Albspirit

Media/News/Publishing

Sabina Darova: Fjalët e ëmbla thuhen në gjuhën mëmë

Sendet - Vlera Personale... — Albmendimiarts.com
Tregim
Mara vendosi që mbrëmjen e së shtunës, ta kalonte në jazz club së bashku me tre shoqet e saja italiane, me të cilat ndante pasionin për muzikën çdo fundjavë. Ishte fillim maji, në zemër të pranverës dhe tema e mbrëmjes, binjake me ditët plot aromë, i dedikohej kërcimit, “Ballo Swing” e njohur prej viteve 30′. Shtyu lehtësisht kanatin e dollapit dhe dora i kapi një fustan blu të mëndafshtë, me vijëza të holla e të kuqta, shpërndarë si fishekzjarret mbi qiell. Ju duk më se i përshtatshëm për atë mbrëmje. Për të plotësuar detajin e fundit, vendosi një kapele që mbante një pupël të kuqe anash. Pasi kaloi një të kuq të ndezur mbi buzë, tërhoqi derën dhe zbriti shkallët për të venë në provë këpucët dekolte të sapoblera, me takat e larta e majë të hollë. Nuk ndjeu shtrëngim apo lodhje, e buzagaz vendosi çelsat në makinë për të nxituar drejt godinës së muzikës Jazz të qytetit. Salla e vallëzimit ishte plot e përplot. Atmosfera e gëzueshme ngjante si një pjatë frutash që pret të shtrydhet mbi buzë.
Mara dukej sikur të ishte zhvendosur nga fije magjike në një kohë pa emër, të cilat e tërhiqnin si një varkë të lumtur, e që përkundej drejt infinitit në valët e muzikës.
Ju afrua grupit femëror, të cilin nuk e gjeti vetëm. Dalloi tre djem jo të rinj, ndoshta edhe moshatarë. I ranë në sy menjëherë veshjet e tyre me shije dhe ndjeu që i përkisnin një kategorie meshkujsh borgjezë. Nuk njiheshin. Stela, xerxevulja e grupit, ajo që del në rrugë e mbledh si gështjenjat në kaush të gjithë të panjohurit, i prezantoi me një gjuhë plot ëmbëlsi duke zgjatur e përkëdhelur zanoret mes dhëmbëve të bardhë, për t’u dukur sa më tërheqëse në sytë e djemve. Tregoi që ishin shokë të ardhur nga një qytet fqinjë për të ndjekur një projekt të përbashkët. Nën insistimin e saj, ishin ndalur të kalonin dhe darkën, pasi ajo ju kishte treguar për eventin muzikor të mbrëmjes, aë nuk duhej ta humbnin.
Mbas prezantimit, njëri prej tyre, merr guximin për ta ftuar në pistën e vallëzimit. Rrëshqasin lehtësisht, pa u penguar në qendër të pistës. Mara ndjehet si balerinë e parë mes dhjetra çifteve që kërcejnë shpengueshëm. Djaloshi spikat që është mjeshtër me lëvizjet e veshura me elegancë. Ky fakt nuk kalon në indiferencë karshi vallëzuesve të tjerë. Vallëzojnë të dy sikur të kenë kohë që njihen. E ndjejnë që pëlqehen. Lëvizjet e këmbëve, rrotullimet, zhvillohen në harmoni të plotë, dhe dehin ambjentin. Grupi e thith sintoninë e çiftit dhe nuk jua ndajnë sytë të veshur plot admirim. Kometa magjike i ndjek mbi kokat e përflakura. Kur këmbët nuk ju mbajnë më e fustani dhe bluza ju ngjitet për trup nga djersët, ora ka shënuar dy pas mesnate. Përpara ndarjes shkëmbejnë adresat për t’u ridëgjuar në facebook.
Në mëngjezin e së nesërmes, ndërsa pergatit mëngjezin, Mara vë re me bishtin e syrit mbi celular kërkesën e Tonit, kështu i ishte prezantuar. E kënaqur, buzëqesh dhe zgjat gishtin tregues drejt butonit të cellularit. Shtyp okay, por dizativon internetin, për t’i lënë të kuptuar që për të, është një njohje si gjithë të tjerat, që nuk ka ngut.
Pas darke, si gjithmonë, mbasi ka darkuar dhe larë enët, rehatohet mbi divan e fillon të kontrollojë faqen e fb-së. Nuk kalojnë pak sekonda, kur në ekran lexon gërmat që radhiten si cepa përparësesh fëmijësh:
“Buonasera Mara”.
“Buonasera Toni”.
Pak si me drojë, biseda merr udhë dhe zgjat deri në mesnatë. Të nesërmen, e disa net të tjera po ashtu, bisedat ndjekin orët e vona pasmesnatës. Si në një film: ngjarjet e ditës, librat, gjuhët e huaja, pasionet dhe paharruar asnjë çast, muzikën.
Toni është një njohës i përkryer i muzikës. I apasionuar ndaj dy gjinive të muzikës së zezë, blues e soul. Mara, që nuk do t’i qëndrojë mbrapa, mbrohet me memorien e çeliktë të historisë së jazz-it.
Bashkëndarja e vazhdueshme e këtyre çasteve bën që të ndjehen më pranë. Por, diçka mungon . Guximin për të ecur më thellë në shoqëri e merr ai i pari.
Zgjedh melodinë e këngës të Ray Charls  “Georgia on my mind”.
Mara ndjen një masë të lëngshme në grykë që e pengon të përcillet. E ka emrin emocion, e di, e mundohet t’a fshehë.
Toni i flet për divorcin e vështirë të 3 viteve të kaluara dhe dy fëmijët në moshë të mitur që jetojnë me të jëmën. Mara i flet për vetminë. Toni nuk ka shumë shokë, jeton i vetmuar. Mara është e rrethuar me shoqe dhe kërkon t’i furnizojë ditët me diçka të re. Toni ka menduar t’i dhurojë një CD të këngëtares së saj të preferuar, Billi Holiday.
Mara ka paketuar një libër të trashë që flet mbi historinë e jazz-it.
Vendosin të takohen një të djelë mbas dy javësh komunikimi nëpërmjet portalit. Mara i propozon të shohin një film në kinema. Pas filmit marrin një akullore në lokalin më me emër të Torinos. Bisedojnë me zjarr rreth filmit, shihen gjatë në sy, por provojnë instiktivisht një lloj stepje. Mbrëmja mbyllet me një përcjellje afektive. Ndoshta është ende shpejt… Hijet e historive të së kaluarës, ju qëndrojnë akoma si kusarë mbi kokë. Kujdesen për ‘tapetin’ e ri të sapo shtruar.
Toni provon t’i telefonojë, ashtu si rastësiisht pas tre ditësh. I mungon zëri i saj. Përshëndeten me një Ciao të ëmbël si një fllad i lehtë ere, që përkëdhel gjethet e pemëve në muzg. Ai guxon të shprehet që ka filluar të ndjejë diçka serioze për të. Mara buzëqesh dhe përgjigjet se edhe asaj, ai i pëlqen.
Prania e tij tashmë, bën pjesë në mendimin e saj të përditshëm. Gjithçka duket sikur shkon natyrshëm.
– Atëherë! ngre zërin Toni duke u ndjerë më i sigurt në vetëvete e vijon:
– Tani mund të fillojmë të flasim edhe shqip. Mua më pëlqen që fjalët e ëmbla t’i shqiptoj në shqip.
Mara ndjen një të dridhur këmbësh. Me zërin e mekur pyet gjithnjë në italisht
– Çfarë the?
– Dua të flasim shqip nga ky moment. – Përforcon me ton urdhërues.
Marës i bie telefoni nga dora. Nuk kuptohet se çfarë fjalësh arrin të lidhi me sytë e trembur:
– Unë të flas shqip? Shqip, shqip…?
Domethënë, ai, Toni, nuk qënka Antonio, por Toni shqiptar.
Si është e mundur? Kishin folur aq gjatë mbi gjithçka dhe nuk kishin treguar prejardhjen. Asnjëri prej tyre nuk e kishte zënë në gojë origjinën. Si ishte e mundur artikulimi kaq rrjedhshëm në gjuhën italiane nga goja e tij? Sa bukur dhe me sa elegancë vallëzonte!
Automatikisht fillon ta mendojë në të shkuarën.
Mbi kokë iu ngrit shpata e Demokleut: Nuk mundej të shkelte mbi besën që i kishte dhënë vetëvetes: Kurrë, një histori me një bashkëatdhetar!
Nga ana tjetër e receptorit vinte zëri i tij jo më i sigurt: – Alo, alo, alo…
Please follow and like us: