Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Londo: VDEKJA E VAJZËS SË NAIM FRASHËRIT

 

Demokratet Populiste – poezi nga Bardhyl Londo | NA ISHTE DIKUR

Poetit i vdiste vajza. Dhe s’ kish tjetër pasuri

veç detit të dashurisë për mëmëdhenë.

Në mbrëmjet e trëndafilta, vajzat e mehmurëve

për një katedrale në Paris ëndërronin, për një kopësht në Vjenë.

 

Poetit i vdiste vajza. Dhe s’kish për të ilaç,

një shtrat për të në spitale nuk kish.

Për një puçër në pulpë, vajzat e mehmurëve

niseshin në Vjenë, iknin në Paris.

 

Kthehej poeti nga mërgimi. Në doganë

një grusht shkronjash shqipe i ngrohnin gjirin.

Me bizhuteritë e Vjenës, me dantellat e Parisit

vajzat e mehmurëve kalonin kufirin.

 

Poetit i vdiste vajza. Me një abetare të thjeshtë

sa kishte filluar të çukiste abecenë.

Vajzat e mehmurëve me bursë niseshin

universiteteve në Paris, kolegjeve në Vjenë.

 

Poetit i vdiste vajza në një shtëpi të thjeshtë

mes varfërisë, mes katër mureve

Atdheu thinjej nga dhembja për të,

thinjej nga vakancat e vajzave të mehmurëve.

 

20 tetor 1986

 

Please follow and like us: