Albspirit

Media/News/Publishing

Mos harro, libri i parë i Hagës/Krimet e Beogradit në Kosovë (1)

Image may contain: one or more people, meme and text

Shqiptarë që vriten me armë e me thika

Rrëfim i Besim Kadriut nga Prizreni, luftëtar i UÇK-së

 

Ushtria dhe policia serbe kishin rrethuar fshatin për gjithë natën. Ata na kanë nxjerrë forcërisht nga shtëpitë dhe na kanë mbajtur në këmbë rreth 1500 veta. Burra, gra e fëmijëna kanë detyruar të thërrisnim “Serbia-Serbia” dhe të përdornim simbolin e tyre me tre gishta lart. Disa prej serbëve na kërcënonin dhe na shanin me klithma të ndyra e histerike, kush i ulte duart ia prisnin gishtat para syve tanë. Po para syve tanë tërhoqën disa persona dhe i vrisnin në vend, me një gjakftohtësi cinike. Jo vetëm me armët, por edhe me thika dhe sende të mprehta. Ata shqiptarë që guxuan të largoheshin e paguan me kokën e tyre. Të tjera skena makabre shikoje përreth nesh: njerëz që tërhiqeshin zvarrë, të tjerë që priteshin nga breshëri automatiku dhe të armëve të lehta.

 

Pesë kufoma të pavarrosura

Dëshmon Malush Berisha, arsimtar në gjimnazin “Jeta e re”, Suharekë

 

I kemi përjetuar drejtpërdrejt terrorin dhe masakrat e pamëshirshme serbe, i kemi parë me sytë tanë kufomat e ekzekutuara. Në oborrin e shtëpisë sime kam parë pesë njerëz të vdekur, ishin të gjithë burra dhe të gjithë të moshës 35 deri 40-vjeçare. Ata qëndruan ashtu, kufoma të pavarrosura, për ditë të tëra. Edhe tani ata ashtu do të jenë sepse atje nuk ka mbetur këmbë njeriu. Ngjarja nuk ka ndodhur në ndonjë buzë pylli apo në ndonjë vend të shkretë, por në zemër të Suharekës. Gjithashtu ka pasur shumë shtëpi të djegura e të shkrumbuara. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, gjatë rrugës për shpërngulje jemi plaçkitur e vjedhur nga ushtarakë dhe milicë serbë. Po gjatë rrugës kemi parë pleq të paralizuar ose të pamundur, nën mëshirën e fatit e duke pritur vdekjen me sy, pasi askush nuk mund t’i ndihmonte. Krejt familjarët vraponin për t’i shpëtuar tmerrit përndjekës.

 

 

 

 

Një fëmijë masakrohet me hanxhar

Flet Elvedin Muharremi, 25-vjeçari nga Peja

 

Kemi dalë në lagje kur dhjetra makina me ushtarë serbë kanë zbritur rrufeshëm.Ata shtinin në ajër, po edhe në banesat tona. Na kanë marrë me forcë të gjithë banorët dhe na kanë degdisur në mal. Aty u bashkuam me grupe të tjera njerëzish të dëbuar nga fshatra përreth Pejës.Ishim të gjithë të kërcënuar dhe me rrezikun e vdekjes mbi kokë. Unë arrita të largohem së bashku me njërin vëlla, me nusen e vëllait dhe me fëmijët e tij, por kam lënë atje nën kërcënimin e vdekjes vëllain tjetër, motrën, babain dhe nënën. Rrugës kemi parë që fshatrat të përfshihen në flakë. Një fëmijë që u largua nga babai, i prenë gishtin me hanxhar dhe filluan të luanin para nesh me këtë gisht të prerë.

 

Kamion i mbushur me kufoma shqiptarësh

Dëshmia e Vesel Kryeziut, arsimtar i shkollës së mesme “S. Luarasi”, Suharekë

 

Pas 5 ditësh granatimi në shtëpitë e shqiptarëve dhe pas 5 ditësh të vrasjes së dhjetra banorëve, gjithçka ishte nën një terror të plotë; trupat serbe kontrollonin krejt terrenin dhe kryenin masakra sa hasnin ndër njerëz. Një mbrëmje vjen një kamion i mbushur me kufoma, që mund të ishin disa dhjetra. Ata i sollën dhe i vendosën në oborrin e shkollës së mesme të përgjithshme “Jeta e re”, e uzurpruar nga forcat ushtarake dhe policore serbe. Disa ushtarë serbë i zbritën kufomat njerëzore prej kamionit dhe i qarkuan me goma makinash. Më pas një prej tyre i spërkati trupat e pajetë me benzinë dhe u vuri flakën. Kufomat morën zjarr menjëherë…

Kur po largoheshim të tmerruar nga fshati, tri kilometra afër kufirit, disa ushtarë serbë na plaçkitën, na vunë tytat e armëve në fyt dhe na kërcënuan. Shumë të afërt na kanë mbetur atje, mua personalisht më kanë mbetur 2 motra dhe asgjë nuk di për jetën e tyre.

 

 

 

 

Një krim më makabër se tjetri

Një plak 70-vjeçar që nuk pranon të identifikohet

 

Jemi larguar nga vatrat tona vetëm me rrobat e trupit, sepse nga momenti në moment mund të vriteshim. Kemi një javë që flemë në male dhe mezi mundëm të kapërcenim kufirin pa u përballur me forcat serbe. U ruheshim edhe vendeve të minosura, po më shumë na ka ruajtur Zoti. Prapa nesh mbetën vetëm shtëpi gërmadha, dyqane të plaçkitura dhe kufoma që i gjeje sa andej-këtej dhe të pavarrosura.

 

Disa gra të moshuara nga fshati Tranë i Prizrenit

 

Serbët donin të na largonin me çdo kusht na trojet tona, na bënin thirrje dhe na kërcënonin që të largoheshim një orë e më parë, na vinin para fytyrave edhe tytat e armëve. Na thoshnim që të përshëndesnim “Serbia-Serbia” dhe na qëllonin me kondakë pushkësh.

Shqiptarët që kundërshtonin vriteshin në vend. Vriteshin gjithashtu edhe të paralizuarit, të sëmurët e të pamundurit; qëllloheshin pa asnjë shkak edhe ata që nuk kundërshtonin. Ikëm po e dinim se në fshat kishin mbetur disa kufoma.

 

Blerim Gugalla, fshati Lubisht

 

Disa persona të moshës sime i vranë pranë shtëpisë sepse ata nuk trembeshin, por edhe nuk donin të largoheshin. Ne vazhdimisht kemi vuajtur prej tyre, por këtë herë dukeshin sit ë tërbuar fare, nuk kishin pikë mëshire. Ishe e vështirë të dalloje se kush ishin më mizorë, ushtarët, milicia, paraushtarakët apo mercenarë të ardhur nga vende të tjera sllave e kryesisht nga Rusia.

 

Mazmut Hodaj, 49-vjeçari nga Prizreni

Në kohën kur me makinën time po transportoja 10 fëmijë të fisit tim, ushtarët serbë më nxorrën nga automjeti dhe më detyruan të shtrihem në mes të një pellgu të madh me ujë e llucë; më pas kanë filluar të më godisnin e të më rrihnin në sy të fëmijëve.

Gjatë rrugës për t’u larguar nga tmerri, djemtë e rinj i ndanin nga turmat e mëdha dhe i hipnin nëpër makina. Para se t’i hipnin atje, ata i mbështesnin mbas murit dhe i qëllonin me mjete hekuri. Kush nga shqiptarët e grumbulluar desh të lëvizte e priste vdekja.

Një djaloshi 20-vjeçar i ngulën bajonetën në brinjë dhe asnjë tjetër nuk lejohej ta ndihmonte e t’i ndalonte rrjedhën e gjakut…

Në fshatin Landoviç 20 djemve të rinj u prenë qafat me thika dhe u nxorrën sytë; ata u dogjën me djegien e krejt fshatit…

Nuk është e vështirë të gjesh në periferi të fshatrave tona varre masive ose grumbuj kufomash; ushtarët serbë i bëjnë me qëllim dhe sistematikisht këto krime që ne të na kallnin datën. Të gjithë silleshin harbutërisht dhe secili përpiqej të mburrej para shokut për masakrat e kryera.

Ram Krasniqi, 62-vjeçari nga Krusha e Madhe

Ushtarët serbë kishin mbledhur më shumë se 60 veta duke filluar nga pleqtë, gratë, fëmijtë e djemtë.Më të rriturit, që i kishin lidhur, i spërkatën me benzene dhe i dogjën të gjallë.Të gjithë këta nuk pranonin të largoheshin nga trojet e tyre dhe serbët, në shenjë hakmarrjeje, i përvëluan të gjallë.

Nestan Hodaj, 60-vjeçari nga Lasheca

Shqiptarët nuk donin të braktisnin shtëpitë dhe vatrat e tyre të motmotit, megjithë kërcënimin dhe terrorin serb e megjithë paralajmërimet e civilëve e çetnikëve të kombësisë sllave. Terroristë të forcave militare, të tërbuar nga kundërshtimi ynë, vranë me bajoneta 10 djem të rinj.

Pastaj grumbulluan me forcë të gjithë banorët e fshatrave Lashec, Kobanjë dhe Atmaxha dhe i nisën drejt kufirit; të gjitha fshatrat u përfshinë nga flakët. Ishte një skenë e llahtarshme, teksa shikoje që digjej gjithçka dhe përpihej nga flakët.

Bashkim Morina nga fshati Rugovë

I pashë me sytë e mi ushtarët serbë që ekzekutuan 7 pjestarë të familjes Muhaxhaj. Për ata dyshonin se kishin lidhje me luftëtarët e UÇK-së, ndaj edhe i ekzekutuan dhe i lanë ashtu të pavarrosur. Ne na vunë përpara si lopët duke na shoqëruar me breshëri armësh.

Shpresa Kastrati, 19-vjeçare nga fshati Hoça e Vogël

Paramilitarët serbë dyshuan se edhe nga familja Qerreti kishte luftëtarë. Ata hynë në banesën e kësaj shtëpie, morën vëlla e motër, Nazmine-15 vjeç e Gëzimin-9 vjeç dhe i therën para syve tanë.

Floreta Gashi, 17-vjeçare nga komuna e Suharekës

Çfarë nuk na kanë parë sytë! Vjedhje, vrasje, bastisje. Na plaçkisnin jo vetëm shtëpitë e bagëtitë, por edhe na vidhnin në trup; na kanë marrë unaza, vathë, medalione, orë e sende të çmuara. Kam parë shoqet e mia të përlotura dhe me fytyra të nxira.

Kur po largoheshim nga banesat tona kemi hasur rrugës njerëz të pamundur, pleq apo të sëmurë dhe nuk i ndihmonim dot, pasi vraponim për t’i shpëtuar ndjekjes nga ushtria serbe.

Rexhep Lenici, 29-vjeçari nga fshati Damjan i komunës së Gjakovës

Ushtarët serbë erdhën në fshatin tonë dhe nën kërcënimin e armëve na detyruan të braktisim banesat. Koha ishte tepër e shkurtër. Ishim të lemerisur, unë kisha edhe 4 fëmijë që duhet t’i merrja në mbrojtje.

Gjatë rrugës kemi dëgjuar mjaft granatime dhe goditje me artilieri në fshatrat tona.

Abaz Gashi, 34-vjeçari nga fshati Atmaxha i komunës së Prizrenit

Dhuna dhe spastrimi serb ka filluar qysh prej një muaji dhe vazhduan pa ndërprerje shumë kohë para bombardimeve të NATO-s. Fshati ynë ka qenë i grumbulluar dhe ne, banorët e tij ishim të detyruar të largoheshim dhe të strehoheshim përkohësisht në mal. Por edhe këtu nuk na lanë rehat me goditje artilierie, ndaj u detyruam të marrim rrugët.

Kemi parë tym e flakë në të gjithë komunën tonë. Kur kaluam në Landovicë pamë se familjarët e Ali Thaçit ishte djegur. 12 pjestarë të saj ishim mbytur në bodrum. Bëmë përpjekje t’i ndihmonim, por ata kishin vdekur, madje edhe 7 fëmijë.

 

Please follow and like us: