fatin që nuk ju pret ardhës

në mallkime mbështjellë congël

si gurët u kredhshit moçaleve –

 

dyshimesh njerëz të panjohur,

ndaj çdo gjëje që lëvizë gjëmë

ju gjetshin me shlivën zvarrisur…

 

njëthundrakët përtypin tutkaëë

mbi varret rrëshirë e dendur

me fosforin tuaj fare memec!

 

2.

(Guri pëlcet – tokën zhbiron)

 

Brigje të tëra rroposët fidane

zhgulët, hardhitë i prenit kosash

shiu humbi në qetësi të rërës…

 

zbres deri rrënjës’ëndrrës

as kryengritja e erës s’ju ndalë

katrritheni pas fjalëve tona…

 

në grykat e lumenjve u tretët

kundërmonin gratë të etura

për dashurinë e dardanëve,

 

dardanet e mrekullueshme

vallëzonin më bukur se zanat

me sy ndezin zjarrin e Agut,

 

të gjitha Muzat me brerore

ylberoshe dhe kryengritëse

me kraharorët hapësirë e gjerë,

 

3.

(Okarinat -zogëza bishtartë)

 

Pahitësja pranverore e paqës

pirgje diellore të tejdukshme

me indin e azurtë thurin anteri

 

ne kemi ndërgjegje si dritat!

Mëkati juaj i lëbyrtë u shoftë

nga sytë tuaj të përgjakur si

 

Atlantida u derdhshi me thonj

ndofta djalli iu thërriti Lucifer

erdhët me shigjeta t’acarta…

 

Bukurinë e palodhshme prej

se erdhët zogjët na i trullosët

nga përsiatja juaj insektet ikën

 

fshehtas dhe u fosilezuan kur

mësuan se si i thernit hijet tona

sollët shqetësime të stërgjata…

 

4.

(Horizonti – ankthet)

 

Gjelbërimin e butë e thatë

harkut vizëllues të ylbereve

sa të pa mëshirë fantazma –

 

na u shfaqet urash shiritzinj

rapsodët këndonin të verbërt

ju përqeshte djalli pjellë nate!

 

Me zinxhirët e enigmave ishit

pa tradita të dobët, mashtrues

nga zjarrit kishit mornica trupi

 

 

sa fëmijë të sëmurë fatzinjtë

me tabane dridhshëm perdesh

të qiellit të Naronës ku kishte

 

lindur mbretëresha ilire Teuta,

zvarreshit merimanga të verdha

çapojt e juaj skërleteve i latë…

 

5.

(Ekuinoksi – romancë kremteje)

 

Nëpër skërka e grihonit veten

gjarprin e gëlltitët në mëlçi, sa

mëkatarë jeni në shpirt mordje

 

Ne kemi flatra të forta shkabash

kemi thjeshtësinë të diellit jemi

të fuqishëm të fortë si porfiti…

 

ADN-ja dëshmon qendresën

e lashtësisë shkëndi gardhesh

të Kosovës Lindore vullkanësh

 

jeni det i vdekur dhe mëkatarë

kalaroni brenda rrethit vicioz,e

lëmekur me apatinë “qiellore!”

 

mjerimit luani muzikë funebre,

me tufën diellore të mendimit

pranverash në plis JO t’irnosur!

 

Besnikëria për Kosovën dashuri

është thellë në shpirtin tonë –

të mbushur zjarr – sogje në sy!

 

 

E shtunë, 9/14 maj 2020, në Dardaninë Ilire.

 

VETMIA – SHTATË PERSONA E NDJEKIN POETIN

Mustafa Spahiu: LAKU I ASHTIT TONË

 

Please follow and like us: