Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: PIKTORI FERDINAND PACI, 80-VJETORI I LINDJES

FERDINAND PACI (1940 – 1975)/

 

Në 80 vjetorin e lindjes…

Oborri i shkollës Pedagogjike e ma vonë salla e vizatimit e prof. Simon Rrotës, na lidhi si shokë me Ferdinand Pacin e, ma vonë si piktor të rijë, por edhe përjetsisht miq. Kujdesi dhe dashnia e prof. Rrotës për ne, na bani me dashtë artin për të cilin, atëherë ishte sakrificë e madhe me dashtë me tregue të vërtetën që na mësonte profesori  po, që, edhe na këshillonte si djelmët e Tij për me e ndjekë ate. E, ndoshta, sot mund të duket edhe e pabesueshme ajo që profesor Simoni, na fliste e na kshillonte…Na po përgatitëshim për mësues, por penelat e prof. Rrotës, na zbukuruen shpirtin me aq kujdes, sa përjetsisht mbetëm nxanësit e Tij, edhe atëherë, kur, vazhduem me kenë nën kujdes të prof. tjetër të pikturës Vladimir Janit, në rrethin e shtëpisë së kulturës. Ferdinandi ishte një talent i vërtetë dhe gjithmonë i njajti njeri i thjeshtë, i dashtun, i sinqertë dhe kurr egoist. Nuk dij asnjë rasë që të konstatonte në punimin tem ose të një shokut tjetër dishka të gabueme dhe të rrinte indiferent por, me dashamirsi, merrte penelin apo lapsen dhe vazhdonte korrigjimin e gabimit… 

Ferdinand Nush Paci, u le nga prindët Nush e Luçia Paci, me datën 30 Maji 1940, pra plot 80 vjet ma parë në qytetin e lashtë të Shkodres. Baba i Tij Nushi, ishte mjeshter argjentar, po edhe një prind model si në dashamirsi ashtu edhe në sjelljen e Tij prej qytetari të njohun shkodranë, gjithmonë i ndihmuem nga zonja e Tij e nderueme Luçia. 

Në shkollën pedagogjike Ferdinandi ishte ndër nxanësit e shkelqyeshëm në të gjitha landët, kjo kishte formue një përshtypje aq të mirë tek drejtori i shkollës prof. Gani Daiu, sa kur kemi mbarue shkollën, Ai na propozoi që të na jepej nga Ministria e Arësimit “madalje ari”, që për arësye biografije nuk e morem asnjeni as unë, as Ai. 

Ferdinandi, shkoi në punë në repartin e pikturës së qytetit, ndersa, unë disenjator në kabinetin pedagogjik të arësimit. 

Ferdinandi mbas shumë përpjekjesh e nderhymjesh e nga ana e prof. Vladimir Janit, ma në fund, mujti me shkue me disa provime plotsuese në Liceun Artistik në Tiranë, prej ku, me rezultatet e Tija të shkelqyeshme hyni në Institutin e Lartë të Arteve. 

Atje u laurue si piktor në qershor të vitit 1965, vit në të cilin edhe unë përfundova Liceun Artistik me korespondencë. Vazhdonim Ai dhe unë rregullisht me marrë pjesë në ekspozitat lokale të pikturës në Shkoder ndërsa, mbasi u laurue Ai u ba pjestar edhe i ekspozitave kombëtare në Tiranë si dhe, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarve dhe Artistave të Shqipnisë, tue theksue se këta arritje ishin vetëm për merita artistike dhe asnjëherë me rrugë tjera të terthorta ose të pandershme… 

Në vitin 1966, Ferdinandi mbajti fjalën e rastit kur unë hapa ekspozitën personale, dhe për këte iu terhoq vërejtja nga Lidhja e Artistave, mbasi nuk duhet ta bante për një njeri me biografi si të temën…Menjëherë, mbas vitit 1967, Ferdinandi ishte Ai që më sinjalizoi për rrezikun që më kercnohej nga i famëshmi “Revolucion Kultural”…

Miqësia e jonë dyfishohej edhe nga piktori Ndoc Gurashi, i cili, ishte jo vetem një mik besnik po, dhe, një këshillues i pjekun ndër shumë rrethana të kohës për ne të dy, ndonse, me Ferdinandin lidhej edhe familjarisht. Ferdinandi ishte një pedagog i nderuem dhe për këte dëshmojnë shumë ma tepër se vetë të gjithë ish nxanësit e Tij, të cilët, edhe sot e kujtojnë me respekt emnin e mësuesit të vet.  

Me datën 3 shtator 1975, në Shkoder, u hap lajmi i zi i një aksidenti automobilistik që kishte ngja në Thethin e Dukagjinit, ku humbën jetën katër përsona në moshë të re, ndër të cilët ishte edhe Ferdinandi…Nuk ishte e meritueshme për një njeri si Ferdinand Paci një fund jete aq tragjik dhe i dhimbëshem…Asnjëherë, nuk mund të shlyej nga kujtesa eme, Atë portret aq fisnik të Ferdinandit, që kishin shkallmue shkrepat e Alpeve tona, me atë pamje të mnershme që unë përjetova në morgun e spitalit civil të Shkodres, atë natë…kur e pashë shokun tem të fëminisë dhe, nuk e njihshe cili asht mes atyne viktimave të asaj nate të zezë…pamje e cila aq mu tipos në trunin tem sa, mbas disa ditësh e ripërtrina në një vizatim…ku, tue e shikue sa herë e mendoj: “Pse, o Zot, a mundet kush me veprue pa vullnetit Tand, me vra një njeri si Ferdinandin..?” 

…Ora e dorës që më dha një infermjere aty, tregonte ende shkapetjet…ndër gurë!

Atë, orë, njëditë…ia ktheva djalit të Tij, Adrianit…piktorit t’ardhëshem…sot, Burrë! 

Ferdinand Paci u nda nga jeta në moshen 35 vjeçare…plot 45 vjet ma parë…

Veprat e artit që Ferdinandi i la familjes dhe Atdheut në galeritë e arteve Ate, e rëndisin ndër Artistët e Kombit tonë. 

FERDINAND PACI, asht i paharrueshem nga Qytetaria e Shkodres, Ai asht artist i Pavdekshëm po, edhe Pedagog i Nderuem i brezit të ri, për moralin dhe dashninë e madhe që kishte për artin dhe Atdheun, ndjesi që Ai, edukoi dhe frymzoi tek Rinia e nderueme Shkodrane! 

Ai ishte një zambak i bardhë i qytetit të Shkodres…Se, ashtu kishte edhe Shpirtin e Tij..

Në shenjë kujtimi ia kushtoj këta pak rreshta në këte 80 vjetor…

Melbourne, 30 Maji, 2020. 

Please follow and like us: