Dardha, fshati turistik me vila deputetësh dhe biznesmenësh, por pa shkollë dhe qendër shëndetësore
Bardhyl Berberi
Reportazh
Në një ditë të bukur në prag vere, me një qiell të pastër si sy fëmije jemi nisur për në fshatin turistik të Dardhës.
Do të ikim diku larg, me tha gruaja, pandemia na ka krijuar stres edhe pse në Pogradec nuk kishte asnjë rast.
Të presim të na vijë Blandi nga Tirana, i them unë.
Eja se kur të marrim Blandin shkojmë përsëri.
U nisëm. Kemi lënë pas Korçën dhe Boboshticën dhe makina eci nëpër gjoksin e maleve të lartë që i kalon mbi 1344m mbi nivelin e detit. Dielli që ka dalë sipër majave të larta herë shfaqet dhe herë fshihet nëpër qafat e maleve dhe duket sikur luan me ne symbyllurazi.
Para na shfaqet një luginë e bukur e rrethuar me male alpine. Ata janë të mbuluar me kurorat e gjelbëra të pishave. Këga e bilbilave të shumtë të shoqërojnë gjithë rrugës. Shiu që ka rënë para disa ditësh ka lënë gjurmët e vet nëpër majat e maleve duke i dhënë peizazhit një pamje magjike duke harlisur së tepërmi gjelbërimin. Një rrugë plot zikzake që gjarpëron nëpër gjokse malesh.
Nga qyteti i Korçës, pas rreth 20 km rruge të vështirë malore nëpër mbretërinë e pyllit na shfaqet Dardha e vendosur në shpatin e malit. Shumë shtëpi të vjetra janë të mbuluara me rrasa guri grixho dhe nga larg ngjajnë me shkëmbinj të latuar nga erërat. Por midis tyre shfaqen shumë shtëpi të restauruara që kanë pamjen e vilave. Kur i pyet dardharët të thonë se janë shtëpitë e njerëzve të kamur që kanë blerë shtëpi në Dardhë…
Po pse në Dardhë ky interesim?Vetiu njeriu në majë të këtyre maleve të mbuluara me dëborë e çon mendjen tek pranverta e ndezuar me blerim, tek stina e verës plot freski që vijnë nga puhizat e maleve të lartë tek vjeshta me petale piktorike prej ylberi. Ngado syri të sheh ndërtesa solide prej guri të gëdhendur, kalldrëme të shtruar mjeshtërisht, kroje të shumta dhe një numur i madh kishash midis tyre shquhet kisha e vjetër e Shën Gjergjit.
Kemi ndaluar pranë një hoteli luksoz në këmbët e malit.
Pranë oxhakut flasim me Tomi Ballin, i cili është nga Dardha dhe sëbashku me vëllain e tij Rubenin ka kryer këtë investim serioz. Tomi, si djalë nga Dardha e njeh shumë mirë historinë e Dardhës.
Historia e emrit të Dardhës
Fshati Dardhë është një fshat që është themeluar e rritur prej të “ardhurve”. Në Dardhë janë strehuar ata persona që kanë qenë të përndjekur nga qeveria osmane që i detyronte që të ndërronin fenë. Këta persona që vinin gjenin strehë tek një stan nën një Dardhë. Kur i pyesnin të afërmit ku jeni ata përgjigjeshin se jemi tek stani nën Dardhë, më pas lindi togfjalshi “Nëdardhë “deri tek emri sotëm Dardhë.
Në dokumentat e hershme del se fshati Dardhë ka patur 1454 frymë me 400 shtëpi.
Natyrshëm, thotë Tomi, të lind pyetja si u popullua kaq shumë ky vend kur toka i mungon dhe përgjigja është vetëm një, vetëm për të qënë të lirë.
Por pa tokë dhe të ardhura të pakta dardharët kanë qënë të detyruar që të emigrojnë. Pasioni i tyre kanë qenë sharrat dhe sëpatat e druvarit. Tomi thotë se akoma atje në Olimp të Greqisë ende punon sharra e dardharëve.
Mërgimi i largët ishte një dramë e gjatë, plot dhimbje, përveç Rusisë, Anadollit e Greqisë, dardharët kanë emigruar edhe në Amerikë. Rrallkush ka ngelur pa patur një pjestar të familjes në Amerikë. Aty dardharët morën pjesë nëpër shoqëritë patriotike.
Në vitet e pushtetit komunist Dardha pësoi një rënie të ndjeshme. Në vitet `60 në Dardhë ngrihet një shtëpi pushimi e cila pati një degë të turizmit korçar.
Dardha sot
Dardha sot ka ngelur një fshat pa fëmijë. Aty nuk ka asnjë shkollë. Nuk ka qendër shëndetësore. Aty mund të numërohen vetëm 50 banorë vendalinj, të gjithë të tjerët janë të ardhur. Kohët e fundit shumë dardharë që jetojnë në Tiranë dhe në Korçë i janë rikthyer Dardhës. Janë kthyer dhe po ringrenë shtëpitë e tyre të braktisura prej shumë vitesh. Blerja e trojeve dhe ngritja e një kompleksi vilash mga shumë deputetë e pushtetarë apo biznesmenë i kanë sjellë Dardhës një pamje tjetër. Hotelet luksoze të ngritura kohët e fundit dhe vilat e Ben Blushit, Teodor Laços apo biznesmenëve Gon Papuli e dhjetëra biznesmenëve të tjerë nga Tirana e Durrësi, që i kanë dhënë Dardhës një pamje tjetër. Këto ditët e pandemisë Ben Blushi kishte hapur disa punime dhe kishte zgjeruar perimetrin rreth vilës që kishte bërë të pakënaqur disa banorë. Banorëve të rinj dardharët iu kanë afruar miqësinë dhe mikpritjen e tyre. Tre hotele luksoze sidomos hotel ‘ardha’ ku bëhen gatime tradicionale, lakrori i famshëm dardhar, mishi i pjekur e shumë specialitete të tjera bio. Lokale janë shumë të shtrenja, por ka dhe pak më të lira sipas xhepit.
Pa dyshim që Dardha është bërë një destinacion i preferuar për shumë vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe shumë të huaj. Asfaltimi i rrugës, sigurimi i ujit të pijshëm, pyjet e ruajtura anembanë saj kanë krijuar një pamje vërtet të mrekullueshme në çdo stinë. Por Dardha është e përshtatshme edhe për sportin e skive. Aty thotë, Tomi Balli, pronari i hotelit është miratuar nga qeveria që të ngrihet pista e skive 1,5 km e gjatë dhe 70m e gjërë.
E pra e ardhmja e Dardhës ka vetëm një emër Turizëm… Por çuditërisht këtu ikin dritat shpesh, është premtuar një linjë e re, por ende është në horizont, fëmijët i çojnë 22 km larg me makinë drejt Kor☼ës për të bërë mësim dhe më pas i marrin duke bërë çdo ditë vajtje- kthim 44km rrugë. Edhe nëse ke një nevojë shëndetësore duhet të shkosh në Korçë me urgjencë pasi këtu nuk gjen asnjë infermier, pale mjek. Kjo është Dardha me turizëm gjithëvjetor e vila pushtetarësh…
Banorët thonë se Dardha e ka bishin mbrapa.