Cikël poetik nga Vlora Rexhaj
Amshim
Në këtë muzg po të kërkoj
Mbërthe trupin me krahët tu
Eja pa trokitur, pa bëza
Eja se unë të pres nën strehën e këputun
Të shpirtit tim
Nën qiellin e yjeve amëshor
Le të dergjem në prehërinë tënd
Si dergjen buzëshkrumbuarit në shketëtirë
Eja, amshim!
Se të pres në honin e hapur të shpirtit tim
Me melodinë e kangëve të pa këndume
Të stinëve të jetës
Eja se jam në hall e mall veç për ty
Amshim!
Penelopë!
Shtrirë hiret në mëndafshe kulluar
Shkëlqimin matan detit flakëruar
E sa herë deti shkëmbin lan
Sytë e tu nga malli qajnë
Ç’u trazua shpirti yt
Ditën diell e natën shi
Dashuria jote si kristal
Mbeti peng i besnikërisë
Kaluan ditë, muaj, vite
Dritë e diellit kurrë s’t’u shua
Si feniks zemra të digjej
Odisean për ta takuar
Sa histori do të shkruhen
Bota vetë sa t’ketë jetë
Por madhështinë tënde
as shekujt s’do ta shuajnë
Ti hirëplotë çdoherë
do mbetesh Penelopë!
Dashuri
Qiellit ia mora yjet
Diellin shkëlqimin
Hënës bukurinë
Aromën trëndafilit
Petalet manushaqes
Këngën e bilbilit
Kaltërsinë e detit
Gjelbërimin e prillit
Bukurinë e vashës
Trimërinë e trimit
Të gjitha këto seç m’rrinë për bukuri
Dhe formojnë fjalën Dashuri!!