Ela Zdrava: BIJËS
Nëse gjendesh mes gjëmimesh,
thëllimi i dimrit të ka akulluar,
stuhi bore të presin rrugët,
e zemra të frymon mjegulluar,
ti thirrmë menjëherë, mos hezito,
sado mijëra kilometra t’jem larg,
thirrmë kudo, që t’jem mos harro,
shpirti im do t’jetë aty, përqark.
Do marr pak diell e rreze drite,
shpirtit tënd t’ia shkrij ftohtësinë,
si ylber pas shiut tek ti do të vij,
ndër këmbë të të shtroj yllësinë.
Heshtjes tënde do t’i jap formë,
mjellmë, që rrëshqet n’ujin e qetësisë,
me cicërima supet t’i mbuloj,
ndër krahë të t’jap malin e dashurisë,
Me të ftohtin polar do ndez zjarr,
shkëmbit shekullor fuqinë t’ia marr,
edhe zëri im do ta gjej fuqinë tek ti,
thirrmë, ti m’ke mua, unë t’kam ty.
22. 02. 2020.
Please follow and like us: