Ekskluzive me artistin Florent Buca/Arti grafik si magji e thjeshtësisë në formë, por që troket fuqishëm në ndërgjegje
Përgatiti Sabina Darova
Kush është Florent Buca dhe në ç’raport e shihni vetëveten me artin në përgjithësi?
Fillimisht dua t’iu përshëndes juve zonja Sabina dhe lexuesit e portalit ‘Albspirit’, që besoj janë të shumtë në numër. Ndjehem mirë dhe i nderuar kur intervistohen profesionistët e cilës do lëmi, e veçmas artit, meqë tek ne fokusimi kundrejt kulturës e artit është më i zbehtë. Unë kam lindur në Gjilan, pra në Kosovë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kam përfunduar në vendlindje. Kam mbaruar studimet bazë dhe ato post-diplomike në Universitetin e Prishtinës, dega e dizajnit grafik. Tash e shumë vite i përkushtohem profesionit, qoftë në aspektin praktik të realizimit të punimeve, qoftë leximit e pasurimit të mëtutjeshëm me informacione të reja rreth zhvillimeve kulturore-boterorë. Arti Grafik, Grafika Reklamuese, Multimedia, Kaligrafia, Vizatimi, Piktura, Fotografia, Ilustrimi etj, janë teknikat që pothuajse çdo ditë zënë vend në punën time. Kur puna është edhe pasion, kur profesioni i zgjedhur është dhe zgjedhje e bazuar në talent, dëshirë e dashuri për të dhe jo zgjedhje e atypëratyshme, padyshim bëhet atraktive, dhe angazhimi bëhet frytëdhënës. Ky fakt është pjesë e çdo profesioni, çdo fushe besoj, jo vetëm në art.
Lindur në vitet 60’, arti ( piktura) minimalist, lëvizje e bazuar në thjeshtësimin e lëvizjeve të formave dhe në sintetizim të mendimit, çfarë përfaqëson dhe si ka ardhur ai tek ju?
Kjo lëvizje arti, pra minimalizmi, për mua do të thotë më tepër se artbërje. Është një intelegjencë e veçantë, që artistët e asaj kohe kanë arritur ta realizojnë. Në fakt, është gjenialitet. Sepse siç ka thënë Ajnshtajni, kur gjërat e komplikuara arrin t’i zbërthesh, pra, ti thjeshtësosh ato në pak fjalë, jo t’i bësh komplekse. E në kuadër të artit minimal, me pak formë e ngjyrë, të zbërthesh konceptin është e mrekullueshme, është e veçantë jo vetëm për artistin, por besoj edhe për shikuesit e atij punimi.
Shumë nga punimet e juaja marrin jetë nga një fabul, që lidhet me traditën dhe konceptet sociale të së përditshmes. Këto punime i shërbehen publikut të interpretuara në një dritë të re, moderne, që e mbërthejnë duke e vënë në punë të reflektojë. Ku qëndron sekreti?
Është e vërtetë. Këto punime vijnë si pasojë e përditshmërisë, pra interaktivitetit me njerëz, me situata të ndryshme e ndodhi. Për fat të keq ne si shoqëri kemi krijuar disa dimensione sociale jo të mira, jo të duhura. Lehtë po kopjojmë modele jo të shëndetshme për njeriun dhe shoqërinë. Pra, nuk ka diçka mistike, sekrete në punimet e mia. Atë që ndjej e bëj, atë që perceptoj e hedh në letër.
Jeni krijues i studios ‘Penta’, nga më të dëgjuarat në Kosovë, përsa i përket marketingut dhe themelues i librit të biznesit, ‘Fletët e arta’, dëshmi kjo e artit konceptual të grafistit që ju praktikoni. A mundet të na tregoni diçka mbi këtë aktivitet?
Po, unë kam qenë themelues i studios ‘Penta’. Kam bërë shumë edicione të librave të bizneseve për vite me radhë. Të them të drejtën atë kohë teknologjia nuk ka qenë e nivelit të tanishëm dhe praktikisht puna, realizimi i tyre ka qenë më i zorshëm. Tash me super shtrirjen e gjerë të masmediave, të avancimit teknologjik të pajisjeve përkatëse, edhe dizajnimi ka marrë më shumë jehonë dhe është bërë më atraktiv e më lehtë i realizueshëm.
Cilët janë mësuesit e juaj dhe cilët artistë shihni ju sot?
Pak para përfundimit të gjimnazit, pata ndjekur kursin profesional në art, tek profesori i nderuar e shume i njohur Esat Valla. Besoj që ai ka ndërtuar tek unë një bazë të fortë në profesion. Ndërkaq, gjatë studimeve profesorët Shyqri Nimani, Agim Salihu, Faik Krasniqi etj, kanë qenë fantastikë. Pedagogë të mirë, udhërrëfyes ‘artistikë’ aq të mirë, sa patjetër zgjohej motivimi për punë të vazhdueshme. Artistët që unë i përcjell, shikoj punët e tyre, janë të shumtë. Por, ata që më me endje e dëshirë i ndjek janë Milton Glaser, Banksy, Jeff Koons, Yayoi Kusama e Damien Hirst.
Teknika që ju përdorni si formë artistike për t’u shprehur është grafika. A mund të gjejmë një paralelizëm me Haikun, poezinë japoneze?
Forma shumë e shkurtë e poezisë japoneze, që ndryshe njihet si Haiku. Po, patjetër. Veçantinë e saj e njeh bota. 3 vargëshi i famshëm. I thjeshtë, përmbajtësor, ekspresiv, përshkrues, i thellë, i butë, delikat, fragjil. Është ndër të preferuarit e mi. Është minimial. Është pothuajse përshkrimi i vet fjalisë së famshme ‘Pak është shumë’. Duke u nisur nga ky koncept, por edhe për nga realizimi dhe përmbajtja e punimive të mia, patjetër që ka shumë ndërlidhje mes Minimalizmit dhe Haikut. Pra, uroj që gjithë lexuesit tuaj dhe artdashësit në përgjithësi, të arrijnë të magjepsen nga fuqia e minimalizmit, minimales, thjeshtësisë.
Si ka ardhur rritja juaj artistike ndër vite?
Rritja artistike ka qenë graduale dhe është e vazhdueshme akoma. Hapat e parë i kam filluar në kurset parapërgatitëse në art, pastaj duke vazhduar me shumë përkushtim përgjatë studimeve. Kam pas fat, sepse kemi pasur profesorët më me zë të kohës. Menjëhëre pas studimeve, atëkohë hov të madh zhivillimi kanë pas mediumet e shkruara, në disa prej tyre kam punuar vite me rradhë, pastaj edhe në mediume elektronike. Besoj këtu ka filluar vrulli intensiv i realizimit të dizajneve të mia për këto mediume, e kështu me rradhë…
Çfarë mendoni për grafistët shqiptarë në të gjitha trevat e saj?
Besoj që kemi shumë artistë të formuar, qoftë profesionalisht, qoftë në dimensionin njerëzor. Disa prej artistëve aq shumë kanë bërë punë të mira dhe realizime të mira, sa kanë arritur të ekspozojnë pothuajse në shumë vende nëpër botë. Kanë arritur të marrin pjesë nëpër festivale kulturore- eminente botërore.
Cilat janë mesazhet që ju dëshironi që publiku të lexojë në punimet tuaja?
Unë dëshiroj që publiku punimet e mia t’i ndjejnë. Të gjejnë një copëz jete të tyre, qoftë përditshmërie, qoftë sfidë apo kujtimi fëmijërie e rinie në to. Qëllimi im është të zgjojë emocione në pak forma e ngjyra. Pra në kuadër të minimalizmit të them aq shumë, saqë mos të ketë nevojë shpjegimi. Gjithashtu dua që përmes këtyre punimeve të rris reflektimin e publikut për të ndryshuar disa dukuri negative. Dua që me anë të punës sime të fillojmë gradualisht të mendojmë për ndryshim, në të mirë të të gjithë neve.
Një vlerësim kritik ndaj vetvetes?
Pyetje interesante. Po kritikat jane edhe të mira edhe të keqia. Nuk e di. Në fakt ndonjëherë tentoj të dalë jashtë vetes, dua të sjell më shumë tema të paprekura, më sensitive, që janë tabu, por ndoshta nuk e kam guximin e mjaftueshëm njerëzor (në kuptimin se si do të mirëpriteshin ato te publiku), anipse atë artistik e kam. Ku i dihet, ndoshta në një kohë tjetër të mëvonshme, apo në një të ardhme të afërt, do t’i realizoj.